DOSSIER

Ismet Haxhia: Thirri “rroftë PS”, shoferi i kreut të PD i zbrazi karikatorin pensionistit Ago Imeri në ’99

14:44 - 24.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




(Rrëfimi: Të moshuarin Ago Imeri e morën militantët e PD-së dhe e nxitën të prishte mitingun e PS, por ai i surprizoi të gjithë kur bëri të kundërtën, thirri: Rroftë PS, rroftë Lush Përpali! Ata nuk ja harruan këtë. Pak ditë më vonë, shoferi i kryetarit të PD-së e rrok në mënyrë shtazarake, e hip në makinën e tij…)

Ish-i dënuari me 20 vjet burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, Ismet Haxhia rrëfen në librin e tij “Kronika e Dhimbjes” të shtëpisë botuese “Helga’s Secrets”, situatën e vështirë në vitet 1997-1999 në Tropojë dhe në të gjithë Shqipërinë. Vetë Haxhia u lirua nga burgu në vitin 2016 dhe ju rikthye jetës normale. GSH.al po sjell sot pjesën e katërt nga “dosja Tropoja”, një rrëfim për rrëmbimin nga qelitë e policisë dhe vrasjen e pensionistit Ago Imerit vetëm pse thirri “rroftë PS!”.

“KOMISARIATI I POLICISE TROPOJE, ÇERDHE KRIMINELESH”

Në fillim të vitit 1999, në qendër të qytetit Bajram Curri, ndodh një incident i rëndë që tërhoqi vëmendjen e mjaft qytetarëve kalimtarë. Njëkohësisht ky incident do të ndikonte në prishjen e marrëdhënieve mes protagonisteve të kësaj ngjarjeje, si dhe do të dëmtonte edhe më shumë imazhin e keq që kishte policia në atë qytet. Policia në atë kohë ndodhej në vështirësi të mëdha logjistike. Mjetet ishin të pakta në numër, por edhe ato që përmbante inventari ynë ishin tejet të amortizuara. Më tepër se kushdo, këto mangësi po i vuante sektori i policisë kufitare, të cilit i duhej të menaxhonte situatën në kufirin e trazuar nga situata në Kosovë.

Duke parë këto nevoja, OSBE i dhuron Ministrisë së Rendit Publik një të re tip “Land Rover”, me qëllimin e vetëm që makina t’i jepej komisariatit të policies Tropojë, për policinë kufitare. Jonuz Hyka, ish-shefi i komisariatit, i shkarkuar për dobësi në punë pak muaj më parë, çuditërisht emërohet në detyrën e drejtorit të policisë së qarkut të Kukësit. Ai, duke e pretenduar për vete makinën i thotë, ministrit që makinën të mos e çoj në Tropojë se do e vjedhin vetë policët. I ndikuar nga ky fakt, ministri ia jep makinën drejtorit të policisë, Kukës. Rrugën e parë që drejtori do të bënte në B. Curri, ku edhe banonte familja e tij, ndodhi incidenti. Shefi i policisë së Tropojës, i del para makinës në sheshin kryesor të qytetit dhe i kërkon ta dorëzojë atë.

Ai e kundërshton me sa mundet furinë e shefit, por pasi ai i ven në kokë pistoletën, ulet me shpejtësi në tokë. Edhe shoferi e liron makinën, pasi shefi përdor të njëjtën mënyrë si pak më parë. Më njoftuan shpejt. Shefi ishte zhdukur me gjithë mjetin. Një polic i trafikut më thotë së ai ishte nisur drejt banesës së tij. U nisa edhe unë me makinën time në atë drejtim.

Pasi u sigurova së shefi kishte shkuar në banesën e tij nga patrulla e qarkullimit rrugor në Dunravë, u nisa edhe unë për atje. E takova pak metra pasi kishte dale nga banesa i tij, ku kishte parkuar makinën. Ju luta që t’ia kthente makinën drejtorit, gjë që nuk e pranoi, me pretekstin se makina kishte ardhur për komisariatin tonë. Unë i shpjegova se mënyra se si ai kishte vepruar do e komprometonte rëndë atë dhe se veprimi do të ngjyrosej ndryshe. Pas shumë përpjekjesh,iu mbush mendja që të sillte makinën në komisariat, me qëllim që ajo të mbyllej aty deri sa të sqaroheshin gjërat.

Shefi këtë e zbatoi vetëm për dy-tri orë. Makina qarkulloi vetëm rreth një javë në Tropojë e më pas përfundoi në linjën e trafikut të Malit të Zi, ku duhet të jetë edhe sot. Për ketë problem askush nuk foli më, por mllefi i madh i drejtorit do të shfryhej në mënyra të ndryshme kriminale, derisa edhe vetë, një ditë të tetorit 1999, do të ngelte viktimë e tyre.

* * *

Kapakun e turpit në të gjithë këtë veprimtari kriminale, policia e Tropojës do ia vinte me vrasjen e Ago Imerit më datë 28 prill 1999. Unë kisha dy javë që isha transferuar në Durrës, por duke qenë se akoma nuk isha sistemuar në shërbim të rregullt, u ndodha në Tropojë për të pushuar pak ditë pranë familjes, gjë që nuk kishte ndodhur gjatë gjithë kohës që po punoja në polici. Ago Imerin unë e njihja që prej shumë vitesh kur punonim në minierë. Ai kishte vite që kishte dalë në pension, por takoheshim thuajse çdo ditë bashkë.

Disa e çmonin si të tronditur psikik e shumë të tjerë, supersticiozë e njihnin si njeri të mirë. Ishte një burrë në moshë të thyer dhe shumë i varfër.

Në muajin maj të vitit 1996, gjatë fushatës elektorale të atij viti, në një takim të Partisë Socialiste, disa djem militantë të PD-së, pasi e mësojnë se ç’duhej të bënin për të prishur mitingun e PS, e futin të shoqëruar me njërin prej tyre në kinemanë e qytetit ku po behej takimi.

Shoqëruesi i Agos në një moment që ai e sheh të përshtatshëm, fillon ta nxisë për të përmbushur qëllimin e tyre. Pas pak minuta rezistencë, Ago çohet në mes të sallës dhe thërret me forcë: “Rroftë Partia Socialiste, rroftë Lush Përpali”. Ai kishte vepruar sipas mendjes së tij, por zemërimi i atyre që prisnin reagimin e kundërt të tij do zemëroheshin keq me të. Pak ditë më vonë PD organizonte takimin e saj në të njëjtin vend. Ago Imeri afrohet për t’u futur në takim, duke ndjekur vetëm mendjen e tij.

Militantët “demokratë”, të cilëve ende nuk u kishte kaluar inati, duan ta pengojnëpër t’u futur brenda në kinema. Në kohën që po bëheshin këto debate, vjen shoferi i kryetarit të PD-së dhe e rrok në mënyrë shtazarake, e hip në makinën e tij dhe e lë në rrugë rreth 10 km larg qytetit. Sapo ai merr kthesën për në drejtim të qytetit, vjen një fshatar i Agos me motoçikletë, i cili e merr atë duke u futur nëpër rrugë dytësore; shkurt, e sjell atë para shoferit që e kishte tretur pak minuta më parë, duke e bërë militantin e PD të fshinte sytë prej bishe. Shoferi më vonë ishte përpjekur për t’u rregulluar me të, por duke qenë se ishte më shumë se i lig, nuk i kish besuar asnjëherë, duke mos qenë i qetë në kohën e trazirave.

Më datë 8 prill 1999, në kohën që Ago po ecte në këmbë në sheshin kryesor të qytetit me një pushkë njëzetëshe në krah, ndodhet ballë për ballë me ish-shoferin e kryetarit të PD. Ai zbret nga makina e tij me Kallashnikov në dorë, i cili duke e ndjerë frikën për atë çfarë kishte bërë, zbraz një karikator drejt Agos, në një distancë jo më shumë se 5-6 m. Agon nuk e merr asnjë plumb i këtij trimi të çartun. Më pas Ago ulet në gjunjë dhe i thotë: “Prite baçen” dhe e qëllon dy here të vetme në trup, duke e shembur përtokë kundërshtarin, si në një duel kur e humb atë.

Ago Imerin e arreston policia, të vetmin që kishte arrestuar në ato vite dhe e dërgon në dhomat e izolimit të komisariatit. Sapo ngryset nata e asaj dite, të tjerë policë që mbanin stampën e kriminelit të shkruar në ballë, e marrin Agon me furgonin e policisë, e dërgojnë në guroren e Dushajve, 15 km larg nga qyteti dhe pasi e torturojnë në mënyrën më çnjerëzore, e ekzekutojnë me një plumb në kokë, duke lënë prapa një njollë të zezë e të fëlliqur.

Trupi i viktimës gjendet mëngjesin e ditës së nesërme. Lajmi i hidhur, veç kriminelëve vrasës, indinjoi mbarë Tropojën. Këdo e dëgjoje të fliste me urrejtje për ketë krim të shëmtuar, ndryshe nga çdo herë tjetër. Qindra njerëz e përcollën Agon për në banesën e fundit me lot në sy. Ata që derdhën më shumë lot ishin fëmijët e vegjël, e të varfër të qytetit, të cilëve Ago u falte çdo ditë lekët,që të tjerët ia falnin atij. Ky krim i shëmtuar, jashtë çdo përmase njerëzore, bëhet duke pasur dijeni dhjetëra persona në komisariat. Një qytetar i pafaj dhe i pambrojtur merret nga qelia e policisë, nga disa policë dhe nuk del asnjë për ta ndaluar. Akoma më keq, për këtë krim të turpshëm nuk u hetua asnjëherë dhe deri tani askush nuk u përgjigj, as nga vrasësit dhe as nga ata që e toleruan, apo e fshehën atë.

Në gjysmën e parë të prillit 1998,i nxitur nga dëshira për të vënë rregull dhe për të penguar deri diku vjedhjen masive të makinave, vendosa të bëja bllokimin e disa prej tyre që unë kisha mundur t’i identifikoja si të vjedhura. Makinat vidheshin në qytete të tjera të vendit, kryesisht në Tiranë. Ministria shpesh dërgonte me radiogram shpalljen në kërkim të ndonjërës prej tyre, por vetëm kaq. Në tri ditë bllokova pa shumë vështirësi dy makina tip “Benz”, një “Golf” dhe një motoçikletë, e cila po terrorizonte njerëzit nëpër lagjet e qytetit. Me drejtuesin e motoçikletës na u desh të shkëmbenim edhe zjarr, pasi ai e braktisi atë në një rrugë anësore të një fshati. Për makinat e bllokuara përpiluam një dokumentacion të rregullt dhe ia dorëzova me inventar oficerit të drejtimit të komisariatit, duke I parkuar makinat ngjitur me zyrën e tij.

Pata shumë ndërhyrje për t’i zhbllokuar ato, përfshi edhe shefin e komisariatit, i cili më kërkoi të shikoja edhe një herë vendimin që kishin marrë. Për këtë unë nuk lëshova pe deri në fund. Në fundin e muajit prill largohem për në Kajro, në një specializim njëmujor për policinë. Kur u ktheva në punë, mjetet që unë kisha lënë të bllokuara nuk ishin më aty. Ne, me një shkresë zyrtare kishim njoftuar edhe ministrinë për mjetet e bllokuara dhe për një çast mendova se mjetet i kishin lëvizur diku për ruajtje në ndonjë vend tjetër më të sigurt. Pasi u interesova për këtë te shefi i komisariatit, mësova se gjoja mjetet I kishin rrëmbyer prapë. “Si është e mundur – i them unë – të merren makinat brenda komisariatit të policisë?” “Kanë bashkëpunuar me policët tanë, – më tha shefi.” – “A janë identifikuar policët dhe çfarë mase është marrë për ta?”, – pieta unë i indinjuar tej mase.

Ai nuk mu përgjigj. Më vonë mësova së makinat ishin liruar me urdhër gojor të shefit të komisariatit. Mjetet ishte e pamundur të merreshin, pasi çelësat e tyre i kisha dorëzuar tek oficeri i rojës së bashku me dokumentacionin tjetër përkatës.

Ato mbaheshin në kasafortën e tij së bashku edhe me materiale të tjera të rëndësishme. Policët, duke zbatuar urdhrin e shefit të komisariatit,kishin marrë çelësat te oficeri i rojës dhe ua kishin dorëzuar makinat “pronarëve” të tyre hajdutë. Pasi mësova për këtë fakt,shkaktova një përplasje të forte me shefin e komisariatit, duke krijuar me të një hendek të thellë, i cili nuk u mbyll ndonjëherë.

Pas këtij rasti, unë fillova të kërkoj transferimin tim nga Tropoja ose daljen në lirim nga policia.

Kjo zgjati edhe për shumë kohë, pasi nuk mund të realizohej lehtë, për shkak se transferimet dhe emërimet në qarkullimin rrugor bëheshin me tender thuajse të hapur. Në tender të tillë unë nuk mund të merrja pjesë. Iniciativa që ndërmorëm në ketë drejtim pati një efekt negativ për mua dhe policët që drejtoja. Më kryesorja është se u dëmtua shumë puna në të ardhmen e këtij sektori, duke u rënduar për shumë kohë imazhi i keq që u krijua në opinionin që ishte familjarizuar me të keqen. Shefi më kërkoi që t’i bllokoja përsëri, por pas këtij veprimi antiligjor të kryer prej vetë atij, unë nuk mund të bëhesha lodër e askujt, që përpiqet të rregullojë imazhin e vet, duke shkelur në atë të të tjerëve.

Pjesë nga libri u botuan fillimisht në Gazetën Shqiptare, në print.

 

Pjesën e tretë të rrëfimit të Ismet Haxhisë për urdhrat e Berishës në mars ’97, e gjeni KETU. Për të lexuar “dossier” të tjerë në GSH.al, klikoni KETU.

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.