OPINION

Dekriminalizimi, një udhëkryq për Drejtësinë tonë

07:30 - 01.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Ben ANDONI

 

Ka ende pak kohë për të marrë frymë për ata që shpresojnë në verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me dekriminalizimin. Institucioni i Lartë ka vendosur për shtyrjen e afatit të shqyrtimit të çështjes deri më 7 mars, kohë kur ankimuesi (ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës) Elvis Rroshi dhe avokati i tij, Theodhori Sollaku do të jenë edhe fizikisht para tyre. I përjashtuari Rroshi kërkon tashmë veç shfuqizimit të Vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e tij edhe shqyrtimin e kushtetutshmërisë së të gjithë Ligjit me nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Mbi Rroshin rëndojnë disa dënime, që ia bëjnë gati të pamundur shfajësimin apo kthimin e lehtësimit të vendimit, kurse sa i përket vetë ligjit, ai prej kohësh është i kontestuar. Arsyeja është e mirëditur: dispozitat e dekriminalizimit përjashtojnë nga votimi zgjedhës, të cilët janë të dënuar nga disa vepra të ndryshme penale. Problematika që lidhet me të ka të ngjarë që të bëhet kazus debati pas zgjedhjeve nga organizatat për të Drejtat e Njeriut. Deri mImage result for ben andonië tani organizatat e të Drejtave të Njeriut nuk kanë qenë shumë aktive, ashtu si ndodh rëndom para problematikave të tilla të vështira në vend.
Ka pasur në fakt një marrëveshje mes dy partive kryesore që ligji të mos ankohej, por rasti i Rroshit tregoi sesa pak të interesuara janë dy partitë për të dhe si po e përdorin këtë ligj kundra njëra-tjetrës. Sa më shumë të zgjasë shqyrtimi i çështjes “Rroshi”, aq më shumë opozita do ketë mundësi të ketë objekt sulmi.
Më e habitshme në rastin e Dekriminalizimit e përsërisim se ka qenë zëri i munguar subjekteve që lidhen me të Drejtat e Njeriut. “Ka fare pak gjasa që Ligji i Dekriminalizimit të shfuqizohet apo të kthehet nga Gjykata Kushtetuese. Arsyeja është se ligji është votuar me të 140 kartonët e ligjvënësve shqiptarë dhe në dokumentin themeltar, një hap i tillë, e bën Gjykatën Kushtetuese që të shikojë vetëm procedurën, por jo verdiktin. Dhe, kjo ndodh rëndom me ligje të veçanta, që e kanë këtë madhësi votash absolute”, mendon juristi Sokol Hazizaj.
Ndërkohë që debati, që mund të krijohet në të ardhmen lidhet direkt me dispozitat kushtetuese. Kështu për shembull në atë me numër 45, pika 1 u jep të drejtën e plotë shtetasve që mbushin moshën madhore (18 vjeç) të votojnë, e këtu përjashtohen vetëm ata që me një vendim gjykate konsiderohen si të paaftë mendërisht. Ndërkohë që vetë ligji nuk mund të jetë mbi kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Teknikisht, Kushtetuta jonë në nenin 17 llogarit kufizime të të drejtave vetëm në rastin e interesit publik, por kjo “në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut”. Dhe është mu kjo konventë, që nuk i jep mundësi ndërhyrjes me ligj në formën e Ligjit të Dekriminalizimit. Me pak fjalë, përderisa të dëmtuarit nga ky kufizim ekstra kushtetues nuk kanë përcjellë ankimim në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo nuk ka vendim, atëherë ajo mbetet në fuqi, citohet politologu Afrim Krasniqi, që shton edhe problemin se cili do jetë ai institucion që do ketë mundësinë të verifikojë dënimet e qytetarëve shqiptarë të dënuar në vendet e tjera për të njëjtën vepër penale dhe këtu i përjashton nga e drejta e votës? Dhe, nuk mbaron këtu: si do të veprohet me vendimmarrjet e gjykatës në ditët e fundit të fushatës apo kur individët ankohen në Gjykatën Evropiane ose në nivelet e larta gjyqësore shqiptare?
Për ata që s’e dinë, argumenti ynë nuk merr përsipër të mbrojë funksionarët e lartë të pushtetit lokal apo deputetët me rekordet e frikshme që kanë, porse në mënyrën sesi është hartuar ai, bie mbi kurrizin e shqiptarëve të thjeshtë, mu ata që shteti që u administrua nga partitë e majta dhe të djathta, i braktisi frikshëm. Kështu, për shembull, trupi ynë diplomatik mund të deklarojë më mirë se kushdo tjetër se sa shqiptarë fatkeq janë dënuar jashtë gjoja prej gabimeve të përkthyesve, mospasjes së avokatëve të duhur, apo sa prej tyre syresh kanë qenë të mbrojtur dobët qoftë edhe për kundravajtje të vogla, penalitete që shtetasit e Bashkimit Evropian i shlyejnë vetëm me gjoba. Ndërkohë shumë qytetarë të thjeshtë, një pjesë e madhe minorë në kohën e dënimeve, i ka mbytur zhurma që po bëhet duke e identifikuar Ligjin e Dekriminalizimit vetëm me kriminelët e politikës. Teksa dihet mirë se këta jo vetëm që nuk do rrinë larg në këto zgjedhje, porse do mbeten ushqimi i tyre dhe mënyra sesi partitë në shumë vende komunikojnë me publikun.
Ndërkohë për fatkeqët që përmendëm më sipër, jo vetëm janë rehabilituar atje ku kanë marrë dënimin, porse një pjesë e mirë janë shkolluar dhe arsimuar dhe janë jo në pak raste qytetarë model. Argumenti ynë kërkon të hedhë dritë për mungesën e debatit konstruktiv, pasi sapo kjo flitet, menjëherë militantët hidhen me ofendime. Për të kuptuar se sa serioze është çështja, mjafton të shikosh qoftë edhe deklaratat e formularit të dekriminalizimit e me radhë.
Elvis Rroshi është një nga të zgjedhurit e parë vendorë që po preket nga Ligji për Dekriminalizimin, i miratuar dhjetorin e vitit të shkuar me shumicë votash të dy krahëve të politikës. Deri në mesin e muajit shkurt 2017 ishin plot nëntë funksionarë të lartë, deputetë dhe kryebashkiakë, të cilët ishin në listën e prokurorisë me dyshimin se përbënin objekt të Ligjit të Dekriminalizimit.
Të gjitha këto çështje bashkë qëndrojnë tashmë para Gjykatës Kushtetuese, që duhet të japë një verdikt qoftë të ndalet futja e elementëve kriminalë ose me të kaluar kriminale, por edhe të mos penalizojë shqiptarët e thjeshtë. Avokati Sollaku, me një përvojë të tërë, e ka shpjeguar në kërkesën e tij të gjithë kazusin, duke e krahasuar me shumë raste ndërkombëtare. Përpjekja tashmë është sesa Gjykata do të ndajë apo të vlerësojë rastin e Rroshit dhe të deputetëve me atë të qytetarëve të tjerë të thjeshtë, që puna e tyre dhe koha i ka rehabilituar. (Gazeta Shqiptare)

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Kjo persiatje mund te gjente vend gjate diskutimeve mbi ligjin, por tani nuk mund se te shpjere uje vetem se tek Roshi. Prandaj eshte filluar me ate dhe mbaruar teksti me qyqaret qe mund te kene qene viktima te procedurave te padrejta. Per te asociuar rastin e ketyre te fundit me ate te Roshit.
    Andon, qe kur ke marre nje projekt tek Ministria e Kultures nuk mendon paster, as me sinqeritet. Se nuk mund ta nisesh kete tjerrje me Roshin. Po te ishe i interesuar, nuk do te percillje analizen e nje juristi ketu, por do te kishe hulumtuar ndonje rast konkret te nje personi qe vertet diskriminohet pa te drejte nga ky ligj. Nje reportazh nga ato qe di te besh ti. Se per keshtu analizash ne hava kemi Fevziun & Co.

    Përgjigju ↓