MILOSAO

Përtej debatit në Akademinë e Shkencave/ Problemet e antropologjisë shqiptare nga një profesor i Lille?!

09:10 - 20.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Intervistoi Ben ANDONI




“Milosao” ka bërë një intervistë me profesorin e Sociologjisë dhe Antropologjisë nga Universiteti i Lille Albert Dojën për të shpjeguar diçka më shumë lidhur me Antropologjinë shqiptare dhe debatin e sotëm në Akademinë e Shkencave
I nderuar profesor Doja, pa dashur t’ju përfshijmë në një debat të ditëve të fundit në Shqipëri, sa i përket antropologjisë, duam t’ju bëjmë një pyetje direkte: A ndjeni se kjo disiplinë po e mban në ditët tona rëndësinë e saj të vërtetë në studimet shkencore në Shqipëri?
“Në disa shkrime të botuara në revista shkencore ndërkombëtare, ndonëse ndonjë përmbledhje e shkurtuar e të cilave mund të jetë botuar edhe në shtypin shqiptar, kam parashtruar idenë se në Shqipëri nuk ka pasur asgjë të ngjashme me antropologjinë, as përpara as gjatë periudhës socialiste, dhe akoma nuk ka diçka të tillë. Fusha që paraqitet zakonisht si ekuivalent i antropologjisë social-kulturore është mbizotëruar nga ajo që njihet në Shqipëri si studime të kulturës popullore apo studime folkloriko-etnografike nëse e përdorim termin “folklor” në kuptimin e tij primar si dije e popullit apo tërësi e traditave, zakoneve dhe arteve popullore, ndërsa termin “etnografi” si shkenca që merret me përshkrimin e tyre. Me fjalë të tjera, këto lloj studimesh kanë përfshirë folklorin, etnografinë, kulturën materiale, traditat gojore, mitet, besimet, zakonet, objektet e artit popullor, etj.
Historia e studimeve folkloriko-etnografike të kulturës popullore që janë zhvilluar në Shqipëri nuk mund të ndahet nga ai kontekst më i gjerë politik e shoqëror që ka gjeneruar interes të madh për identifikimin, mbledhjen, përshkrimin, ruajtjen, por edhe ekzaltimin e zakoneve të ndryshme dhe hollësive të tjera të kulturës vetjake kombëtare, apo të kulturës popullore të kombit të cilit i përket studiuesi. Qëllimi ka qenë dhe mbetet lartësimi i një modeli kombëtar që është menduar të jetë i rrënjosur thellë në të kaluarën, në përputhje me idealin shkencor të një disipline shtet-komb-formuese. Në thelb, këto studime kanë fituar në mënyrë të pashmangshme një qëndrim politik nacional-komunist dhe një orientim metodologjik deskriptivist dhe esencialist.
Ç’është e vërteta, pjesa e më madhe e studimeve folkloriko-etnografike të kulturës popullore janë marrë dhe merren me bashkërendimin jokritik të zakoneve dhe objekteve të mbledhura, veshjeve, banesave, mjeteve të punës, veglave, këngëve, valleve, riteve, ceremonive, etj. Në këtë rast, ashtu si dikur antropologu i shquar britanik Edmund Leach ka denoncuar shfaqje të ngjashme në raste të tjera, vështirë të jetë i ekzagjeruar barazimi i këtyre studimeve me koleksionime fluturash dhe i këtyre studiuesve me mbledhës folklorikë të fluturave lokale, meqë ata vazhdojnë të jenë të paaftë dhe jo të gatshëm për të shkuar përtej përvojës së tyre të deritanishme dhe të tolerojnë hamendësime të frymëzuara shpjegimesh dhe përgjithësimesh që kapërcejnë vend – vendosjen e tyre të ngushtë.
Në të njëjtën kohë, ky orientim metodologjik deskriptivist dhe esencialist i studimeve folkloriko-etnografike të kulturës popullore në Shqipëri nxjerr edhe më mirë në pah funksionimin e tyre instrumental kryesisht si një version i ripunuar i shkollës kultural-historiciste gjermano-austriake, e njohur si Volkskunde, e cila së bashku me antropologjinë fizike apo të ashtuquajturën shkencë raciale u bë mbështetja kryesore për ideologjinë famëkeqe të nazizmit në Gjermaninë hitleriane. Në traditat studimore të shkruara në gjuhë gjermane emërtimi “etnografi” ka filluar qysh herët të përdoret për të marrë në konsideratë studimin e praktikave kulturore në lidhje me racat njerëzore. Megjithatë, në Shqipëri, ashtu si ndodhi dhe në vendet e tjera të Europës Lindore, këto studime adoptuan emërtimin e “etnografisë” në imitim të etnografisë sovjetike dhe sipas logjikës së zhvillimit dhe ndarjes së saj nga “folkloristika”.
Pavarësisht historisë institucionale të termave, që bëhet edhe më e vështirë sidomos kur mungon shkollimi profesional, këto lloj studimesh i janë nënshtruar projektit për të zbuluar një gjendje apo një prejardhje sa më të vjetër dhe të panjollosur të kulturës popullore dhe të shpirtit të popullit (Volksgeist), duke u transformuar kështu në mënyrë të pashmangshme në mjete propagande që u kanë shërbyer interesave nacionaliste, fashiste dhe komuniste. Ndërsa dallimi ndërmjet emërtimeve të ndryshme studimore, si “folklor” që merret me traditat gojore, “etnografi” që merret me zakonet dhe objektet materiale, apo madje edhe “antropologji fizike” që merret me tiparet raciale, duhet të shihet kryesisht si një çështje e ndarjes së detyrave brenda një projekti të përbashkët kombëtar që fiton brohoritje nga historia. Në studimet shqiptare e njëjta gjë vlen të thuhet jo vetëm për historiografinë që merret me kohët e shkuara, por edhe për arkeologjinë që merret me mbetjet e kulturës materiale, si dhe për filologjinë që merret me reliket gjuhësore.
Megjithatë, në fusha të tilla studimore si historia, filologjia, madje edhe arkeologjia, shkenca shqiptare ka trashëguar nga e kaluara studiues të mirëpërgatitur në universitete të përmendura europiane, të cilët krijuan një bazë të shëndoshë për zhvillimin e mëtejshëm të studimeve shqiptare pavarësisht kufizimeve ideologjike të regjimit komunist. Ndërsa në fushën e studimeve të kulturës popullore nuk ka pasur as ndonjë kuadër të përgatitur në Bashkimin Sovjetik apo në vendet e tjera socialiste të Europës Lindore. Në fakt, këto studime u zhvilluan nga studiues pa kurrfarë shkollimi profesional, apo nëse rimarrim një shprehje të kohës, “të përgatitur me punë vullnetare”, ashtu si ka ndodhur edhe në shumë fusha të jetës politike, ekonomike, shkencore, teknologjike, kulturore e artistike të asaj kohe. Meqë në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë asnjë arsimim universitar fillestar në këtë fushë, normalisht studiuesit, si dikur edhe sot, janë rekrutuar menjëherë pas një diplome të shkallës së parë në histori apo në letërsi. Madje ndodh që ndonjë prej tyre vazhdon të brohorasë me mburrje, me gojën e vet dhe në mënyrë të përsëritur, se të gjithë e kanë mësuar “metodën antropologjike” pa ndonjë trajnim profesional, por thuajse me magji si “një traditë të transmetuar në mënyrë gojore”.
Kjo ka shkaktuar atë izolim intelektual tipik që lehtësohej edhe nga politikat shtetërore izolacioniste, nëpërmjet të cilit studiuesit shqiptarë gjatë socializmit refuzonin, madje pa asnjë lloj diskutimi, teoritë dhe metodat antropologjike bashkëkohore që vinin nga Perëndimi. Edhe sot e kësaj dite, studiuesit e rinj që nuk ndryshojnë nga të vjetrit vazhdojnë të njëjtën mendësi kur nënvleftësojnë apo përçmojnë kontribute të rëndësishme, gjer edhe në vjetarin Etnografia Shqiptare dhe revistën Kultura Popullore, thjesht sepse ato “janë shkruar nga jo-etnografë”. Për ta kjo do të thotë se vetëm studiuesit e emëruar zyrtarisht në sektorin e etnografisë së Institutit të tyre, sot të ashtuquajtur i Antropologjisë Kulturore në Qendrën e Studimeve të ashtuquajtura Albanologjike, mund të pretendojnë të jenë “etnografë” apo “antropologë”, ndërkohë që shumë studiues të tjerë të cilët kanë ndërmarrë me sukses futjen e antropologjisë në disa institucione publike dhe private të kërkimit shkencor dhe të arsimit të lartë injorohen plotësisht, duke përfshirë edhe Universitetin e Tiranës apo institucionin shkencor më të lartë kombëtar si Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Në këtë mënyrë, një numri në rritje studiuesish të rinj që janë arsimuar në fushën e antropologjisë, disa prej tyre edhe në universitete të përmendura në botë, u mbyllen dyert e kërkimit shkencor në Shqipëri. Në kushtet ekzistuese, trashëgimtarët e punësuar zyrtarisht të ish-Institutit të Kulturës Popullore mesa duket nuk kanë nevojë t’u hapet rruga studiuesve të kualifikuar, kompetentë e vizionarë që janë në gjendje të ushtrojnë antropologjinë dhe të kryejnë studime antropologjike cilësore dhe konkurruese në nivel ndërkombëtar. Ndryshe nuk ka si shpjegohet rezistenca absurde që është bërë e zakonshme në mbarë Qendrën e Studimeve Albanologjike kundër futjes së procedurave dhe kritereve të reja, si dhe kundër përpjekjeve që vazhdimisht propozohen për të spastruar dhe mbrojtur sistemin e shkencës nga njerëzit e paaftë e të pakualifikuar. Si kundërpërgjigje të pritshme, ajo çka mund të bëjnë më mirë këta studiues është të kërkojnë vazhdimisht më shumë burime financiare e materiale, ndërkohë që revistat e Institutit të tyre mbushen me të njëjtat shkrime, që vazhdojnë të njëjtën traditë deskriptiviste, madje edhe nga dy a tre shkrime në një numër prej të njëjtit autor. Prandaj nuk ka pse të çuditesh që në revista të tilla “shkencore”, të cilat financohen nga fondet publike, nuk ka vend për askënd tjetër sikundër edhe nuk lexohen nga kurkush tjetër veç atyre vetë.
Për fat të keq, qëkurse antropologjisë filloi t’i dëgjohet emri edhe në Shqipëri, e kam fjalën për antropologjinë social-kulturore, madje pa e ditur mirë kuptimin e saj, atyre u duket sikur kanë ushtruar antropologjinë prej kaherësh dhe kanë qenë antropologë prej fillimit. Kjo ka ndodhur thjesht ngaqë ata i kanë mbushur mendjen vetes se studimet antropologjike dhe studimet folkloriko-etnografike të kulturës popullore i përkasin së njëjtës fushe apo ngaqë kujtojnë edhe me më shumë naivitet se një ndryshim i thjeshtë i terminologjisë mjafton për njëfarëlloj përzierjeje të zhanreve. Në këtë rast, gjer edhe kuptimi i termave të disiplinës keqpërdoret qëllimshëm, në mënyrë të tillë që koleksionet folklorike të “etnografisë kombëtare” ngatërrohen me “metodën etnografike” në antropologji, ndonëse e njëjta gjë vlen të thuhet edhe për “antropologjinë fizike” që ngatërrohet si pa të keq me antropologjinë e përgjithshme social-kulturore. Në këtë mes, ndoshta duhet përmendur se një ngatërrim konceptual i ngjashëm, por i kundërt, ndodh edhe në lidhje me termat e traditës folklorike arkaike për aq sa, bashkë me to, nënvelftësohen dhe përçmohen edhe studimet moderne të “folklorit të gjallë”, të cilat për fat të mirë zhvillohen me sukses nga disa kolege në Kosovë, ku edhe antropologet e rinj janë mirëpritur dhe u jepet vendi që meritojnë.
Sidoqoftë, mesa duket në Shqipëri, ashtu si zoti Jourdain në komedinë e famshme “Borgjezi Fisnik” të Molierit, që zbuloi papritmas se “fliste në prozë pa e ditur”, disa studiues u zgjuan një mëngjes të bukur dhe papritmas vendosën se tashmë ishin bërë antropologë, në fakt aty rreth dhjetë vite më parë kur Instituti i tyre ndërroi emër nga Institut i Kulturës Popullore në një Institut të ashtuquajtur të Antropologjisë brenda Qendrës së Studimeve të ashtuquajtura Albanologjike. Shumë prej atyre që e kanë ri-identifikuar veten si “antropologë”, pa pasur e pa ndërmarrë asnjë farëlloj formimi apo shkollimi profesional, thjesht kujtojnë se nëse i vënë vetes emërtimin antropologjik, merita e shkrimeve të tyre letrare mbi koleksionet arkaike folkloriko-etnografike do të ri-vlerësohet pozitivisht në terma universale dhe ata duhet kështu të konsiderohen si antropologë apo puna e tyre të konsiderohet si antropologji.
Por çfarë është më e keqja, një rezultat i kombinuar i këtyre faktorëve ka bërë që në kushtet e sotme të jetës shkencore shqiptare, sikurse ka ndodhur më herët pothuajse në të gjitha vendet e tjera të Europës Lindore, vetë emërtimi “antropologji” është bërë shumë i modës edhe në Shqipëri. Si jam shprehur edhe kohë më parë publikisht në shkrimet e mia brenda dhe jashte vendit, kjo ka ndodhur sidomos me disa studiues të letërsisë dhe përfaqësues të shkollës komuniste të shkencave politike dhe filozofisë, por edhe me historianë, kritikë letrarë dhe kalemxhinj të tjerë me formime dhe shkollime të ndryshme. Sidomos kur bëhen personalitete publike apo të degjuar në media, këta gjithnjë e më shpesh pëmendin antropologjinë në shkrimet e tyre. Shumë prej tyre shtyhen ta paraqesin veten si “antropologë” apo “kulturologë” thjesht vetëm duke u përpjekur të manipulojnë ndonjë njohuri të përgjithshme mbi natyrën njerëzore, kulturën dhe shoqërinë. Në të tilla raste, shfaqja e shpejtë e “antropologëve” në periudhën post-komuniste nuk është gjë tjetër veçse një dëshmi elokuente e përdorimit të një emërtimi disiplinor si një instrument i nevojshëm dallueshmërie në një fushë ende të pasigurt të rishpërndarjes sociale të pushtetit intelektual”.
Juve jeni një autoritet me renome ndërkombëtar i kësaj disipline, a mund të thoni stadet që ka arritur antropologjia sot dhe çfarë ndihmese jep ajo për fushat e tjera në botë?
“Antropologjia social-kulturore është e kundërt me karakterizimin e studimeve folkloriko-etnografike të kulturës popullore, jo thjesht ngaqë përqendrohet në një kulturë tjetër, sepse edhe kultura ku bën pjesë studiuesi mund të jetë objekt i antropologjisë, por ngaqë është krahasuese dhe gjithëpërfshirëse, në kuptimin që merr parasysh në shqyrtimet e saj një tërësi sa më të shumëllojshme kulturash të tjera, gjë që ka të bëjë më shumë me karakterizimin e saj nga një metodologji specifike. Objekti i antropologjisë nuk është katalogimi i zakoneve të ndryshme në kultura të tjera. Antropologjia ballafaqohet me çështje themelore të ekzistencës njerëzore dhe të shumëllojshmërisë kulturore në të kaluarën dhe të tashmen.
Qoftë edhe nëpërmjet analizës së të dhënave nga një kulturë e caktuar, në rastin tonë të kulturës shqiptare, por në krahasim me shumëllojshmërinë dhe ndryshueshmërinë kulturore nga shoqëri të tjera kudo që të ndodhen apo të jenë ndodhur, objektivi shkencor i punës së antropologut është të tregojë, për shembull, se kultura shqiptare nuk është as perëndimore apo lindore, as europiane apo jo-europiane, as pellazge apo ilire, as e përparuar apo e prapambetur, por është po aq e rëndësishme sa edhe kulturat e tjera pa përjashtim për të dhënë shpjegime antropologjike. Sepse qëllimi themelor i antropologjisë është ta shpjegojë shumëllojshmërinë dhe ndryshueshmërinë kulturore nëpërmjet mënyrës së njësuar dhe universale se si njerëzimi apo tërësia e njerëzve prodhojnë kulturë, e cila përbëhet nga ide, norma, institucione, sjellje sociale, etj. Vetëm mbi këtë bazë antropologjia bëhet e vlefshme dhe ka kuptim për të shpjeguar pastaj edhe dukuri të veçanta kulturore në një shoqëri të caktuar, përfshirë këtu edhe shoqërinë e vetë antropologut.
Në kundërshtim me traditën arkaike folklorike, edhe studimet moderne të “folklorit të gjallë” përfshijnë vlerat, traditat, mënyrat e të menduarit dhe të sjelljes, të cilat i gjykojmë si tradicionale, me fjalë të tjera çdo gjë që tradicionalisht besojmë, bëjmë, dimë dhe themi, dhe që na ndihmojnë të mësojmë se kush jemi dhe si të kuptojmë botën që na rrethon. Në këtë kuptim, më tepër se një dimension i jashtëzakonshëm dhe shumë i rëndësishëm, si pjesë tradicionale, jozyrtare, jo-institucionale e kulturës, mund të them se folklori i gjallë vjen më afër nocionit antropologjik të kulturës. Sepse pikërisht antropologjia, me pikësynimin për të kuptuar naturën njerëzore, përpiqet të tipizojë botëkuptimet dhe mënyrat e të menduarit e të vepruarit që përbëjnë njëherazi thelbin e kulturës njerëzore dhe shumëllojshmërinë e kulturave në shoqëri të ndryshme. Për këtë qëllim, në antropologji përdoret metoda etnografike që në thelb nuk bën gjë tjetër veçse jep informacion mbi sjelljen interaktive në mes të njerëzve në marrëdhënie strukturore me realitetet e tyre, apo siç e ka përkufizuar antropologu i shquar amerikan Clifford Geertz, një përpjekje për të lexuar shoqërinë si një tekst që është shkruar jo me shkronjat konvencionale të tingujve të gjuhës, por me shembujt e përkohshëm të sjelljes sociale së formësuar prej kulturës.
Përtej pjesëmarrjes me vëzhgime në vetë objektin e studimit dhe metodave të tjera cilësore si intervistimet që përdoren gjerësisht edhe në sociologji dhe shkencat e tjera sociale, metoda etnografike e antropologjisë është edhe një përvojë ballafaqimi i pandërprerë i vetes me të tjerët dhe i të tjerëve me vetveten. Çështja është të ndërtohet një kornizë e përgjithshme reference, ku të mund të gjejë vend pikëpamja e vendasit, pikëpamja e të huajit, si dhe gabimet e njërit në lidhje me tjetrin. Antropologjia social-kulturore nuk është një specialitet i përcaktuar nga një objekt i veçantë studimi, qoftë shoqëritë primitive apo kombet e amshuara. Antropologjia është një mënyrë të menduari, në thelb kur subjekti është diçka tjetër, dhe që kërkon që edhe ne të tjetërsojmë vetveten. Për këtë arsye, ne mund të bëhemi edhe antropologët e shoqërisë tonë, nëse marrim distancë të mjaftueshme prej saj, nëpërmjet atij “vështrimi nga larg” (regard eloigné) që antropologu i shquar francez Claude Lévi-Strauss ka përcaktuar si një kusht metodologjik sine qua non të antropologjisë.
Qartazi, vështrimi nga larg  nuk mund të arrihet duke keqpërdorur qëllimshëm kuptimin e termave të disiplinës, në mënyrë të tillë që ngatërron koleksionet folklorike të “etnografisë kombëtare” me “metodën etnografike” në antropologji. Çka nevojitet nuk është domosdoshmërisht studimi i shoqërive apo kulturave “të tjera”, por shkollimi i duhur profesional dhe një trajnim i gjatë dhe shpesh i mundimshëm për të praktikuar si duhet metodën etnografike që mundëson analizat antropologjike. Kjo është e rëndësishme sidomos për atë grup studiuesish të rinj, që kanë filluar përpjekjet e para për reformimin dhe modernizimin e kësaj fushe studimore dhe me të cilët besoj se bëj pjesë edhe unë, pavarësisht moshës, siç e kam treguar me kontributet e mia të deritanishme për një traditë shqiptare në antropologji social-kulturore. Në fakt, besoj se pjekuria nuk pengon përqafimin dhe nxitjen e risive antropoliogjike, siç është po aq e vërtetë se as rinia nuk është garanci kundër konservatorizmit folkloriko-etnografik”.
Duke pasur parasysh mungesat e mëdha që ka historia jonë, në këtë kemi parasysh mungesën e dokumentacioneve për segmente kohore nga periudhat antike, mesjetare e më poshtë, mendojmë se antropologjia ka dhënë një ndihmesë të dorës së parë për plotësimin e tyre. A mund të na thoni diçka më të saktësuar, ju lutem?
“Këtu më duket se ka nevojë për një qartësim të mëtejshëm. Ashtu si nuk është një disiplinë e studimeve letrare dhe folkloriko-etnografike, antropologjia nuk është as disiplinë historike, por një shkencë sociale. Para së gjithash antropologjia si shkencë sociale shtron pyetje mbi dallimet midis praktikës reale, sistemeve ideale dhe proceseve ideal-tipike, midis normave dhe rregullave të sjelljes të asaj që shumica e njerëzve realisht bëjnë dhe normave dhe rregullave ideale për atë që njerëzit duhet të bëjnë dhe se si ata duhet të sillen, njëherazi nga pikëpamja e opinionit të atyre vetë, nga pikëpamja e opinionit publik dhe nga pikëpamja e opinionit të sudiuesit.
Gjatë rendit socialist, për shembull, studimet folkloriko-etnografike të kulturës popullore janë përpjekur shpesh, pavarësisht shkallës së suksesit, për të analizuar vlerat kulturore të popullsisë fshatare si zakone të prapambetura të një grupi ose klase të caktuar në zbatim të metodave të përdorura në tematikën e ndryshimeve të nevojshme lidhur me adoptimin e vlerave dhe normave socialiste. Megjithatë, ngaqë shumica e këtyre studimeve janë të bazuara në kritere formale dhe klasifikime, ato nuk i kanë kushtuar vëmendje marrjes parasysh të ndërveprimit me proceset sociale, por kanë neglizhuar kontekstin social dhe marrëdhëniet reale të aktorëve shoqërorë me objektin e studiuar. Tek e fundit, këto studime kanë çuar në një dështim të plotë të adresimit të çështjeve kryesore antropologjike lidhur me dinamikat kulturore dhe ndryshimet sociale, thjesht sepse ato ende kanë vështirësi për të adresuar çështjen e metodologjisë.
Çuditërisht, edhe atje ku një lloj distance sociale ka ekzistuar, ajo ka mbetur një përbërëse e papërpunuar e metodës kërkimore dhe s’është bërë ndonjëherë qendrore në punën intelektuale dhe kuadrin organizativ të këtyre studimeve ashtu si ato janë zhvilluar në Shqipëri. Për shembull, shtresimet sociale që u shfaqën në fund të sundimit osman dhe vazhduan nga fillimi i shek.XX e këtej asnjëherë nuk tërhoqën vëmendjen e studiuesve të kulturës popullore dhe studimet shqiptare nuk prodhuan ndonjë studim të rëndësishëm e gjithëpërfshirës të nën-kulturave urbane, klasore, profesionale, apo të grupeve të tjera shoqërore, pavarësisht përshkrimit të hollësishëm dhe katalogizimit të objekteve dhe zakoneve të veçanta. Në mënyrë të ngjashme, asnjëherë nuk është dhënë një portret tërësor dhe i integruar i kulturës popullore në nivel fshati për një periudhë të caktuar historike. Më tej, mund të pritej të gjejmë një përshkrim më të plotë të “kohës së artë” dhe stilit të jetesës socialiste, ku një qasje sinkronike mund të ishte përdorur për të përshkruar aktorët e vërtetë në përballimin e kushteve të vërteta të jetesës, por asnjë përshkrim i tillë nuk është dhënë ndonjëherë.
Një problem i veçantë metodologjik që lidhet me studimet e sotme të kulturës popullore ka të bëjë me mënyrën se si përshkrimet folkloriko-etnografike të organizuara dhe kodifikuara në tekstet e mbledhura merren si një dëshmi e praktikës jetësore, thjesht e dhënë si e tillë, edhe pse normalisht mund të jetë e pabesueshme. Rasti më i parë është padyshim teksti i kodifikuar i Gjeçovit mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili është bërë burimi kryesor historik dhe pika qendrore e referencës për shumicën e diskutimeve rreth zakoneve shqiptare. E drejta zakonore tashmë është bërë një prani e prekshme, e paraqitur si një kompleks deklaratash në lidhje me veprime normale apo jonormale që përcillen përmes një grupi të veçantë rregullash të fiksuara në një libër nenesh ligjore. Kodifikuar në paragrafë që të duken ngjashëm me kodet e ligjeve shtetërore, këto nuk bëjnë veçse gjallërojnë idetë në modë të njëfarë pluralizmi ligjor. Madje për mendjen e cekët të ndonjë eksperti të kulturës ligjore, e gjithë kjo ka thjesht për qëllim të sigurojë çfarëdolloj dëshmie të rëndomtë për të ashtuquajturit sisteme shtrënguese që u dashkan të zhvillohen paralelisht apo në kundërshtim me njëri-tjetrin.
Por janë pikërisht disa prej këtyre lloj teksteve historike dhe folkloriko-etnografike, të ndërtuara që të duken si kode ligjore, që japin një tablo të plotë normative dhe konsiderohen si një përshkrim absolutisht i vërtetë dhe i përhershëm i ligjit të maleve sikur të ishte një sistem juridik i mirëfilltë. Si përfundim edhe njerëzit paraqiten ashtu si duket se duhej të ishin. Kjo, natyrisht, deformon natyrën gojore të së drejtës zakonore, duke e bërë atë të duket si një ligj abstrakt, gjë që i ka dhënë përparësi nivelit ideal, domethënë se si sistemi duhet të zbatohet, ndërkohë që shpesh jeta e përditshme e njerëzve të thjeshtë injorohet ose shkëputet nga rastet e veçanta dhe interpretimet individuale të vetë njerëzve.
Çka mbetet e pa hulumtuar janë transformimet e jetës shoqërore dhe ide të tilla se normat zakonore ekzistojnë për shkak se flitet e shkruhet për to, jo domosdoshmërisht për shkak se ato praktikohen. Në këtë mënyrë ka humbur mundësia për analiza shumëdimensionale të karakterit thelbësisht retorik të cilësdo reference ndaj sjelljeve zakonore në Shqipërinë bashkëkohore. Qasjet e mirëfillta antropologjike mund të lejojnë pikërisht një përpjekje analitike për të treguar, për shembull, se si individët dhe bashkësitë shoqërore shpesh do të gjejnë çdo mënyrë për të kapërcyer standardet zakonore absolutisht përcaktuese apo se si diskursi i së drejtës zakonore tradicionale përdoret si justifikim për vepra penale lidhur me zënkat e dekolektivizimit të tokës dhe kthimit të pronave, si dhe në konfliktet e dhunshme midis bandave të ndryshme kriminale”.
Ju, si antropolog, jeni tashmë prej pothuajse dhjetë vitesh Anëtar i Rregullt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe padyshim përfaqësoni antropologjinë sipas kritereve që përcakton rëndësia e kësaj fushe. Por ditët e fundit në Shqipëri është hapur një debat, sa i përket antropologjisë, lidhur me zgjedhjen e një Anëtari të Asociuar të Akademisë së Shkencave në këtë fushë. Si e shikoni këtë zgjedhje? A duhet të krenohemi se Shqipëria ka tani një Akademik të ri në fushën e antropologjisë që ia vlen të konsultohet?
“Prej kohësh jam përpjekur të mbaj gjallë një debat, si brenda edhe jashtë vendit, sa i përket studimeve shqiptare apo albanologjike ku shumica e opinionit shkencor mendon se duhet futur edhe antropologjia. Por qëllimi im mbetet, si kudo e kurdoherë, mjaftueshmërisht i qartë. T’i nënshtroj studimet albanologjike ndaj një analize ideal-tipike nga pikëpamja e antropologjisë sociale, mbështetur në një qasje krahasuese me tradita të ngjashme studimore në vendet e tjera të Europës së Lindjes dhe të Perëndimit. Qëllimi nuk është thjesht të kuptohet se çfarë përbëjnë apo çfarë nuk përbëjnë studimet folkloriko-etnografike të kulturës popullore, për shembull, por si dhe pse këto studime lindën dhe u zhvilluan në drejtimin specifik që ato morën dhe jo në një tjetër. Megjithatë, nuk kam dashur asnjëherë ta personalizoj debatin dhe kam shmangur të përmend emra të veçantë, me përjashtim të figurave kryesore. Sigurisht, jam përqendruar kryesisht në identifikimin e dobësive dhe mënyrave të vjetruara, si dhe në domosdoshmërinë e përqafimit të metodologjisë antropologjike në studimet shqiptare të kohës së sotme. Në fakt është e rëndësishme të kuptohet si dhe pse një thyerje epistemologjike e këtij lloji është e domosdoshme në studimet shqiptare, në këtë periudhë tranzicioni dhe transformimesh të mëdha sociale e kulturore. Vetëm kështu mund të kapërcehen prapambetjet e trashëguara dhe të vlerësohen përpjekjet e filluara për reformimin dhe modernizimin e kësaj fushe studimore, me të cilat bashkohen përpjekjet e mia të vazhdueshme, si dhe gjithë puna ime për krijimin dhe zhvillimin e një tradite shqiptare në antropologji social-kulturore. Natyrisht, pikësynimi im nuk mund të jetë tjetër veçse t’i hapë rrugën brezit të studiuesve të rinj që kanë filluar apo janë të gatshëm të marrin formimin e duhur për të kryer punime të përshtatshme në antropologji. Njëherazi, qëllimi im është të pastroj këtë rrugë nga të vetë-shpallurit antropologë dhe kapardisjet e tyre gjestikulative që bëjnë çdo përpjekje për të ngatërruar gjërat dhe për të komprometuar të ardhmen e antropologjisë në Shqipëri dhe në studimet shkencore shqiptare.
Prandaj kam qënë shumë i interesuar kur mësova se Kryesia e Akademisë kishte propozuar hapjen e kandidimit për një vend të ri Anëtari të Asociuar në fushën e antropologjisë. Çuditërisht, pas mbylljes së kandidaturave u hasa me një mungesë transparence dhe perde të pakuptueshme lidhur me identifikimin e kandidatëve. Shpallja zyrtare e zgjedhjeve u bë pa emrat e kandidatëve dhe me gjithë përpjekjet e përsërituara edhe nga disa Anëtarë të tjerë, Kryesia e Akademisë ka refuzuar deri në fund të shpallë zyrtarisht emrat e tyre. Për të qënë i sinqertë isha kurioz të mësoja se kush nga koleget e vjetër të studimeve folkloriko-etnografike mund të kishte kandiduar në fushën e antropologjisë. Por me sa duket, pas kaq kohësh, edhe koleget e vjetër janë ndërgjegjësuar se duhet të jetë më mirë, si për ta edhe për shkencën shqiptare, tua lënë vendin atyre që kanë formimin dhe përvojën përkatëse në këtë fushë. Nuk di sa mund të jetë e vërtetë kjo, por do ishte me të vërtetê një lajm shumë i mirë për antropologjinë në Shqipëri e sidomos për antropologët e rinj. Kuptohet sa i zhgënjyer u ndjeva kur mësova se ishte paraqitur një kandidat nga fusha e studimeve letrare!
Sigurisht që kam reaguar ashpër dhe shumë fuqishëm. Sëbashku me kolegë të tjerë akademikë, jemi pëpjekur të propozojmë përcaktimin e kritereve të përcaktimit të fushës së antropologjisë përpara konkursit, si dhe normat dhe procedurat për një vlerësim dinjitoz të kandidatëve që mund të paraqiteshim pavarësisht se cilët mund të ishin ata. Pjesa dërrmuese e argumenteve që kam përdorur në një numër email-këmbimesh me Kryesinë e Akademisë janë rimarrë gjerësisht edhe në Letrën e Hapur që kandidati tjetër i ka dërguar Akademisë si ankesë për moszgjedhjen e tij (Mapo, 7 mars 2017). Por ashtu si në përgjigjen e saj ndaj Letrës së hapur (Panorama, 9 mars 2017), Akademia ka këmbëngulur se praktika është bërë strikt dhe konform bazës ligjore dhe akteve nënligjore përkatëse në fuqi. Sigurisht, problemi nuk qendron me rregulloret ekzistuese dhe as me respektimin e tyre me rreptësi gjatë gjithë procedurës së shqyrtimit dhe votimit që parashikohen për Seksionin apo për Akademinë. Problemi nuk është ligjor por është para së gjithash një problem i logjikës dhe etikës akademike e pastaj është një problem ligjor e administrativ.
Përsa i përket kandidatit që fitoi shumicën e votave në këto zgjedhje, unë personalisht e njoh që prej viteve shkollore dhe kam respektin më të madh si studiues dhe intelektual me kontribute të spikatura publike, në fushat shkencore, organizative dhe politike. Mos harrojmë se ai ka qënë një nga të paktët që mund t’i pëshpëriste në vesh Ramiz Alisë dhe jam i sigurtë se ai ka kontribuar edhe në shumicën e atyre veprimeve sadopak pozitive që regjimi komunist ndërmori gjatë viteve të tij të fundit. Mos harrojmë se ka qënë ai që i ka shndërruar Arkivat e Shtetit nga një institucion policor të regjimit komunist në një institucion të mirëfilltë shkencor. Mos harrojmë se ai ka një veprimtari kërkimore dhe botuese në fushën e studimeve letrare që do t’i bënte nder çdo organizate apo institucioni shkencor. Unë do ta krahasoja pa frikë me një Jacques Attali, intelektualin e shquar dhe ndihmësin e mirënjohur të Presidentit francez Mitterrand, emrin e të cilit duhet ta ketë dëgjuar edhe publiku shqiptar. Por me një përjashtim të vogël. Jacques Attali nuk do të kandidonte kurrsesi për një vend akademiku në antropologji, thjesht sepse nuk është antropolog dhe ka shumë gjëra të tjera me çfarë të mburret.
Nëse është e nevojshme, sigurisht që mund të shqyrtohen të gjithë elementet e dosjes së kandidimit për të parë se nuk ka asgjë të afërt me antropologjinë. Por opinioni publik do ta harrojë shumë shpejt këtë histori, ndonëse jam i sigurtë se ai vetë nuk do ta harrojë kurrë. Prandaj, i këshilloj të heqë dorë, në mos nga titulli i Akademikut, të paktën nga përcaktimi disiplinior i këtij titulli. E vetmja mënyrë për të rifituar nderin intelektual do ishte ndoshta të kërkonte që titulli i tij akademik të ripercaktohej në fushën e studimeve letrare. Do t’i bënte shërbimin më të madh, si vetes edhe kolegëve të tij”.
Po për kandidatin tjetër a mund të na thoni diçka për profilin e tij? Si antropologu i parë shqiptar, siç është shprehur ai vetë? A nuk ishin të mjaftueshme punimet e tij, në logjikën tuaj, për të fituar titullin “Akademik i asociuar”?
“Edhe kandidatin tjetër e kam njohur nga afër prej shumë kohësh, të paktën që prej kohës kur edhe une punoja në Institutin e Kulturës Popullore përpara se të nisesha për të kryer studimet doktorale për antropologji në Francë. Në atë kohë unë isha fare i ri dhe kisha admirim për punën e tij, jo vetëm për shkak të përvojës së tij, por edhe me sa duket kishte diçka të përbashkët midis nesh. Në fakt antropologjia fizike dhe studimet racore kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë shumë gjëra të përbashkëta me studimet arkaike folkloriko-etnografike të kulturës popullore. Por vetëm më vonë, pasi isha formuar si antropolog, do kuptoja ndryshimet dhe papajtueshmërinë që këto studime kanë me antropologjinë e përgjithshme social-kulturore.
Por në rastin tonë ka më shumë rëndësi fakti që me punën e tij rigoroze, jo vetëm në fushën e antropologjisë fizike, por vitet e fundit sidomos me përpjekjet e tij serioze për të përqafuar qasjet e reja të antropologjisë social-kulturore dhe antropologjisë së përgjithshme, ai është i vetmi që duhet ta meritojë plotësisht titullin e Akademikut të Asociuar në antropologji. Kjo duket qartë tek formimi solid pasuniversitar në fushën e antropologjisë, të cilin e ka kryer në një nga Departamentet universitare më të permendura të kësaj fushe në Gjermani, edhe pse nuk ka mundur të marrë ndonjë titull e gradë në këtë fushë. Duket gjithashtu edhe me disa botime në revista shkencore të specializuara në antropologji, çka flet qartë se kandidatura e tij mund të ishte konsideruar konkurruese edhe në nivel ndërkombëtar. Pa dyshim, me një përvojë të vazhdueshme bashkëpunimi me qendra kërkimore dhe mësimdhënie universitare në fushën e antropologjisë, sidomos me përgatitjen e teksteve të vetme universitare në këtë fushë, mund të them pa frikë se ky kandidat mbetet përsëri i vetmi që do ta kishte shpëtuar Akademinë e Shkencave nga antropologët e rremë. Gjithashtu, nuk ka si të mos më vijë mirë kur mësoj se punimet e tij të fundit sintetizuese, së bashku me mësidhënien e antropologjisë në Universitetin Europian të Tiranës, vazhdojnë punën që unë kam inicuar për krijimin dhe zhvillimin e një tradite të antropologjisë social-kulturore në Shqipëri (shih. Panorama, 11 mars 2017)”.
Cilat janë angazhimet tuaja të momentit dhe ajo që po merreni në ditët tona?
“Ndryshe nga ç’mendohet apo nga çfarë mund të konstatohet nganjëherë në mjedisin akademik shqiptar, jeta akademike karakterizohet nga një dinamizëm i vazhdueshëm. Madje mund të them se nëse vazhdon të ngelesh aty ku tashmë ke arritur, duke mbajtur të njëjtat poste pune, duke punuar mbi të njëjtat tema, apo duke ricikluar të njëjtat punime, nuk je më akademik. Një akademik synon gjithnjë për arritje të reja, shpesh edhe nga ato që nuk ka mundur madje as t’i ëndërrojë përpara. Por janë pikërisht ënddrra të tilla që mbajnë gjallë frymën e punës akademike, madje edhe kur nuk realizohen plotësisht. Sidoqoftë, pas një numri vitesh të suksesshme në France, shpresoj që vitin e ardhshëm akademik të kem mundësi t’i jap një hov të ri punës sime akademike. Nëse dëshiron, lëmë takim në shtatorin e ardhshëm të flasim më me hollësi për këtë temë”.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Një artikull që përpara së gjithash bën një radiogafi të mirë sqaruar për disiplinën e antropologjisë dhe studimet antropologjike në Shqipëri. Shkrimi ka një vlerë të shtuar në sqarimin e antropologjisë si disiplinë që të kuptojmë kush janë lëvruesit e vërtetë, një fenomen që ndodh me gjithë shkencat që nuk janë lëvruar më parë në Shqiperi ose që mbeten shumë të indoktrinuara. Me sa duket për të qenë hulumtues funksionon parimi më i shkathti më i shpejti bëhet specialist i fushës, ndonse brendia eshte bosh. Duhet shkruar edhe një artikull i ngjashëm për shkencat politike e marrëdheniet ndërkombëtare, sociologjine por jo vetëm… E keqia është se këto shkenca bëjnë radiografinë e shoqërisë dhe politikës, por në se studimet e tyre nuk na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë nuk shkon. Prandaj realiteti do mbetet ky që kemi, e qahemi perdite… Për më tepër thellojmë izolimin me komunitetin nderkombëtar, pasi nuk jemi në gjendje të botojmë një artikull të vetëm në revistat e disiplinës që të marrim e shkëmbejme ide me të tjetrët… Për çudi në Shqipêri preferohen vetëm librat e botuara në vend me pagesë, që nuk kanë nevojë për ekspertiza shkencore dhe borde editoriale ndërkombëtare…
    Ndërkohë kur lexon këtë intervistë, sigurisht për ata që nuk e njohin është e vështirë të kuptojnë se shpjeguesi është Akademiku Albert Doja, përfaqësuesi i parë i Antropologjisë Social Kulturore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, zgjedhur nga një komision ndërkombëtar me ekspertë shqiptarë e të huaj në atë fillim të ri të Akademisë së reformuar, dhe që për meritat dhe përvojën e tij është edhe Profesor i Antropologjisë në Universitetin e Lillës në Francë por edhe me eksperiencë të gjatë në shumë Universitete e Qendra kërkimore nderkombëtare. Gjithashtu në këtë shkrim ne lexuesit e kemi të vështirë të kuptojmë kush janë kandidatët e rinj për fushën e antropologjisë në zgjedhjet e Akademisë. Në këto raste gjykoj se do të ishte me vend që të mos i lihej imagjhinatës të fanatzojë..intervistuesi mund të kishte bërë sqarimet perkatëse….

    Përgjigju ↓