Tech

FOTOT/ Miratohet kulla 111 metra e lartë tek “15-katëshi”, ja dokumentet e KKT-së

22:00 - 14.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi sot planin e përgjithshëm vendor të Tiranës i cili mes të tjerave parashikon një kullë 111 metra të lartë (nuk specifikohet sa kate) pranë “hotel Tiranës” ose 15-katëshit. GSH.al zbardh dokumentet e miratuara sot në KKT.

KKT miratoi lejen e zhvillimit për për objektin: “Zgjerim i kapaciteteve akomoduese e shërbimeve të Hotel Tirana International me shtesë anësore dhe kullë me destinacion Hotel dhe qendër multifunksionale tregtare e shërbimesh”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me zhvillues shoqërinë “Geci” sh.p.k.

RAPORT

LEJE ZHVILLIMI PËR OBJEKTIN: “ZGJERIM I KAPACITETEVE AKOMODUESE E SHËRBIMEVE TË HOTEL TIRANA INTERNATIONAL ME SHTESË ANËSORE DHE KULLË ME DESTINACION HOTEL DHE QENDËR MULTIFUNKSIONALE TREGTARE E SHËRBIMESH”, ME VENDNDODHJE NË BASHKINË TIRANË, ME ZHVILLUES SHOQËRINË

“GECI” SH.P.K.

  1. Alban Efthimi ka aplikuar në Sistemin E-Leje për pajisje me Leje Zhvillimi për objektin:

“Zgjerim i kapaciteteve akomoduese e shërbimeve të Hotel Tirana International me shtesë anësore dhe kullë me destinacion Hotel dhe qendër multifunksionale tregtare e shërbimesh”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me zhvillues shoqërinë “Geci” sh.p.k., për shqyrtim në KKT.

Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), si sekretariat teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit, në përputhje me Ligjin Nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar, dhe VKM-në Nr. 725 datë 02.09.2015 “Për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit”, pasi ka shqyrtuar dokumentacionin teknik dhe ligjor, ka konstatuar se statusi i aplikimi është si më poshtë:

aplikimi bën pjesë në rastet kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit, sipas nenit 19

pikës sh) objektet mbi 9 kate; të nenit 19 të VKM-së Nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar; – në përputhje me kushtet e përcaktuara në nenin 15, të Vendimit Nr. 408, datë

13.05.2015 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, i ndryshuar, dokumentacioni i aplikuar nëpërmjet sistemit është i plotë;

në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në zbatim të pikës 12, të Urdhrit të Kryeministrit Nr. 143 datë 03.11.2015 “Për ngritjen dhe funksionimin e strukturave përgjegjëse për bashkërendimin e punës me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT)”, AZHT ka realizuar korrespondencë me Bashkinë Tiranë e cila është shprehur si më poshtë në lidhje me kërkesën për leje ndërtimi për objektin “Godinë Polifunksionale Tirana International Hotel”:

Bashkia Tiranë, e cila sipas shkresës nr.14042/1 Prot., shprehet se:

“…në vlerësim të vizionit dhe principeve të parashikuara në planin proces miratimi  pranë KKT-së, ju informojmë se, propozimi nuk është në kundërshtim me parimet e zhvillimit për këtë zonë.”

Në përfundim, AZHT ju bën me dije se procedurat administrative/ ligjore për këtë objekt do të vijohen nga Bashkia Tiranë, sipas përcaktimeve dhe rregullave të parashikuara në dispozitat e Ligjit Nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, në përputhje me marrëveshjen përkatëse për delegim kompetencash, bashkëlidhur Vendimit të KKT-së.

FJALA E PLOTE E EDI RAMES NE KKT

“Ky është një moment me një rëndësi të veçantë për kryeqytetin, natyrisht edhe për qytetet e tjera, bashkitë e reja, të cilat hyjnë më në fund në rrugën e qytetërimit evropian, përsa i përket vizionit dhe planifikimit të së ardhmes.

Sot, falë kontributit të çmuar të njërit prej arkitektëve më në zë të Europës ku jetojmë dhe ekipit të tij, Stefano Boerit, që e falenderoj për praninë e tij këtu, si dhe falë punës voluminoze të kryer nga Bashkia e Tiranës, ekipi përkatës, por edhe falë koordinimit të garantuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit, si dhe Sekretaria Teknike e këtij Këshilli, kemi përballë një punë të shkëlqyer, me rezultate shumë inkurajuese që vendos edhe bazën për Tiranën e Gjeneratës Tjetër.

E dimë të gjithë sesi ka shkuar historia e planeve dhe kundër-planeve në Tiranë. Por jam besimplotë se ky Plan që miratohet sot është pa kthim dhe se më në fund vendos stabilitet të plotë në themelet e Tiranës që duam.

Sa për të dhënë një shije të asaj që faktikisht e pengoi Tiranën të ecte në drejtimin e duhur, Plani i mëparshëm ishte një plan i bërë me të ashtuquajturat “forcat tona”, pa asnjë ekspertizë serioze dhe mbi të gjitha, pa asnjë tutorship ndërkombëtar, i domosdoshëm në këto raste edhe në metropole të mëdha, jo më këtu në Tiranë. Ky Plan parashikonte sipërfaqe ndërtimi brenda vijës së verdhë për 1.6 milionë banorë dhe sipërfaqe ndërtimi në territoret e komunave, në zonën rurale të bashkisë së re, për 3 milionë banorë të tjerë. Plani parashikonte një Tiranë me një popullsi më të madhe se popullsia e Shqipërisë, por nuk parashikonte shërbime të tjera, përveç shërbimeve në qendër të Tiranës, shërbime në të njëjtat spitale, në të njëjtat universitete, në të njëjtat shkolla, në të njëjtat komisariate e kështu me radhë, një dokument i spekulimit imobiliar më irracional që besoj, mund të gjendet në historinë e Europës. Fatmirësisht, ky dokument nuk u vu dot në jetë.

Sot merr jetë një model krejtësisht i ri ndërhyrjesh të mirëmenduara në një plan që, ndryshe nga planet klasike, është një adoptim i inteligjencës së territorit, duke shfrytëzuar më së miri potencialet e territorit dhe duke mirëkuptuar traditën, kohën e zhvillimit dhe mendësinë në këtë territor. Është një Plan, në kuptimin e plotë të fjalës, për qytetin dhe për qytetarët.

Natyrisht që Tirana ka sfida të mëdha, duke filluar nga sfida e transportit. Plani adreson këtë sfidë me kurajo dhe vizion, duke vazhduar me zhvillimin e mëtejshëm të arterieve që do t’i mundësojnë kryeqytetit një lëvizshmëri mjetesh, jo vetëm motorike, por edhe alternative.

Plani adreson sfidën e sipërfaqeve të gjelbra, të cilat kanë ardhur në rritje falë punës së bërë përpara 4-vjeçarit të gërhitjes dhe pas 4-vjeçarit të gërhitjes. Sot, Bashkia e Tiranës mbjell 1000 pemë në muaj dhe do të vazhdojë me këtë ritëm gjatë gjithë mandatit të parë të kryetarit të bashkisë. Ajo çka frymëzon në Plan është jo vetëm realizimi i mëtejshëm i parqeve të reja, si Parku i Kasharit, Parku i Vaqarit, Parku i Farkës, por edhe një unazë, një pyll orbital, siç e quan Stefano Boeri, që e bën Tiranën e Gjeneratës Tjetër një qytet europian shumë të ndryshëm nga ky që kemi.

Një sfidë tjetër është sfida e shërbimit më të rëndësishëm për familjet, çerdhet, kopshtet, shkollat. Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar çerdhe ekzistuese, ka nisur rikonstruksionin e kopshteve ekzistuese, është në proces për zbatimin e projektit ambicioz të 20 shkollave të reja që brenda dy vitesh do t’i japin fund mësimit me dy turne në kryeqytet. Ajo që Plani siguron është rrjetëzimi i këtij shërbimi në të tria nivelet, çerdhe, kopsht, shkollë në të gjithë territorin.

Plani i jep një perspektivë zhvillimi, përtej asaj që tanimë po kthehet në realitet me ripërtëritjen fenomenale të aksit të Brasini-t, me sheshin “Skëndërbej”, që është edhe xhevahiri më i çmuar i kurorës së Rilindjes Urbane, ku transformimi është fantastik.

Si dëshmitar okular i përpara disa ditëve në kantier mund të them se, edhe pse kam qenë qysh në fazën fillestare të projektimit të sheshit i vetëdijshëm për çfarë sheshi do të sillte, kam mbetur realisht pa gojë, kur kam parë se çfarë hapësire urbane po krijohet dhe së shpejti do të jetë në dispozicion jo vetëm të qytetarëve të Tiranës, por të të gjithë atyre që e vizitojnë Tiranën, si një surprizë e jashtëzakonshme nga kryeqyteti i shqiptarëve.

Me sheshin “Skëndërbej” i shtohen Tiranës 45 mijë metra katrorë gjelbërim, 900 pemë dekorative, 520 dru frutorë dhe 35 mijë lule nga të gjitha trevat, ashtu sikundër dhe gurët e të gjitha trevave shqiptare. Sheshi do të jetë padyshim një highlight në rajon dhe nuk diskutohet që do të jetë një ndër surprizat më të bukura të krijimtarisë së arkitekturës dhe të urbanistikës bashkëkohore europiane të këtyre viteve të fundit.

Në Planin e konceptuar me vizion e shumë kurajo nga Stefano Boeri dhe ekipi i tij, jo vetëm që integrohen më së miri hapësirat rreth stadiumit të ri kombëtar, rreth Parkut të ri Olimpik të Tiranës, Teatri i ri Kombëtar, Teatri i Operës dhe Baletit, por çelet perspektiva për kampusin e ri universitar, për stacionin e ri qendror të autobusëve, për një stacion të ri treni e me radhë.

Ky është një vizion afatgjatë. Ajo që është më e rëndësishme, është se Plani është një dokument, i cili është një instrument pune, duke filluar nga nesër, për të gjithë ata që duan ta përdorin, për bashkinë, për sipërmarrësit, për agjencitë shtetërore, për ministritë, që nga Ministria e Transportit e deri tek ministritë e tjera që kanë lidhje në punën e tyre me këtë nyje strategjike të të gjithë territorit, që është Tirana.

Ajo që po ashtu ka një rëndësi të veçantë është që Plani bën një ekspoze shumë të mirëmenduar të të gjithë historisë, duke harmonizuar strukturat e periudhës romane, të periudhës fashiste, të periudhës sovjetike, të periudhës kineze dhe gjithë strukturat e mëpastajme, përfshirë strukturat e ndërtimeve apo zonave informale, duke e kthyer Tiranën në një muze larmie metropolitane.

Ambicia është që kryeqyteti ynë i 2030-ës të jetë kryeqyteti me hapësirën më të madhe këmbësore ndër kryeqytetet e Europës Lindore, me 2 milion pemë më shumë, ku infrastruktura vendoset jo vetëm në funksion të zhvillimit ekonomik, por edhe në funksion të bashkëjetesës shoqërore. Bashkëjetesë për të cilën Tirana ka aq shumë nevojë, për shkak të mungesave të mëdha në gjithë këto vite të hapësirave të përbashkëta dhe të mjediseve ku individi është qytetar dhe ku qytetarët ndërveprojnë me njeri-tjetrin si familjarë, si njerëz të një komuniteti.

Një ndër propozimet më interesante të Planit është propozimi për 5 pole zhvillimi urban, që do të jenë qendra të reja të qytetit, të cilat u ngjajnë e satelitëve rreth qendrës kryesore që është Sheshi “Skënderbej”. I njëjti model përthyhet në hapësirën rurale me 5 pole zhvillimi rural, si qendra gjysmë-urbane që i shërbejnë të gjithë rajonit ku ndodhen, por njëkohësisht sjellin një bashkëjetesë surprizuese të Shqipërisë së hapësirës urbane me atë rurale, të zonës qytet me zonën fshat, të pjesës ku zhvillohet jeta e qytetit dhe pjesës ku zhvillohet jeta e fshatit, në të njëjtin vend.

Duke e falënderuar arkitektin e njohur, që është kthyer në një mik shumë të vyer, jo vetëm i imi, por edhe i Tiranës, unë shpreh konsideratën më të lartë për punën e bërë në një kohë relativisht të shkurtër, por mbi të gjitha, për marrjen në konsideratë me shumë respekt e modesti, që është modestia e të mëdhenjve, të të gjithë eksperiencës së të shkuarës, të të gjithë kontributeve të arkitektëve dhe urbanistëve që i dhanë jetë këtij qyteti dhe e zhvilluan atë, për mirë apo për keq, deri kur erdhi dita që ju të bëheshit pjesë e kësaj historie. Po ashtu për të gjithë opinionet e marra jo vetëm nga ekipi i bashkisë, apo ekipi i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit, por dhe gjithë të tjerët që janë të përfshirë në këtë proces. Ka qenë Stefano dhe ekipi i tij që kanë kërkuar me shumë insistim që të kenë sa më shumë kontakte me grupet shoqërore, me komunitete të ndryshme, jo vetëm në qendër, por edhe në periferi, me organizata të ndryshme, për të arritur të formësojmë një Plan që nuk është një prezantim që mbetet i bukur në letër, siç jemi mësuar për fat të keq ta shohim shpesh edhe nga arkitektët e mëdhenj, që me një lloj arrogance imponojnë apo kërkojnë të imponojnë çka mbetet e parealizueshme.

Kjo e bën Planin vërtet një instrument shumë të bukur, shumë konkret, shumë praktik dhe shumë të afërt me  njerëzit, që e ndjejnë dhe do ta ndjejnë si pronë të tyre dhe jo si një imponim nga një krijues i madh dhe ekipi i tij.

 * * *  

Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, miratoi sot Planin e Përgjithshëm Vendor për Tiranën, i cili do t’i dhurojë kryeqytetit një identitet të ri urbanistik. 

Plani i Përgjithshëm Vendor që projekton Tiranën 030, Tiranën e së ardhmes si një hapësirë europiane, parashikon në total 13 projekte strategjike që përbëjnë dhe komponentin kryesor të planit.

Më konkretisht parashikohet: Projekti i Pyllit Orbital; Projekti i Oazëve natyrorë; Unaza e 2 dhe e 4; Projekti i Parkut Botëror; Unazat e gjelbra dhe blu; Epiqendrat e Tiranës policentrike; Shkollat e hapura; Ruajtja e pasurisë arkitektonike të shekullit XX; Sistem i ri bujqësor dhe rrjet i ri i tregjeve për fermerët; Transporti me cilësi të lartë; Rrjeti i korsive dhe mobiliteti; Tirana për të gjithë, qytet i aksesueshëm. Plani parashikon ndër të tjera edhe një investim në energjinë e rinovueshme në të ardhmen. Plani i Përgjithshëm Vendor bazohet në idenë e ruajtjes së godinave historike, si një element i domosdoshëm për të kuptuar historinë e Shqipërisë dhe Tiranës.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.