POLITIKË

Xhafaj, Xhaçka, Manastirliu dhe Shalsi, CV-të e 4 ministrave të rinj të Ramës

19:48 - 13.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kryeministri Edi Rama vendosi sot 4 ministrat e rinj të qeverisë pas largimit të Tahirit, Klosit, Çuçit dhe Beqajt.

Emërimet e reja në qeveri janë: Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm, Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë, Olta Xhaçka, ministre e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Eduard Shalsi, ministër i Çështjeve Vendore.

GSH.al sjell jetëshkrimin zyrtar të 4 ministrave të rinj. Xhafaj, një politikan “i vjetër” dhe ekspert i çështjeve të drejtësisë, dy ish-funksionarë të “bashkisë së Ramës”, si Shalsi dhe Manastirliu dhe një nga ish-drejtueset kryesore të MJAFT-it, Olta Xhaçka – kryetare e forumit të Gruas së PS. Një kabinet i ri, thellësisht politik.

 

KUSH JANE 4 MINISTRAT

FATMIR XHAFAJ, ministër i Brendshëm

Fatmir Xhafaj lindi më 17 maj 1959. Ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politiko – Juridike, dega Drejtësi. Gjithashtu ka kryer kualifikime brenda dhe jashtë vendit (Romë, Bruksel, Londër etj.) në periudha të ndryshme në fushat e konsulencës ligjore, menaxhimit dhe administratës publike.

Ka një veprimtari profesionale të pasur në fushën e jurisprudencës. Në vitet 1982-1986 ka qenë jurist në sistemin e drejtësisë. Nga viti 1999 deri në vitin 2001 ka kryer profesionin e lirë si jurist, avokat i një studioje të tijën ligjore.

Në veprimtarinë politike nga viti 1997 deri në vitin 1999 ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Ka mbajtur postin e Ministrit të Rregullimit të Territorit dhe Turizmit në harkun kohor shkurt-shtator 2002 dhe atë të ministrit të Drejtësisë në vitet 2003-2005.

Zoti Xhafaj është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në katër legjislatura dhe është kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

 

OLTA XHAÇKA, ministre e Çështjeve Sociale dhe Rinisë

Olta Xhaçka lindi më 25 dhjetor 1979 në Tiranë. Është diplomuar për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Master of Arts (MA), për Administrim Publik nga Clark University, USA. Diplomuar me titull nderi.

Në vitin 2006 ka qenë hartuese projektesh për organizata joqeveritare në Amerikë. Ka qenë pjesë aktive e shoqërisë civile, kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut dhe mirëqeverisjes.

Për disa vite ka qenë pedagoge e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, pranë Universitetit “New York Tirana”.

Është zgjedhur deputete e Partisë Socialiste në dy legjislatura dhe është anëtare e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

 

OGERTA MANASTIRLIU, ministre e Shëndetësisë

Që nga shtatori 2013, drejtoreshë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Që nga 2011 deri më sot, pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës

Janar 2006 – Korrik 2011, Drejtoreshë e Drejtorisë së Shërbimeve në bashkinë e Tiranës, kur bashkia drejtohej nga Edi Rama.

 

EDUARD SHALSI, ministër i Çështjeve Vendore

Eduard Shalsi lindi në Korçë, më 1 prill 1968. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Biologji-Kimi. Gjithashtu është diplomuar si Trainer in Basic Bank Economy, nga Bankaakademie Internacional Germany & ISAP. Sa i përket veprimtarisë profesionale, ka punuar në Tirana Bank nga viti 1996 deri në vitin 2003. Në vitet 2003-2004 ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i INSIG sh.a.

Sa i përket karrierës politike ka mbajtur postin e Drejtorit të Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë, në vitet 2004-2008. Në vitet 2008-2009 ka qenë nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.

Zoti Shalsi është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në legjislaturën e tetë dhe është kryetar i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.