KULTURË

Klodjana Toptani: Pse po ndërtoj te Kalaja e Tiranës, betoni nuk prek arkeologjinë

22:02 - 29.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Klodjana Toptani, administratore e firmës që po ndërton në Kalanë e Tiranës në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” thotë se betoni nuk i dëmton shtresat arkeologjike, pasi është një shtresë e hollë mbi zhavorr. Toptani shprehet se aty po ndërtohet Pazari i vjetër i Tiranës dhe se “kjo ka qenë një spunto e madhe edhe e Bashkisë së Tiranës, e kryetarit zotit Veliaj, e zonjës Mirela Kumbaro ministres së Kulturës për t’i sjellë një risi, për të sjellë një gjë shumë të bukur”, Tiranës. Në intervistën e saj për “GSH”, Klodjana Toptani thotë se aty do bëhet një pazar me sende artizanale dhe se aty punohet nën mbikëqyrjen e personave adaptë që vijnë nga IMK-ja.

– Cila është lidhja juaj me familjen Toptani që po bën një ndërtim te zona e kalasë së Tiranës?

Një nga bashkëpronarët është bashkëshorti im, unë kam lidhur një kontratë sipërmarrjeje me djalin e xhaxhait dhe me bashkëshortin, jam administratorja e firmës “Toptani Construction”. Për arsye që kjo pronë, meqë është pronë e Toptanëve, të rrijë po brenda familjes, kam marrë këtë nismë, se normalisht është goxha investim e goxha guxim. Kam dy djem dhe kjo është spuntoja ime t’i hyj gjithë këtij angazhimi kaq të madh. Kjo pronë ngelet te familja ime.

Duke e lënë mënjanë pjesën e pronës, ky është një investim që po bëhet nga familja Toptani, çfarë po bëhet konkretisht; një pazar, çfarë pazari?

Pazari i vjetër i Tiranës.

– Ka pasur pazar aty?

Jo, ky është projekti që po bëhet, meqë ne po fokusohemi, shikojmë muret – është një vend që realisht mendoj se kjo i mungon Tiranës. Po ta shikojmë, është fiks vendi i duhur, edhe për të huajt, edhe për ne, po mundohemi që edhe në menaxhim të fusim gjërat e vjetra. Nuk do fokusohemi vetëm tek gjërat e Tiranës. Do ketë edhe aktivitete artizanale. Normalisht, këtu monitorohet gjithçka nga IMK, AZHT dhe nga të gjithë institucionet, në të cilat ne kemi detyrimin ligjor që në momentin që kemi marrë lejen. Për të mos shkelur ligjin, kjo ka qenë pika e parë. Ndaj këtu nuk kemi godina të larta, sepse duke qenë zonë arkeologjike, kjo ka qenë një spunto e madhe edhe e Bashkisë së Tiranës, e kryetarit zotit Veliaj, e zonjës Mirela Kumbaro, ministres së Kulturës për t’i sjellë një risi, për të sjellë një gjë shumë të bukur. Unë mendoj që kjo është diçka realisht për t’u vlerësuar për një arsye, që fëmijët tanë nuk dinë shumë nga historia e vendit.

– Pra, do bëhet një pazar me dyqane që kanë objekte etnografike?

Po, të tëra artizanale, të vjetra. Menaxhimi dhe çdo gjë po bëhet.

– Sa dyqane do jenë?

Janë diku te 30, nuk e di ende, sepse do jenë një më i madh e një më i vogël, në varësi të aktivitetit që do bëhet. Besoj se është diçka e mirë.

– Ju më përmendët se nuk do shkojnë më shumë se një kat, siç është edhe Vendimin të Këshillit të Ministrave?

Siç është. Neve në mënyrë kategorike nuk bëjmë asgjë përveç lejes së ndërtimit që është dhënë nga KKT. Çfarë përmban leja, pa pikë e pa presje, të gjitha do vihen në efiçencë nga firma.

– Një ndër problemet është çështja e betonit. Si vihet ajo shtresë betoni që të mos dëmtohet shtresa arkeologjike?

Nuk mund të themi beton. Nuk e di, në jeni në dijeni të ligjit dhe po të vësh re edhe nga ASHA, edhe nga IMK, edhe nga vendimet që janë marrë për këtë projekt, gjëja e parë që ka qenë, ka qenë që këtu nuk ka gërmime, sepse shkelet ligji. Edhe shtresa e betonit, sa e lejon ligji, është diçka e hollë, sepse unë nuk mund të vë një skelet në zhavorr, në gurë, dhe është kaq e hollë sa në mënyrë kategorike nuk mund të ketë probleme për nënshtresat e tokës.

– Pra, betoni që ne shohim, nuk është ngulur në tokë?

Jo, fare, fare. As ngulur në tokë, as pesha e tij nuk është e rëndë për tokën, ka qenë taksative që kur është dhënë leje. Dhe aty punohet nën mbikëqyrjen e personave adaptë që vijnë nga IMK-ja. Pra, ne jemi të monitoruar në çdo moment nga institucionet përkatëse. Nuk është se po bëhet një punë, është dhënë një leje dhe këta persona nuk kanë ardhur më, pra institucionet kanë qenë non stop për të bërë më të mirën e mundshme për këtë projekt.

– A janë bërë gërmime arkeologjike?

Absolutisht.

Jo, po flas për gërmime arkeologjike?

Nuk e di, sepse unë dua të shpjegoj se kjo pronë ka qenë e zënë nga shteti dhe normalisht po të kishte pasur diçka, vetë shteti do ta kishte vënë në efiçencë të arkeologjisë. Nuk marr përsipër të them as po e as jo çfarë mund të jetë bërë, për një gjë që nuk e di, kjo është e rëndësishme për mua të mos them gjëra që nuk i dimë. Di të them se kjo pronë ka qenë e zënë nga Ministria e Rendit për shumë vite dhe është liruar nga familja ime, pastaj ka qenë e zënë nga bashkia për shumë vite dhe prapë është liruar me vendim gjykatë nga familja dhe normalisht shteti i ka pasur të gjitha format dhe mundësitë për të gërmuar, nuk është se ka qenë e monitoruar nga familja jonë, ose e poseduar nga ne që nuk lejojmë, sepse normalisht këto janë ligjet e shtetit dhe ne do t’u përgjigjemi. Nuk di çka ndodhur më parë, por di që nëse do nëse do kishte qenë diçka, me çfarë shikoj në media a qoftë në “Facebook”, te Forumi i Trashëgimisë. Mua nuk më vjen mirë për diçka, nëse shkruan diçka, mirë është që të pyesësh e pastaj të shkruash. Nuk mund të flasësh as për një individ, si unë as për një ministre për sa kohë asnjëri nga ne nuk ka gjëra të sakta. Ky është një projekt, që unë ua them me bindjen më të madhe që është hartuar me dëshirën e mirë. Unë nuk e kuptoj pse gjithmonë njerëzit mendojnë të kundërtën. Duhen parë gjërat me pozitivitet. Është gjë e mirë t’i shohësh gjërat me pozitivitet. Deri dje ky ka qenë një vend me dhe, asgjë më tepër. Ku ishin këta njerëz të arkeologjisë që pretendokan, deri më sot? Nuk është IMK – se ata kanë ardhur i kanë parë, kanë bërë piketat, edhe i kanë bërë ato që duheshin bërë nga institucioni, por po flas më përpara. Ku ishin këta njerëz? Ke një vend që nuk është shkel ligji në asnjë vend. Edhe shtresa e betonit është super e hollë, për arsye që të mos ketë rëndesë.

Nuk janë futur pilota poshtë?

As pilota, as gërmime, absolutisht asgjë. Janë bërë foto nga Akademia e Shkencave, por nuk mund të hysh aty e të fotografosh se është pronë private. Nesër do jetë zonë me zhvillim, por sot si mundesh?

– Por, gjithsesi kjo mbetet edhe pronë publike, duke qenë se është pjesë e Kalasë së Tiranës, e trashëgimisë.

Jam shumë dakord, por unë atë po zhvilloj. Sepse deri dje ka qenë një zonë me dhe, që kishte makina të bllokuara të bashkisë e viheshin aty. Unë nuk e di ç’kam hequr për të betonat e futur në kohë, që i kam gjetur aty. Këto njerëz që ngrenë zërin, pse nuk mendojnë se po bëhet një gjë super e bukur. Aty do bëhet në formën e një muzeu etnografik, pavarësisht se do ketë shitblerje.

– Sipas projektit të vjetër? Ka qenë një projekt i vjetër për muze etnografik?

Afërsisht. Por ka qenë këtu në shtëpinë e familjes Libohova. Tre a katër vjet më parë qe caktuar që e gjithë zona këtu të bëhet muze, që kushdo që vjen, kalamaj, të huaj të marrin një lloj informacioni. Pazari i vjetër i Tiranës do bëhet brenda mureve të kalasë. Ne e dimë që ka kala, më fal por kush ka hyrë të kjo kala deri më sot? Ka qenë zonë e zënë.

– Në këtë pikë, ju duhet të kuptoni interesin publik për një zonë që është brenda kalasë. Pra, nëse është zonë brenda kalasë, sigurisht që është trashëgimi kulturore, pavarësisht se ju jeni pronarja.

Patjetër, nuk e kemi thënë asnjëherë se nuk është. Problemi qëndron se këtu po flitet që po bëhen gërmime, ku di në unë… Nuk mund të flitet se në këtë tymnajë ka ligësi. Nuk është çështje që po mbrojnë interesin publik, se të mbrosh atë do të thotë të ulesh e të shohësh ç’po ndodh në këtë zonë. Nuk mund të thuhet se lexova diku që po bëhet pishinë. Opinioni publik është i painformuar.

Unë kam një leje të KKT-së, vendim kolegjial, ka kaluar në filtra. Ne monitorohemi. Nuk është normale. Unë i di emrat e s’dua të flas me emra të përveçëm, por nëse do vijë koha, do nxjerr dokumentacionin pse po e bëjnë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.