OPINION

Heshtja ogurzezë e nenit 449!

07:26 - 11.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Brizida GJIKONDI

 

Reforma në drejtësi, pavarësisht skeptikëve, lindi ndër shqiptarë një shpresë të re. Kjo shpresë gjenezë të vetën kishte gjëmën që kish rënë mbi drejtësinë shqiptare, më keq s’kish ku të shkonte, më mirë po. Me naivitetin e një fëmije që do të besojë atë që vërtet do, shqiptarët kujtuan se kjo klasë politike që shkatërroi sistemin e drejtësisë, duke e politizuar, korruptuar, emëruar dhe ricikluar atë, do dilte mbi interesat e saj dhe do e reformonte, çka realisht nuk ndodhi. Pavarësisht lojërave, dredhive dhe manipulimit mediatik të mendjes së shqiptarëve, tashmë kjo reformë kapitulloi. Kapitulloi në nenin 449 të Kodit të Procedurës Penale, ku ndryshe nga rekomandimet e ndërkombëtarëve që këtë nen e ashpërsuan duke hequr edhe afatin hipokrit të 5 viteve për rishikimin e vendimeve të dënimit që kanë marrë formë të prerë, në fshehtësi dhe mostransparencë totale, klasa politike shqiptare si jashtë çadre dhe brenda saj me heshtje, veprime konkluduese dhe veprime aktive vendosi që në mënyrë absolute të mos lejohet rishikimi i vendimeve të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit. Me pak fjalë dhe qartë amnistuan veten dhe 26 vjet krime kombëtare; amnistuan jo vetëm veten, por edhe pjellat e tyre, si kriminelët ordinerë me të cilët mbajnë dhe ndajnë pushtetin, por edhe gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët njësoj si dhe tutorët e tyre, drejtësinë e kanë shitur ose shkëmbyer po për pazar, nuk e kanë dhënë.

Po të shikohet me kujdes faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë, që rendit procedurën e ndjekur për ndryshimet që kanë përfshirë Kodin e Procedurës Penale në kuadër të vetingut dhe reformës (gjithsej 14 ndryshime të rëndësishme) kupton se janë konsumuar shkelje të rënda si në procedurë, transparencë, por edhe në moralin e kësaj reforme. Konkretisht tashmë: neni 449 i Kodit të Procedurës Penale ka ndryshuar thelbësisht duke mos reflektuar jo vetëm rekomandimin e EURALIUS-it dhe të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe vetë aktet shoqëruese ligjore që vetë Komisioni i Ligjeve ka hartuar. Kështu: Në Projektligjin zyrtar të depozituar Kuvendit në datë 28.12.2016 me numër 3960 prot. është përcaktuar ky ndryshim reformues dhe thelbësor shumë pozitiv për frymën e reformës dhe sanksionimin e ndëshkueshmërisë ndaj të pandëshkuarve, ky ndryshim ishte arritur për nenin 449 me këmbënguljen e EURALIUS dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ky nen ishte propozuar për të qenë kështu:

Neni 449 ndryshon si vijon:

Në rastet dhe kushtet e parashikuara nga ky Kod dhe me kërkesë lejohet rishikimi i vendimeve të dënimit që kanë marrë formë të prerë. 

Ky qëndrim është zbardhur edhe në relacionin zyrtar që shoqëron këtë Projektligj. Por, situata ndryshon në aktin që quhet: Raport për Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.7905, datë 21.3.1995  “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Raport i datës 21.03.2017, nëntë ditë përpara seancës plenare, ku këto ndryshime të Kodit të Procedurës Penale u aprovuan. Në këtë raport analizohen të gjitha ndryshimet nen për nen, nuk ka asnjë koment, analizë ose sugjerim për ndryshimin thelbësor të nenit 449 (faqet 30-31 të raportit), por në faqen 121 të këtij raporti ku është bashkëngjitur Projektligji i ndryshuar rezulton ky variant i nenit:

U ndryshua në momentet e fundit kështu

Neni 449 ndryshon si më poshtë:

  1. “Nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit”.

Pikërisht ky ndryshim i fshehtë dhe joligjor në procedurë dhe moral tashmë e ka vrarë përfundimisht qëllimin dhe boshtin e reformës në drejtësi.

Sot e kësaj dite shqiptarët nuk kanë një dokument ose informacion zyrtar çfarë ka ndodhur në 30 mars 2017, ditën kur me 86 vota përpos ndryshimeve të tjera, papritur pa asnjë arsyetim dhe procedurë është sanksionuar ky pazar i fëlliqur politik.

Sot e kësaj dite asnjë shqiptar me dy pare mend dhe dinjitet kupton se kush kanë qenë arsyet e vërteta që kjo klasë politike hoqi nenin e rihapjes së dënimeve të formës së prerë dhe të pafajësisë, çka bie ndesh jo vetëm me propozimin përparimtar të faktorit ndërkombëtar ku e kish sanksionuar rihapjen e vendimeve qoftë edhe pa afat, por edhe me moralin kombëtar që e keqja përherë duhet ndëshkuar.

Tashmë mbas 30 marsit 2017, ku kjo klasë politike antikombëtare amnistoi veten dhe krimet 27-vjeçare në bashkëpunim me krimin ordiner dhe gjyqtarët e prokurorët argatë të saj dhe të vetes, asgjë nuk ka më kuptim, mbasi morën garanci, bëjnë sikur grinden për moral, por a kanë moral këta hipokritë kur moralin e vranë?! A kanë më moral t’i përmendin njëri-tjetrit, Gërdecin, 21 janarin, krimet e ’97-ës, koncesionet, grabitjet, tenderat, që tashmë i mbyllën me kapakun e pusetës së ligjit. Sepse dihet, në vendet me pseudodemokraci, mafia i harton ligjet si t’i leverdisë. Populli i përgjumur dhe i mashtruar e lë të flasë, por jo të marrë pjesë, dhe “një popull që fle, vdes, nuk rritet” thoshte Ismail Qemali.

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Pergezime autores, jo vetem per analizen e sotme, por per gjithe kontributin e saj si intelektuale dhe si qytetare aktive! Kjo eshte nje kauze per te cilen do te duhej te ngriheshin me kembe te gjithe shqiptaret, pa dallime partiake. Ne emer te jetes qe duam te ndertojme.

    Përgjigju ↓