OPINION

Putini emëron Vuçiçin President të Serbisë

07:13 - 03.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga SHABAN MURATI

 

Një javë përpara se zgjedhjet presidenciale në Serbi të zhvilloheshin zyrtarisht, Kremlini emëroi Aleksandër Vuçiçin President të Serbisë. Kjo është domethënia dhe mesazhi, që Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i dha popullit serb dhe gjithë shteteve të tjera, me thirrjen që i bëri në Kremlin në 27 mars Kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kandidat për president në zgjedhjet presidenciale të 2 prillit në Serbi. Ndërsa disa qarqe diplomatike dhe mediatike në rajon vazhdojnë me sytë në qiell debatin “a po ndërhyn apo nuk po ndërhyn Rusia në zgjedhjet në vende të ndryshme”, Presidenti i Rusisë, në një veprim anormal diplomatik, ndërhyn personalisht dhe thërret në zyrën e tij Kryeministrin e Serbisë, kandidat për president, dhe i shpreh jo vetëm mbështetjen e tij, por edhe i uron publikisht fat të mbarë atij në postin e ri. Dhe që mesazhi i emërimit të tij t’i bëhej akoma më i qartë në terren elektoratit nacionalist serb, Vladimir Putini dërgoi në Serbi sekretarin e përgjithshëm të partisë së tij “Rusia e bashkuar”, Sergej Zheleznjak, që të merrte pjesë në mitingun elektoral serb në 29 mars në Kragujevac, dhe i cili njoftoi publikisht se Presidenti i Rusisë mbështet Vuçiçin për president të Serbisë.

Thirrja në Kremlin e kryeministrit serb, kandidat për president, një javë para zgjedhjeve, është e pazakontë jo vetëm për anormalitetin e seleksionimit diplomatik zyrtar të njërit nga 11 kandidatët serbë për president. Bisedimet e fundit Putin-Vuçiç janë të pazakonta sidomos në përmbajtjen e tyre të re dhe të veçantë, që kryeministri serb i cilësoi “ekstremisht të rëndësishme për Serbinë”, dhe të cilat përfaqësojnë një etapë të re shqetësuese, ku po hyjnë në marrëdhëniet ruso-serbe dhe efektet e saj rajonale. Madje efektet e kësaj etape të re të marrëdhënieve ruso-serbe shkojnë përtej rajonit, dhe kjo lexohet qartë në konkluzionin, që sjell për bisedimet e Kremlinit organi kryesor i propagandës ruse për jashtë, “Sputnik” në datën 28 mars, ku lexohet që në titull se “Serbia nuk është me ambivalente”. E përkthyer shqip, kjo do të thotë “Serbia nuk lëkundet më midis Rusisë dhe BE-së, por tani ka zgjedhur përfundimisht Rusinë”.

Që Kremlini emëron Presidentin e Serbisë, kjo nuk përbën ndonjë akt çudie në marrëdhëniet hierarkike dhe patronale midis Rusisë dhe Serbisë. Kjo ka shtatëmbëdhjetë vjet që ndodh në Serbi, me presidentë dhe me kryeministra. Përtej nënshtrimit shtetëror serb ndaj Moskës, çështjet që dalin nga bisedimet Putin-Vuçiç, si ato kokë më kokë, që ishin për herë të parë midis tyre gjatë mbi dhjetë herëve, që janë takuar në këta tre vjet, ashtu dhe midis dy delegacioneve, japin bazë të mjaftueshme për shqetësime serioze ballkanike, europiane dhe atlantike.

Çështja e parë shqetësuese, që del nga bisedimet midis presidentit rus dhe Kryeministrit të Serbisë, është ajo e armatimit me ritme frenetike të Serbisë nga Rusia me armët më moderne. Vetë Vuçiç njoftoi pas bisedimeve se Rusia do t’i dhurojë Serbisë gjashtë gjuajtës MIG-29, 30 tanke T-72 dhe 30 autoblinda. Ndërkaq vazhdojnë bisedimet për blerjen e sistemeve të raketave ruse S-300 dhe Serbia siguroi gjatë kësaj vizite blerjen e raketave kundërajrore ruse BUK. Të mos harrojmë se vitin e kaluar Rusia furnizoi Serbinë me gjashtë gjuajtës të rinj MIG-29. Po vitin e kaluar Bjellorusia i dhuroi Serbisë 8 gjuajtës MIG-29 dhe dy sisteme raketash BUK. Pyetja e rëndësishme dhe e thjeshtë që shtrohet është se, përse ky vrap i armatosjes nga Serbia, përse kjo ethe serbe për armatime moderne ofensive ruse në territorin e saj? Nuk është problemi se Serbia po thyen të ashtuquajturin neutralitet të saj ushtarak, të cilin nuk e ka zbatuar asnjëherë, megjithëse e mban si doktrinë zyrtare ushtarake. Thelbi është se armatosja e Serbisë me armë moderne të sofistikuara ruse bëhet duke pasur në shënjestër vendet anëtare të NATO-s në rajon. Nuk shpjegohet ndryshe entuziazmi i mediave proqeveritare serbe si “Politika”, që shkruajnë se “Serbia ka raketa për të arritur të gjitha qytetet strategjike në rajon”. Doktrina serbe e sigurisë kombëtare rreshton ndër kërcënimet e saj kombëtare kombin kroat dhe kombin shqiptar, dhe Kroacia e Shqipëria janë anëtare të NATO-s.

Serbia hap një spirale të re gare armatimesh dhe krijon shqetësime për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Forcimi i dispozitivit të saj ushtarak me armë të sofistikuara ruse bëhet në një kohë që Serbia ka makinën më të madhe ushtarake në rajon, sepse Europa bëri gabimin, që nuk e demilitarizoi Serbinë pas mbarimit të konflikteve të përgjakshme, që Beogradi shkaktoi në ish-Jugosllavi dekadën e fundit të shekullit të kaluar. Forcimi i dispozitivit ushtarak serb është shumëfishim i potencialit luftarak dhe konkretizim i kërcënimit të përdorimit të forcës si instrument i politikës së jashtme dhe i ambicieve serbe për hegjemoni në rajon.

Këto kontingjente armatimesh moderne ruse nuk vijnë për ta bërë Serbinë atraksion turistik. Ato janë në funksion të një strategjie të Rusisë në Ballkan, ku Moska po ndërton me shpejtësi një plasdarm të forcës së saj ushtarake. Ofrimi i rolit të territorit serb si plasdarm për forcat dhe synimet ruse duket se është edhe çmimi, që po paguan Serbia për gjenerozitetin e Moskës për t’i falur armatime moderne. Burime ushtarake bëjnë të ditur se Serbia ka pranuar ndërtimin e bazave të reja të forcave ushtarake ruse në territorin e saj, përveç bazës ekzistuese ruse në qytetin e Nishit. Deri tani autoritetet zyrtare serbe kanë njoftuar se armatimet që do të dhurojë Rusia, do të modernizohen dhe do të mirëmbahen në territorin e Serbisë nga specialistët e forcave ushtarake ruse. Gjithashtu është njoftuar se rusët do të ngrenë edhe një qendër ushtarake për mirëmbajtjen e kontingjentit të helikopterëve rusë. Nuk është e vështirë të kuptohet se emrat e qendrave të modernizimit apo të mirëmbajtjes së avionëve ushtarakë, të tankeve dhe të raketave ruse, nuk janë gjë tjetër veçse eufemizma për bazat e reja ruse në territorin e Serbisë.

Kjo armatosje e ethshme e Serbisë me armët moderne ruse dhe vendosja e bazave ushtarake ruse në Serbi, është një zhvillim, i cili jo vetëm prish ekuilibrat e stabilitetit, të sigurisë dhe të paqes në rajon, por bëhet gjenerator i kërcënimeve ushtarake dhe i erërave të luftës në rajon. Është një zhvillim negativ, i cili cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s dhe krejt arkitekturën atlantike të sigurisë në rajonin tonë, ndaj të cilit NATO duhet të reagojë.

Çështja e dytë shqetësuese, që del nga bisedimet e presidentit rus me kryeministrin serb, është ajo që ka të bëjë me situatat e fundit tensionuese në rajon. Presidenti rus, siç njoftohet në faqen zyrtare të tij, deklaroi në bisedimet se “Ne duam shumë të diskutojmë me ju situatën në rajon sot, sepse ka shenja të ndryshme, që sugjerojnë një shkallëzim, që po zhvillohet”. Kryeministri serb deklaroi po aty, se “Ne do të diskutojmë situatën në rajon dhe mendojmë se kjo është e rëndësishme për të dyja vendet tona”. Madje Vuçiç, i inkurajuar nga roli i ri që Rusia po i jep Serbisë në rajon, deklaroi hapur se “Ne do të diskutojmë së bashku dhe do të analizojmë hapat, që ne kemi nevojë të ndërmarrim për të ardhmen në rajon”.

Është një sinjal serioz alarmi diplomatik dhe sigurie, i cili duhet parë dhe ndjekur me shumë vëmendje nga zyrat e diplomacisë dhe të shtetit, si në Shqipëri, ashtu edhe në shtetet e tjera të rajonit. Kemi paralajmërimin publik se Rusia dhe Serbia, në koordinim me njëra-tjetrën, do të ndërmarrin veprime për një ndërhyrje më intensive të përbashkët në vendet e rajonit. Bëhet kjo në kohën që kemi një intensifikim të luftës hibride ruse në gjithë vendet e rajonit, të një ofensive masive të sponsorizimit të influencës ruse në vendet e rajonit dhe të përpjekjeve ruse për krijimin e një blloku anti-NATO dhe anti-BE në Ballkan. Kjo don të thotë se në Kremlin janë diskutuar dhe piketuar modalitetet e një ndërhyrjeje të re ruso-serbe në vendet e rajonit. Se çfarë do të jetë kjo, është e lexueshme po të shohësh bashkërendimin e institucioneve ruse dhe serbe në përpjekjen për grusht shteti në tetor të vitit të kaluar në Mal të Zi, në provokacionet ruso-serbe me trenin rus, që tentoi të dhunonte sovranitetin shtetëror të Kosovës në janar, në provokacionet serbo-ruse të celebrimit të separatizmit të “serpska republikës” në janar të këtij viti, në ndërhyrjet ruso-serbe në krizën politike dhe qeveritare në Maqedoni në mbështetje të kryeministrit prorus dhe proserb Gruevski etj.

Burime diplomatike bëjnë të ditur se në bisedimet e Kremlinit është prekur tema e Shqipërisë dhe e faktorit shqiptar në rajon. Se si duhet të jetë trajtuar, e kupton nga koleksioni i komunikatave të panumërta antishqiptare të MPJ të Rusisë kundër faktorit shqiptar dhe Shqipërisë, si dhe nga kombinimet e sulmeve të njëkohshme ruso- serbe kundër çështjes kombëtare shqiptare në rajon.

Shohim përshkallëzim të qëndrimeve dhe veprimeve negative ndaj stabilitetit rajonal, të cilat kërkojnë patjetër forma serioze reagimi, për t’iu dalë përpara të papriturave të pakëndshme. Është e nevojshme që diplomacia dhe shteti shqiptar të mos i qëndrojnë linjës së heshtjes përballë realitetit të armatosjes së ethshme të Serbisë. Po kristalizohet një kërcënim ushtarak i drejtpërdrejtë për Shqipërinë, për Kosovën dhe për kombin shqiptar. Mund të merret shembull nga aleati ynë i NATO-s në rajon, Kroacia, e cila është vigjilente në mbrojtje të interesave të saj kombëtare dhe reagon me vendosmëri ndaj çdo qëndrimi dhe akti kërcënues të Serbisë.

Në Tiranë nuk duhet të ndikohen nga disa qëndrime “prit e shiko”, që mbahen nga njëri apo tjetri shtet i BE-së. Raportet e interesave të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar me Serbinë nuk janë identike me raportet e interesave të shteteve të mëdha europiane me Serbinë. Kjo do të thotë që Shqipëria nuk bëhet anëtar më i mirë i NATO-s dhe shtet kandidat më i mirë i BE-së duke heshtur për zhvillimet negative dhe agresive të Serbisë në rajon. Dora e shtrirë drejt Moskës në prag të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, është ftesë për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet shqiptare.

Shqipëria nuk mund ta qetësojë as veten dhe as kombin me “zyrat e rinisë” ballkanike, që po ngre Serbia në rajon, dhe që po i propagandon si dëshmi e madhe e evropianizimit të saj. “Zyrat e rinisë” apo mbrëmjet e vallëzimit të rinisë nuk mund të mbulojnë kërcënimet, që vijnë nga raketat serbe të drejtuara në qytetet shqiptare. Interesi shtetëror dhe kombëtar kërkon që të reagohet fort, por edhe të merren hapat adekuatë për përballimin e situatave të papritura, që mund të prodhojnë ambiciet ekspansioniste serbe dhe ruse në rajon.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. …”Këto kontingjente armatimesh moderne ruse nuk vijnë për ta bërë Serbinë atraksion turistik. Ato janë në funksion të një strategjie të Rusisë në Ballkan. Në Tiranë nuk duhet të ndikohen nga disa qëndrime “prit e shiko”… E ç`duhet te thuash me teper?!?

    Përgjigju ↓