Show-Bizz

Rrëfehet ish-peshëngritësja Fetie Kasaj, marrëdhënia me djalin dhe divorci: Periudha më e vështirë…

10:58 - 21.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Janë bërë plot 20 vjet që nga koha kur nisi sportin për herë të parë, dy dekada që për të kanë regjistruar shumë medalje; ari, bronzi e argjendi.

Por nuk ishin ata që e lumturonin më shumë ish-peshëngritësen Fetie Kasaj. Më shumë se aq, ishte valëvitja e flamurit, duartrokitjet e publikut dhe emri “Albania” që dëgjohej gjithandej, kur ajo nderohej në podium. “Po vdes nga dëshira për t’u rikthyer…” – thotë kampionia pas disa viteve kur e ka lënë sportin.

Sot, është shefe policie, por do të bënte gjithçka për t’u rikthyer. I ndjek gjithmonë kolegët e saj në çdo garë ndërkombëtare dhe e di se si ndihen e çfarë përjetojnë ata nga ato podiume, i njeh mirë dridhjet dhe emocionet e tyre, jeton pothuaj të njëjtat; ha thonjtë sa herë ata luftojnë për një medalje më shumë… Por e di që është një kohë e shkuar tashmë.

Medaljeve të renditura në dollap, tanimë i gëzohet djali i saj Rohan, i cili, ndoshta ende nuk e kupton se sa vlerë kanë, por ka dëshirë t’ua tregojë ato shokëve në shkollë..

Në një fazë të re të jetës, ish-kampionia e peshëngritjes Fetie Kasaj, ka rrëfyer më shumë për jetën jashtë sportit në studion e “Pasdite në Top Channel”, si dhe për divorcin me bashkëshortin, një prej periudhave më të këqija të jetës, sidomos për Rohanin, të birin:

“Ka qenë një periudhë e vështirë për mua dhe Rohanin, por jam munduar që t’ia shpjegoj tim biri se i ati e do shumë. I them se babi është larg, por të do shumë dhe do vijë… Këtë gjë bëjnë edhe prindërit e mi. Është një pjesë që ai do ta kuptojë vetë kur të rritet…”  – tregon Fetia, duke shtuar se gjithmonë ka dashur që në sytë e të birit, nëse jo fizikisht, i ati të jetë i pranishëm me forma të tjera:

“Unë mundohem t’i rri larg dhe im bir nuk ka asnjë kontakt me të…Por sa herë ka ditëlindje e festa, i dërgoj dhurata dhe i them këto i ke nga babi, në mënyrë që ai të mos e ndiejë mungesën…”

Jeta si nënë e vetme, siç mund të kuptohet, nuk ka qenë e thjeshtë për Fetien, por edhe gjatë këtyre viteve të vështira, i biri i ka falur një lumturi të jashtëzakonshme: “Rohan ka shumë dëshirë të mbajë një medalje që kam marrë si kampione bote në Kore. Atë e ka fiksim, sepse ajo ka një dragua. Aty është edhe fotografia ime. E ka fiksim ta marrë edhe në shkollë. Ndoshta e di që është e rëndësishme. Nuk i ka shumë qejf medaljet e tjera të arit, që janë edhe më të mëdha, por vetëm atë…” – tregon Fetia për dëshirën e madhe të të birit që medaljet e së ëmës t’ua tregojë edhe shokëve në shkollë.

Nëse Rohan, një ditë do të jetë peshëngritës, Fetia nuk do ta impononte, përkundrazi, por sot mendon se ai nuk e ka fizikun e një shtangisti. Ai ka dëshirë të bëhet doktor, basketbollist ose futbollist. Me sportin, me siguri, do të jetë gjithmonë i lidhur. Të paktën, aq sa mamit t’i nxjerrë mallin e pothuaj dy dekadave me medalje. /RevistaClass/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.