OPINION

Moikom Zeqo: Republikë e Re? Lulzim Basha, njeri i establishmentit të vjetër

15:22 - 20.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 Moikom ZEQO

Shqipëria a ka krizë politike? Pa dyshim që ka krizë politike.

Kriza politike është e përhershme dhe e vijueshme. Kriza politike nuk është asnjëherë paradoks. Kriza politike është gati-gati një normalitet. Ç’do të thotë krizë politike? Debat, mosmarrëveshje, luftë politike midis partive, pra një gjendje intensive e ideve, “luftës së fjalëve” etj. A është kusht kriza politike për të arritur në ndryshime të skajshme, siç është psh., kërkimi i qeverisë teknike? Jo, nuk është kusht. Kriza politike nuk do të thotë se ka një krizë konstitucionale. Kriza politike nuk do të thotë prishje të numrave kushtetues për ndryshime apo rrëzime qeverish legjitime. Derisa numrat kushtetues janë ende në fuqi, relativizmi i tyre me anë të thirrjeve patetike nuk ka vlerë, sepse të dëshirosh një gjë nuk do të thotë ta ndryshosh atë. Këto janë një ABC e thjeshtë e politikës, janë disa të vërteta që mund të quhen Abetarja e Politikës. Tjetër është kriza konstitucionale, e cila kërkon një zgjidhje të një lloji adekuat.

Kriza politike nuk ka kufij kohorë. Çdo parti që humb zgjedhjet ka të drejtë të kërkojë rrëzimin e partisë që fiton zgjedhjet. Por, kjo luftë bëhet në rrafshin mendor, pra është një luftë ligjërimore, ku përjashtohen veprimet mekanike të dhunës apo shkeljet e mandateve kushtetues. Kriza politike mund të amplifikohet ose të qetësohet sipas interesave të partive kundërshtare.

Në rastin konkret ne jemi dëshmitarë të një lufte politike, e cila nuk paraqet diçka origjinale. Protesta e opozitës, më saktësisht e PD-së në çadrën në bulevard, siç e kam quajtur dhe në një shkrim të mëhershëm është një sindromë e imitimit. Të njëjtën gjë ka bërë Berisha kundër qeverisë “Nano”. Bëri protesta të vijueshme sipas një kalendari ditor në sheshin “Skënderbej”, por nuk arriti asgjë. Diçka tautologjike bëri dhe Rama kundër qeverisë “Berisha”. Madje, protesta shumë më të forta. Rama bëri një bojkot prej 9 muajsh të Kuvendit. Bëri edhe grevën e urisë në vendin ku është tani çadra e PD-së. Pothuaj nuk arriti asgjë. U desh darka në restorant “Krokodili” si një alibi për të dalë nga një çark i vetvetes dhe për të bërë ndryshimin e dëshiruar vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të përgjithshme politike. Basha gjithashtu imiton edhe Berishën e dikurshëm, por edhe Ramën e dikurshëm. U bë një kohë relativisht e gjatë që fjalori politik i ditës është pasuruar me togfjalëshin “çadra e lirisë”. Metafora e çadrës nuk e di pse më kujton diçka nga kultura e nomadëve në shkretëtirë. Nuk është çadra që i fuqizon idetë. Idetë kontestuese mund të bëhen edhe në çadër, edhe në ndonjë shesh të ndonjë qyteti tjetër, edhe në shtypin e printuar, edhe në rrjetet sociale dixhitale. Domethënë kudo. Fuqia e ideve nuk varet nga ngujimi në një pikë të caktuar hapësinore, por nga semantika e tyre e së vërtetës.

Të ngresh një çadër për ta sakralizuar si vendin e një harakiri politik nuk më duket një ide qytetëruese. Por ajo që më shqetëson është pse opozita e bën këtë gjë? Le të marrim postulatin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Të gjithë shqiptarët e dëshirojnë këtë gjë. Në radhë të parë, e dëshirojnë votuesit e elektorateve të majta e të djathta apo të qendrës, me parti ose pa parti. Pra, është një çështje substanciale e qytetarëve në përgjithësi se sa e partive. Ka qenë pikërisht në historinë e këtyre 26 viteve, PD-ja që ka manipuluar rëndshëm dhe në mënyrë skandaloze institucionin e zgjedhjeve të lira. Askush në mënyrë aprioristike nuk mund të thotë se një qeveri teknike garanton Urbi et Orbi zgjedhjet më të lira dhe të ndershme. Dhe në vendet e qytetëruara me demokraci shembullore, siç është Amerika flitet për standarde të përgjithshme të zgjedhjeve të lira, ndërkohë që zërat për manipulimin elektronik, të deformimeve numerike të hakerave kibernetike, madje edhe të huaj siç thuhet, rusë etj., janë shumë të pranishme në zgjedhjet e përgjithshme politike amerikane të vitit 2017. Nuk besoj që Shqipëria të kërkojë një rekord për të tejkaluar dhe Amerikën në këtë pikë. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë një kauzë e të gjitha partive, por para së gjithash janë kauza e qytetarëve. Po nënvizoj këtu, tejet të rëndësishme dhe të patjetërsueshme. Ligji kushtetues për zgjedhjet e lira, të përgjithshme politike është një ligj detyrues, nuk është një ligj fakultativ. Ky është një ligj detyrues për shtetasit. Pra, një ligj kryesor për qytetarët. Për qytetarët me parti, pa parti, me bindje religjioze ose jo, me mentalitete nga më të ndryshmet, me formime kulturore të pastandardizuara, të niveleve të ndryshme etj. Ky nuk është një ligj për partitë. Po të ishte një ligj vetëm për partitë, atëherë ky do të ishte funksional vetëm për partitë dhe anëtarësitë e tyre. Ky ligj nuk i vë partitë mbi votuesit, por bën pikërisht të kundërtën: i vë votuesit mbi partitë. Pra, të drejtën e ndryshimit të peizazhit politik, të raporteve politike nuk e kanë politikanët, por e kanë votuesit, të cilët nuk janë politikanë. Ata delegojnë fuqinë e sovranitetit të popullit sipas shprehjes lapidare të filozofit francez Ruso tek përfaqësuesit e zgjedhur, të cilët në këtë rast kanë karakter simbolik, kanë mandate të përkohshme dhe nuk mund të jenë të përjetshëm. Në të gjitha debatet e bëra në media, por edhe nga kryetarët e partive nuk e diskutojnë çështjen në këtë pikë inkandeshente. Kjo të bën të dyshosh dhe të bën gjithashtu të mendosh me skepticizëm për nivelin e ulët të kulturës kushtetuese të politikanëve tanë. Le të marrim tezën tjetër akoma më të bujshme dhe retorike, atë të krijimit të “Republikës së Re”. Në mënyrë mesianike Basha tha se nuk e mbante më sekret, por e shpërndante si një të vërtetë mesianike faktin se ai ishte caktuar ndoshta nga Providenca për t’i udhëhequr shqiptarët (vini re, në këtë apelacion ai nuk thotë thjesht PD-në, por tërë partitë dhe qytetarët) drejt ndryshimit epokal të shndërrimit të ‘Republikës së Vjetër’ në një ‘Republikë të Re’. Kjo të kujton për analogji krahasimtare vargjet biblike të Zbulesës, domethënë të Apokalipsit, ku flitet për shkatërrimin e Tokës së Vjetër dhe Qiellit të Vjetër dhe bërjes së Tokës së Re dhe Qiellit të Ri, gati sa nuk shtohet dhe togfjalëshi i nëmur dhe i kritikuar kaq shumë i Njeriut të Ri. Sepse ‘Republikën e Re’ do ta përfaqësojnë qytetarë shqiptarë me vetëdije të ndryshme nga ata që kanë jetuar dhe kanë përjetuar ‘Republikën e Vjetër’. Rrallëherë mund të ndeshësh një konfuzion kaq të madh të nocionit të gjërave si në rastin e kërkesës utopike të ‘Republikës së Re’. Është tjetër gjë kritika për establishmentin aktual të politikës. Kjo kritikë është diçka reale. Madje dhe imediate. Por, Basha i takon establishmentit të vjetër të politikës. Është e vështirë që ai të lozë një rol të tjetërsuar, të shpërthejë dhe të dalë përtej rrethanave zotëruese. Duke e parë me një sy gjakftohtë, madje shumë të qetë, por jo indiferent, atë që po bën opozita shqiptare sot, të bien në sy disa gjëra gjithashtu tejet kontradiktore.

Së pari, opozita është subjekt kushtetues legjitim dhe përbën institucion të dytë dhe paralel me qeverisjen e vendit. PD-ja ka qenë parti qeverisëse. Duke qenë sot në opozitë, ajo nuk e mohon dot historinë e saj të mëparshme. Të gjithë do dëshironin, unë e kam shprehur shumë herë këtë gjë, që Shqipëria të kishte një opozitë të vërtetë dhe të fortë. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë të institucionalizohej një opozitë serioze. Më duket e pamend, e pakuptimtë që është vetë opozita që deklasifikon, brishtëzon dhe formalizon nocionin kushtetues të opozitës. Pra, opozita në vend që të forcojë vetveten, hyn në një lojë kundër vetvetes. Kjo është shumë e çuditshme.

Së dyti, lufta e opozitës kundër Ramës dhe koalicionit qeverisës ka karakter legal. Pra, është publike. Ç’do të thotë publike? Do të thotë që në kryeinstitucionin më publik, që është Kuvendi i Shqipërisë, ajo ka të drejtën absolute të zërit, të kundërshtimit dhe të nismave të saj juridike dhe politike njëkohësisht. Të shmangesh nga tribuna e Kuvendit për t’u shprehur në një çadër në bulevard nuk më duket se ndryshon ndonjë gjë të madhe në karakterin publik të ideve të opozitës. Të ngujohesh në çadër si formë e një bojkoti ndaj Kuvendit është një marrëzi e paparë. E tillë qe edhe për bojkotin e stërzgjatur të PS-së gjatë kohës që ishte në opozitë.

Së treti, opozita në diskursin politik i ruan dhe duhet t’i ruajë të tëra parametrat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Është hera e parë që gjatë këtyre 26 viteve të tranzicionit shqiptar, që opozita luftën kundër qeverisjes (subjektivitetit kombëtar politik) ta intensifikojë si luftë kundër ndërkombëtarëve. Diçka të ngjashme dhe të marrëzishme ka bërë edhe Berisha në vitet ‘96-‘97. Por asnjëherë nuk është artikuluar si në rastin e tanishëm që Basha – dhe kjo gjë më habit me të vërtetë, – qëndrimin e ndërkombëtarëve kundër bojkotit politik dhe për pjesëmarrjen normale në zgjedhjet e përgjithshme politike ta quajë gati si një komplot mafioz ndërkombëtar, gati si një veprimtari masonike të një reaksioni botëror kundër opozitës shqiptare.

Ky ndërkombëtarizim i kriticizmit patetik të opozitës është jo vetëm i tepruar, por krijon kushtet për një izolim dhe destruktim të tmerrshëm të vetë opozitës.

Ç’do të ndodhë?

Ne dëgjuam çfarë tha ministri i Jashtëm gjerman apo dhe ministri i Holandës.

Ndërkombëtarët janë për pjesëmarrjen e PD-së në zgjedhjet e përgjithshme politike. PD e tejkaloi kufirin kohor të regjistrimit. Deklarata për të mos marrë pjesë deri në fund në këto zgjedhje përveç heroicitetit të rremë dhe të bujshëm, nuk të çon asgjëkund. Le të arsyetojmë para rrafshin formal. PD-ja me të vërtetë nuk merr pjesë në zgjedhjet e përgjithshme politike. Kjo do krijojë një problem etik, që në rastin konkret është edhe problem politik. Mund të prishen zgjedhjet (gjë që nuk e besoj). Por edhe partia tjetër ka të drejtë të bëjë të njëjtën gjë, por në pikëpamjen formale. Në një raund tjetër, ajo mund të deklarojë që nuk merr pjesë në zgjedhjet e përgjithshme politike. Atëherë çdo gjë shndërrohet në historinë bizare të kungulleshkave. Të gjitha këto ide që përmenda më sipër janë alibike dhe të kujtojnë kukullën ruse të matrioshkave, të imazheve që dalin nga njëri-tjetri, por në thelb janë e njëjta gjë. A do të ketë një zgjidhje reale të këtij problemi? Gjithmonë ka pasur zgjidhje reale të problemeve, qoftë edhe me një vonesë relative kohore. Lufta kundër ndërkombëtarëve, më saktë kundër partnerëve ndërkombëtarë, nuk ka kuptim. Nëse ne kërkojmë integrimin juridik edhe në BE si mundet të luftojmë me përfaqësuesit e BE-së duke fantzmagorizuar si anëtarë të një komploti të rrezikshëm kundër opozitës apo kundër edhe vetë Shqipërisë? Gjatë këtyre viteve të tranzicionit ne kemi pasur vite të ngërçeve të mëdha. Të mos harrojmë në 1997. Të mos harrojmë edhe vitin 1998. Por ja që pati zgjidhje edhe për këto katrahura të mëdha. Kështu do të ketë zgjidhje edhe për katrahurën e sotme.

Po kujtoj një varg në latinisht të Virgjilit:

“Hic locus est, partis urbi se via findit in ambas”!

Që në shqip do të thotë:

“Këtu është vendi ku rrugët shpien në dy drejtime”!

Mbas kaq shekujsh, ky varg virgjilian ka një kuptueshmëri aktuale dhe për ne shqiptarët.

Ka vetëm dy drejtime për ne: ose do të bëhemi një vend me qytetërim politik dhe i integruar me Europën dhe botën, i emancipuar dhe zhvilluar, ose do të mbetemi një vend me botëkuptim provincial, agresiv, retrograd, primitiv dhe kanunor. Shpresoj se populli shqiptar është shumë i qartë se çfarë rruge do të zgjedhë. Nuk kam dyshim se populli shqiptar është më i iluminuar, më i qartë sesa vetë partitë politike të Shqipërisë. Në të vërtetë, situata e Shqipërisë është problematike. Kjo gjë nuk klasifikohet thjesht nga sarkazma luçiferrike e opozitës, por as nga ligjërimi politik solipcist i Ramës se PS, i trimfalizmit dhe i  mbiarritjeve të mëdha. Basha e konsideron Ramën një “peshk blasfemik”. As më pak as më shumë. E fshehta hipnotizuese e ligjërimit të Bashës të kujton deri diku një jakobinizëm të djathtë ose edhe një lloj kaligulizmi politik (dikur perandori romak Kaligula u shpreh se do të donte që bota të kishte vetëm një kokë dhe ai ta priste atë).

Domethënë tërë aksioni politik i Bashës është kundër një njeriu: të zhduket nga skena politike Rama, por kjo është e pamundur. Rama është kryetari i një partie dhe varet vetëm nga vullneti i votuesve për të qenë ose jo në politikë. Nuk mund të bëhet politika reale nën dritën bengaleze të metaforave dhe të fjalimeve të Çadrës. Përveç zgjedhjeve të përgjithshme politike, kemi edhe një ngjarje fare pranë: atë të zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Ndryshimet deformuese të Kushtetutës së vitit 2008 i ka përcaktuar Institucionit të Presidentit një rol formal, por simbolika e kreut të shtetit që ai përfaqëson nuk mund të zhbëhet kollaj. Do të ishte mirë që të kishim një risi në institucionin e Presidentit. Është artikuluar ideja se presidenti mund të jetë edhe femër. Nuk ka asgjë të keqe në këtë pikë. Por enigmën do ta zgjidhë votimi i ardhshëm për presidentin në Kuvend.

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. z. Zeqo me pelqen shkrimi juaj, por do ju korrigjoja ne nje pike shum te rendesisshme: kete periudhe kriza Shqiperia ka 27 vjet qe nuk e ka pare. Drogra, krimi, korrupsioni, oligarkia, shkaterrimi jane aq evidente saqe populli nuk mund te duroje me dhe kerkon qeveri teknike, ku te garantohen zgjedhje te lira dhe kjo qeveri mos te nderhyje ne te drejten kushtetuese, vota eshte e lire!

    Përgjigju ↓
  2. z. Zeqo e kuptoj dhe dakortesohem deri ne nje vend me shkrimin tuaj, por kundershtoj ne nje pike teper te rendesisshme: keto 4 vjet qeverisje populli ka 27 vjet qe nuk i ka perjetuar. Droga, krimi, oligarkia, korrupsioni dhe shkaterrimi qe na solli kjo qeveri luftohet vetem me “cadren e lirise” dhe me formimin e qeverise

    Përgjigju ↓