KULTURË

Edi Shehu: Rrënojat e Durrësit pranë Torrës dalin në harta më 1723

20:44 - 08.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Mirela Kumbaro u shpreh dje se Ministria e Kulturës ka si detyrë të ndjekë mirëmbajtjen, ecjen, rijetësimin, restaurimin e trashëgimisë, në një takim me studentët e Fakultetit të Historisë e Filologjisë. “Nuk janë objekte soditjeje, nuk janë ndërtuar si muze, por të trashëguara brez pas brezi, sot të ruajtura, në një kohë kur kemi një tjetër ndërgjegje dhe sensibilitet ndaj trashëgimisë kulturore. Sensibiliteti s’ka qenë kurrë më i lartë se këto vite, dhe është meritë për institucionet e shtetit”, – tha ajo. Në fjalën e mbajtur para studentëve, ministrja e Kulturës theksoi disa herë se sfida e sotme është gjetja e ekuilibrit mes nevojës për zhvillim territori dhe qëllimit të politikave kulturore për ruajtjen e tyre. “Durrësi si qytet i mbarsur me gjurmë që ia ruan nëntoka. Në këto 25 vite kemi qenë dëshmitarë të zhvillimit kaotik e të pakontrolluar të qytetit. Shohim ngrehina e pallate atje, pasi procedurat që ju fola pak më parë nuk janë respektuar, ose janë marrë vendime që kanë dëmtuar trashëgiminë”, – tha ministrja. “Jam ndeshur me pyetjen ‘çfarë do të bëni në fund?’ Nuk e dimë çfarë do bëjmë në fund. Do jetë një vendimmarrje e KKA kur të gjithë elementët të jenë vlerësuar e vendimmarrja të jetë kolegjiale. Projekti ‘Veliera’ – përtej menaxhimit nga gjithë nga aktorët publikë, nga KKT, shoqatat, bashkia etj., duhet të dimë se çfarë janë rrënojat, të cilës periudhë, si karakterizohen. Nuk jemi në proces vendimmarrjeje, sepse ai proces do të marrë kohën e vet që vlerësimi të jetë i pjekur. Nuk kemi asnjë ngut, sepse i japim trashëgimisë kohën që duhet”, – tha Kumbaro. Ajo kujtoi mandej edhe një debat të madh të bërë një vit më parë për çështjen e Komanit, por gjithë ç’u bë një vit më parë dhe luftën e madhe për të kthyer vendimin e marrë, Kumbaro e përmblodhi kështu: “Ka qenë një debat i madh linja e interkonjeksionit. Jo çdo gjë që diskutohet është debat profesional. Debati profesional bëhet në KKR e KKA, që tregoi se nuk prekej nga linjat, as nga shtyllat, siti ilir i Komanit, që ishte objekt gërmimesh nga misioni shqiptaro-francez, por prekej peizazhi. Duke qenë se i dhamë rëndësi kësaj trashëgimie, KKA vendosi spostimin e linjës së interkonjeksionit. Siti në Durrës, është nga gërmimet më transparente të shpëtimit, sepse është i hapur nga të gjitha anët dhe mund të vizitohet e në të nuk ka asgjë të fshehur”.

HISTORIA E RRËNOJAVE

Edi Shehu, profesor i Asociuar dhe mbikëqyrës i punimeve në Durrës pranë ‘Velierës’, tha dje para studentëve dhe “në 16 vite si arkeolog në Durrës, në gërmim shpëtim, për të parin rast, është një gërmim që nuk bëhet pas 3 metrash llamarinë. U la hapur që të shihej nga çdokush në çdo moment”. “Ky projekt realizohet larg murit bizantin, i cili që nga 1928-ta është nën tokë. Ne kemi gërmuar në thellësi e rezulton se është një shtresë e cila ka përmbajtje të madhe zhavorri, deri në 90 cm nën nivelin e detit. Ka përmbajtje qeramike të rrumbullakosur që tregon se ka qenë nën efektin e dallgëve, e kjo është periudha e parë – kjo zonë ka qenë në ujë dhe ka qenë breg deti. Periudha e dytë: ka disa shtresa, është një sekuencë depozitash të ndryshme me shtresa ranore e argjilore me leshterikë deti, që do të thotë se pas largimit të detit, nën efektin e dallgëve janë depozituar shtresa, mbi të cilat janë vendosur themelet e strukturave – është një territor nën ujin e bregut e detit që tërhiqet, por është pranë bregut e krijon një mbushje. Periudha e tretë – është ndërtimi që flasim – një strukturë 1 m e 20 e trashë dhe në pjesën e brendshme e ndërtuar me material të njëtrajtshëm, me gur të paprerë e të lidhur me llac e me cilësi jo të mirë, ka material të ripërdorur, dhe jemi të bindur se ka shërbyer si bastion mbrojtës, për t’iu afruar sa më shumë bregut. Linja e parë e bastionit është zëvendësuar me një të dytë me gjerësi 2 m e 90, me kënde 45 gradë, e cila ka një themel prej 17 cm – nuk mund të kemi bastion të lartë, por i gjerë për qëllime mbrojtjeje. Ka qenë një bastion për të mbrojtur skelën nga ndonjë ndërhyrje e mundshme. Bastioni ka qenë në nivelin e shtatit të njeriut”, – tha Edi Shehu, duke përmbledhur disa periudha. Ai saktësoi se ky mur është ndërtuar me material të ripërdorur, janë blloqe që janë marrë nga Antikiteti, Antikiteti i vonë dhe Mesjeta, dhe janë ngjitur me llaç. Në pjesën e poshtme janë prej mermeri. Ai sqaroi se “kultura materiale e gjetur në këto bastione ishte ekskluzivisht mesjetare – mbetet për t’u thënë me siguri më vonë, por është e shek. 15-16”.

KUR U NDËRTUA BASTIONI?

Shehu tha dje se qeramika na çon në Mesjetë, dhe se materiali i përdorur është ripërdorim i Antikitetit e teknika e ndërtimit dallon nga Antikiteti, periudha bizantine dhe ajo e Mesjetës së hershme, kur përdorej gurë shtufi.“Është e ngjashme me murin osman të pjesës tjetër të qytetit. Iu drejtuam hartave dhe na del se më 1571, në një hartë veneciane të Durrësit kjo godinë nuk del. Njësoj edhe në hartat e viteve 1573, 1575 apo 1576. Vetëm më 1723, në një botim gjeografik – hartë për lundrime – shohim Torrën Veneciane, portën e detit me formë kulle, e në mes tyre na shfaqet një bastion me kënde 45 gradë, çka na bën të kuptojmë që janë këto rrënoja. Në dokumente lexojmë se ‘muret e Durrësit ishin në pikë të hallit, aq sa mund të rrëzoheshin’. Një sulm i markezit Santa Kroce në Durrës, bëri që administrata e qytetit të kuptonte që duhej një bastion për skelën dhe hyrjen kryesore të qytetit. Mund të themi se faza e parë e këtij bastioni është e pas vitit 1606”, – tha Shehu, duke siguruar se deri në këtë kohë, godina nuk ishte ndërtuar. Sipas tij, më 1876, në publikimin e një arkeologu francez kemi planimetri të qytetit ku shohim bastionin në fjalë. Ajo që kuptojmë është se mes 1818-1876 mohohet funksioni mbrojtës i bastionit dhe ndërtohet aty një objekt katërkatësh. Praninë e gjyleve Shehu e shpjegoi me imazhet e konakut të Princ Vidit, që ka qenë një tjetër funksion i godinës – në fotot e këtij konaku shihen edhe gjylet. Shehu, sqaroi se në vitet 1928-1939, mbase më 1930, godina që ishte bastion, më pas konaku i Vidit, merr fund bashkë me linjën e murit bizantin, që u mbulua me dhé për hir të ndërtimeve të kohës.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.