AKTUALITET

Rrëfimi i Sinanajt: Mëhillajt s’më dhanë lekët për vrasjen e Sokol Veizit

18:02 - 06.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play
Julian Sinanaj

Genis Mëhillaj, i dënuar me 10 vjet burg nga gjykata e Krimeve të Rënda është arrestuar sot në Tiranë. Ai ishte pjesë e gjyqit të famshëm të “bandës së tritolit” i cili kishte si protagonist kryesor Julian Sinanajn.




Ai ka patur një rol si sekser në veprimtarinë e bandës. Vetë Julian Sinanaj, i dënuar si vrasës me pagesë, mban statusit e bashkëpunëtorit, ka rrëfyer para prokurorëve se refuzoi të vriste dy biznesmenë ndërtimi, pasi kushërinjtë Erion (Andon) dhe Genis Mëhillaj nuk e paguan për vrasjen e peshkatarit Sokol Veizi. Si dhe nxjerr në dritë të tjera detaje tronditëse, që lidhen me ekzekutime mafioze, ndërsa “GSH” për shkak të sekretit hetimor vendos që të dyshuarit, apo personat nën hetim, të mos i identifikojë. Në këtë pjesë, veç të tjerash, Julian Sinanaj tregon për minat me celular që i shiti Andon Mëhillajt si dhe presionet indirekte që po i bënte këtij të fundit, për mosdhënien e tokës, që do të merrte si shpërblim për vrasjen e peshkatarit.

RREFIMI I PLOTE I JULIAN SINANAJT

Pasi Erioni më dha automatikun ‘Skorpions’, gjatë kohës që vinte te shtëpia, unë i kam kërkuar që ai të më jepte tokën që më kishte premtuar për vrasjen e Sokol Veizit. Nga ana e tij, u justifikua se për këtë gjë do të flas me Gentian Mëhillajn, sepse që të dy do të paguanin si shpërblim për vrasjen e kryer.

Kujtoj se këto biseda zhvilloheshin diku nga fundi i muajit shtator ose fillimi i muajit tetor 2012. Gjatë kësaj kohe më lindi si ide të modifikoja dhe ndërtoja një pushkë snajper me silenciator. Ku për ndërtimin e saj, i tregoja Erion Mëhillajt, se me të do të realizoja vrasjen e djalit të Sokol Veizit, gjë të cilën ai ma kishte kërkuar që në fillim të ngjarjes së Veizit. Modifikimin e pushkës fillova ta bëja për t’u treguar atyre njëfarë presioni indirekt ndaj meje, që ata ta merrnin më seriozisht problemin e shpërblimit tim për vrasjen, ku edhe ata mund të kishin një fund të tillë nëse do t’më mashtronin.

Gjatë kësaj kohe, një muaj pas vrasjes së Sokol Veizit, unë kam blerë një pushkë njëzetëshe, të cilën ia mora një peshkatari. Këtë pushkë e kam blerë me një çmim prej 15.000 lekësh. Këtij personi nuk ia di emrin. Pastaj fillova të modifikoja pjesët e saj, ku në tornitor të ndryshëm në Vlorë, në mënyrë të pakuptueshme për ta kam modifikuar pjesë të ndryshme të armës. Kam bllokuar gypin e gazrave të armës, mbi pjesën e tytës, kam modifikuar shtratin e saj, në mënyrë që mbi të, të vendosja dylbi, ndërsa në pjesën e përparme të tytës kam bërë modifikimin dhe filetimin e pjesës së jashtme në mënyrë që të montoja silenciatorin. Pjesët i modifikoja të tornitorë të ndryshëm, në mënyrë që asnjëri prej tyre të mos mësonte se çfarë po ndërtoja unë.

Të gjitha këto modifikime dhe punime tornoje i kam bërë me ndihën e Erion Mëhillajt dhe Ndriçim Gjokonës. Nga ana e Erion Mëhillajt është urdhëruar Ndriçim Gjokona që të kryente punimet në tornitorë të ndryshëm, ku nga ana ime ishte bërë skicimi i punimeve që kërkoja të bëheshin prej tyre. Pasi kam përfunduar modifikimin e armës, e kam testuar në pyllin e Sodës, ku kam konstatuar që silenciatori ishte efikas, ndërsa problemi i regjistrimit dylbive, ishin ende të pakolauduara mirë, sepse nuk kisha gjetur ende terrenin e duhur për ta modifikuar atë.

Pas përfundimit të armës snajper, nga ana ime iu kërkua përsëri borxhin që më kishte Erion Mëhillaj, por ai vazhdonte më të mbante me shpresa se ato do t’mi jepte më vonë, së bashku me Gentian Mëhillaj. Gjatë këtyre ditëve, që ishte muajit tetor-nëntor 2012 nga ana e Erionit mu kërkua që unë t’i prodhoja dy mina celulari. Në këtë rast ai kërkoi që këto dy mina, të ishin më të sigurta se mina e parë me rele. Për blerjen e tyre, ai më ofroi 10 mijë euro secila, ku fillimisht më ka dhënë 15 mijë euro dhe pasi ia kam dorëzuar më ka dhënë dhe 5 mijë euro. Për këto dy mina, Erioni nuk më tregoi se përse i kërkonte.

Për ndërtimin e tyre unë kam porositur 3-4 rele elektronike me voltazh të ulët, të cilat i kamë blerë në Greqi, së bashku me 3 bateri, ku më parë i kisha studiuar në internet skematikat e përdorimit të tyre. Këto pajisje i kam porositur nëpërmjet një shoku në internet, ku shoku jeton në Greqi dhe është shtetas grek. Dua të sqaroj se unë zgjodha këtë mënyrë të ndërtimit të tyre në mënyrë artizanale, pasi nuk desha që Erjon Mëhillaj, apo grupi i tij shoqëror të mësonte, e të dinte më shumë rreth tyre, pasi unë mund të blija aparatura të gatshme, që punojnë me karta telefonike. Nga këto aparatura ka në shitje të lirë, sepse janë multifunksionale dhe mund të përdoren edhe për shpërthimin e një bombe në distancë. Një aparaturë e tillë është dhe aparatura që më është gjendur në kontrollin e banesës, e cila është me përmasa më të mëdha se të tjerat dhe se ajo mund të modifikohet të punojë me bateri, për t’u përdorur si minë. Këto aksesorë për ndërtimin e minave më janë dërguar me autobusët e linjës së Greqisë, kundrejt pagesës që dërgimit të pakove, që bën çdo nevojtar. Pasi kam marrë relet dhe bateritë, kam blerë dy aparate celularësh me përmasa të vogla, di që ishin pa kamera dhe të papërdorur. Më pas kam bërë montimin e tyre, ku nuk jam i sigurt nëse i kam vendosur kartë telefoni, apo ato i ka vendosur Erioni, por jam i sigurt, se i kam treguar mënyrën e përdorimit të tyre.

Unë, pasi i kam dhënë dy aparatet e montuara Erion Mëhillajt, i kam treguar dhe për vendin se ku do të bëhej lidhja me kapsollën elektrike dhe eksplozivin. Më pas prej tij më është paguar pjesa e mbetur prej 5 mijë eurosh.

Pas dhënies së tyre, unë nuk kam dëgjuar që në atë kohë të ndodhte ndonjë ngjarje me eksploziv. Dua të shtoj se gjatë verës së 2013 kam dëgjuar një ngjarje në Vlorë, në të cilën bëhej fjalë për shpërthimin e një motori nëpërmjet minës me celular. Me të dëgjuar këtë ngjarje, kam dyshuar se ajo mund të kishte lidhje me Erion Mëhillajn. Këtë dyshim e kam krijuar sepse nga mënyra e ndodhisë së ngjarjes, të shpërthimit të motorit, ishte e njëjtë më atë që unë i kisha sugjeruar Erionit për vrasjen e Sokol Veizit. Kjo mënyrë konsistonte në faktin që mina do të vendosej në një motor dhe në momentin që personi do të afrohej pranë motorit, ajo do të shpërthente. Për këtë ngjarje kam mësuar se ka ndodhur mbrapa rrugës “Transballkanike” dhe se këtij personi ose vëllait të tij, i ishte bërë dhe një atentat tjetër i mëparshëm me eksploziv, ngjarje e cila është publikuar në media. Për këtë ngjarje mua më ka treguar E.L. gjatë 2013, në kohën që unë kisha marrë përsipër të kryeja vrasjen e J.M. Kjo bisedë nga E. është bërë gjatë momentit që unë po luaja shah me të poshtë pallatit të tij, ku aty i pranishëm ka qenë dhe Ndriçim Gjokona. Për këtë ngjarje kishte dijeni E.L, i cili më tregoi se personi kishte pësuar dëmtime në këmbë në momentin e ngjarjes së parë, ku ai kishte dijeni dhe për problemet që kishte ky person. Mësova nga Eduarti se ky person ishte i lidhur me ngjarje të tjera kriminale të ndodhura jashtë shtetit. Njëra nga ngjarjet që më tregoi ishte se ky person kishte plagosur dikë jashtë shtetit, të cilin e kishte lënë të paralizuar, për probleme zënkash për trafiqe droge.

Ky personi i paralizuar kishte qenë nga Durrësi dhe E.L kishte njohje me të. Nga ana e E, mu tregua se këtij personi që i kishin vënë eksploziv në motor, nga shpërthimi i saj, nuk kishte pësuar dëmtime dhe për këtë fakt, ata kishin përsëritur atentatin, ku herën e dytë i kishin vendosur eksploziv në makinë, ku nga shpërthimi personi kishte pësuar dëmtime në pjesët e gjymtyrëve në këmbë. Kjo ngjarje kishte ndodhur përsëri në Vlorë, në rrugën “Transballkanike”, por në rastin e dytë E.L, po më tregonte për llojin e eksplozivit që ishte përdorur.

Për këtë ngjarje, E.L., më tregoi se ajo kishte ndodhur te rruga “Transballkanike”, në afërsi një lavazhi makinash. Pasi dëgjova shpjegimet e E., më bëri të dyshoja se në të dyja këto ngjarje kishte dorë Erion Mëhillaj, që ishte dhe personi që unë u kisha shitur dy aparaturat e shpërthimit, që po të lidheshin me eksplozivin dhe kapsollat elektrike, do të realizonin shpërthimin.

Këtu, duke dëgjuar prej E. llojin e eksplozivit të përdorur më la të dyshoja tek ai, se edhe E., ishte i përfshirë në këtë ngjarje, ku ai ishte personi që siguronte gjithmonë eksplozivin që merrte te gurorja e tij.

Pas shitjes së dy minave me celular, nga ana e Erion Mëhillajt, më është kërkuar që unë të bëja vrasjen e dy biznesmenëve, që ishin njëkohësisht kundërshtarë të vëllezërve të Tanit dhe vëllait të tij, që janë kushërinjtë e Genis Mëhillajt, që janë ndërtues te zona e Ujit të Ftohtë Vlorë. Këta dy biznesmenë që ata kërkonin të vrisnin, mësova se ishin në konflikte për një punë rrugë që ndodhej në afërsi të pallateve që ndërtonin të dyja palët. Unë nuk e pranova të kryeja këtë vrasje, pasi ata ende nuk më kishin paguar detyrimin që më kishin për vrasjen e Sokol Veizit.

Këtë propozim për vrasje Erion Mëhillaj ma ka bërë të shtëpia ime 9-katëshe ku qëndroja me qira. Në këtë takim kemi qenë vetëm ne të dy, sepse unë nuk pranoja asnjë person në shtëpi. Kjo kërkesë prej Erionit më është bërë diku në muajin tetor-nëntor, përpara se unë të vija me banim në Tiranë. Gjatë bisedave me Erionin më tregoi se në vitin 1997, së bashku me Tanin, kishin marrë një shokun e tyre me origjinë çame dhe e kishin vrarë në një vend të fshehur.

Për këtë ngjarje, që ka dijeni edhe Ndriçim Gjokona, sepse në një bisedë që kam bërë me të, prej tij kam mësuar se ai kishte dijeni për këtë vrasje të kryer nga Erion Mëhillaj me Tanin, kushëririn e Genisit.

Për personin që është vrarë, nga Erioni kam mësuar se ai e kishte marrë në makinën e tij dhe më pas e kishte pyetur për lidhjet që kishte me çamët, kundërshtarët e Gentian Mëhillajt. Erioni pasi e ka marrë në pyetje personin që ishte moshatar i tij, duke e torturuar e ka goditur atë me një gur në kokë disa herë, ndërsa Tani e ka qëlluar me pistoletë në gjoks e kokë.

Këtë vrasje Erioni më tregoi se e kishte kryer pasi ishte i shtyrë nga Gentian Mëhillaj, i cili e kishte përdorur atë në një kohë që ai ishte në një moshë më të vogël.

Për personin e vrarë unë kam dijeni se ai ishte shoku i Erion Mëhillajt dhe se që të dy shoqëroheshin bashkë gjatë vitit 1997. Ky personi i vrarë ka qenë në një moshë 18-19 vjeç dhe që shoqërohej dhe me Tanin. Gjithashtu di se çamët, lidhjet e këtij personi të vrarë, ishin kundërshtarë të Edisonit dhe Genisit dhe gjatë 1997, kishin vrarë dajën ose xhajën e Edisonit.

Këto biseda ai m’i ka bërë te shtëpia, gjatë momentit që unë refuzova vrasjen e dy biznesmenëve që kërkonte Tani me të vëllain. Në këtë bisedë unë iu drejtova Erionit duke i kërkuar që sesi është e mundur që ti më kërkon që unë të bëj vrasje për persona të tjerë, duke me bërë të njohur tek ata. Në këto çaste Erioni u vu përpara përgjegjësisë dhe filloi të më tregonte se Tanin e kishte shok dhe me të e lidhnin gjëra të tjera, siç ishte problemi i vrasjes që më tregoi. Ndërsa për Gentjan Mëhillajn më tregonte se ai e kishte përdorur Erionin dhe për këtë gjë ai e kishte inat, kishte krijuar urrejtje ndaj tij dhe në atë kohë ma kishte kërkuar që unë ta vrisja për llogari të tij. Gjatë kësaj kohe unë, duke parë se nuk më kishin dhënë pagesa për vrasjen e Sokol Veizit, si dhe duke parë për rrezikun që po më kanosej, sepse nga ana e tyre gjithmonë më afroheshin porosi për të kryer vrasje, duke bërë kështu edhe personin tim të njohur dhe të implikuar si vrasës me pagesë, u detyrova që të vija dhe të banoja në Tiranë. Në këtë kohë unë veja e vija shpesh në Vlorë, sepse atje kisha për të marrë tokën që më ishte premtuar si dhe takoja njerëzit e mi të afërt. Një natë kisha dalë me djalin e dajës në një kafe pranë Skelës, pashë se hyri në lokal Erion Mëhillaj, së bashku me Gentjan Mëhillajn, të cilët u vendosën në një tavolinë të lokalit, ku pashë se Erioni kishte vendosur në kokë një kapuç bluzeje si dhe mbante të vendosura syze, në një kohë që ishte mbrëmje. Në këtë kohë unë i kërkova djalit të dajës që të largohet dhe më pas kam shkuar në tavolinën e tyre. Kur shkova te tavolina, Erioni më prezantoi para Gentjan Mëhillajt me emrin Beni, pasi me këtë emër më njihte Gentjani. Dua t’ju sqaroj se ky ishte takimi i parë që bëja me Gentjanin, edhe pse në disa raste kisha folur në telefon me të. Unë deri në ato moment nuk dija se ç’numër telefoni kishte Gentjani, por gjatë bisedës telefonike që bëja me Erionin, më pasonte Gentjanin, gjatë momentit kur ndodhej i shoqëruar me të, fliste me mua. Atë natë kemi darkuar të tre në një lokal tjetër, ku gjatë bisedës mësova se Gentjan Mëhillaj ishte dakord që unë të merrja sipërfaqen prej 1.500 m në zonën e Orikumit, por që këtë kërkesë e vononte Erjon Mëhillaj. Po ashtu kuptova se vonesën time për pagimin e tokës ishte një sajesë e Erionit, duke dashur të influencohesha për këtë refuzim të tij dhe në një moment të përplasesha dhe të realizoja vrasjen e Gentjanit, që ishte dhe dëshira e Erionit. Pasi e kuptova këtë lojë të Erionit, të nesërmen jam nisur në Tiranë, së bashku me Gentjanin, ku prej tij mësova se ai në spitalin “Nënë Tereza” kishte të shtruar nënën e tij, ku ajo ndiqej nga mjeku X. Gjatë qëndrimit dhe shoqërimit me Gentjanin në Tiranë, kemi shkuar te spitali ku ndodhej e shtruar ajo, jam takuar me mjekun që e ndiqte mjekimin dhe trajtimin e saj, X, me të cilin krijova miqësi duke folur për profesionin e tij si kirurg. Gjatë këtyre dy ditëve pashë që në Tiranë mbërriti dhe Erioni, për të cilin mendova se ai erdhi menjëherë sepse nuk kërkonte që unë të lidhesha me Gentjanin, pasi do të dilnin dhe pikësynimet e tij ndaj Genos. Gjatë qëndrimit në Tiranë kemi lëvizur në disa vende, kemi darkuar në disa lokale, ku ka qëlluar i pranishëm dhe kirurgu X, kemi ngrënë darkë me të te lokali T.M, i cili ndodhet në hyrje të Tiranës, përballë spitalit “X” në katin e dytë sipër barit dua të sqaroj se T.M është ndërtues në zonën e Orikumit dhe në Tiranë. Kujtoj se kuzhinieri i restorantit ishte italian, quhej M., i cili ishte martuar me një kushërirë të parë të Erion Mëhillajt, për të cilën di se ka një shtëpi në Vlorë, në afërsitë shtëpisë së Erion Mëhillajt, kua atje punon si kuzhinier në muajt e verës. Gjatë qëndrimit tek restoranti me T., Erionin dhe Gentjanin, prej tyre dëgjova se T., kishte problem me biznesmen të tjerë, të cilëve iu kishte dhënë beton dhe ata ende nuk e kishin paguar. Nga biseda në tavolinë mësova se T., kishte një nyje betoni në Orikum dhe në hyrje të Tiranës, ku nëpërmjet inerteve e bënte betonin për vete dhe për firma të tjera. Gjatë bisedave për T. mësova se ai ishte në dijeni të vrasjes së Sokol Veizit, që unë kisha kryer për llogari të tyre. Në biseda ai u shpreh se Sokol Veizi e kishte mbushur kupën. Aty gjithashtu, mësova se me problemet dhe detyrimet e pashlyera që atij i kishin persona të tjerë merrej Gentjan Mëhillaj. Gjatë bisedave në tavolinë shpesh përmendej emri im duke kërkuar të më joshnin që unë të bashkëpunoja dhe realizoja qëllimet e tyre. Në bisedë e sipër ata diskutuan se kishin problem për punët e lejeve të ndërtimit me një person në Orikum, që ishte i përfshirë në politikë dhe që ishte i zgjedhur, kryetar bashkie, ose Komunës së Orikumit. Për këtë person më kërkuan që unë t’i bëja presion nëpërmjet ndonjë shpërthimi ose të qëlloja me armë në ajër për presion psikologjik. Për këtë person prej tyre mësova se kishte problem T., pasi kishte një ngërç me të, punë lejesh ndërtimi. Gjithashtu, aty dëgjova se nga ana e Erion Mëhillajt dhe Gentjan Mëhillajt, në atë kohë ata kërkonin t’i shisnin T., një sipërfaqe toke 6500m në Orikum, për të cilën më pas mësova se toka ishte shitur dhe se T., kishte rrethuar tokën, vend të cilin unë kam qenë së bashku me Erionin, ku ai ma ka treguar se ku ndodhej kjo sipërfaqe toke. Po atë darkë mësova se T. nuk kishte lekë t’ia u paguante pasi kishte marrë një kredi të lartë, ku vetëm detyrimi i shkonte rreth 20-25 mijë euro në muaj. Për këtë sipërfaqe që T. do të blinte, dëgjova se do t’ia u konvertonte në hyrje pallati në Orikum ose në Tiranë. Tek restoranti i T., unë gjatë kësaj kohe mund të kem darkuar mbi 10 herë me ta. Dua të sqaroj se gjatë këtyre ditëve që unë ndodhesha nën shoqërimin e tyre në Tiranë, gjatë një momenti që udhëtonim me makinën e T., unë kisha blerë një kilogram portokalle për nënën e Gentjanit. Ju afrova të dyve nga një, duke i lënë të kuptojë Erionit se në të mund të kisha futur me anë të injeksionit helm. Nga ana e Gentjanit u mor portokallja dhe e hëngri pa teklif, ndërsa Erioni nuk e mori dhe u shokua nga veprimi im. Kjo për faktin se ai kishte frikë mos e helmoja me portokalle, sepse në një mënyrë të tillë kishim biseduar bashkë për të helmuar Gentjan Mëhillajn. Pas këtij momenti unë e ngacmoja Erionin me kunja se do t’i tregoja pikësynimin e tij që kishte ndaj Genos, ku ai u detyrua që gjatë vitit 2013, të më jepte një apartament 1+1 me sipërfaqe prej 52 m që ndodhej në Orikum, pallat të cilin e kishte ndërtuar një shok i T., ai që i ishte borxhli T., për betonin që i kishte marrë. Emri i këtij biznesmeni nuk më kujtohet, por emri i tij gjendet te kontrata e shitblerjes që ka bërë me nënën time, Suzana Mukaj. Për ndërtuesin di që është me origjinë nga Elbasani dhe se është shok i T. Kjo kontratë është bërë në Vlorë, në një notere ku kam qenë i pranishëm dhe unë, nëna ime, Erjon Mëhillaj dhe i zoti i pallatit. Po këtë hyrje e kam shitur në vitin 2013, pasi nuk më duhej në qytetin e Orikumit. Shitja e këtij apartamenti është bërë po tek e njëjta notere, ku të pranishëm kemi qenë unë, nëna ime, vajza që e bleu atë dhe kushëriri i Erjonit me emrin L., për të cilin sqarova se ka servis te rruga ‘Transballkanike’ në Vlorë. Në lidhje me vajzën që bleu apartamentin di që ishte rreth 30 vjeç dhe atë si blerës e gjeti L. Më vonë mësova nga Ndriçim Gjokona se blerësin e kishte gjetur S.K. Dua të sqaroj se pas marrjes së këtij apartamenti nga ana ime nuk është shprehur më ndonjë problem apo shqetësim në drejtim të Erjon Mëhillajt për pagesën për vrasjen që kisha kryer të Sokol Veizit për llogari të tyre, por megjithatë edhe pse unë vazhdoja të kisha qejfmbetje me ata, nuk i jepja të kuptonin një gjë të tillë. Gjatë këtyre kohëve unë kam vazhduar të qëndroja në Tiranë.

(Botuar në Gazetës Shqiptare në vitin 2014)

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.