Speciale

Vendimi i qeverisë/ Si ndahen 109 milionë lekë për komunitetet fetare

08:21 - 20.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play





Një vendim qeverie i së mërkurës ka përcaktuar masën e financimit nga buxheti i vitit 2017 për bashkësitë fetare tradicionale. Me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave vendosi të ndajë mes komuniteteve shumën prej 109 milionë lekësh. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 31 milionë e 416 mijë lekë të ndarë në 11 milionë e 748 mijë lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 89 punonjës të administratës dhe 19 milionë e 668 mijë lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 149 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 25 milionë e 872 mijë lekë, të ndarë në: 20 milionë e 592 mijë lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 156 punonjës të administratës dhe 5 milionë 280 mijë lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar. Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 25 milionë e 872 mijë lekë, të ndarë në 5 milionë e 676 mijë lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 43 punonjës të administratës dhe 20 milionë e 196 000 mijë lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 153 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 25 milionë 840 mijë lekë, të ndara në 3 milionë e 696 mijë lekë, për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 28 punonjës të administratës; 15 milionë e 144 mijë lekë për ndërtimin e tri teqeve, përkatësisht: 10 milionë e 144 mijë lekë, për ndërtimin e Teqesë së Elbasanit, 3 milionë për Teqenë e Shtufit në Gjirokastër dhe 2 milionë për Teqenë e  Martaneshit.

Një shumë prej 7 milionësh i jepen Kryegjyshatës për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoren për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesë-preventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2017, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur për kryerjen e veprimtarive të parashtruara. Kalimi i fondit bëhet brenda muajit prill.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.