EKONOMI

Resort turistik në Divjakë, shoqëria civile: Shkatërrohet parku

22:21 - 14.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Koalicioni i Shoqërisë Civile në Mbrojtje të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta shpreh shqetësimin në lidhje me propozimin për ndërtimin e një qendre urbane në zemër të Parkut Kombëtar dhe në shkatërrim të vlerave të tij. Kompania Mabetex Group ka prezantuar projektin për ndërtimin e një resorti turistik brenda Parkut Kombëtar në një tryezë të organizuar nga Ministria e Mjedisit datë 6 prill 2017. Sipas ‘koalicionit’, projekti i ndërtimit synon zënien dhe tjetërsimin e 10% të territorit të Parkut, ndërkohë që infrastruktura shoqëruese (rrugë, ndriçim, rrjet elektrik, dallgëthyes. etj) do të ndikojë negativisht në gjithë sipërfaqen e tij.

Për një vlerë prej vetëm 1 Euro, projekti kërkon të zaptojë 12 km të vijës bregdetare, ku planifikohen të ndërtohen: 2400 apartamente, 370 vila, një resort turistik prej 90 ha dhe një qytet për 18,000 banorë. “Urbanizimi i emërtuar si Master Plani “Divjakë Resort Albania” dhe i propozuar në formën e sotme nga Kompania Mabetex Group pranë autoriteteve shqiptare nuk është asgjë tjetër veçse një projekt i ri ndërtimi në një Zonë të Mbrojtur që kërkon të përfitojë privatisht nga një pasuri kombëtare e ruajtur prej shekujsh dhe sanksionuar në disa akte ligjore mbrojtëse që e kanë zanafillën që prej vitit 1964”,- tha Taulant Bino nga AOS (Shoqata e Ornitologëve Shqiptar). Projekti është në kundërshti të plotë me legjislacionin shqiptar për zonat e mbrojtura dhe konventat e ratifikuara të cilat ndalojnë rreptësisht ndërtimin në Zonën Qendrore të Parkut Kombëtar.

“Procedura e ndjekur deri më tani për prezantimin e tij para publikut është e gabuar dhe përpiqet të fshehë karakterin shkatërrues të këtij projekti për florën dhe faunën e Parkut Kombëtar”, tha Valbona Mazreku, nga organizata Miliukontakt Shqipëri. Sipas shoqërisë civile, projekti i paraqitur do të sjellë jo vetëm shkatërrim të ekosistemit, habitateve përbërës dhe gjallesave të egra por do të ndikojë  edhe ekonominë lokale kryesisht asaj të peshkimit. Ai do përshpejtojë ndotjen e ekosistemit nëpërmjet intensifikimit të bujqësisë. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një nga Zonat e Mbrojtura më të njohura, me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare dhe njëkohësisht territori natyror më i ruajtur në Shqipëri. Si i tillë Parku mbrohet jo vetëm nga legjislacioni shqiptar por edhe nga disa konventa ndërkombëtare si: Konventa Ramsar, e Bernës, ESPOO, etj.

Githashtu Divjakë-Karavastaja është zonë përbërëse e Rrjetit Emerald, Zonës e Rëndësishme për Shpendët, epiqendër e Larmisë Biologjike dhe e Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë. Në këtë kuadër, koalicioni i bën thirrje Politikës dhe Qeverisë shqiptare të zbatojnë kuadrin ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar për zonat e mbrojtura si dhe të heqë dorë nga projektet që cenojnë integritetin e zonave të mbrojtura në Shqipëri .


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.