KULTURË

“LIQENI I MJELLMAVE” Enada Hoxha: Një përgjigje për kritikat e ata që hodhën baltë

10:14 - 20.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Fatmira NIKOLLI
Rikonceptimi i baletit “Liqeni i mjellmave” në një ngjarje që ndodh në Amerikën e viteve 1940-1950 ka qenë për koreografen Enada Hoxha një kosto e madhe. Guximit të saj për një elemente ndryshe nga ç’jemi mësuar, ia zunë vendin kritikat. Kur tri netët e premierës kanë kaluar, bashkë me emocionet e tyre, duket se edhe debati është shuar. Enada vëren se ajo me Gertin kanë më shumë se 20 vite karrierë, nuk janë të rastësishëm. “Nuk mund të bëjmë një vepër pa menduar mirë, pa e prezantuar mirë. Jam në një stad që e di mirë se çfarë bëj. Do ta quaja gafë të madhe diçka të tillë (pa e menduar)”.
Thotë se është e hapur për kritikat, por gjen vend mes tyre edhe për dashakeqësi. “Një pjesë e ka pëlqyer, disa e kanë sharë, disa kanë ironizuar”. Debatet ngërthyen si rrallëherë një vepër të operës, ndërsa një javë më pas, Enada, në rolin e koreografes, jep një përgjigje për çdo nga pikëpyetjet, te takat, puantet e pantallonat, kërcitja e gishtave dhe shatërvani, kërcimet e ndryshme përshtatur muzikës së Çajkovskit.
“Unë shoh kritika të pabaza, skeptike”, thotë Hoxha, ndërsa rrëfen përvojën e saj me këtë balet. Premiera u vu në skenë në datat 14,15,16 prill.
– Enada, si ka qenë përvoja me “Liqenin e Mjellmave”, që nga çasti i parë që ke marrë në duar veprën?
Kjo vepër lëvron tek unë prej kohësh, nuk ishin vetëm tre muajt e fundit që kam punuar mbi të. Sigurisht pas ardhjes sime, në një pozicion tjetër nga primabalerinë tek drejtuese e trupës së baletit, sigurisht të lind për detyrë të bësh projekte dhe ti prezantosh te drejtoresha Zana Çela. E ndjeja si sfidë me veten, pas tri vitesh që nuk isha e pranishme në asnjë aktivitet të teatrit, mendova për të titull të rëndësishëm të repertorit të baletit dhe jo pa qëllim zgjodha “Liqenin e Mjellmave”. Kisha një pëlqim të madh sa i takon viteve 1940-1950 të SHBA-ve, një amerikanat alla Fred Aster. Mendova pse të mos e ndërthurja Liqenin me këtë stil, sepse Liqeni në botë është vënë në mënyra nga më të ndryshmet, nga më modernet tek modernet ekstreme, kemi parë Mjellma të luajtura nga meshkuj, në skena të errëta ku vetëm rrjedh ujë, e njerëz me pantallona e kanotiere kërcejnë mbi këtë ujë, e kuptohet që është Liqeni vetëm nga muzika. Sigurisht nuk jam partizane e formave ekstreme, doja të isha brenda kornizave. Duke njohur mirë publikun, e çfarë i pëlqen atij, që i pëlqen e bukura, i pëlqen luksi, të gjitha veprat që kam marrë përsipër të vë, gjithmonë kam synuar vepra që e kanë këtë bukuri, qoftë në muzikë, qoftë në libret, skenografi, kostume.
– Pas këtyre tri netëve, do rishihje diçka në këtë balet?
Fakti që më lumturon shumë, veç faktit që publiku e priti vërtet shumë mirë, më lumturon ideja që ajo që unë kisha imagjinuar, doli. Pasi e hodha në letër, ia tregova Gertit e në fillim më tha, ‘e ke menduar mirë?’, e kam menduar shumë mirë që të vijë në këtë formë i thashë. Ose me Ardin (Asllanin) kur folëm për kostumet, më tha e ke menduar mirë sepse jam i bindur që do nisin të flasin dhe i thashë ‘Ard, e shoh shfaqjen të realizuar para syve’. Një pjesë e ka pëlqyer, disa e kanë sharë, disa kanë ironizuar, e këto në një anë më kanë hyrë e në një anë tjetër më kanë dalë. Unë e Gerti kemi më shumë se 20 vite karrierë, nuk jemi të rastësishëm. Nuk mund të bëjmë një vepër pa e menduar mirë, pa e prezantuar mirë. Jam në një stad që e di mirë se çfarë bëj. Do ta quaja gafë të madhe diçka të tillë.
– Ka një moment që është parë si jo me vend në balet, është kërcitja e gishtave. Pse duhej kjo kërcitje?
Kjo vjen në forma të ndryshme, është komentuar se nuk u ka pëlqyer, disa se kanë xhelozi, disa se nuk e njohin. E para, jam një fanse e stilit amerikanat dhe e kam studiuar mirë. Kam marrë pjesët me prezantuese të atij stili dhe i kam vënë në dukej brenda kësaj muzike që është klasike, por që i mban këto lëvizje. Nuk shkonte me muzika me Charleston, ndaj zgjodhëm stilin më mondan të atyre viteve duke përdorur lëvizjet alla vals të atyre. Nuk e di pse i ka shqetësuar njerëzit kjo, jepte atmosferë. Megjithatë, njerëzit janë të lirë ta gjykojnë e të japin opinionet e tyre.
– Për t’u ndalur te kritikat, pse pantallona të gjera për meshkujt dhe sa vështirësi u krijon balerinëve kalimi nga një stil kërcimi në tjetrin, nga puantet në taka?
Absolutisht, s’ka asnjë problem për balerinët. Ata janë mësuar të kërcejnë dhe të kalojnë nga një stil në tjetrin. Kemi pasur fatin të punojmë me koreografë të ndryshëm, ndaj është e përgatitur për të kaluar stilet. Sigurisht, ky stil nuk është i thjeshtë për karakteret, sepse është shumë sharmant.
Ndërsa për pantallonat, në ato vite, është kërcyer me frak dhe me pantallona, më këmishë e jelekë. Unë kam ruajtur stilin në të gjithë përmasat. Po t’i kisha nxjerrë me geta e të luanin këtë, do ishin qesharakë, madje do isha dënuar keqas nëse do kisha bërë këtë kërcitje. Unë kam ruajtur klasiken te mjellmat, që m’u duk gjë shumë e bukur, sepse mund ta kisha bërë edhe zbathur, apo me kostum ekstravagant dhe më lejohet të bëj çfarë të dua për aq sa vjen bukur. Unë mendova t’i mbaj Mjellmat në figurën e tyre hyjnore. Vendosa që në kërcimin në sallon të ishin të veshur ashtu. Të mos harrojmë që këta njerëz që kanë hedhur baltë i respektoj edhe pse s’jam dakord, por t’i referohemi origjinalit, i shohim vallet që janë luajtur me këpucë, ndaj s’ka asgjë që unë kam përdorur këpucë, sikundër mund të përdorja puante, por përderisa veprën e kaloj nga një shekull në një vit tjetër, për mua s’ka problem.
– Enada, ka një publik që mban mend akoma rolin tuaj në Liqenin e Agron Aliajt. Kujtojnë një Enadë që luan një finale prekëse me mjellmën që vdes.
Mjellma nuk ka vdekur as në vitin 2004, ka një skenë që ajo largohet me princin e saj drejt një perëndimi dielli. Liqeni s’ka të bëjë me vdekjen e mjellmës, vdekja e mjellmës është një pjesë tri minuta, që është kompozuar nga një kompozitor tjetër, jo nga Çajkovski. Është një minikërcim i vogël, perlë, që nuk i përket Liqenit, pasi Liqeni ka një histori më vete. Që nga origjinali më 1800, është shkruar me fund të lumtur, edhe me të hidhur që vdesin të dy dhe është në zgjedhjen e koreografëve, mua më pëlqen fundi i lumtur, sepse kështu e pashë të arsyeshme, sepse këtë mbyllje dua, kemi nevojë më shumë për dashuri se për gjëra të hidhura.
– Ky debat ka kthyer vëmendjen te Teatri i Operës dhe te baleti “Liqeni i Mjellmave”, për më tej a ka të drejtë secili ta shohë sipas këndvështrimit të vet, qoftë edhe ata që kanë qenë pjesë e Operës dikur?
Fakti që flitet mendoj se vëmendja ka qenë maksimale, por që unë mendoj se duhet të jemi pozitivë në kritikat që bëjmë, sepse unë shoh kritika të pabaza, skeptike, që si mundet Çajkovskit t’i vihen lëvizje ndryshe. Po pse more njerëz, kur shihni nga bota që bën këtë vepër me ekstreme nuk ju bën përshtypje dhe kur e bëjmë ne po. Duhet dashamirësi se këta njerëz kanë punuar. Kjo nuk u pëlqye nga pesë veta dhe u pëlqye nga një mijë. Unë do e quaja dështim nëse do kish ikur gjithë publiku.
– Kjo, nuk ndodh tek ne.
Jo, nuk ndodh. Por unë kam dëgjuar e marrë komente, sepse nuk kam qenë e fshehur nga turpi. I kam parë e dëgjuar të gjitha. Jam pro kritikës, por me doza dashamirësie. Më thonë pse ke vënë shatërvan, po pse të mos e vija? Në Amerikë ndodhet një shatërvan në mes të një parku, çfarë ka absurde që një shatërvan të ketë mjellma? Kjo për mua është gjetje.
– Do rivihet Liqeni?
Nuk ka datë të caktuar, sepse Teatri ka kalendar. Do fillojmë turet brenda e jashtë vendit në data që do i përcaktojë Zana Çela, të cilën e falënderoj, sepse duke menduar se nuk kemi teatër, ajo po gjen vendet më dinjitoze për shfaqjet. Më takon të jem mirënjohëse për këtë zonjë që bëri të mundur këtë vepër në këto kushte, duke filluar nga Zahaj për skenografinë, Ardi Asllani kostumografinë, mjeshtrit e ndriçimit e dhe të gjithë balerinët e TKOB, pa të cilët vepra do të ishte e pamundur.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.