Intervista

Kreu i Pajtimit të Gjaqeve: Vrasjen e Artan Cukut nuk e ka bërë familja Daka

09:40 - 12.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Senad NIKSHIQI

 

–  “Familja Daka është e pafajshme dhe nuk lidhje me vrasjen e komisarit të policisë Artan Cuku”. Kështu shprehet kreu i shoqatës së pajtimit të gjaqeve në Shkodër Nikollë Shullani. Babai i Shullanit bashkë me bajraktarë të tjerë dhe 24 burra kanë marrë pjesë në ceremoninë e pajtimit mes dy familjeve Daka dhe Cuku pas konfliktit që kanë patur për vetëvrasjen e Agim Dakës në komisariatin e policisë në Tiranë në vitin 2005 ku Artan Cuku ishte shef në atë kohë.

“Po kam dijeni. E di se para 12 viteve familjes Daka i kanë vrarë një djalë. Ai, Agim Daka është vrarë në një prej komisariateve të policisë në Tiranë. Mbrapa në bazë të zakonit kanunor familjes Daka i janë përgjigjur me be dhe familja Cuku ka bërë be në xhami me 24 burra prezent. Në atë pleqëri ka qenë bajraktari i Nikajve të Tropojës që janë prej asaj zone familja Daka, ka qenë bajraktari i Shalës, i Shoshit, ka qenë babai im dhe disa të tjerë misionarë ku Artan Cuku është përgjigjur me be. Kështu në bazë të zakonit kanunor kur të përgjigjet me be qoftë në kishë apo edhe në xhami ajo punë mbyllet njëherë e përgjithmonë kështu që familja Daka në lidhje me vrasjen e komisar Artan Cukut është shumë e pafajshme sepse është mbyllur ai kapitull”.

Shullani tregon edhe rregullin se si funksion dhe betimin që ka bërë në xhami komisar Artan Cuku se nuk është ai autor i vrasjes të Agim Dakës familja e të cilët e ka besuar dhe ka shtrirë dorën e pajtimit duke mbyllur konfliktin.

“Rregulli është sipas kanunit. Prelë Daka e ka akuzuar Artan Cukun se i ka vrarë djalin Agim Dakën. Artani i është përgjigjur me be se nuk e kam vrarë unë Agimin. Komisari ka bërë be dhe ka vendosur dorën në librin e shenjtë të Kuranit brenda në xhami dhe është mbyllur ai kapitull njëherë e përgjithmonë dhe s’ka më hakmarrje nëse ti bën be qoftë në kishë apo në xhami me 24 burra si e ka zakoni i kanunit. Po ndodh që shumë familje të pajtohen në këtë mënyrë.

Kjo është rruga e kanunit për të mbyllur sherr ose për të dalë nga faji nëse ti akuzohesh. Nëse nuk bën be atëherë ti mbet në gjak. Raste të rralla janë kur është thyer pasi është bërë be. Janë raste të rralla sepse kur dikush bën be është shumë e vështirë që të prishet ndaj janë shumë shumë të rralla. Unë s’kam dëgjuar përveç një rasti në Shalë të Dukagjinit në një prej familjeve atje që është mbyllur gjak me gjak, pra janë vrarë në të dy familjet nga një person më pas është bërë be por është thyer dhe ka vijuar avazi me gjakmarrje. Unë jam plotësisht i bindur që familja Daka s’ka lidhje me vrasjen e Artan Cukut sepse e zonja e shtëpisë është nga zona ime dhe jam plotësisht i bindur se janë të pafajshëm pasi ata e kanë besuar pasi në bazë të zakonit kanunor Artani është betuar.

Vëllezërit Daka s’kanë dorë në këtë ngjarje. Një gjë duhet të kemi parasysh, sado i madh qofsh në detyrë ose sado i zoti të jesh atij tjetrit kur të akuzon apo të kap se më ke vrarë mashkullin ti duhet t’i përgjigjesh me be ose pastaj mbet në gjak. Mashkullin pasi vritet s’ta fal kush, as në atë kohë më përpara as sot”.

Mënyra e ekzekutimit të vrasjes së komisar Artan Cukut lë për të dyshuar se është bërë për hakmarrje por jo nga familja Daka thotë Shullani por mund të jetë vrarë nga persona të tjerë me të cilët ka patur konflikte. “Përsa i përket kësaj ngjarjeje familja Daka është jashtë komplet sepse malësori kur ta bën be-në nuk ke më probleme mbrapa me të. Vrasja të lë për të dyshuar se Artan Cuku ka patur problem me dikën tjetër, patjetër që po. Bazohem tek mënyra e vrasjes sepse është qëlluar sapo ka dalë nga shtëpia dikush ka qenë duke e ruajtur për ta zhdukur.

Është shumë e zorshme dhe janë raste shumë të rralla që pa të bërë diçka, pa të detyruar dhe me ta prish gjumin e natës ose pa patur një shqetësim shumë të madh atë tjetrin ti nuk shkon për ta vrarë. Mund të ketë patur probleme të tjera Artan Cuku dhe pastaj varet sepse ai i ndjeri mund ta dijë më mirë se kërkush dhe çfarë ka bërë ka marrë me vete”.  Ashtu si Shullani edhe vetë babai i Agim Dakës, Prelë Daka deklaroi se ai vetë, djemtë dhe familja e tij nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen e komisar Artan Cukut duke qenë se këtë konflikt e kanë mbyllur para shumë vitesh.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.