Kryesore

Rritet shpërblimi, policia jep 100 milionë lekë kush identifikon vrasësit e Artan Cukut

14:19 - 17.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kur kanë kaluar afro një javë nga vrasja e ish-zyrtarit të policisë, Artan Cuku, është rritur shpërblimi për këdo që ka informacion për vrasësit e tij.

Më herët, ishte vënë në dispozicion shuma prej 30 milionë lekësh, ndërsa sot kjo shumë ka shkuar në 100 milionë lekë për këdo që jep informacione që çojnë drejt zbardhjes së ekzekutimit të ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, ekzekutim ky i ndodhur më 8 prill.

Pak ditë më parë, policia publikoi një video nga një kamera sigurie, ku dukej vrasësi i veshur sportiv dhe me një kapele të bardhë.

Gjatë 24 orëve që pasuan publikimin e pamjeve filmike të personit të dyshuar, mësohet se policia ka marrë në sallën operative të paktën dy telefonata në orë për këtë rast.

Lajmi u bë me dije nga burime të Policisë së Tiranës, të cilat thanë se qytetarët kanë dhënë informacionet që kishin në lidhje me atentatin e rëndë ku humbi jetën ish-drejtori i Policisë së Vlorës, komisar Artan Cuku.

Mirëpo, policia ka bërë të ditur se deri më tani asnjë nuk ka rezultuar e vlefshme për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.

HETIMET

Policia e Tiranës i ka fokusuar hetimet  në disa pista  në lidhje me vrasjen e komisarit Artan Cuku.

Më kryesorja për policinë është pista e hakmarrjes, ndërsa në hetim është edhe versioni i vrasjes për shkak të detyrës së Artan Cukut si drejtor policie në Vlorë në 2012 dhe zv.drejtor policie në Tiranë.

Dosja ndodhet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila po drejton hetimet, por deri tani vlerësohet se provat e grumbulluara janë të pamjaftueshme për kapjen e autorëve të ngjarjes së rëndë, apo edhe për përcaktimin e shkakut të atentatit.

Deri para dy ditësh në polici janë shoqëruar e marrë në pyetje rreth 35 persona të dyshuar dhe shtetas me dijeni për ngjarjen. Ata janë lënë të lirë për shkak të mungesës së provave për implikimin e tyre në atentatin ndaj ish-zyrtarit të policisë, i cili u ekzekutua në katin e parë të pallatit ku banonte në Tiranë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.