KULTURË

Mesila Doda: Enveri, ende Hero i Popullit. Kur të bëhem kryeministre ndryshoj ligjin

18:22 - 30.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

– Musine Kokalari, Selfixhe Ciu, Mila Vangjeli, Ollga Plumbi dhe Afërdita Asllani- pesë gazetaret e para shqiptare janë përkujtuar në një aktivitet në Qendrën për Hapje e Dialog në Kryeministri.

‘Nuk ma vrisni dot fjalën’- një seri takimesh me fokus kujtesën dhe përballjen me të shkuarën ka nisur aty, duke ua kushtuar të parin takim pesë gazetareve e intelektualeve shqiptare. Ato njihen për kontributin e tyre në shtypin e viteve 1930-1940 dhe shkrimet e tyre janë cilësuar si emancipuese dhe guximtare.

Kontributi i tyre në publicistikën e viteve 1930-1940 mblodhi në COD, shkrimtarë, të afërm dhe përfaqësues të politikës, që risollën në kujtesë shkrimet e këtyre grave, shkrime tejet emancipuese e të guximshme për kohën. “Selfixheja u burgos në vitin 1942 si organizatore e demonstratës së shkurtit të atij viti. Edhe aty ajo vazhdon misionin e saj emancipues me gratë e gjetura, por me ardhjen e shoqeve të idealit, aty kryhet një organizim kaq i përpiktë dhe efikas, saqë ato janë gjithë ditën të zëna me punë në ndihmë të furnizimit me rroba të leshta për shokët e tyre partizanë. Familja e saj e kamur i siguron lëndën e parë dhe ato të ndara në grupe, tjerrin dhe thurin triko për ta. Nëpër hekurat e burgut ajo i jep Ali Demit, shokut të saj të dashur, një triko të thurur aty dhe, ndoshta – thotë ajo – me atë triko të bardhë, u vra nga dora e tradhtarit në Kaninë”, tha Vera Bekteshi para të pranishmëve.

Takimi u moderua nga gazetarja Alda Bardhyli, e cila tha se “teksa lexon e mëson më shumë nga jeta e këtyre pesë personazheve, kupton që Shqipëria ka qenë herët pjesë e mendimit europian. Me shkrimet e tyre ato kërkonin jo vetëm çlirimin e femrës nga konservatorizmi (pasi kemi të bëjmë me vitet ‘30-‘40), por edhe emancipimin e shoqërisë. Jeta e tyre është në një farë mënyre një libër i historisë sonë, hapja dhe leximi i mirë i të cilit do bënte atë katarsisin e munguar me të shkuarën”. Bardhyli vërejti se “të përjashtuara, dhe të mbuluara me heshtje për më shumë se gjysmë dekade, historia e këtyre pesë gazetareve nuk është vetëm historia e komunizmit në raport me kulturën dhe intelektualizmin, por edhe një histori e cila duhet të na tregojë qasjen e hershme që kemi pasur si shoqëri për të qenë bashkëkohorë”.

“Jetët dhe ato çfarë ato kanë lënë pas, janë modelet më të mira të kurajës, që duhen parë si frymëzuese edhe sot. Mungesa e tyre në shtypin dhe historinë e së sotmes, duhet të na bëjë përgjegjës të gjithëve për ta lexuar më mirë historinë, dhe për t’u dhënë këtyre femrave, por dhe personazheve të tjerë të humbur në të, vendin që meritojnë”, – tha Bardhyli, duke pyetur të pranishmit mbi qasjen e tyre ndaj këtyre figurave dhe të shkuarës.

Deklarata e Dodës

Duke bërë një krahasim me të kaluarën dhe duke vlerësuar penat e para gra, deputetja Mesila Doda tha se ende femrat inteligjente përbëjnë sfidë për burrat në pushtet. “Sfida është ajo që burrat në pushtet nuk durojnë dot. Nuk e duronin në atë kohë, nuk e durojnë dot edhe sot. Sot kanë më pak mundësi për të bërë keq. Çfarë modeli do sjellim nga e kaluara, kur akoma kemi ‘Hero të Popullit’ Enver Hoxhën! Kur unë bëra një nismë që të hiqeshin këta tituj, m’u kthyen kundër dhe bënë të pamundurën që ta shpallnin atë nismë si antikushtetuese. Ne merremi ende me shoqen Nexhmije Hoxha dhe me historinë e saj të dashurisë”, – tha Mesila Doda. Ajo vërejti se ka hyrë në politikë me një kredo, që të ndryshojë diçka. “Figura të rëndësishme të komunizmit janë ende të dekoruara. E dini pse nuk hapen dosjet? Sepse dosjet përdoren. Ka dokumente që janë keqpërdorur por kanë lënë gjurmë. PD-ja e kishte detyrim të bënte diçka, se unë nga ata e prisja, jo nga ata që erdhën nga Partia Komuniste”, – tha Doda.

Deputetja kujtoi se “kur është diskutuar hapja e dosjeve, është menduar se do ketë përplasje, pasi ka pasur spiunime edhe brenda familjes, burri gruan e motra vëllain. Megjithatë, e vërteta të çliron. Ne e kemi amnistuar krimin. Ka edhe prokurorë e hetues që mund të jenë ende nëpër zyra sot, e thonë se ashtu ishte ligji. Unë po ju kujtoj gjyqin e Nurembergut, një gjyq që nuk u mjaftua me ligjet e kohës”.

Në vijim të deklaratës së saj për titullin që mban Enver Hoxha, Doda tha se “nuk mund të themi se Hoxha ishte i mirë deri më 1944-ën dhe pastaj u bë i keq. Nuk mund të amnistohet. Nuk mund të themi se ishte hero e më pas u bë vrasës. Ngritja e Autoritetit të Dosjeve është gëzim i madh për mua, megjithëse ligji që solli atëherë Erion Veliaj me nxitim nuk ishte ai që doja. Por, në këto kushte më mirë ky sesa pa të. Kam mbajtur 40 fjalime në 4 vjet për çështjen e dosjeve dhe në fund ai ligj u miratua edhe sepse kërkohej për shkak të Vettingut. Ditën që unë do të bëhem kryeministre, do ketë ndryshim të ligjit(qesh)”, – tha ajo, ndërsa e mbylli fjalën e saj kështu: “Ne jemi shoqëri hipokrite, sepse nuk marrim një pozicionim të qartë për personin më kriminal që është simbol i së keqes për gjysmë shekulli”.

Në këtë pikë, Vera Bekteshi, tha se ka pasur njerëz që e kanë tejkaluar ligjin dhe kompetencat. “Një shoqja ime e rritur që në fëmijëri, në fund të raportimit të saj kishte shkruar; Vera Bekteshi, Guxim Bekteshi dhe Skënder Bekteshi janë armiq të betuar të partisë dhe popullit. Kush ia linte asaj tagrin të thoshte këtë?”, – tha shkrimtarja.

“Ne menduan që ta fillojmë me një viktimë të atij sistemi dhe rasti më i gjetur ishte ai i Musine Kokalarit”.

Anëtari i Autoritetit për Informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Marenglen Kasmi tha se ligji që rregullon veprimtarinë e këtij institucioni ka nevojë për amendime. “Unë u referohem këtu zgjedhjeve politike dhe sa u përket kandidatëve që do zgjidhen nga partitë. Në ligj është lënë që partitë mund të dërgojnë kandidatët e tyre për të parë pastërtinë e figurës. Ashtu siç ka edhe devijanca të tjera të cilat me kalimin e kohës unë mendoj se duhet të shikohen”, – tha Kasmi. Ai shtoi se ligji mbi të cilin funksionon Autoriteti i Dosjeve ka nevojë për amendime, por kjo është normale. “Nëse vijnë një numër prej 2 mijë personash për verifikim, sigurisht që kjo kërkon punë, por ama ne deri tani jemi përballur me këtë sfidë dhe kemi bërë verifikime, jo pak”, – sqaroi Kasmi.

5 GAZETARET

Afërdita Asllani (1916-2000), e njohur në shtyp si Afras, Shega e Drita, filloi të shkruante në vitin 1936. Pas ‘45-ës dhe dënimit të vëllezërve, punoi në ndërtim e më pas mësuese anglishteje në shkollë të mesme. Ollga Plumbi (1898-1984), Shpresa, Zita e O.P., ishte shumë aktive gjatë viteve ‘36-‘45. Në këtë kohë u shkarkua si drejtuese e Bashkimit të Grave Antifashiste. Pas jo pak vështirësish, filloi punë në Bibliotekën Kombëtare. Mila Vangjeli-Prela (1906-1995) filloi të botonte në vitin 1936.

Antifashiste aktive, pas 1994-ës u mënjanua nga jeta politike dhe punoi si mësuese e gjuhës ruse në shkollë të mesme. Selfixhe Ciu (1918-2003), Colombia, mike fëmijërie e Musine Kokalarit, filloi të shkruante në 1935-ën. E përfshirë në Lëvizjen Antifashiste e më pas në luftë, u përjashtua nga Partia në 1945-ën, me të shoqin, Xhemal Broja, për qëndrimin ndaj vijës së PKSH-së, për t’u internuar në Kurvelesh e Lushnjë. Musine Kokalari (1917-1983), Muza, filloi të botonte në vitin 1937. E arsimuar jashtë vendit, zgjodhi të kthehej në atdhe, ku u përndoq familjarisht që në 1944-ën, për 40 vjet me radhë. Musineja përfaqëson një fenomen specifik shoqëror, filozofik, kulturor e politik: një shembull civilizues, të ngritur mbi çdo pengesë, të përballuar me dinjitet.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.