LIFE STYLE

Organizata Botërore e Shëndetësisë: Dyshoni se fëmija juaj është me depresion, ja shenjat, si ta parandaloni

08:32 - 17.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ola MITRE

 

Depresioni është një sëmundje që karakterizohet nga një trishtim i vazhdueshëm dhe një humbje e interesit ndaj aktiviteteve që normalisht ju gëzojnë, e shoqëruar me paaftësi për të kryer aktivitete të përditshme për të paktën 2 javë”. Ky është përkufizimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për depresionit, ndërkohë që teksa fokusohet te fëmijët jep edhe një sërë shenjash të tjera që ju tregojnë se ata mund të jenë duke e kaluar.

“Shenja dhe simptoma të tjera të depresionit gjatë fëmijërisë përfshijnë izolimin nga të tjerët, nervozizmin, të qarët e tepruar, vështirësi përqendrimi në shkollë, ndryshim oreksi, çrregullime gjumi (më shumë ose më pak). Fëmijët më të vegjël mund të humbasin interesin në lojë, ndërsa fëmijët më të rritur mund të ndërmarrin rreziqe që ata normalisht nuk do t’i merrnin”,- bën me dije OBSH, teksa thekson se depresioni është i parandalueshëm dhe i shërueshëm. Por, çfarë mund të bëni nëse mendoni se fëmija juaj mund të jetë me depresion? Organizata më e madhe e shëndetësisë rendit një sërë këshillash, në mënyrë që ai të parandalohet apo të kalohet lehtësisht nga fëmijët.


Këshillat
Bisedoni me ta në lidhje me gjërat që ndodhin në shtëpi, në shkollë dhe jashtë saj dhe mundohuni të gjeni nëse diçka po i mërzit.
Bisedoni me njerëzit që ju besoni se e njohin fëmijën tuaj.
Kërkoni këshillim nga ofruesit e kujdesit shëndetësor.
Mbroni fëmijën tuaj nga stresi i tepruar, keqtrajtimi dhe dhuna.
Kushtojini vëmendje të veçantë mirëqenies së fëmijës tuaj gjatë ndryshimeve të jetës, si fillimi i një shkolle të re ose puberteti
Inkurajoni fëmijën tuaj të bëjë gjumë të mjaftueshëm dhe ushqyerje të rregullt, të jetë aktiv fizikisht dhe të bëjë gjëra që i japin kënaqësi
Gjeni kohë për të kaluar me fëmijën tuaj.


ISHP: 1 në 3 të rinj shfaq shenja depresioni
Studimi i vetëm mbi të dhënat e depresionit tek të rinjtë është ai i vitit 2013, realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Ai u realizua te një kampion të rinjsh të shkollave të mesme, ndërkohë që pas përpunimit të të dhënave rezultoi se 1 në 3 prej tyre paraqisnin shenja të depresionit. Në studim u përfshinë të rinjtë e gjimnazeve të Tiranës, 14-18 vjeç, ndërkohë që rezultoi se rreziku është shumë më i lartë te femrat, sesa te meshkujt. Nga ana tjetër, studimi tregoi se të rinjtë kanë ende shumë vështirësi për të komunikuar me profesionistët për çështje të lidhura me depresionin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.