Kulturë

Në grykën e Rugovës – në kujtim të Kadri Roshit dhe Azem Shkrelit

07.03.17 gsh.al

Nga Mal Berisha

 

Bogë – Rugovë – Shkurt 2017.

Në një nga vilat e Hotelit “Magra Austria” në Bogë të Luginës së Rugovës, ku jemi vendosur për një fundjavë, futet “tinëz” një zhurmë e lehtë e ujërave që gurgullojnë në rrjedhën e tyre të përjetshme, të pandalshme, të paqeta… Ato janë pjesë e përjetësisë së kësaj ane të tokës shqiptare që nuk ndalon kurrë. Vendin e ka mbuluar bora, pishat janë rënduar prej saj dhe jeta gëlon. Vizitorë të huaj dhe vendas, skiatorë, sportistë, studentë, madje edhe eskplorues të natyrës mbushin mjediset e këtij hoteli çdo ditë e çdo natë. Rruga që të çon tek ai hotel gjarpëron nëpërmjet asaj Lugine me atë emër të madh: Rugovë. Ai emër të kujton epikën shqiptare, burrërinë, kostumet e rralla, të rënda, prej zhguni. Gratë me lidhëse e marhamë, e burrat me tirq e shoka dhe me çarçafin e bardhë të gjatë aq sa i duhen të mbulohen në rast humbje të jetës në betejat e luftës për jetën, ekzistencën, mbrojtjen e trojeve të tyre. Ai është edhe mbiemri i ideatorit dhe projektuesit të Kosovës së sotme, presidentit të ndjerë, Dr. Ibrahim Rugova. E ndërsa flasim për Rugovën me z. Skënder Thaçi, themelues dhe pronar i hotelit, biseda për këtë trevë të bukur e të rrallë shqiptare, kthehet tek ngjarjet e viteve ‘80 në Kosovë dhe në Shqipëri.

Shqipëri – Pranverë 1981:

Në mesin e muajit Mars të vitit 1981 në Shqipëri thuhej se diçka e madhe kishte ndodhur në Kosovë. Kishte fjalë se studentët e Universitetit të Prishtinës ishin ngritur për të kërkuar të drejtat e popullit shqiptar në Kosovë dhe një status të plotë Republike. Zgjati disa ditë deri sa me datën 5 Prill të atij viti makina propogandistike e Shqipërisë i lëshoi të tëra boritë për të informuar  rreth asaj që po ndodhte. Ishin vrarë njerëz, të tjerë ishin burgosur dhe Kosova nuk do të ishte më kurrë ajo që kishte qenë deri në atë kohë. Pjesë e asaj propogande u bënë jo vetëm radio dhe televizioni, jo vetëm gazetat dhe konferencat e panumërta, por edhe institucionet kulturore e artistike. Shumë shqiptarë të lindur pas luftës mësuan gjëra që nuk i dinin. Në salla të mbyllura lexohej elaborati i Vasa Çibruleviçit, “Dëbimi Masiv i Shqiptarëve”, mbajtur në Klubin serb të Sarajevës në vitin 1937. Ndërsa nëpër teatrot profesioniste po viheshin drama të cilat evokonin ngjarjet dhe historinë e Kosovës. Një ndër to ishte drama “Toka e Ndezur” e shkruar nga shkrimtari i njohur Fahri Balliu. Atë e vuri për herë të parë në skenë Teatri Skampa i Elbasanit me aktorët e njohur, Kadri Roshi dhe Demir Hyskja. Në kërkim të një vepre të fortë, shumë të fortë për Kosovën e asaj kohe u vunë shumë njerëz të kulturës. Ishte kjo dramë që përmbushi pikërisht atë që po kërkonim. Dhe kush më mirë se Kadri Roshi mund ta vendoste në skenë një vepër të tillë. Dhe kështu ndodhi.

Teatër me aktorë që luajnë vetëm një herë në jetë:

Artisti i Popullit, Kadri Roshi mori përsipër të re-vendoste në skenë “Tokën e Ndezur” me një trupë amatore të përbërë nga njerëz që kurrë ndonjëherë nuk kishin luajtur teatër. Por ata kishin një veti të lindur thjesht dhe vetëm për atë dramë: Të luanin vetveten. Ata ishin të gjithë bijë dhe bija shqiptarësh të Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në ish–Jugosllavi të cilat po lëngonin njësoj nën thundrën serbe. Dhe kështu ata formuan atë trupë të papërsëritshme. Ata jo vetëm interpretuan në mënyrë të përsosur, aq sa çdo trupë profesioniste mund t’i kishte zili, por edhe shkaktuan aq emocione sa në natën e premierës, një grup spektatorësh erdhën dhe e takuan trupën, regjisorin dhe tërë stafin realizues. Ata ishin të emocionuar, thellësisht të prekur, me sy të enjtur nga lotët dhe duar që ju dridheshin. Njëri prej tyre na tha:

“Na e prutë Kosovën, brengën tonë, dhimbjen tonë, këtu, sonte. Me ato kostume aq epike e me qefinin e atyre burrave rreth kokës na sollët Rugovën, vendin e epikës dhe trimërisë shqiptare. Po sa pare ban. E bëtë vetëm për këta lotët tanë. Se po të ishte ndryshe, tash që shfaqja mbaroi, na duhej të dilnim nga kjo sallë  dhe të kishim gati armaturat me pushkë e fishekë dhe komandantët që do na prinin drejt Kosovës për të çliruar vëllezërit tanë”.

Pas këtij suksesi të paparë, si përherë pasuan diskutimet, komentet, lëvdatat, kritikat dhe natyrisht emocionet. Kadriu i Madh i Teatrit tonë Kombëtar rrinte midis amatorëve, bisedonte me ta. Ai ishte një akademi e artit dramatik në lëvizje. Nuk kishte rast kur të mos mësoje diçka të bukur prej tij. E meqenëse ai ishte i vetmi midis nesh, që e kishte vizituar Kosovën, madje edhe pak kohë përpara ngjarjeve të vitit 1981, ne të gjithë ishim kureshtarë të dinim, si ishte ai vend, si ishin njerëzit, si e flisnin gjuhën shqipe, çfarë kishte parë ai në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Rugovë?

Asnjë nuk ishte aktor, por asnjë trupë në botë nuk mund të bënte atë që bënë ata: Në fakt ata, nën regjinë e artistit të madh të skenës së teatrit shqiptar, Kadri Roshi, kishin luajtur vetveten, të veshur me kostumin rugovan.

Kadriu i kishte bërë këta njerëz të thjeshtë, me profesione, mësues, agronomë, bujqë traktoristë – artistë të mëdhenj, por vetëm për një rast, vetëm për atë dramë. Ai e zbërthente veprën në çdo detaj. Për ta bërë sa më të kuptueshme veprën ai e lidhte atë me rrëfime që na jepnin të kuptonim se çfarë ishte Jugosllavia e saj kohe. Një ndër ato rrëfime ishte:

Kadri Roshi me Azem Shkrelin në Grykë të Rugovës.
Në udhëtimin e tij të fundit në Kosovë, Kadriu, pasi  kishte vënë një shfaqje në teatrin e kryeqytetit, kishte shkuar në Rugovë i ftuar nga poeti i njohur Azem Shkreli. Nga ballkoni i një lokali të bukur ku kishin drekuar, në mes të asaj natyre madhështore prej nga vështronin majat e maleve të mbuluara me borë, pishat dhe vegjetacionin pranveror, dy artistët e mëdhenj kishin zhvilluar një bisedë të cilën Kadriu na e rrëfeu tekstualisht kështu:

Azem Shkreli i kishte thënë Kadriut:

  • Kadri a bajmë diçka, a tregojmë përralla?
  • Po mirë, po tregojmë përralla, ishte përgjigjur Kadriu, Azemit, pse jo?!
  • Po, por ama përralla, jo barcaleta, siç i thoni ju në Shqipëri.
  • Ani pra, Azem, i thotë Kadriu, përralla jo barcaleta, si të duash ti!
  • Po mirë, i kishte thënë më pas Azem Shkreli, veç dua të më premtosh diçka!
  • Sigurisht, ishte përgjigjur Kadriu, –
  • Mos t’i lidhim përrallat me politikë se ju në Shqipëri i lidhni të gjitha barcaletat me politikë.

Dhe këshu Kadriu kishte rënë dakord me propozimin ndërsa Azemi kishte rrëfyer këtë:

Përrallë “pa politikë”
– Këtu në Rugovë jeton një burrë i thyer në moshë me emrin Rrahman i cili di aq shumë përralla, sa njerëzia “vdesin” kur e dëgjojnë tek i tregon ato. Njerëzit e dëgjojnë me endje, në fillim qeshin, por pastaj bien në mendime të thella. E kështu Rrahmani jeton jetën e tij të Grykës së Rugovës në thjeshtësinë e tij epike, mes malesh e ujërash të pastra, përherë i veshur në kostumin rugovan, me pipin e fildishtë të duhanit në dorë dhe familjen e tij të madhe për të cilën kujdeset si çdo malësor…
Një ditë, dikush erdhi tek shtëpia e Rrahmanit dhe i tha se ato përrallat e tij ishin bërë aq të njohura dhe aq interesante, sa e kishte marrë vesht edhe “plaku” në Beograd. Diçka, i thanë Rrahmanit të deleguarit e plakut, nuk po shkon aq mirë atje në kryqendër, dhe “Plakun” e kishte kaplue një mërzi e madhe. Njerëzit rreth tij u munduan e u munduan t’ja kalojnë mërzinë, por nuk ia dolën dot. As ata dhe as Jovanka nuk arritën ta qetësojnë. Dikush i tha se ai Rrahmani i Rugovës di aq përralla të bukura sa po të ishte ai dhe t’i tregonte, menjëherë do të qetësohej.

Epo dërgoni njerëz e ma sillni shpejt këtu, urdhëroi “Plaku”.

E kështu ndodhi.

Këta ishin njerëzit që kishin ardhur tek shtëpia e Rrahmanit. Ata i kërkuan atij të dilte sa më shpejt se e priste një aeroplan në Prishtinë dhe do të fluturonte për Beograd. Rrahmani i habitur iu kërkoi ti jepnin kohë të përgatitej, të vishte kostumin e Rugovës, të lidhte mirë sinxhimët e opingave të lëkurës, të shtërngonte shokën, ta mbushte kamishin dhe të pastronte pipin e fildishtë të duhanit. Hyzmeqarët e plakut nuk i dhanë kohë pasi detyra duhej kryer sa më shpejt.
Qëlloi edhe ditë me shi dhe rruga nga shtëpia e Rrahmanit deri aty ku arrinte makina ishte larg. Opingat u bënë me baltë. Tirqit e bardhë me gajtanat e zi u përlloçën. Çallma e bardhë dhe e gjatë disa metra e mbështjellur rreth kokës u lag. Kur ranë afër lumit dhe ishin gati të niseshin, Rrahmani kërkoi leje të pastrohej pak. Por jo, nuk ishte e thënë. Ai nuk duhej të humbiste asnjë minutë. E kështu ai dështoi edhe në përpjekjet që bëri për tu pastruar edhe në Prishtinë pastaj edhe në Beograd. Më në fund pasi hypi në limozinë e drejtuan drejt pallatit presidencial.
Kangjellat u hapën një nga një, e para, e dyta e treta… Zbriti nga limuzina dhe dikush e drejtoi drejt zyrës së madhe. Ngjiti shkallët, kaloi korridore të gjëra të shtruara me qylyma iraniane të Isfahanit, nga më të bukurat në botë. Shkelte mbi to dhe ndjehej si mbi gjëmba jo aq prej emocionit sesa që i dhimbseshin ato mrekullira të bëra nga dora e njeriut. Më në fund, u hap edhe një derë e madhe dhe përballë tij u shfaq “Plaku” i veshur me kostum të bardhë, shumë impozant dhe i vrerët në fytyrë.  Dukej se ishte shumë i mërzitur por sapo e pa Rrahmanin ai u çel, dhe që nga larg i foli:

  • Hajde bre druzhe Rrahman! Shumë u vonove! Të kam pritë gjithë ditën. Më kanë tregu për përrallat që tregon ti dhe mezi po pres të dëgjoj ndonjë prej tyre.
  • Eh, ia priti Rrahmani, po mirë kjo puna e përrallave kollaj është, po a e sheh çfarë më banë këta hyzmeqarët tuaj?
  • Çfarë? iu kthye plaku. –
  • Paj, nuk më lanë me i ndërrue teshat e besa as me marrë ndoj këmishë të mirë hua se elbete, do të vija tek presedniku.
  • Ha ha ha, qeshi “Plaku”, po a për këtë je bërë merak ti? –
  • Po, i tha Rrahmani, po a sheh se çfarë rrobash paske veshë ti me më pritë mue dhe a e sheh se me çfarë opingash po shkel unë në këta qylyma kaq të bukur! A nuk është gjynah?
  • Hajde druzhe Rrahman hajde! Po ti hala nuk e paske marrë vesh se na kena me e ba këtë vend aq të bukur sa ti një ditë do ti kesh rrobat ma të bukura se unë, e shtëpinë po kaq të bukur e qylymat edhe ma të bukur!?

Rrahmani i shqeu sytë, e pa “Plakun” drejt e në sy, bëri një pauzë të shkurtër, qeshi pak dhe iu kthye:

  • Ah, i mjeri unë që nuk i paskam kuptu këta hyzmeqarët tuaj, se pse më kanë sjellë këtu. Tashti e mora vesh.
  • Pa hë njëherë iu kthye “Plaku”.
  • Po, a më ke thirre me më kallxue ti mue përralla apo don me të tregue unë ty përralla?

Azemi e mbaroi rrëfimin mbi Rrahmanin dhe e mbylli me fjalët:

Përralla, jo politikë, Kadri Roshi!

 

Epilog
Kjo përrallë e asaj kohë e treguar me mjeshtri nga Kadri Roshi e lidhi mallin dhe dëshirën e atyre viteve për ta parë Rugovën dhe kujtimet e largëta të rrëfimeve për këtë vend kaq të dashur me praninë tonë këtu në “Magra Austrian” e Rugovës së bukur të ditëve të sotme.

Mal Berisha

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *