EKONOMI

Kim Drasa: Alarmi, adoleshentët me varikocelë po operohen, u rrezikohet riprodhimi

09:30 - 24.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

 

Mjekë e imazheristë, të paaftë e për interesa personale detyrojnë adoleshentët e diagnostikuar me varikocelë të operohen, duke rrezikuar shëndetin e tyre riprodhues”. Alarmi jepet nga presidenti i Shoqatës së Urologëve dhe Seksologëve, Prof. Dr. Maksut Drasa, njëkohësisht mjek urolog dhe seksolog, pranë Poliklinikës Qendrore, Prof. Dr. Kim Drasa, i cili përmes kësaj interviste, dhënë për suplementin ‘Life Pages’, të “Gazeta Shqiptare” shpjegon në detaje arsyet se përse jo të gjithë meshkujt me varikocelë duhet të operohen. Prof. Dr. Drasa ka paraqitur mbi 50 studime në kongreset europiane & botërore të urologjisë dhe seksologjisë, ndërkohë që sot publikon për herë të parë rezultatet e një studimi, mbi benefitet e korrigjimit kirurgjikal të varikocelës.

Doktor, çfarë është varikocela?

Varikocela është një problem madhor për adoleshentët. Shumë mjekë familjeje, imazheristë dhe urologë të paaftë dhe për interesa personale e quajnë fatkeqësi dhe insistojnë tek adoleshentët që të operohen patjetër dhe urgjentisht (presion psikologjik). Kjo gjendje alarmante më ka detyruar që të merrem profesionalisht me këtë patologji. Varikocela është një zgjerim dhe tortuozitet jonormal i disa venave brenda kordës spermatike. Etiologjia e varikocelës është akoma e panjohur, ndërkohë që ajo është një nga shkaqet e infertilitetit mashkullor, pra që nuk bëjnë dot fëmijë.

Cilat janë të dhënat për këtë patologji?

Për varikocelën kam bërë 2 studime, të botuara në revista serioze, prestigjioze, me impakt të lartë. Sot po ju paraqes studimin e 3-të, i cili gjithashtu u fut për botim, në revistën periodike botërore të “Riprodhimit Njerëzor”. Prevalenca e varikocelës është e njohur dhe zë rreth 15-20% të popullsisë së përgjithshme dhe 30-40% të burrave infertilë. Kjo gjendje është relativisht e pazakontë te djemtë para moshës 10-vjeçare, por prevalenca e saj rritet në 8-16% në moshën e pubertetit. Në moshat 15-19 vjeç, prevalenca e varikocelës është rreth 15%, e njëjtë me atë që shihet në popullsinë e rritur. 85% e burrave me varikocelë nuk përfshihen në ata që kanë faktorin e infertilitetit mashkullor. Në kontrast me këtë 85%, shumica e adoleshentëve, të cilët paraqesin varikocelë s’kanë shenja dhe arsyeja që ata janë fertilë, pra që bëjnë fëmijë është akoma e panjohur. Në një studim të gjerë, me 9034 burra infertilë, të bërë nga OBSH, u raportua se incidenca e varikocelës ishte 25.4%, te burrat me parametrat jonormalë të spermës, krahasuar me 11.7%, të burrave me parametra normalë të spermës.

Duke qenë se ju po thoni se shumica e adoleshentëve nuk kanë shenja të varikocelës, si bëhet vlerësimi i këtyre pacientëve?

Vlerësimi i pacientëve me varikocelë duhet të përshtatet përballë identifikimit të faktorëve të mundshëm të rrezikut shoqëruar me infertilitet afatgjatë. Për të bërë vlerësimin real të varikocelës, duhet të identifikojmë këto pika kryesore, që janë: Grada e saj, volumi testikular i çdo testi, investigimi venoz me ultratinguj, vlerësimi endokrin (hormonal) dhe analiza e spermës.

Më lart ju theksuat se shumë mjekë i detyrojnë këta pacientë të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale, duke rrezikuar fertilitetitn e tyre. Pse e thoni këtë?

Menaxhimi i adoleshentëve me varikocelë mbetet akoma kontraversal. Kur volumet e dy testeve kanë mospërputhje, atëherë duhet të përsëritet matja e testit pas 6-12 muajve. Por, ka urologë që i fusin në operacion (38% të rasteve), vetëm me një matje të volumit të testit, vërtetuar, sipas Akademisë Amerikane të Pediatërve, pra veprojnë totalisht gabim. Ka plot raste kur kjo mospërputhje e volumit të dy testikujve (80%), korrigjohet vetë me kalimin e kohës, pra pa u operuar. Ndërsa disa raste e kanë urgjencë ndërhyrjen kirurgjikale, pra në qoftë se zvogëlimi testikular është 10-20%, atëherë kur ana tjetër është normale. Urologë të tjerë kanë shënuar se afërsisht 80% e këtyre mospërputhjeve të volumeve të testikujve zgjidhen, pra normalizohen vetë pa pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Gjithashtu, riparimi i hershëm mund të parandalojë infertilitetin. Ndërhyrjet kirurgjikale të pakufizuara për të gjitha varikocelat e adoleshentëve duhet të ndalohen se janë të panevojshme për pjesën më të madhe të pacientëve. Por, duhet të theksoj se vonesa e trajtimit në rastet kur infertiliteti është prezent te të rriturit, mund të dëmtojë rezultatet pozitive sikundër ndodh, sepse afërsisht në 30% të rasteve të operuara s’kanë treguar asnjë përmirësim në parametrat e spermës, për të cilën bëhet operacioni. Kështu ndodh edhe me hypotrofinë (zvogëlimin) e testit, e cila edhe kjo nuk normalizohet, pas operacionit.

Kur duhet bërë riparimi i varikocelës?

Shoqata e Urologëve të Amerikës për Infertilitetin Mashkullor dhe ajo e Riprodhimit Njerëzor kanë arritur në konkluzionin se riparimi i varikocelës duhet të bëhet vetëm në rastet kur: ajo preket me dorë gjatë ekzaminimit fizik, kur çifti dihet qartë se është infertil, kur partnerja femër qartësisht është normale për të ngelur shtatzënë dhe kur partneri mashkull ka parametra jo normalë të spermës ose rezultate jo normale në analizat për funksionimin e spermës. Ndërkaq, Shoqata Europiane e Urologjisë ka përcaktuar se trajtimi i varikocelës bëhet tek adoleshentët me dëmtime progresive të zhvillimit testikular, por të evidentuara në disa ekzaminime të përsëritura. Në fakt, duhet të mos operohet kur pacienti ka analiza normale të spermës ose ka varikocelë subklinike. Sipas kësaj shoqate, varikocela operohet vetëm kur pacienti ka: varikocelë klinike, oligospermi, infertilitet gjatë dy viteve të para të martesës dhe në rastet e pashpjegueshme të infertilitetit në çift.

A është një fatkeqësi varikocela?

Varikocela nuk është fatkeqësi, por është një patologji e zakonshme, e shërueshme, e cila kap adoleshentët në të gjithë botën.

 

Studimi u përqendrua te benefitet e korrigjimit kirurgjikal të varikocelës, mbi përmirësimin e spermës te burrat infertilë. U studiuan 22 pacientë me moshë 18-25 vjeç.

 

KONKLUZIONET E STUDIMIT

1) Varikocela, në shumë raste ka efekt të dëmshëm mbi testikujt dhe funksionimin testikular.

2) Analizat e semenit (spermës) u përmirësuan tek adoleshentët.

3) Korrektimi i varikocelës është i garantuar për çiftet, të dokumentuara se janë infertilë, në të cilët burri është me varikocelë, kurse gruaja është normale.

4) Rastet me varikocelë subklinike nuk duhet të operohen, sepse nuk kanë benefite nga operacioni. Këto janë rastet që pacientët merren në qafë nga operacioni i panevojshëm.

5) Mesatarja e nivelit të testosteronit rritet nga 97.5 ng/dl, pas korrektimit kirurgjikal të varikocelës, tek adoleshentët.

6) Varikocela nuk shërohet me ilaçe.

7) Varikocelës i bën mirë kur pacienti: tri herë në ditë u hedh testikujve ujë të ftohtë deri sa ta durojë ftohtësinë. (Këtë konkluzion personal do ta paraqes në maj në Kongresin Vjetor të Urologjisë Amerikane, Boston 12-16 maj, për t’u futur në guidelines).

8) Varikocela operohet vetëm në rastet kur ka shkaktuar dëmtime të spermës si dhe duke u bazuar në gradacionin e varikocelës.

9) Varikocela duhet të operohet sa më parë në rastet kur në eko doppler, testi rezulton më i vogël (10-20%) se ana tjetër normale, por pasi bëhen disa matje të madhësisë së testikujve.

10) Mjekët e familjes, imazheristët dhe kryesisht urologët kur u paraqitet rasti me varikocelë, nuk duhet të kenë si fjalën e parë “operacion”, siç po ndodh realisht.

11) Pyetja kyçe e kirurgjisë së varikocelës është nëse riparimi i saj tek adoleshentët ka ndonjë efekt pozitiv mbi rregullimin e hypotrophisë (zvogëlimit) të testikulit ose në përmirësimin e parametrave të semenit.

12) Rasti më i mirë është kur adoleshentët 15-19 vjeç, të cilët operohen, kanë përmirësime brenda 12 muajve pas operacionit.

13) Adoleshentët dhe të rriturit me varikocelë nuk duhet të operohen të gjithë, pa përjashtim, si tufë delesh.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.