AKTUALITET

Rrëmbimi i Ridvan Lamajt, 39 vite burg autorëve. Familja: Drejtësia na preu në besë

11:45 - 21.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Xhensila KODRA

 

Gjykata e Krimeve të Rënda dha dje vendimin për dy personat e akuzuar për rrëmbimin e Ridvan Lamajt në qytetin e Sarandës, ngjarje kjo e ndodhur në qershorin e 2015-ës. Togat e zeza shpallën fajtorë shtetasit Vitor Islamin dhe Adrian Ogiçin, duke i dënuar me 39 vite burg. I vetmi që ndodhet pas hekurave është 30-vjeçari Islami. Në çdo seancë gjyqësore, i riu ka pohuar se është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen për të cilën prokuroria e akuzon. Ndërkaq, një muaj më parë, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Islami pohoi se po mbahet padrejtësisht në burg. Ridvan Lamaj, baba i dy fëmijëve, i cili ishte emigrant në Greqi u rrëmbye në 17 qershor të 2015-ës në qytetin e Sarandës dhe që prej asaj ditë familjarët e tij nuk kanë asnjë informacion për të. Për këtë ngjarje më herët organi i akuzës tha se dyshimet lidheshin me prishjen e pazareve të drogës, fakt ky që u hodh poshtë nga i pandehuri Islami, i cili u vetëdorëzua pak kohë pas ngjarjes në Policinë e Tiranës.

Seanca

Vitor Islami u dënua me 19 vite burgim për akuzën e rrëmbimit në dëm të 37-vjeçarit nga Saranda, Ridvan Lamajt. Ndërsa, i dyshuari si bashkëpunëtor i tij, Adrian Ogiçi u dënua me 20 vite burg. Masa në ngarkim të këtij të fundit u dha në mungesë, pasi Ogiçi vijon të jetë në kërkim nga policia. Më herët, babai i Adrianit tha për “GSH” se i biri ndodhet në Holandë dhe se biletën e kishte prerë pak ditë para se të flitej për rrëmbimin e Lamajt. Me anë të avokatit të tij, Adrian Ogiçi nuk ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij dhe se sipas mbrojtjes, nëse prokuroria do të kishte prova të forta, të mos e dënonte klientin e tij për rrëmbim personi, por për vrasje.

Reagimi

Pas shpalljes fajtor të dy personave të dyshuar se kanë lidhje me rrëmbimin e 37-vjeçarit Lamaj, familjarët e këtij të fundit thanë për gazetën se besimi që ata kishin tek drejtësia shqiptare iu thye. “Ne kishim besim tek drejtësia jonë. E kemi thënë edhe më parë, nuk kërkojmë dënimin e autorëve, por duam që ata të na tregojnë se ku ndodhen eshtrat e djalit tonë, Ridvanit. Kemi dy vite që nuk dimë asnjë gjë për të. Ne do vazhdojmë të kërkojmë për eshtrat e djalit derisa t’i gjejmë. Nuk kërkonim që drejtësia t’i dënonte autorët, por t’i bënte ata që të flisnin për të vërtetën e ngjarjes dhe se ku kanë çuar trupin e djalit tonë”, thanë dje për “GSH” familjarët e Ridvan Lamajt.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.