OPINION

Një përgjigje e detyruar

07:30 - 22.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Gazmend A. BAKIU




Më 13 prill 2017, në hotel “Tirana” u zhvillua promovimi i albumit “Tirana, prefektët dhe nënprefektët e saj”, me autorë Gazmend Bakiu dhe Kastriot Dervishi. Pata përshtypjen se botimi u prit mirë. Këtë bindje ma përforcoi fjala e prof.dr. Fatmira Rama, që kishte bërë një analizë të detajuar dhe profesionale, ku dëgjova për arritje dhe asnjë vërejtje. A mund të bëhej më mirë? Sigurisht dhe për kritika kam qenë i hapur, ashtu si për çdo libër tjetër. Mirëpo, çfarë lexoj?

Në “Gazetën Shqiptare” datë 21 prill 2017, u botua artikulli “Turp dhe çudi…” i Agim Zekës. Artikullshkruesi na njofton se promovimi i albumit u bë ndërmjet qindra pjesëmarrësve dhe disa personaliteteve “kryesisht të mazhorancës neo-komuniste”. Pasi thotë se “për hir të së vërtetës, albumi (botimi) është mjaft i mirë, botim elegant dhe ndoshta i denjë për çmimin e bibliografisë ‘Mit’hat Frashëri’”, zbulon “turpin dhe çudinë”. “Turpi” qenka se në faqen për Qazim Mulletin është shënuar se kur ai ka qenë kryebashkiak ka lëshuar “një urdhër që ndalonte pastrimin e hundës me gisht…” dhe pyet: “Nuk ju duket kjo baltë e sofistikuar?!”. “Çudia” qëndron tek autorët e “ngratë” të albumit dhe sidomos tek unë, si pinjoll i një familjeje të mirënjohur qytetare tiranase të persekutuar. Por me një “ndoshta” artikullshkruesi e ka zbuluar përgjigjen për “turpin”: “bindja e përulur ndaj drejtuesve të sotëm (autorët e vërtetë të botimit), ose dorëzimi ndaj shpërblimit financiar”.

Të thëna gjithë këto, marrëzi apo dashakeqësi nuk mund t’i lija pa përgjigje.

E para

Nuk i kam numëruar dhe as më ka interesuar, nëse shumica e pjesëmarrësve apo personaliteteve në promovim ishin të majtë apo të djathtë. Tek e fundit, nuk e kam organizuar unë aktivitetin, por fondacioni ALSAR, i cili mendoj se organizoi një takim dinjitoz, në shërbim të komunitetit.

E dyta

Autorët e botimit janë Kastriot Dervishi dhe Gazmend Bakiu. Ne kemi bërë edhe plot botime të tjera, shumëkush i di. Çdo insinuatë se drejtuesit e sotëm janë “autorët e vërtetë të botimit” nuk mund të shkaktojë veçse të qeshura.

E treta

Prefekti Sadi Vorpsi, që inicioi dhe mbështeti këtë botim, nuk ka ndërhyrë absolutisht në përmbajtjen e asaj që kemi shkruar. Madje, fillimisht nuk donte të kishte as përshëndetje të tij në krye të albumit. Si tiranas dëshironte të bëhej një botim serioz për Tiranën dhe prefektët e saj. Kaq! Shtypjen e albumit e ka mundësuar Mehdi Gurra, kryetar i fondacionit ALSAR.

E katërta

Ky është botimi im i dymbëdhjetë. As jam bindur dhe as jam përulur ndaj askujt dhe as jam dorëzuar asnjë herë prej shpërblimeve financiare; i vetmi kriter ka qenë të shkruaj të vërtetën dhe me ndershmëri. Mesa e njoh unë, ky është edhe kriteri i Kastriot Dervishit.

E pesta dhe më e rëndësishmja për Qazim Mulletin 

Zbulimin për urdhrin “për ndalimin e kruajtjes së hundës në publik dhe pirjen e ujit nga disa vetë në një enë” e ka bërë Kastriot Dervishi. Mua më është dukur urdhër interesant dhe me vlerë, prandaj është përmendur. Prefekti Qazim Mulleti ka dashur të imponojë qytetari: këtë kemi treguar! Madje, një urdhër i tillë më duket se duhet lëshuar edhe sot, sepse gjithë ditën shohim në ekrane njerëz publikë që kruajnë hundën, apo pjesë të tjera të trupit. Këtu nuk ka kurrfarë baltosje për Qazim Mulletin, përkundrazi!

Në këtë album, ne nuk mund të merreshim me komedinë “Prefekti”, apo të trajtonim gjerësisht Qazim Mulletin, sepse kjo dilte jashtë kontekstit të albumit. Është shkruar në shtyp për këto dhe mund të shkruhet  përsëri.

Gjatë regjimit komunist, Qazim Mulleti u përgojua dhe u baltos pafytyrësisht. Nëpërmjet kësaj, edhe tiranasit. Unë i di mirë këto gjëra dhe të tjera, prandaj kam shkruar ndershmërisht dhe me përkushtim për Tiranën dhe për vendin. Por del ky tipi tani dhe pretendon se unë, tiranasi, po rihedh “baltë të sofistikuar”, mbi një tiranas!

Si përfundim

Të akuzosh dhe të etiketosh si të të vijë për mbarë autorë të një libri, albumi apo vepre çfarëdo, duke u nisur vetëm nga një detaj, që sipas mendjes tënde është “baltosje”, (por, që në fakt është e kundërta!) është në rastin më të mirë marrëzi (se s’kupton gjë) dhe në rastin më të keq, ligësi.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ç’çmerresh me një dështak si Agim Zeka. Ndërroi 100 parti këto 25 vite, e nuk u mor vesh çfarë zanati kishte se herë merrej me komitetin e sportit, herë dilte në krah të Sabri Godos, herë si përfaqësuesi i pronarëve, e shumë herë nuk dinte çfarë thoshte.

    Përgjigju ↓