KULTURË

Të ndalohen filmat e Kinostudios/ Çashku e Kumbaro: Dëshmojnë krimet

17:13 - 10.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

– Pas publikimit të një shkrimi në “Gazeta Shqiptare” dhe një specialeje në “News 24”, ku Agron Tufa ka kërkuar ndalimin e filmave të ish-kinostudios pasi përhapin propagandë, reagimet kanë qenë të shumta. Tufa ka sqaruar se pse i sheh filmat si propgandë dhe pse duhen tranmetuar vetëm me sqarim paraprak, por ndërkohë, krahas zërave pro mendimit të tij, si një zyrtar i AMA-s i cili ka premtuar të ndërmarrë nismë ligjore, reagimet kundër kanë qenë disa. Veç atyre që refuzojnë të pranojnë ndalimin e filmave ku luajnë aktorë si Robert Ndrenika, në drejtim të Erald Kaprit e Agron Tufës ka pasur edhe kërcënime.

KËRCËNIMI

“Mbrëme mora një kercënim anonim për shkak, se me kolegun tim, z. Erald Kapri (i kërcënuar dhe ai) ndermorëm një nismë, për të naluar me ligj filmat propagandistikë komunistë të rregjimit te Enver Hoxhës, si lëndë toksike, radioaktive, e dëmshme për shëndetin moral publiik. Mbetjet e diktaturës dhe nostalgjikët e asaj idile kinematografike perverse, incestuoze, qenkan prekur në kockë. Ne Neës 24 kisha sqaruar, se: jo përjashtimisht të gjithë filmat të ndalohen. Por të bëhet një listë e kujdesshme e filmave (të paktët) që nuk përçojnë propagandë komuniste, si dhe: të gjithë filmat e ‘mbijetuar’ të paraprihen para transmetimit me një 5 minutësh hyrje, ku të shpjegohet se përse transmetohet aksh film (vlera artistike, regjisoriale, aktoriale, tematike etj).”, -shkroi dje Tufa. I kontaktuar nga “GSH” ai tha se ka bërë një kallëzim në polici për kërcënimin ndaj tij.

PROPOZIMI

Afron Tufa, shkrimtar e drejtues i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit pat thënë më herët se “çështja e transmetimit të filmave të prodhuar në shërbim të ideologjisë është një problem i cili duhet të shqyrtuar dhe duhen ndaluar se duke qenë pjesë e superstrukturës ata përcjellin propagandë. Në këtë rast ka qenë mikser gjigand i propagandës komuniste e këta filma nuk i thonë gjë qytetarit. Filmi është i komprementuar siç ka qenë ideologjia që i prodhoi. Ata sot transmetojnë besnikërinë ndaj partisë, njeriun e ri”. Mbi elementin propagandë, bie dakord edhe regjisori Saimir Kumbaro. “Gjithë filmat kanë qenë me pjesën e tyre të propagandës me Kinostudion që luante rolin e producentit e i gjithë prodhimi ishte në shërbim, të një ideologjie të caktuar”.Propozimi sjell mendime të ndryshme, që përkunden mes Çernobilit si metaforë dhe mes reflektimit që është një proces që zgjat edhe tri dekada më vonë“Më vjen mirë që është hap diskutim se nxit reflektim por nuk jam partizan i gjërave totatlitare. Duke i fshirë totalisht nuk influencohemi. Nëse bëjmë njohjen e së shkruarës se si kanë jetuar prindërit a gjyshërit tanë në një kohë të caktuar në vendin tonë na bën mirë për të kuptuar se si do të jetë e ardhmja jonë. Nuk ka kohë prezent e relata është mes së shkuarës e së ardhmes për këdo”.Ndërkaq, Tufa shton se “ata filma është një çernobil që i drejohet brezave duke rehabilituar gjithë atë botë makabre të diktaturës dhe duke infektuar brezat të pambrojtur dhe duke ngjallur nostalgji të së kaluarës”

E ARDHMJA

Çfarë do të bëjmë me artin që prodhuam? Me artin që na dhanë? Në një vend ku çdo gjë që krijohej, në arte pamore, kinema apo letërsi, nuk mbijetonte përveçse me miratimin censurës së regjimit, gjithë ç’kemi sot është ajo trashëgimi që lexohet si propagandë e së shkuarës. Nëse ka ardhur koha për një shembje të re idhujsh, e nëse ne kërkojmë ndalimin artit të regjimit, a do mbeteshim një vend pa art? Në këtë pikë, mendimet, ndahen. Agron Tufa thekson: “Atëherë më mirë të mos kesh fare fare fare se sa një gjë të turpshme një gjë që shënon akt gjenocidial dhe le të trajtohen si arkivë për qëllime të ndryshme të historisë së artit”.Ndërsa Saimir Kumbaro e shtrin më gjerë problemin: “Nuk duhet bllokuar se se do bllokoheshin edhe romanet e Kadaresë, Agollit, e Nashos që i kanë shërbyer ideologjisë, nëse vazhdojmë do mbetemi shtet pa kulturë”. Në kuadër të reflektimit si hap i parë, pyetjet që shtrohen janë të shumta. “Çfarë na thonë ne sot ata filma? Paskemi nevojë për grupe e mbeturina mikroborgjeze apo të dimë si të spiunojmë prindërit? Me metaforë, janë bomba që duhen çaktivizuar. Ku qëndron e bukura e filmave Operacion Zjarri, Kronikë e viteve të Para, Këshilltarët, Dora e ngrohtë, Toka jonë, Dueli i heshtur?”, pyet Tufa, i cili nuk ndalet me kaq, po shton: “A kanë artistët përgjegjësi për këtë epokë që nuk u përgjigjet me romantizma planesh e agronomësh? Unë nuk jam për tribunale por unë besoj që gjyqi i vetëm selektiv dhe definitv është lexuesi është koha. Arti sikundër nuk bëhet me sforcime duke përplasur kokën pas muri nuk bëhet as me ide e direktiva”

MES MEDIOKRITETIT DHE DOKUMENTIMIT

Kujtim Çashku ka një këndvështrim të vetin mbi filmat, mes të cilëve ai gjen prodhime mediokre si edhe filma të rezistencës, por jo të disidencës, çka do të përligjte shfaqjen e tyre pa paragjykim

“Një pjesë e madhe janë filma mediokër dhe kur shfaqen prodhojnë më shumë të qeshura. Janë disa filma që mendoj se janë filma rezistencës. Në gjuhën time nuk mund të përligjim që kemi pasur disidencë por rezistencë. Si sa nga kineastët kanë trajtuar përmes gjuhës së Ezopit pavarësisht nga përralla e kuptueshme”. Gjuhën e Ezopit sipas prof.Çashkut e gjejmë te “Lulëkuqe mbi mure” ku nuk kemi vetëm raportin me fashizmin, por me sistemet totalitare. “Ka edhe filma me karakter historik. Unë kam bërë filmin ‘Ballë për Ballë’ që ka kontekst historik. Është vendi i parë që doli nga traktari i Varshavës që ndyshoi hartat ushtarake të botës. Mendoni ju se ca ishte një bazë Ruse në Mesdhe dhe kur flasim kuptojmë aktualitetin që ka sot”tha Çashku.  Ka disa mënyra për ta parë një film. Ndonjëherë propaganda kthehet në bumerang, ashtu sikundër, ato prodhime të ish-Kinostudios, sot, tregojnë çfarë ndodhte dje, duke e bërë atë që është propagandë të punojë kundër qëllimit fillestar e të bëhet dokumentuese krimesh.“Ka filma që nën petkun e propagandës së dikurshme sot lexohen si dëshmi e krimeve të kryera. Kur Shqipëria u shpall vend ateist filmat që tregojnë shembjet e kishave na tregojnë krimet e kohës”, thotë prof. Çashku, në çka mbështetet edhe nga Saimir Kumbaro: “(Filmat)përcjellin informacione interesante, si ka qenë, mjedisi, si kanë qenë njerëzit, veshja gjeografia, dekoret e kohës, nga kjo pikëpmaje kanë vlera dhe duhet bërë pyetja kush i shikon këta filma, brezi im jemi të indoktrinuar sa të duash ne e kemi marrë shiringën edhe pse brenda nesh ka pasur revolta”.

“DORA E NGROHTË”

E nëse ‘DORA e Ngrohtë’ për Tufën është një film që përhap propagandë, për autorin, ai shënon daljen nga ligjet e realizmit socialist. “Në fakt kur flasim për filmin Dora e ngrohtë duhet të kuptojmë që unë futem në kinema në vitet 1980. Kishte 30 vite që zhvillohej e vija në një kinema me influencë ruse. ‘Dora e ngrohtë’ edhe pse jam unë regjisori thyen tabutë në realizmin sociliast. Ai vë në qendër të veprës jo heroin pozitiv. Ishte e vështirë të vije një hero dilematik dhe në fund të fundit nuk ka happy ending po ka fat tragjik. Efektivisht të gjitha këto shtresëzime që ka filmi në vetvete e bënë që ndiqej nga një audiencë unike. S’ka pasur asnjë film me atë shikueshmëri”.

SQARIMI PARA ÇDO FILMI

Tufa, Kumbaro e Çashku, sjellin shembuj të shteteve përreth ku filmat që përhapin propagandë hitleriane, musoliniane, apo idetë e Çausheskut, janë të ndaluara me ligj. Propozimi i tyre është shfaqja e filmave me një sqarim paraprak. “Për hir të një vlere mund të transmetohen me një rregull dhe brenda një kornize të kujdesshme ku një ekspert a kritik i kinemasë të dalë para shfaqjes së filmit dhe të shpjegojë se pse filmi do parë dhe ku do ta përqendrojmë vëmendjen, se ka filma që kanë vlerën e tyre pavarësisht shkallës së politizuar”.Regjisori Saimir Kumbaro e mbështet idenë, “Është shumë e drejtë vërejtja para çdo filmi artistik autorët skenaristi e regjisori të tregojnë kontesktin historik se pse u evdientua propaganda se cila qe propagandë për filmin dokumenta që është pesë herë më shumë shpjegimi i rrethanave se ishin propagandë”.

KAPRI: Të ndalohen filmat e

komunizmit në ekranet shqiptare

“Dëgjova me shumë interes në media mbi propozimin e shkrimtarit dhe kreut të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, z.Agron Tufa për ndalimin në ekranet shqiptare të filmave të komunizmit”, shkruan Erald Kapri në profilin e tij në facebook. Ai premton se si anëtar i Këshillit të Ankesave në AMA “do nis hapat institucionale për një vendimarrje për ndalimin e plotë të tyre, ose të shfaqes në një orar të caktuar dhe në mënyrë të paralajmëruar. Fëmijët dhe të rinjtë nuk duhet të shohin filma mediokër që promovojnë ‘njeriun e ri”.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Kur ke studiuar historinë e kinemasë shqipëtare dhe asaj botërore nuk mund të mendosh kursesi ashtu sic mendon Tufa apo ndonjë tjetër.
    Eshtë absurde të mendosh si në mesjetë.
    Cfar do mendojnë spektatorët per filmin e D.W.Griffith “Birth of Nation”? (Lindja e një Kombi)
    Ç’do të mendojnë për filmin e S.Eisenstein “Battleship Potemkin”?(Koracata Potjomkin)
    I pari për Ku Klux Klanin dhe i dyti për Revolucionin.
    Ti themi Botës, ndaloini këto filma. Kjo eshte marrëzi.
    Ti themi Anagnostit nuk ta shfaqim “Lulëkuqet mbi mure” se po i ben jehonë Partisë Komuniste.
    Bull Shitters

    Përgjigju ↓