SPORT

De Biazi kundër UEFA-s. Flet për Juven, Barçën dhe kthimin ndaj Italisë

08:20 - 14.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 Xhani De Biazi ka qenë i ftuar në emisionin radiofonik “Tutti Convocati” ku ka folur kryesisht për mesjavën e Ligës së Kampioneve, duke filluar nga paraqitja e Juventusit ndaj Barcelonës.

“Kjo skuadër është ndërtuar për të fituar dhe për të bërë spektakël, dhe kundër Barcelonës e tregoi. Ka bërë paraqitje të madhe, luajti në mënyrë inteligjente, e gatshme të shfrytëzonte dobësitë e katalanasve. Mbrojtja është unza më e dobët e tyre, edhe për faktin se përpara nuk ndrit fenomeni Mesi, nuk është ai i një apo dy viteve më parë dhe kjo ndjehet te rendimenti i skuadrës.

Dibala? Është një lojtar që ka një talent të jashtëzakonshëm dhe është në formë të shkëlqyer, ka përpara të ardhmen. Është një i ri i administruar mirë, është ndërthurur në ekip gradualisht, strategjia e Alegrit ishte fituese dhe i ka bërë mirë”, tha De Biazi që shpjegoi edhe sakrificën e Manxhukiç.

“Të gjitha skuadrat e mëdha kanë pasur përulësi te shumë lojtarë të mëdhenj, si Runi te Mançester, apo Eto te Interi i Murinjos, i detyruar të luante mbrojtës por e bënte me një rendiment të lartë. Edhe Manxhukiç duhej ta bënte, duke pasur Higuain e Dibala përpara, o luan aty ose mbetesh jashtë”, shpjegoi ai.

Ndërkohë, De Biazi kritikoi ashpër mënyrën se si UEFA administroi ndeshjen e Borusia Dortmund ndaj Monako.

‘Ishte ndeshje false. Lojtarët e Dortmundit nuk ishin në gjendje të luanin. Kam parë gabime të tmerrshme nga lojtarë të mirë. Nuk kishin qetësinë për të luajtur pak orë pas atij episodi që të ndikon për jetën, mendon se mund të mos kthehesh më në shtëpi. Pavarësisht kësaj, u desh të luanin me pasojat që u panë në fushë edhe pse nuk mund të tregonin diçka aty. Janë skllevër të kohës dhe kalendarëve. UEFA mund të zhvendoste disa ditë ndeshjen por kjo është ndeshje false. Sidomos për Borusian që është në një nivel tjetër por që një natë më parë ishte një fantazmë”.

De Biazi komentoi edhe ndryshimin te Milani, ku tashmë klubi është plotësisht në duar të pronarëve kinezë.

“Milani është skuadra më fituese e viteve të fundit që është detyruar të ndryshojë. Milani është identifikuar shumë me klubin, mentalitetin e strukturën e nivelit të parë. Ndoshta berluskoni e la atë pasi klubi nuk kishte forcën e viteve të kaluara, por ishte një zgjedhje dashurie. E rëndësishme është që pronarët e rinj t’i besojnë personave të aftë që të kuptojnë se futbolli nuk është biznes por ka edhe gjëra të tjera”.

Ndërkaq, nuk ka munguar një thumbim nga prezantuesi i programit i cili pak më parë kishte në lidhje direkte edhe trajnerin e Italisë, Xhampiero Ventura. “Më tha që do të të mundë edhe në ndeshjen e kthimit”, ngacmoi ai De Biazin.

“Do të thosha që është ajo që presin të gjithë apo jo, të fitohet nga Italia edhe ndeshja e kthimit në Shqipëri. Potenciali i dy skuadrave nuk mund të krahasohet. Duhet të them që e mundim apo do ia bëjmë jetën të vështirë? E kam thënë herën e kaluar ndaj tani do të ndryshoj strategji”, tha duke qeshur De Biazi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.