POLITIKË

Ilir Meta: Kjo situatë nuk duhet parë kush është më i forti, por…

14:24 - 14.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




LSI ashtu siç edhe ishte bërë e ditur në orët e paradites, ka mbledhur Komitetin Drejtues Kombëtar. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në fjalën e tij, duke iu referuar krizës politike, ka pohuar se kjo situatë nuk duhet parë se ‘kush është më i forti, por duhet parë si çështje tolerance’.

“Unë shpreh keqardhjen që asgjë nuk ka lëvizur në drejtim të dialogut dhe zgjidhjes. Kanë lëvizur vetëm afatet. Opozita nuk është regjistruar në zgjedhje dhe çdo ditë që ecën përpara pa një dialog dhe pa një klimë konstruktive na çon drejt një konflikti që nuk mund ta parashikojë por është e rëndësishme që politikanët t’i parandalojnë.

Zgjedhjet nuk janë vetëm përgjegjësia jonë por edhe e shoqërisë civile, mediave, shoqërisë. Në këtë drejtim unë dua të shpreh bindjen time se LSI ka bërë dhe do të bëjë më të mirën për dialog dhe zgjedhje plotësisht të lira dhe të standardeve evropiane. Jo si formulimet se zgjedhjet ishin më të mira se ato të kaluara.

Do ta vazhdoj me një shprehje që m’u kujtua në Zall Herr, që pengon dialogun dhe normalitetin: Që fjala vret më shumë se plumbi!

Ne kemi dëgjuar se në parlament ka krisur arma për fjalën e pakontrolluar, grushti në parlament prej fjalëve dhe këto kanë qënë kosto për vendin, për integrimin përfshirë edhe Reformën në Drejtësi.

Nëse nuk do të kishim pasur problemin e dekriminalizimit, reforma në drejtësi do të ishte bërë me kohë.

Populli e ka nxjerr nga përvoja këtë dhe ne si politike dhe ne instrumentin kryesor kemi fjalën, padyshim dhe ligjin dhe Kushtetutën në krijimin e klimës.

Në këtë situatë duke qenë të bindur se koalicioni PS-LSI, i cili fitoi para 4 vitesh në kushte shumë të vështira, bindshëm, dhe 84 mandate se një e humbi për 15 vota, fitoi mbi qeverinë e Berishës, fitoi kur KQZ-së u ndryshua, në një klimë jo të lehtë në terren, kështu që unë besoj se sot një koalicion i tillë e ka më të lehtë për të fituar dhe konfirmuar në zgjedhjet më të qeta dhe demokratike.

Atëherë madje ishte në koalicion me Berishën dhe tani në një koalicion tjetër. Ndaj nuk duhet parë si çështje force se kush e tërheq litarin më fort, por si çështje tolerance.

Tani nuk kemi vetëm zgjedhjen e parlamentit, por edhe atë të institucioneve të drejtësisë. KLD-ja ka bërë “drekën e fundit”. Atëherë ku do të shkojmë? Kushtetuta patjetër është shumë e rëndësishme, por nuk mbahet vetëm.

Dhe të mos harrojmë se Kushtetuta edhe për çështjen e zgjedhjeve u ndryshua në mes të natës para 9 viteve pa asnjë lloj respekti për popullin. Ka ndryshuar edhe herë të tjera në mënyra të ndryshme. Kjo nuk do të thotë që Kushtetuta nuk duhet ndryshuar. Nuk dua të bëj edhe as më të mirin, as më pozitivin dhe as më të pafajshmin në këtë histori. Gjithkush këtu përfshirë edhe mua ka përgjegjësitë e veta.

Por, nuk është kjo arsyeja të përsëritim atë që kemi bërë vetë apo kanë bërë të tjerët.

Unë nuk jam kryetar i parlamentit thjesht të shumicës. Jam kryetar i të gjithëve dhe do përpiqem të jem.

Edi Rama nuk është kryeministër i PS-së dhe as i këtij koalicioni, por i kësaj qeverie që ka detyrim të afrojë garanci për zgjedhje, që duhet të jetë dhe i përmbajtur për të mos i dhënë shkas dhe palës tjetër për të vazhduar për të folur gjëra të papranueshme.

Ne si LSI jemi për t’i dhënë fund kësaj politike bardh e zi: Je me mua, s’je me mua.

Për dekriminalizimin i kemi dhënë të drejtë PD-së. Ne duhet t’i japim fund kësaj historie me të fortë të dhunshëm.

Shumë prej institucioneve të drejtësisë së deritanishme po i vjen fundi.

Për çështjen e drogës e kemi thënë më përpara se është problem mjaft serioz. Për çështjen e kanabisit na duhet një pakt konsensus. Ky problem ka qenë me kohë, ka qenë dhe në 2013-ën. Ky fenomen ka dalë totalisht jashtë kontrollit dhe shpresojmë të ndërgjegjësohet e gjithë shoqëria dhe shpresojmë të mos kthehet në një problem të tmerrshëm.

Mund të kemi fat të mirë, nëse do të dimë të menaxhojmë këtë situatë dhe zgjedhjet e ardhshme, që do të thotë se o vendi do të jetë qendër e krimit ndërkombëtar ose vend i hapur për investimet e huaja.

Kjo pa asnjë diskutim kërkon rritje të përgjegjësisë së të gjithëve po kjo nuk do të thotë të kalojmë në teprime dhe ekzagjerime që krijojnë më shumë tym dhe shpërndajnë përgjegjësi. Se në fund nëse ndodhin konflikte dhe nuk ka rëndësi kush e nisi i pari dhe kush i dyti.

Një mik i huaj më tha vite më parë: Duhet t’i jepni fund kësaj situate nëse doni të pranoheni në NATO. Se kjo punë është si një avion që kur sheh se nuk ka për t’u ulur, do të ulet në një pistë tjetër. Dhe nuk ka më rëndësi pastaj e ka fajin ky apo ai.

Nuk duhet ta humbasin këtë rast. Ne duhet të heqim dorë nga gara se kush është më proveropian dhe kush më shumë proamerikan.

Dhe sot më shqiptar është ai që është më tolerant. Ai që është më tolerant, është edhe më i fortë.

Jo ai që thotë se po u tërhoq ky, nuk paska qenë burrë, apo po u tërhoq do bëhet qameti….

Ne besojmë shumë tek partneri ynë me BE-në dhe SHBA-në dhe e ardhmja e Shqipërisë është vetëm euroatlantike dhe evropiane.

Zgjidhja nga situata është të hyjmë në zgjedhje dhe të përfitojmë nga mandatet e PD, por kjo është në kundërshtim me filozofinë e integrimit evropian, të dialogut politik e kështu me radhë sepse vendi kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jo farsa.

Absolutisht dhe askush nuk duhet të kthejë Shqipërinë në kohën  e Berishës president.

Në fund t’i japim vendit një zgjidhje të shpejtë në interes të vendit dhe normalisht dhe kushtues”, – ka përfunduar Meta.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ilir Meta flet dhe thote asgje, as mish, as peshk.
    Meqe jemi te zgjedhjet e presidentit, pse nuk e beni ligjin tak-fak qe te zgjidhni me 18 qershor edhe presidenti nga Populli qe te mos kete me preferenca partiake dhe t’ia lini zgjedhjen e tij Sovranit?

    Përgjigju ↓