OPINION

Në emër të Ballkanit, pa e pyetur Ballkanin

07:15 - 17.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Shaban MURATI




 

Aq të mëdha kanë qenë me sa duket shpresat e Moskës se presidenti i ri amerikan nuk do të firmoste pranimin e Malit të Zi në NATO, sa që kur Donald Trump në 11 prill nënshkroi instrumentin e ratifikimit të protokollit të pranimit të Malit të Zi në NATO, reagimi i diplomacisë ruse tejkaloi çdo sens mase. Në datën 13 prill, Ministria e Jashtme e Rusisë lëshoi një komunikatë, ku deklaron: “Ne e konsiderojmë përfshirjen e Malit të Zi në NATO thellësisht të gabuar, në kundërshtim me interesat themelore të popullit të këtij vendi dhe që është e dëmshme për stabilitetin në Ballkan dhe në Europë si e tërë”.

Është një hiperbolë diplomatike ta paraqesësh anëtarësimin e shtetit më të vogël ballkanik në NATO si rrezik për stabilitetin e Ballkanit dhe të Europës. Komunikata e MPJ të Rusisë shpreh më shumë zhgënjimin e Kremlinit pas disa iluzioneve të diplomacisë ruse për presidentin e ri amerikan, se sa shqetësimin real për anëtarësimin atlantik të Podgoricës. Mali Zi po bëhet anëtari i 29-të i NATO-s dhe shteti i 8 i Ballkanit në NATO.

Shfaqet një mungesë realizmi, e cila e bën diplomacinë ruse t’i hyjë narrativës së një asimetrie madhësi-rrezik, e cila i afrohet absurdit. Këtë ngjyrim përmban përkufizimi i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, si një rrezik për stabilitetin e Ballkanit. Këtu diplomacia ruse e vendos veten në një pikë të paorientuar dhe që nuk del realiste, po ta ballafaqosh me zhvillimet dhe qëndrimet e qeverive dhe të diplomacive të shteteve të Ballkanit.

Asnjë shtet i Ballkanit nuk ka shprehur asnjëherë ndonjë shqetësim zyrtar për anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën Atlantike. Nuk kanë shprehur asnjëherë asnjë shqetësim shtetet kufitare me Malin e Zi si  Shqipëria, Kosova, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia. Nuk kanë shprehur asnjë shqetësim shtetet e të quajturit Ballkani Perëndimor. Nuk kanë shprehur asnjëherë asnjë shqetësim shtetet e gjithë Ballkanit. Pra, asnjë shtet i Ballkanit në qëndrimin e tij zyrtar nuk është shprehur kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Është një provë e pakundërshtueshme se asnjë shtet i Ballkanit nuk mendon se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO përbën një rrezik për interesat e tij dhe për stabilitetin e rajonit. Padyshim, shtetet e Ballkanit e dinë më mirë se shtetet jashtë Ballkanit se çfarë e rrezikon stabilitetin e tyre. Përveç kësaj, çdo shtet i rajonit i përmbahet vijës se anëtarësimi ose mosanëtarësimi në aleanca me shtete apo me organizata ndërkombëtare është e drejtë sovrane e një populli dhe e një shteti të pavarur dhe asnjë shtet tjetër nuk ka të drejtë ta kundërshtojë këtë vendim sovran. Nuk mund të mos lindë pyetja se mbi ç’bazë arriti diplomacia ruse ta klasifikojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO si një veprim të dëmshëm për stabilitetin e Ballkanit, kur vetë Ballkani nuk e ka këtë mendim. Nuk rezulton se diplomacia ruse u konsultua me shtetet ballkanike, që arriti në konkluzionin se stabiliteti rajonal rrezikohet tani nga Mali Zi. Asnjë shtet ballkanik nuk i është bashkuar këtij qëndrimi rus. Ahere, përse Rusia flet në emër të Ballkanit pa e autorizuar kush dhe kur Ballkani mendon ndryshe?

Zemërimi i Rusisë nga anëtarësimi i Malit të Zi në NATO vjen nga fakti i madh se Rusia e konsideron Malin e Zi sferë të saj të influencës dhe tani sheh se e humbi atë. I provoi të gjitha metodat e presionit dhe të diversionit për të bllokuar dhe shfuqizuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, që nga presioni i drejtpërdrejtë ushtarak për të pasur një bazë ushtarake në bregdetin malazez që nga blerjet masive të pronave dhe të kompanive malazeze, që nga krijimi dhe financimi i grupeve dhe partive nacionaliste proserbe dhe proruse, që nga krijimi i të ashtuquajturave shoqata joqeveritare fitimprurëse dhe qendrave studimore, që nga mediat dhe portalet e financuara e deri tek grushti i shtetit në tetor të vitit të kaluar për të hedhur në erë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Dështuan të gjitha, sepse vullneti i shumicës së popullit malazez, përfshirë edhe shqiptarët atje, parlamenti dhe qeveria malazeze kanë gjykuar se e ardhmja e tyre qëndron në integrimin euroatlantik.

Nuk dihet se përse Kremlini pati një autosugjestion nga retorika elektorale në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të vitit të kaluar në SHBA, se presidenti i ri do ta ndërpresë procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Por kjo nuk ndodhi dhe firma e Donald Trumpit në 11 prill vulosi përfundimisht anëtarësimin atlantik të Malit të Zi. Deziluzioni që vjen pas një iluzioni të pabazë, gjithmonë është i madh dhe Moska e provoi këtë pas firmës së presidentit amerikan. Kremlini pati këto ditë disa prova të dështimit të autosugjestionit diplomatik se me presidentin e ri amerikan NATO do të mbytej. Dy ditë pas firmës presidenciale amerikane për Malin e Zi, në datën 13 prill Polonia priti ushtarët e parë amerikanë të forcës shumëkombëshe atlantike, që do të vendoset si masë sigurie për aleatët në rajonin e detit Baltik. Ceremonia e ardhjes u organizua në Orzysz, rreth 50 kilometra nga kufiri me enklavën ruse të Kalinigradit dhe do të vendosen rreth njëmijë ushtarë amerikanë, ngjarje të cilën presidenti polak e cilësoi si historike. Javën e kaluar presidenti i ri amerikan urdhëroi bombardimin nga forcat amerikane të bazës ushtarake ajrore të regjimit të Damaskut, për shkak të përdorimit kriminal të armëve kimike nga regjimi kundër popullsisë civile.

Nuk mund të mos habisë zhgënjimi apo më saktë pritshmëritë jo realiste të diplomacisë ruse lidhur me iluzionin se presidenti i ri amerikan do të ndiqte vijën e dobësimit të NATO-s dhe të rolit të Amerikës në Europë. Është një mungesë realizmi, e pakuptueshme për një diplomaci të vjetër dhe të sofistikuar të një shteti të madh. Por, ambicia dhe ethet për ndikim ndërkombëtar me sa duket errësojnë dhe mënjanojnë sensin e realizmit. Duket se amerikanologët e Ministrisë së Jashtme ruse nuk ditën të shkëputen nga emocionet e disa dogmave ideologjike, që kanë dominuar diplomacinë e dikurshme sovjetike. Mua më kujtohet se në kohën kur presidenti amerikan, Riçard Nikson ishte në kulmin e krizës së Uotergejtit, i kryqëzuar nga mediat amerikane, amerikanologu më i madh rus i asaj kohe, akademiku dhe drejtor i Institutit të SHBA në Moskë, Georgij Arbatov, u pyet nga shtypi rus të shpjegonte se çfarë po ndodhte në Amerikë. Përgjigja e akademikut ishte se, “në qoftë se presidenti amerikan, Nikson do të japë dorëheqjen, kjo do të thotë se unë nuk marr vesh asgjë nga Amerika”.

Politika ballkanike e Rusisë nuk po ndërtohet mbi bazën e konsiderimit të të drejtave dhe interesave sovrane të popujve dhe shteteve të pavarura. Skema e gjykimit të rajonit mbi bazën e mentalitetit të ndarjes së zonave të influencës si dikur në kohën e perandorisë komuniste sovjetike, apo mbi nostalgji historike apo fetare, nuk mund të jetë funksionale në kohët e sotme. Moska nuk ka kuptuar thelbin e raportit të saj me rajonin, që është se ajo fuqi e madhe apo organizatë ndërkombëtare, që ofron vlerat më të mëdha dhe mundësitë më të mëdha për një jetë të mirë dhe të lulëzuar, do të arrijë të ketë edhe aksesin më të madh në zemrat dhe mendjet e njerëzve dhe të popujve të rajonit. Metodat sovjetike të provokimit të krizave dhe të tensioneve politike, etnike e sociale në vendet ballkanike, diversionet e llojeve të ndryshme, përveçse destabilizimit, nuk u sjellin asgjë të mirë popujve dhe rajonit, dhe as nuk hapin rrugën për një bashkëpunim të vërtetë midis Rusisë dhe shteteve të rajonit.

Edhe tani diplomacia ruse, duke ecur përmes skemave dhe dogmave të kapërcyera, duket se nuk ka kuptuar gjë nga Ballkani. Ajo flet në emër të Ballkanit, pa e pyetur Ballkanin. Kjo nuk mund të mos e çojë politikën ballkanike të Rusisë drejt zhgënjimeve të reja.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Para 150 vitesh, ne disa popuj te Ballkanit, kendohej nje kenge, refreni i se ciles ishte: “Trembem nga ata, qe mendojne PËR mua, PA mua”! Edhe atehere, shkaku i ketij formulimi, ishte Rusia. Prandaj shkrimet e Profesor Muratit kane vlera unikale.Sepse keto shkrime, jane sinteze e Historise se afert dhe te larget… Ju falenderojme Profesor Shabani!

    Përgjigju ↓