AKTUALITET

Shkodër/ Zbulohen rolet e anëtarëve të grupit kriminal që u vinin gjoba bizneseve

11:03 - 06.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Xhensila Kodra

Dy persona të tjerë janë arrestuar nga Policia e Shkodrës, pasi dyshohen të jenë anëtarë të grupit kriminal, që u vinin gjoba bizneseve në këtë qytet. Në kuadër të operacionit të koduar “Illegal Bills”, dje u prangosën me urdhër të Prokurorisë për Krimet e Rënda 24-vjeçari Ibrahim Lici dhe 16-vjeçari me inicialet H.L., të dy banues në lagjen “Guerile” të qytetit verior, duke e çuar në 9-të numrin e personave të kapur për gjobëvënie ndaj 350 bizneseve. Të shtunën, gjatë operacionit të ndërmarrë nga forcat RENEA u vunë në pranga 7 të tjerë. Bëhet fjalë për shtetasit: Muhamet Mustafa Lici, i dënuar më parë me 4 vjet e 8 muaj burgim për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”, Abedin Eljaz Bajraktari në gjendje gjyqësore “i dënuar”, Denis Zaim Skutina, Gerald Skutina, Besmir Merzuk Domnori, Gëzim Ragip Vajushi dhe Fatmir Vehbi Dibra. Burime zyrtare nga prokuroria dje bënë me dije se nga hetimi ka rezultuar se personat e mësipërm janë banorë të qytetit të Shkodrës dhe të njohur midis tyre. Mësohet se këta shtetas qëndronin me njëri-tjetrin një pjesë të madhe të kohës dhe komunikonin në mënyrë të vazhdueshme me telefon. “Në formën e një grupi të organizuar kriminal, nëpërmjet dhunës psikologjike dhe kanosjes për ushtrimin e dhunës fizike, këta shtetas kanë detyruar tregtarët e zonës së quajtur ‘Rruga e Gjerë’ e Kirasit dhe Tregu i Zdrales Shkodër që të paguajnë shuma monetare çdo muaj. Këto veprime i kryenin ose nëpërmjet komunikimeve telefonike me tregtarët ose nëpërmjet takimeve. Pasi i kanë shtrënguar që të paguajnë, ata mbledhin në ditët e fundit të çdo muaji shuma nga 1000 deri 3000 lekë të reja”, pohuan burimet nga prokuroria. Po sipas këtyre burimeve, organizatorë të këtij grupi kriminal ishin Muhamet Lici dhe Abedin Bajraktari, i njohur me pseudonimin “Bukel”. Ndërsa Denis Skutina, Gerald Skutina, Redi Bardhaj, Besmir Domnori, Gëzim Vajushi dhe Kujtim Butani ishin anëtarë të bandës me detyra të përcaktuara. Detyra e tyre ishte dhënia e informacionit për çdo lëvizje në treg tek drejtuesit e grupit. Madje, edhe lëvizjet e policisë, e cila patrullonte në zonë ndiqeshin me vëmendje nga pjesëtarët e këtij grupi. Gjithashtu, çdo person i panjohur apo mjet që ishte i ri në treg ishte pjesë e informacionit që përpunohej nga grupi. Në fund të çdo muaji këta persona shkonin në lokalet apo dyqanet, në tregun Zdrale, Shkodër duke mbledhur lekët. Prokuroria dhe policia thonë se aktiviteti kriminal është i dokumentuar me foto dhe video në momentin kur pronarët e bizneseve paguanin gjobën. Kjo bandë konsiderohej mjaft e rrezikshme nga hetuesit, pasi ata nëpërmjet kërcënimeve kishin nxjerrë nga loja një grup tjetër, i cili kryente të njëjtin aktivitet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.