Speciale

Video/10 të verbër nën një çati, ja historia rrënqethëse e një familje shqiptare në Allias

14:32 - 17.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




10 të verbër nën një çati. Nuk është titulli i ndonjë romani. Është një histori e vërtetë, fati i keq i një familje shqiptare ku njohin vetëm “errësirë”.

Në shkallaren e shtëpisë përdhese  gjejmë të ulur Nexhmien, të zonjën e shtëpisë. E përhumbur, në botën e saj pa drita, gruaja vetëm qan fatin e trishtë të një jete të kaluar në terr që prej lindjes dhe me një  peshe të  madhe në supe . Me sy të lotuar që mezi e lënë të flasë e moshuara e verbër na rrëfen historinë e saj fatkeqe, sesi solli në jetë 6 fëmijë, të 6 të verbër, trashëgimi që ka infektuar edhe brezin e tretë.

 “Me zor të madh. Ja kështu i kam rritur, ku veshur, ku zhveshur, ku ngrënë, ku pa ngrënë. Edhe pa bukë i vija fëmijët në gjumë. Çfarë të bëja, nuk arrija dot”,- thotë Nexhmie Hajredini.

“Unë, plaka, çuni tjetër, tre nipërit, vetëm nipi jetim nuk është i sëmurë”,- sqaron më tej kryefamiljari.

Jeta e dy gjyshërve të verbër do të merrte një tjetër goditje thërresë, kur njëra prej vajzave ndërron jetë, pas një lëngimi të gjatë shkaktuar nga sëmundja e kancerit. Vajza u largua nga jeta fare e re duke lënë pas tre jetimë, që u braktisën edhe nga babai biologjik.

“Goca më iku e re, 31 vjeçe…(Qan). Më ngeli jetimi në kurriz, (Qan) ku ta çoj? Ku ta braktis? Me sakrifica të mëdha. Nuk mund t’i lija rrugëve fëmijët, babi i braktisi, iku babai, as nuk dihet ku e ka adresën”,- thotë Nexhmie Hajredini.

Në më pak se 80 metra të shtëpisë, së ndërtuar diku me baltë e diku me tulla e beton është rikthyer të jetojë edhe djali i madh Fatosi, bashkë me tre fëmijët e tij dhe gruan. 4 vite më parë Fatosi endej rrugëve i pastrehë, papunë e pa përkrahje dhe kur një ditë u fal sërish tek porta atërore. Fatosi është i verbër i grupit të parë, mallkim prej natyre që pa dashje ua ka kaluar edhe dy prej fëmijëve, që me rritjen po shkojnë drejt verbërisë së plotë.

“Me thënë të drejtën ë…. duke ardhur duke na ikur drita e syve”. Jam që në moshën 9 vjeç, që kam filluar ta ndiej, e ke parasysh… Kur të shkoj edhe unë në moshën e plakut… kështu që edhe unë drejt asaj jam, kupton… se plaku im nuk shikon fare. Më e keqja është se edhe fëmijët po më dalin me… po më ngjajnë mua, thotë Fatosi, djali i madh i familjes Hajdari.

Gazetari: A i çon fëmijët në shkollë? Shkojnë në shkollë?

Fatosi: Atë të madhin e kam tek shkolla e të verbërve, kurse këto dy të vegjëlit i kam tek kjo shkolla, por me zor mësojnë…

Fenomeni i rrallë i humbjes së shikimit, që ka prekur thuajse të gjithë familjen, dyshohet se e ka origjinën nga një anomali gjenetike, e trashëguar nga 2 kryefamiljarët. Skënderi thotë se ka qenë 22 vjeç kur ka humbur shikimin, pas përjetimit të një temperature të lartë, që i la pasoja. Ndërsa e zonja e shtëpisë ka lindur me mungesë totale në shikim.

“U martova, mora plakën edhe plaka e sëmurë, e verbër. Ramë të dy burrë e grua. Na dolën dhe kalamajtë. Ne jemi ku thërret qameti. Përjashtuar pagesës së paaftësisë që e përfitojnë 5 nga 10 anëtar që vuajnë sëmundjen, familja e madhe me 13 persona thotë se nuk trajtohet me ndihmë ekonomike, për shkak të përfitimit të kempit”,- thotë kryefamiljari.

Ai shton ndër të tjera se: “Fitoj unë me plakën, fëmijët disa fitojnë, disa nuk fitojnë. Tani të shohim. Do t’i çojmë dhe një herë fëmijët tek doktori, t’i bëjmë dhe një herë vizitë. Ku di unë…t’i nxjerrim në kemp. Me ato rrojmë, me ato vijmë vërdallë…”

Dhe në këtë fatkeqësi të madhe të padëgjuar më parë, sadopak dritë në fund të tunelit ngjet me një mirësi të zbritur nga qielli pasi për shtetin familja e varfër është gati e padukshme. I vetmi sinjal shprese ka qene shoqata e Ardhmja Jonë. Madje edhe ato pak orendi elektroshtëpiake janë dhuratë nga shoqata, e cila i asiston prej 4 vitesh, me pako ushqimore, veshmbathje e gjithçka që mundet, tua lehtësojë sadopak vuajtjen, por edhe për sa kohë?

“Jam llahtarisur të them të drejtën një radhë, kur kam ardhur në mëngjes, fëmijët kanë qenë të shtrirë këtu, me dyshek në tokë dhe i ati nuk i ka parë dhe i ka shkelur. Është një tmerr dhe atë ditë unë jam ndier shumë keq që nuk ua shpjegoj dot. Për këta njerëz, në këtë gjendje shteti duhet t’i mbështesë se s’bën. Me sytë drejtuar nga shteti dhe njerëzit me shpirt human, familja e verbër lutet për ndihmë, lutet për shpresë”,- u shpreh Betina Duri, Shoqata e Ardhmja Jonë

Me sytë drejtuar nga shteti familja e verbër lutet për një shtëpi më të madhe që ti strehoj të gjithë.

“I lutem qeverisë të na ndihmojë…Çfarë të them… kaq…”,- thotë Skënderi mes lotësh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.