MILOSAO

Epistolari imagjinar i Agim Baçit

08:03 - 24.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Nga Ben Andoni




Gjetja e kritikut letrar Agim Baçi në botimin e tij të fundit ka qenë tejet interesante. Në botimin e tij “Letër Dylqinjës”, në gjininë e letërsisë së epistolarit, ai ka sjellë një traditë të vjetër, asfare të lëvruar në këtë mënyrë në letërsinë tonë.
Gjithsesi epistolari i Baçit është imagjinar dhe nuk zhvillohet me dy personazhe por me një bashkësi syresh. Është kjo bashkësi, që mund të quhet dhe koncepti për Republikën e tij të Letrave, ku autori përtakon konceptet e tij dhe ato që ka ndarë në leximet dhe përvojën e tij letrare nga letërsia klasike. Kjo e fundit në këtë libër shtjellohet në një farë mënyrë përmes letrave dhe përgjigjeve imagjinare, si një homazh për letërsinë e vërtetë. Shi, ajo që ka ushqyer breza të tërë të njerëzimit, por që edhe ka ndikuar në formimin e kulturave të ndryshme.
Gjetja e dytë është ilustrimi grafik, në karakterin humoristik, që e ka marrë në dorë një nga mjeshtrat e kësaj gjinie dhe e ka zbërthyer më së miri. Bujar Kapexhiu në “neobarokun” e vet i shkon shumë qartë idesë së autorit.
Për hir të së vërtetës, atributi i kritikut ia ka lënë në hije Baçit atë të tregimtarit dhe romancierit, që nga mënyra e pastër sesi shkruan ka shpërfaqur qartë dëshirën e tij për të mos e braktisur. Stili në libër është i zhdërvjellët dhe këtë ia mundëson disi edhe imitimi miqësor i personazheve të tij dhe stileve të autorëve të tyre.
Ajo që veçon në libër është se secilit individ letrar, si karakter historik, ai i ka vendosur qasjen e tij, leximin ndryshe, por edhe ka pritur (sërish prej vetes) përgjigjen e madhe. Personazhet që ngërthen në këtë burg të bukur, ku të gjithë janë të detyruar t’i përgjigjen, veçmas idesë së tij shpalosin dhe mëdyshjet që ka pasur ai vetë nga leximi.
Teknikisht, forma e tij epistolarë për çdo personazh nuk merr shumë faqe dhe kjo e bën librin jo vetëm tërheqës por edhe shumë joshës. Ky cilësim i fundit i shkon gjendjes kur ti ke dëshirë t’i shkosh shpejt deri në fund botimit.
Nga vetë titulli i librit, epistolari i parë shkon me figurën emblematike të personazhit kurrherë të zbardhur Dylqinjës. Por, na vjen në të njëjtën gjatësi edhe Madamë Bovari, Odiseu, Xhimsoni, Ana Karenina, Cvajgu, Çiçikovi, Bruti dhe autorë si Shekspiri dhe Milan Kundera. Përmes personazheve të tij paraqiten në formë shumë të përmbledhur koncepte, por autori në diturinë e tij teknike, që lexuesi nuk duhet të ngatërrohet, rrënjëson specifika karakteriale. Brutit i vesh konceptin e tradhtisë dhe justifikimin, ku nga trajtimi duket si një ngjashmëri me atë që kanë bërë përpjekjet më interesante nga letërsia e përbotshme të ngjallë justifikimin e Judës. Në vetvete, epistolari është një esse dhe kjo është një gjini, që autori e lëvron me sukses por edhe e maturon këtu për të shprehur konceptet e veta.
“Dëshira për të jetuar në lumturi pa fund, dëshira për të jetuar nën famë janë helmet më të rrezikshme. Por lumturia ekziston pikërisht sepse e ka kufirin pranë çastit të nisjes”, e mban “përgjigjen” e Shekspirit.
Interesant është edhe mënyra sesi autori do të mbaj regjistrat historikë të personazheve të tij, por edhe firmën e ligjëratës së tyre. Shekspirit i drejtohet për dashurinë.
Dilemën e fëmijërisë dhe atë të rrënjës e lidh me personazhin e Tom Sojerit. “Tom i dashur, ti shpesh më bën të kuptoj fëmijët e mi. Më qetëson menjëherë pamja jote sapo e kap veten gati t’iu përvishem me kritika”…
Nuk po zgjasim me personazhet, sepse tek të gjithë ka gjetje, si në tragjizmin e Bovarisë ashtu edhe në paradoksin humoristik të Shvejkut, cinizmin e Brutit e me rradhë. Libri i tij është një grishje por edhe një homazh për të lexuar klasikët në çdo kohë. Ai e bën në këtë formë, duke ringjallur jo vetëm dashurinë ndaj njerëzve që i kanë dhënë kuptim asaj që vetë Agim Baçi bën, por edhe për t’u rikthyer te rrënjët. Letërsia klasike është burim i mirëqenies shpirtërore, por edhe mjeti ku njeriu mund të mësojë rrugën drejt të vërtetës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.