KULTURË

Një zbulim i rrallë për afreskun 600-vjeçar të Zojës së Shkodrës

09:44 - 21.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Kur një ushtri e madhe e sulltanit po mësynte qytetin, e bartur nga dy engjëj, mbështjellë prej një reje, ajo u shkëput nga kisha rrëzë kalasë dhe kaloi detin bashkë me dy dëshmitarë që shihnin nga qielli. U ndal pranë Romës. Me mbërritjen e saj, u shënuan mrekulli, aq sa dokumentimi i tyre nisi të bëhej me noter.
Pas ikjes së saj, kohë të errëta mbërritën dhe banorët mjerimin që i pushtoi pas shpërnguljes së ‘Nanës së Tenzot’, do e përjetësonin në vargje, “qysh at ditë që na u largove, t’tana t’zezat na kan ra”.
25 prill 1467, Shkodër. Kisha bri lumit. 550 vite më parë, afresku i Zojës së Shkodrës u shpërngul nga qyteti që po binte në pushtim dhe u vendos në Genacano pranë Romës, në një kishë të etërve agostinianë.
Në 550 vite, legjendat për të, mrekullitë e saj e kanë rrethuar Figurën e Zojës me një vel mistik dhe i kanë shtuar asaj më shumë misterin. Në shekuj, besimtarë të shumtë kanë bërë pelegrinazhe. Megjithatë, gjithçka nisi një ditë prilli të vitit 1467, në kishën rrëzë kodrës, ku ngrihet ende sot shtatlartë, Rozafa. Mbi atë imazh që iku në kohë rrebeshi, në shekuj me radhë janë krijuar riprodhime.
“Zoja e Shkodrës mban ëmbëlsisht në krahun e saj të majtë mbështjellë nga një atmosferë me kujtime intime, ku portretet e punuara me delikatesë, prekin lehtësisht njëri-tjetrin. Fytyra e Shën Mërisë është kthyer nga fëmija i saj ndërsa shikimi ulet poshtë. Vështrimi i kaltër i Jezusit fëmijë është depërtues, ndërsa mbështet njërën dorë në gjoksin e Zojës dhe me tjetrën mbështjell butësisht qafën e saj”- dy vite më parë, specialistja e trashëgimisë dhe restauratorja Edlira Çaushi e përshkruante në këtë mënyrë pikturën e shek.XIX “Zoja e shkodrës”, realizuar si imitim i afreskut të shpërngulur më 1400-ën.
Ndërsa Këshilli i katërt i peshkopëve shqiptarë, i mbajtur në vitin 1895, e shpalli Zojën e Shkodrës “Pajtore të Shqipërisë””, këtë vit 550-vjetori i shpërnguljes së saj sjell disa risi. Risia e parë ka të bëjë me afreskun i cili të shtunën, më 22 prill do të zbulohet në pamjen e tij të plotë. Pas më shumë se gjysmë mijëvjeçari, studimet që i janë bërë në Romë kanë treguar se Figura ose Fugurja e Zojës (në të folmen e Shkodrës) është më e madhe se ç’dihej në përmasa. Imazhi i plotë i afreskut do të zbulohet nga studiuesit gjatë konferencës shkencore ndërkombëtare.
Dom Artur Jaku, famullitar i katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, në vijim të shembullit të kremtimeve 100 vite më parë të 450-vjetorit të shpërnguljes së Zojës, flet në “GSH” për një sërë aktivitetesh që kujtojnë prillin e 1467-ës.
-550 vite pas ikjes së Zojës, çfarë na thotë historia e saj?
Historia e afreskut të Zojës së Këshillit të Mirë, është një histori mes legjendës së mrekullisë dhe historisë së përshpirtërisë. Jubileu i 550-vjetorit të shpërnguljes së Zojës së Këshillit të Mirë është një histori sa fatkeqe aq edhe frymëzuese, sa e ngjashme me historinë kombëtare aq edhe e veçantë, sa është legjendë aq është edhe historike.
Gjithçka fillon në 25 prill 1467, kur vepra (një fragment afresku i prerë dhe i hequr) u zhvendos nga një mur i kishës së vjetër agostiniane Shën Maria në Shkodër dhe u vendos në Genazzano, pranë Romës.
-Përtej legjendës, kjo ikje, përkon me kohën e pushtimit dhe ikjen e shumë shqiptarëve?
Duke u mbështetur në legjendën që është përçuar dhe sipas një tradite të shenjtë, ajo u largua nga kisha që e strehonte, duke shpëtuar kështu për mrekulli nga pushtimi turk i vitit 1467. E, me këtë rast lind nevoja të përcaktohet diçka lidhur me historinë dhe traditën. Në fakt, në vitin 1467, fillon pushtimi i “vendit të shqiponjave”, Shqipërisë, nga fuqitë osmane. Kjo përkon me vdekjen e atletit të Krishtit, siç është quajtur kampioni i mrekullueshëm i Krishterimit të kohës së tij, Gjergj Kastrioti – Skanderbeg. Sa ishte gjallë ai, Shqipëria rezistoi. Me vdekjen e tij, erdhi nënshtrimi përfundimtar. Të krishterët ikën gjithnjë e më në veri, për t’i bërë ballë pushtimit osman, kështu piktura u shkëput për mrekulli nga muri dhe e mbajtur nga engjëjt u largua nga ndërtesa dhe mori fluturimin drejt perëndimit, mbi detin Adriatik, për në Itali. Në këtë largim e ndoqën dy shtegtarë shqiptarë, Gjergji dhe De Sclavisi.
-Kur u njoh mbërritja e Zojës nga Vatikani?
Pelegrinazhet në Genazzano u bënë aq të shumtë, saqë Papa Pali II dërgoi atje dy ipeshkvij që të merrnin një informacion mbi situatën, siç rezulton nga një biografi e shkruar në vitin 1478 pranë Arkivit të Vatikanit. Nuk rezultuan parregullsi, e kjo shpjegoi edhe përkrahjen që papët filluan t’i japin këtij santuari përgjatë shekujve. Varri, me eshtrat e Petrucies, e nderuar tashmë përgjithnjë si shenjte, është në të hyrë të kishës. Në vitin e “ardhjes” së Zojës, siç e përshkruajnë gjenacanasit faktin, u redaktua nga një noter “kodi i mrekullive”, që përshkruan 161 mrekulli të ndodhura në kapele në periudhën 25 prill deri më 14 gusht të vitit 1467.
Për shkak të simbolikës që përcolli ky imazh, pati një jehonë të madhe dhe gjatë shekujve të mëvonshëm nga artistë të ndryshëm u krijuan shumë riprodhime të Figurës së Zonjës kryesisht në Itali dhe vendet e tjera europiane, por edhe në Shqipëri. Në shekullin XVII, në familjen e paraardhësve të Pashko Vasës thuhet se ka pasur një riprodhim të Zojës së Shkodrës. Kolë Idromeno i kushtoi një tablo me titull “Të ikunit e Zojës së Shkodrës në Gjenacan”, ndërsa një vepër tjetër për Zojën e Shkodrës i është kushtuar në Itali dhe nga piktori shkodran me origjinë nga Dukagjini, Ndoc Martini, të titulluar “T’ikunit e Figurës s’Zojës s’Shkodrës”.
-Çfarë pritet të dalë në dritë nga konferenca shkencore ndërkombëtare?
Konferenca shkencore ndërkombëtare “Zoja e Shkodrës dritë e Shqipërisë” që do të mbahet më datë 22 prill 2017 do të hedhë dritë mbi të vërtetat historike, mbi raportin e gojëdhënës dhe mrekullisë së një përshpirtërie kardiake që është ruajtur në popull me një fanatizëm të zjarrtë.
Historia e Zojës së Këshillit të Mirë apo Zojës së Shkodrës do të hulumtohet nga studiues të fushave të ndryshme mbi aspekte të veçanta, duke analizuar kontekstin historik, bashkësitë e krishtera që vepronin, mbi dokumentet arkivore që ekzistojnë, por gjithashtu pjesë e konferencës do të jetë edhe teknika e punimit të afreskut dhe zbulimet e fundit mbi këtë.
-Kur prezantohet tabloja e restauruar?
Në kuadër të festimeve, të kremtimeve në këtë përvjetor historik, në vigjilje të festës së të Kremtës së Zojës së Këshillit të Mirë, më datë 25 prill do të bëhet prezantimi i tablosë së “Zoja e Shkodrës” me autor anonim, e cila është restauruar së fundmi në Palazzo Spinelli, Firenze, prill 2017, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Historia e kësaj pikture që i mbijetoi sistemit komunist duke mbartur mbi trup të gjitha plagët e kohës, shërbeu si sfond edhe në meshën e mbajtur në Kishën Katedrale nga Papa Gjon Pali II kur vizitoi Shqipërinë e sapodalë nga komunizmi. Rëndësia e kësaj pikture përtej vlerave artistike, është simbol i përshpirtërisë, i dashurisë amnore, i pranisë së Zojës në jetën e popullit.
-Kush është i dërguari i Papës për këtë kremtim?
Papa Françesku ka emëruar të Dërguarin e tij të Veçantë në Shenjtëroren Kombëtare të Shkodrës për 550-vjetorin e ardhjes së Zojës së Shkodrës në Genazzano (26 prill). Ati i Shenjtë Françesku ka emëruar Hirësinë e Tij Kardinalin Franc Rodé, C.M., Prefekt nderi i Kongregatës së Vatikanit për Institutet e Jetës së Përkushtuar e Shoqëritë e Jetës Apostolike, të Dërguar të Tij të Veçantë për kremtimin që të mbahet më 26 prill 2016 pranë Shenjtërores së Shkodrës, me rastin e 550-vjetorit të ardhjes së “Zojës së Shkodrës” në kishën e Genazzano-s, afër Romës, kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.