OPINION

Të sillemi si shtetas të Ramës dhe jo të Montezumës

07:25 - 02.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Dritan Hila

 

Dhënia e dekoratës “Legjioni i Nderit” për Kryeministrin Rama është komentuar tepër partizançe në një situatë të ndezur paraelektorale, ku natyrshëm njëra palë e paraqet si vlerësim të shtetit francez për reformat e qeverisë “Rama”, lidershipin e tij dhe në një farë mënyre parathënëse të fitores, ndërsa pala tjetër kërkon ta zhvlerësojë.
Si çdo dekoratë, është dhënë për çfarë Edi Rama ka bërë në shërbim të Francës, pasi dekoratat janë shenjë e vlerësimit të një shteti për shtetas të huaj, për atë se çfarë kanë bërë ata për vendin që i dekoron.
Këtë e dëshmon fakti se këtë dekoratë e ka marrë edhe Esat Pasha, por jo për ato që e njohim ne shqiptarët, por për ndihmën që ky iu kishte dhënë trupave franceze në frontin e Selanikut gjatë Luftës së Parë Botërore.
Këtë dekoratë e ka marrë edhe Ismail Kadare për kontributin e tij në letërsinë botërore dhe pasurimin e asaj franceze, pjesë integrale e së cilës është.
Dhënia e kësaj në prag të fushatës elektorale, është bërë me vetëdije nga pala franceze dhe, sigurisht, me kërkesë nga pala shqiptare. Që t’i shërbejë politikisht të dekoruarit.
Ramës i është dhënë kjo dekoratë me një motivacion të larmishëm por modest, që përfshin qenien e tij piktor, frëngjishtfolës, zbutës i marrëdhënieve me Serbinë, pjesëmarrës interesant në marshimin për masakrën kundër redaksisë së revistës satirike “Charlie Hebdo”.
Përtej luftës politike të ditës, është një publicitet i mirë për Shqipërinë që kryeministri i saj është mbajtës i kësaj dekorate.
Sa u takon nënshtetasve të Ramës, është e mira të mos ekzaltohen si indianët e Amerikës, kur kolonizatorët spanjollë zbarkuan për herë të parë dhe iu morën mendjen me rruaza, xhingla dhe pasqyra e idhnoheshin kur nuk iu binte në dorë ndonjë copë pasqyrë. Jemi në shekullin e 21-të.

“Dritare.net”

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.