Kulturë

“South Outdoor Festival”, iso-polifoni, trashëgimi kulturore e sporte në Pilur

12:50 - 11.04.17 gsh.al



Për herë të parë në Shqipëri mbahet “South Outdoor Festival”, një festival që këtë vit do të zhvillohet në Pilur të Himarës në datat 29 prill – 1 maj 2017.  “South Outdoor Festival” do të kthejë në kryeqendër të turizmit të Shqipërisë për tri ditë Pilurin, Himarën, Dhërmiun e zonat jugore përreth tij. Ai ka si qëllim promovimin e rajonit jugor, duke evidentuar potencialet natyrore (deti e mali), zgjatjen e sezonit turistik dhe rritjen e të ardhurave për popullsinë vendase. Aktivitetet që pritet të zhvillohen gjatë këtyre tri ditëve në festival janë të larmishme, por më së shumti do të mbizotërojnë: aktivitetet sportive outdoor (ecje malore, çiklizëm malor, yoga, kanoe, parashutizëm, zhytje, e shumë të tjera), aktivitete kulturore, muzikë live dhe iso-polifonike, kinema e hapur dhe panair i produkteve artizanale dhe produkteve lokale. Gjatë gjithë festivalit do të mundësohet shijimi i kulinarisë tradicionale vendase si një përvojë e veçantë duke u njohur më nga afër me traditën vendase.  Qëllimi i kësaj nisme të qeverisë gjermane, mbështetur nga Ministria e Ekonomisë e Turizmit si edhe ajo e Energjetikës, synon të rrisë të ardhurat përmes turizmit e kulturës duke i paraprirë sezonit turistik veror.  Hans-Jurgen Cassens, Drejtor Rajonal në GIZ, tha dje para mediave se “programi synon të sjellë një perspektivë ekonomike për zonat rurale, në këtë rast për zonat në jug. E nisim nga turizmi, sepse është një fushë që ka shumë potencial. E dimë se ka shumë turistë në jug gjatë verës, por këta turistë janë të fokusuar te plazhi. Me këtë festival duam të prezantojmë më shumë aktivitete, si: ngjitje në mal, parashutizëm etj. Do të ketë, pa dyshim, edhe muzikë, t’i japim atmosferën e vërtetë të një festivali”. Promovimi i rajonit jugor do të përqendrohet edhe në vlerat e trashëgimisë kulturore, pasi pjesë e festivalit do të jenë edhe grupet iso-polifonike të zonës, pjesë e trashëgimisë botërore. “Do të prezantojmë fshatrat me shpresën se do të kuptohen asetet e tyre në aspektin e trashëgimisë kulturore. Kemi punuar edhe me grupin polifonik të Pilurit, të cilët do të jenë prezentë. Kombinimi i aktiviteteve ‘outdoor’ me kulturën e traditën mund të ndikojë në përhapjen e fjalës përmes turistëve. Kështu, pas festivalit do të kemi më shumë njerëz që do të flasin për vlerat e jugut, e shpresoj që festivali të kontribuojë në arritjen e këtij qëllimi”, – tha Cassens. Krahas aktiviteteve sportive, vëmendje do të marrë panairi i produkteve artizanale, ndërsa gjatë tri ditëve të festivalit do të ofrohet ushqim tradicional i zonës, për t’i shtuar, jugut krahas bukurive natyrore, edhe vlerat e kulinarisë. Festivali organizohet nga programi “Zhvillimi i Integruar & i Qëndrueshëm i Rajonit Bregdetar Jugor”, i mbështetur nga GIZ, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe Bashkinë. Pjesë e festivalit është edhe një forum i dedikuar për gazetarë e fotografë. Gazetarët dhe fotografët do të mund të përjetojnë personalisht një pjesë të sporteve dhe aktiviteteve të këtij festivali, dhe më pas do të ulen dhe diskutojnë bashkërisht në një forum.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.