EKONOMI

Pronat e zëna nga ndërtimet pa leje, formulari i ri

07:21 - 21.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Ornela MANJANI

Agjencia e Trajtimit të Pronave ka publikuar formularin-tip që duhet të plotësojnë pronarët që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje për të përfituar kompensimin për tokën. Kostoja e aplikimit është 2 mijë lekë, ndërsa afati i shqyrtimit të kërkesës është 90 ditë. Grupi i punës, brenda 60 ditëve nga pranimi i kërkesës verifikon dokumentet, ndërsa drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, brenda 30 ditëve nga verifikimi firmos pagesat.

Pranimi i kërkesave

Procesi i regjistrimit apo pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së njoftimit publik. Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së ngrihet grupi i punës për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale dhe shpërndarjen e fondit përkatës. Grupi i punës, brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për kompensimin e pronës, kryen verifikimet e duhura. Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së, brenda 30 ditëve nga data e përfundimit të procesit të verifikimit nga grupi i punës, nxjerr vendimin me emrat e subjekteve që përfitojnë nga kompensimi dhe urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen. Gjithashtu, ai njofton edhe aplikantët që nuk përfshihen në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mospërfshirjes.

Dokumentet

Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së Tiranë kërkesën-tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave. Në listën e dokumenteve është dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashë-gimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Sipas ligjit, për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial, të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi. Një tjetër dokument është prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2.000 lekë, pavarësisht se i përket së njëjtës pasuri të paluajtshme. Subjekti përfitues duhet të paraqesë vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës, fotokopjen e dokumentit të identifikimit, certifikatën familjare të kërkuesit dhe mandatpagesën. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilave nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.