EKONOMI

Jera Kruja: Dhimbja tensive e kokës, si ta trajtoni pa ilaçe

08:20 - 17.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ola MITRE

Dhimbja tensive e kokës është më e shpeshta ndër dhimbjet e kokës, ndërkohë që ekzistojnë disa mënyra trajtimi që mund të evitojnë përdorimin e ilaçeve”. Shpjegimi vjen nga shefja e Shërbimit të Neuro-logjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Prof. Dr. Jera Kruja, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për suplementin “Life Pages”, të “Gazeta Shqiptare” shpjegon në detaje gjithçka duhet të dini rreth kësaj dhimbjeje, që prek 21% të popullatës.

Doktoreshë, çfarë është dhimbja tensive e kokës?

Quhet dhimbje tensive e kokës një ndijim dhimbje ose diskonforti në regjionin e kokës ose qafës, shoqëruar me tendosje të muskujve në këto zona. Kjo lloj dhimbje koke është më e shpeshta ndër format e dhimbjes së kokës në përgjithësi. Dhimbja tensive e kokës prek rreth 21% të popullatës në përgjithësi dhe është më e shpeshtë te seksi femër. Mund të ndodhë në çdo moshë, por vërehet më shpesh të adultët dhe adoleshentët. Kategorizohet në dy forma: dhimbja episodike dhe dhimbja kronike. Nëse kemi një frekuencë me dy ose më shumë herë në javë për disa muaj, mund të kemi një gjendje kronike. Dhimbjet e kokës kronike (Chronic Daily Headache), mund të jenë pasojë edhe e abuzimit me terapi qetësuese në dhimbjet primare të kokës, ose mostrajtimi i saktë i tyre. Dhimbja tensive e kokës mund të jetë edhe paralele me dhimbjet migrenoze. Meqenëse karakteristikë është tensionimi ose kontraktimi i muskulaturës, dhimbja tensive ndikohet nga stresi, ankthi, mbajtja e kokës në pozicion të zgjatur të detyruar etj.

Cilët janë disa nga faktorët që e shkaktojnë këtë dhimbje?

Ndër faktorët që e nxisin këtë lloj dhimbje mund të përmendim: përdorimin e alkoolit, të ftohtit dhe virozat, problemet dentare ose te artikulacionit temporo mandibular, pozicioni jo normal i qafës gjatë gjumit, lodhja, teprimi i përdorimit të duhanit ose kafes, kongjestioni nazal, infeksioni sinusal etj.

A tregon kjo dhimbje se kemi probleme të trurit?

Dhimbja tensive e kokës është një dhimbje parësore, pra nuk është pasojë e dëmtimeve të strukturës së trurit.

Cilat janë disa nga shenjat?

Dhimbja zakonisht karakterizohet nga ndijim shtrëngimi, presioni në formë të një rrethi në kokë. Më shumë ndjehet në skalp, zonat temporal, në qafë e ndonjë herë edhe në shpatulla. Mund të takohet si simptomë e izoluar ose konstante. Dhimbja mund të zgjasë për rreth 30 minuta deri në 7 ditë. Zakonisht nuk shoqërohet me të përziera ose të vjella. Mund të shkaktojë prishje të cilësisë së gjumit.

Kur duhet kërkuar ndihma e mjekut?

Një dhimbje koke që është e lehtë deri në mesatare, e pa shoqëruar nga simptoma të tjera dhe që i përgjigjet qetësuesve për pak orë, mund të mos e ketë të nevojshme kryerjen e ekzaminimeve të mëtejshme, për më tepër nëse ka pasur edhe episode të mëparshëm. Vizita neurologjike në këto raste është normale, ndërkohë mjeku mund të konstatojë pika të dhimbshme në muskujt e shpatullave ose të qafës. Nëse dhimbja bëhet e fortë dhe e qëndrueshme, ose nëse shfaqen shenja të tjera shoqëruese, duhet kërkuar ndihma e mjekut.

Si mund të trajtohet dhimbja tensive e kokës?

Trajtimi i dhimbjes bëhet së pari, duke ia shpjeguar atë pacientit dhe duke i kërkuar që të shmangë rrethanat që e shkaktojnë. Mbajtja e një ditari të dhimbjes, mund të ndihmojë ndjekjen më tej. Mjeku specialist duhet të orientojë se cilat janë të dhënat që duhet të figurojnë në këtë ditar. Aplikimi banjave të ftohta ose të nxehta mund të qetësojë dhimbjen. Ndryshimi ose përmirësimi i mënyrës së jetesës ndihmon, gjithashtu. Në rast se teknikat relaksuese dhe ndryshimi i mënyrës së jetesës nuk japin rezultat maksimal, mund të tentohen qetësuesit, zakonisht ata të grupit të antiinflamatorëve josteroidienë, duke pasur parasysh të mos abuzohet me to. Gjithashtu, mund të rekomandohen miorelaksantë, inhibitorë selektivë të kapjes së serotoninës ose antidepresantë triciklikë për kurime afat mesme e afat gjata.

Kombinimi i metodave të relaksimit, menaxhimit të stresit, terapisë “cognitive behavioral” mund të ndihmojë në disa raste. Aplikimi i toksinës botulinike mund të indikohet, gjithashtu, në dhimbjen kronike tensive të kokës. Prognoza zakonisht është e mirë megjithëse gjatë ditëve me dhimbje, vërehet një ndikim negativ në cilësinë e jetesës dhe të produktivitetit në punë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.