KULTURË

Besnik Mustafaj: Tufa e akuzoi “Diana Çuli vrasëse”? Rast për ‘mea culpa’

08:19 - 09.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

– Ish-ministri i Jashtëm dhe shkrimtari i njohur Besnik Mustafaj ka folur dje për raportin e shkrimtarit me regjimin në diktaturë. Rrëfimi nisi nga rasti i debatit të rihapur së fundmi, mbi rolin e shkrimtares Diana Çuli në dënimin e shkrimtarëve Genc Leka e Vilson Blloshmi në komunizëm, dhe më konkretisht për akt-ekspertizën që ajo ka firmosur mbi poezitë e tyre. Debati u hap në kuadër të takimit “Letërsia e Qyteti”, ku qe njoftuar prania e Çulit, por që njëherësh bëri që Agron Tufa, shkrimtar e drejtues i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, të lajmëronte protestë para takimit të Diana Çulit, me poezitë e dy shkrimtarëve të vdekur.

Në takimin “Letërsia e Qyteti”, organizuar nga gazetaret Beti Njuma e Alda Bardhyli, mbrëmë ishte Besnik Mustafaj, i cili ka hyrë në letërsi në vitet 1970, ku u soll në vëmendje rasti Çuli – Genc Leka e Vilson Blloshmi. Biseda nisi me raportin tonë me të shkuarën dhe Bardhyli, kujtoi se mbrëmja me Diana Cullin u anulua pasi u lajmërua një protestë publike para saj.

I ftuar të japë një mendim për çështjen, Mustafaj tha se “do doja të mos isha i detyruar t’i përgjigjem, sepse shoh dy pjesë”.

Sipas tij, e para, forma e protestës e para 1 jave. “Unë që vij nga politika, nuk mund të them se ka mënyrë të paduhur për protestat. Ky është një problem që ka shoqëria jonë dhe me hesapet që nuk i ka larë me të kaluarën e errët që lamë pas më 1990-ën. Rasti në fjalë është i sikletshëm se nxjerr në pah implikimin e intelektualëve me regjimin. Ka një aspekt moral në këtë mes. Kjo çështje prek ata intelektualë që kanë qenë të implikuar me aparatin represiv. As opinioni publik nuk e ka bërë reflektimin në përputhje me kohën e sotme, as intelektualët në fjalë nuk e kanë bërë”.

SHKRIMTARË DHE REGJIME

Ai solli shembuj shkrimtarësh të huaj që kanë pasur të njëjtat probleme.

“Do sjell dy shembuj që më vijnë në mendje. Kristav Woolf është një nga shkrimtaret më të rëndësishme të shekullit të 20-të. Pasi u hapën dosjet e STAS-it, ishte kandidate e Nobelit. Kur u hapën dosjet, u zbulua se për 2-3 vjet, me qëllim që t’i lejohej dalja jashtë vendit, kishte nënshkruar një dokument bashkëpunimi me STAS-in. Kjo e la pa marrë Nobelin. Ajo ka heshtur që prej asaj kohe. Ka dhënë disa intervista. Iku nga Gjermania e shkoi në Zvicër. Është përpjekur të kërkojë falje, edhe pse s’kish pasur pasoja bashkëpunimi i saj, pasi dosja e saj ishte bosh”, – tha Besnik Mustafaj.

Rasti tjetër ishte Milan Kundera, që siç tha Mustafaj, kur ishte student ishte gjendur i përzier në një histori të tillë me regjimin. “Një shok kishte thënë që do ikte jashtë dhe më pas u arrestua. Në hetuesi, e dashura e tij ka thënë se i ka treguar vetëm Kunderës. Ka pasur një dyshim tjetër se Kundera ka qenë i përfshirë edhe në një dënim. Ndaj them se debati është i mprehtë e ekzagjerimet vijnë nga të gjitha anët. Po kjo nuk zgjidhet me debat, as me një aktivitet si ky. Agron Tufa është në krye të një institucioni që mund të ndërmarrë nisma më të mëdha se ajo në portale a në rrjete elektronike. Do jetë rasti që të bëjnë ‘mea culpa’ shumë njerëz”, – tha Besnik Mustafaj.

Shkrimtari kujtoi edhe se ish-presidenti bullgar ka thënë se “jam dakord që faqja e komunizmit të kthehet, por më parë duhet të lexohet”. “Nisur nga ky formulim, ne duhet të bëjmë një lexim serioz e të sinqertë, e më pas ta kthejmë. Është debat me emocione e nuk duhet të shërbejë ky debat për larje hesapesh. Unë kam një shkrim për dosjet ku them se s’kam qenë spiun. Nuk kam nderin të them se s’kam pranuar, po as turpin që ma kanë kërkuar. Edhe unë kam qenë pjesë e Partisë së Punës, u bëra anëtar se ishte e detyrueshme si pjesë e ‘ZP'”, – tha Mustafaj. Sipas tij, ne duhet të arrijmë në një vështrim realist e të dobishëm jo për të prishur kohezionin e shoqërisë. Pas 25 vitesh është – sipas Mustafajt – kohë e pjekur, janë elita të formuara e të brumosura, e me vizionet e pas 1990-ës ta marrin vendin në dorë.

SHKRIMTARË E

(ANTI)KONFORMISTË?

Pyetjes nëse ishte e lehtë të mos konformohej një shkrimtar, Mustafaj iu përgjigj kështu: “Raporti me realizmin është një gjë e raporti me Sigurimin tjetër. O do përshtatesh me mjedisin, o do asgjësohesh. Është rregull biologjie. Kam punuar 13 muaj në Institutin Marksist. Ismail Kadare ka thënë se nuk ka paguar haraç, por të gjithë shkrimtarët kanë paguar”, – tha Mustafaj.

Ai shtoi se, kur ka shkruar, Dritëroi e ka menduar ashtu si ka shkruar dhe se mendimi është evolutiv e vepra ndahet në skarcitetet e saj.

“Për ta përmbledhur, përshtatja ka qenë e domosdoshme. Kur u sulmua Ismail Kadare në shtypin botëror, e ka akuzuar si bashkëpunëtor të regjimit. Kam bërë një shkrim në ‘Le Monde’ atëherë se u akuzua si njeri i regjimit. Kam thënë se Shqipëria ishte ndryshe nga Rusia. Unë ia di për nder Ismailit për kompromiset, se bota shqiptare do ish më e ‘varfër’ pa këta libra e me një të burgosur më tepër. Me Ismailin në burg, Shqipëria nuk do ishte më mirë. Me librat që ka bërë Ismaili, jemi më mirë”, – tha Mustafaj. Ai tha se e sheh që leximi i librit ka rënë dhe se i erdhi keq kur vdiq Dritëroi; njerëzit thoshin vargje të shkruara shumë kohë më parë.

VEPRAT

“Zyhdi Morava më akuzoi një herë, më tha se si guxoja unë që të vija në dyshim që të burgosurit politikë mund të ishin homoseksualë. E kam botuar në vitet 1990. Unë thjesht nuk munda ta shmangia, jo se po i akuzoja”, – kujtoi Mustafaj. Ai kujtoi se nga Instituti Marksist iku shpejt, sepse bëri një letër që, për fat, nuk u dënua.

Për “Fletoren rezervat” tha se ka qenë libër i porositur. “Zgjodha një botues francez që më kërkoi ‘Verën pa kthim’ dhe më kërkoi një ese për atë që po ndodh. Eseja u shkrua ndërsa po ndodhte. E botoja me pjesë te ‘Zëri i Rinisë’. Nuk merr përsipër të bëjë historinë, por të tregojë ato që shihja unë. U botua në Francë në fillim. Për ‘Fletoren Rezervat’ dhe në një darkë në Paris tregova disa aspekte anekdotë më 1994-ën të jetës si diplomat. Pas darkës, një botues, që ka botuar Markezin, kërkoi të mbaja një ditar 1994-1995 për vitin e fundit të Miteranit në Francë, sepse ai shihej si monark. I thashë ‘e mbaj, po dua shumë para’, dhe i thashë për një shifër 5 herë më të madhe sesa merrja. Të nesërmen në mëngjes gjeta kontratë me të. Libri më dha shumë honorarë”.

PIKTOR

“Ëndërroja të bëhesha piktor”, – kujtoi Mustafaj. “Babai më blinte lapsat dhe më krijonte mundësitë të ushtrohesha si piktor i ardhshëm”, – tha ai.

“Në qershor 1973, kur fitova, ai u shqetësua. I vetmi piktor në Bajram Curr ishte ai që riprodhonte pankartat. Babai më tha: ‘Po ti, do bëhesh si Ajdini?’

Filluan më pas dënimet, dhe në shkollë shihnim një të tretën më pak, sepse ata që dënoheshin, u hiqeshin fëmijët nga shkolla. Në vit të dytë e të tretë bëra një poezi për t’i pëlqyer një vajze. Ajo doli nga jeta ime, por poezia mbeti. Me poezinë kompozoja shumë gjëra: të qenët nga Tropoja, malok etj.”, – tha Mustafaj.

“Poezitë i shtypa te makina e babait. I çova te ‘Naimi’ dhe u thashë ‘janë të një shoku’. Për fat, tufa e poezive ra në duart e Xhevahir Spahiut. Ai erdhi e më gjeti te konvikti”, – tregon më tej Mustafaj.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.