MILOSAO

TREGIMI / Qyteza e Bilbilejve

08:01 - 24.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Daut Gumeni




Korriku e kishte ngjitur gjelbërimin majave, ndërkohë që këmbëve të maleve kish nisur të verdhej bari. Udha që bënte përpjetë dukej që kishte kohë e parrahur nga njerëzit. E kishte pushtuar bari .Të ecje nëpër atë bar të vesuar, të dukej sikur po e zgjoje nga gjumi. Zgjoje nga gjumi edhe atë qetësinë e paqtë të mëngjesit të mbuluar ende me hijen e gjunjëve të maleve. Drita e diellit zbriste nga majëmalet për të zgjuar lugjet e thellë. Zbriste drita pa u ndier. Zbriste me ledhatim mbi një natyrë të përgjumur.
Ajo qetësi aq e paqtë e mëngjesit në gjunjët e maleve të lartë, e bënte të përpjetën më të lehtë për udhëtarët. E bënte më të këndshme ngjitjen ajo qetësi e gjallë, që po ngjitej malit tok me vështrimin e hutuar të udhëtarëve të rinj. Një qetësi e gjallëruar me zbritjen ledhatuese të dritës nga majat. Një qetësi që dëgjohej më mirë pas fluturimit të beftë të ndonjë thëllëze të trembur nga hapat e ngeshëm të djemve.
– Nuk të duket më trim se thëllëza ai zogu i vogël i dhenve?!- mbajti këmbët Skënderi, duke i treguar shokut një bishtatundës të patrembur.
-Nise ti me fantazitë e tua edhe në këtë të përpjetë? – i tha buzagas shokut Luftari.
-Këtu fantazitë dalin nga grykat e maleve, po ai zogu i bukur aty nuk më duket fantazi…Të kujtohen ato vargjet e bukur të Çajupit për këto male?…

  Ato gryka e ato male,
  Ku dhe zogu shkon ngadale…

-Më duket se të lodhi e përpjeta dhe do të ma fshehësh me poezi. Po ulu të mbledhim veten një copë herë, se këtu dashka të ecësh me orë për të ndier një kope me dhen! –u ul Luftari në barin e pashkelur.
– Ato që kanë mbetur, i paskanë mbledhur në dy stane në malin e përtejmë – tregoi Skënderi me dorën e shtrirë nga mali kundruall.
-Meqë t’u duk trim dhe zogu i dhenve, urdhëro ulu këtu dhe vështroje bukuroshin e vogël sesi përpiqet të mbajë drejtpeshimin me lëvizjet e bishtit pendëgjatë. Ulu merr frymë dhe fantazo për kopetë e dikurshme mes këtyre maleve gjysmë të shkretë…
-Mbaj mend kur ishim të vegjël sesi zienin këto male nga këmborët e zilet!…
-Tani i plotësojmë dhe ato me një gjysmë gjyleje të varur në murin e jashtëm të kryesisë, e ke dëgjuar si i bie me një copë hekur korrieri i kooperativës për të nisur brigadat në punë? Janë mbledhur dhe zilet e këmborët e tepërta në atë gjyle të çarë, mos nuk të pëlqen zotrote? – e ngacmoi shokun Luftari.
-Më ka shpëtuar gjumi nga ajo lloj çange. Ti e di që mezi ngrihem në mëngjes edhe tani që jemi bërë xhorrekë.
– Po xhorrekë fisnikë, se sapo më recitove dy vargje të Çajupit. Apo e kam gabim?
– Edhe xhorrekë nga mendja, edhe fisnikë, sikur nuk para vete të shkretën! Apo e ke fjalën që ndjekim shkollën?
-Ngadalë Skëndo vëllai, se edhe fare pa fisnikëri nuk jemi! Pastaj dhe shkolla sikur na i heq ca dega e ca gjethe të tepërta… Apo mos e ke mendjen tek ata xhentëlmenët e tu?…Skëndo vëllai, dëgjomë mua se jam një vit e ca më i madh nga ti. Nuk ka popull pa fisnikëri, edhe kur të shkolluarit i ka të paktë si puna jonë, por edhe kur e ka braktisur fati dhe e kanë vënë poshtë sojsëzët që ka rritur vetë…
-E mor, e! Këtu mes maleve të shurdhuar grijmë sallatë e bëhemi dhe trima, po…
-Mos dashke të mbajmë fjalim në mes të fshatit?!
– E di dhe unë që të dukem ca i kaptuar, po nuk jam bërë fare për t’u lidhur. Fjalimet e mendimet e udhëzimet e urdhrat i kemi që të gjitha “popullore”, por popullit i ka mbetur vetëm e Përpjeta e Përrallit…
-Ej, e di si më tha një ditë ai që ti i thua “i shkollës me rreth jeshil”?
-Të dëgjoj…
-E do bëje mirë të më dëgjoje seriozisht. “Na takon ta ruajmë”- më tha. Mos më shih ashtu aq i habitur, se ai të do vërtet. “Vetëm të Parin të mos më ngasë – më tha- për të tjerët, le t’i marrë më radhë nga i Dyti e deri ku të lodhet!…Po të mos gabojë të më prekë të Parin…se pastaj nuk kam ç’t’i bëj!”…Ja kështu më tha dhe nuk e kishte për të më bërë qejfin mua, se ti e di me se merren ata të “shkollës me rreth jeshil”…
-Të falemnderit Luftar vëllai! Po mos u shqetëso paradhënie… dhe atij të “rrethit jeshil” thuaj që ma dhe porosinë. Madje edhe falënderoje po deshe, për vete e për mua. Po ty nuk të gënjej dot! Sapo folëm për fisnikërinë dhe ti ma preve fjalën e më the që nuk jemi fare pa një fije fisnikërie…Nuk kam pse të ta prish…Por, fisniku, o Luftar vëllai, edhe në këto male të egra, nuk merret me shërbëtorët, më parapara se të merret me again e tyre…
Ecën në heshtje për një kohë, që iu duk të dyve shumë e gjatë, kur para tyre u hap një horizont i pamasë. Kishin dalë në majë të maleve. Ajo pamje i shtangu. I la pa frymë. Nuk kishin parë kurrë më parë një mrekulli të atillë. As u kishte shkuar në mendje dhe as do ta besonin dot se në majëmalet e tyre mund të ndërthurej aq natyrshëm madhështorja e maleve të lartë me të bukurinë e brishtë të luleve. Një harmoni hyjnore, që e lë njeriun të mahnitur. I kujton njeriut bukurinë e vërtetë të jetës në paqe me natyrën. I kujton njeriut përmasat e tij të vërteta mes mrekullive të kësaj bote.
Përtej në perëndim, qielli me detin bëheshin njësh në një përzierje rrëzellitëse të ngjyrave me dritën. Bluja e detit shkrihej me të kaltërtën e qiellit nën një lëpe’ që të rrëmbushte sytë. Një lëpe’ magjike, që herë ta binte pranë dorës kufirin e vagullt të horizontit e herë ta humbiste tutje në pafundësi…
Nëse në të përpjetë ua pati prerë fjalën kërcënimi që vinte nga “shkolla me rrethin jeshil”, tani në majë të malit ua kishte lidhur gjuhën pamja e hapur gjer ku të lëbyrej syri. Ua kishte marrë gojën ajo larmi e pafundme lulesh të egra me ngjyra të drojtura si vështrime fëmijësh. Një pamje që të bënte të shihje me sy hapur ëndrrat me të bukura të përrallave me Parajsën…
-Zot i madh! Ku paskemi qenë që s’jemi kujtuar të dalim më parë në këto maja? – pëshpëriti si me vete Skënderi dhe u lëshua mes luleve.
-Nuk e di ku kemi qenë, po tani më duket sikur e marr vesh pse pleqtë tanë ndezin qiri në këto maja për të Mirët e Maleve…apo e kam gabim?
-Po deshe mos fol, se më duket sikur fjalët tona do trembin këtë qiell që na rri mbi krye…do trembin dhe lulet që na rrethojnë…
– Ej, ej, më ngadalë! Të trullosi lartësia më duket, eja në vete djalo! – qeshi Luftari duke u shtrirë mes luleve.
-Nuk prishet me broçkullat tona kjo qetësi hyjnore, mes këtyre ngjyrave lëbyrëse lulesh të panumërta e të panjohura e mes këtyre aromave dehëse!…
-E mbylla, po kam frikë se do na mbyllen sytë e do na zerë gjumi i luleve. E di që thonë se gjumi i luleve ngjan me gjumin e borës dhe do kohë të të dalë?
-Po mbase ta bien këto aromat e tyre.
-Rri te letërsia dhe lere shkencën për të tjerë…
-Unë të thashë të pushoje e ti nuk e mbyll që nuk e mbyll atë të shkretë sqep!
-Nevriku i vëllait, që dashke të flesh në këtë copë Parajse! Nuk dua të na zerë gjumi këtu, se kjo puhi e ëmbël të ftoh dhe – larg qoftë! – këtu mund të jemi shtrirë në shtrojën e të Mirëve të Maleve…
– Hidhu atëherë e leri fjalët! Mbase gjejmë dhe ca salep për ndonjë kacidhe xhepi e pastaj jemi ende në mes të udhës. Nuk do flemë vërtet këtyre majave, po çohu!

2
Kishin ecur pa e ndier udhën. Nuk e thoshnin dot sa patën ecur ashtu për në maja, qysh kur panë dritën e mëngjesit të lante faqet e bleruara të maleve e të përzinte hijen për në honet e thellë. Nuk e thoshnin dot sa herë i patën mbajtur këmbët për t’u çlodhur me atë dritë të vesuar, që zbriste nga majat si e qeshur e çiltër e qiellit të kaltër.
Nuk e thoshnin dot, se u qe lidhur gjuha. Se kishin mbetur pa fjalë nga mahnitja përpara bukurive të maleve të lartë në atë mëngjes korriku. Sepse nuk e besonin dot që ishte e vërtetë një bukuri e tillë në malet e tyre
Vërtet, ku paskeshin qenë që nuk ishin ngjitur më parë në ato majëmale të veshura me tërë ato lule shumngjyrëshe aq të brishta? Aromat e këndshme që përhapnin ato lule tek vallëzonin në puhinë e lehtë, ua kishin marrë fjalën e mendjen bashkë. I kishin përfshirë në ca ëndërra me sy hapur, sikur po ecnin midis qiellit e tokës për të hapur pa kuptuar derën e Parajsës…
Sa patën ndenjur të shtangur ashtu më këmbë nga ajo pamje magjepsëse? Nuk e thoshnin dot. Se nuk e dinin mirë sa kohë kishin ecur e as sa herë qenë rrokullisur në shiltenë e lulëzuar të barit të harlisur, gjersa arritën në Lugun e Koritave. U lëshuan të pinin ujë me duart e gropuara, gjithnjë sipas porosive të nënave se “uji bus i ftohtë i malit është ujë bore dhe të dredh zemrën, të keqen mëma!” Shpëlanë me ujin e ftohtë dhe fytyrën, pastaj pinë prapë me buzë të zgjatura në rrjedhën e koritave. E lagën dhe shoshoqin me stërkala duke qeshur me kujtimet e vegjëlisë dhe morën frymë të shtrirë të në shpinë mes barit të gjatë pranë koritave të lista, ku shuanin etjen kopetë e dhenve.
Të humbur në barin plot lule, gjithnjë me vështrim nga qielli e me zemra të ngazëllyera nga bukuria e atyre maleve në mes të verës, u lëshuan në një kuvendim gazmor të nisur me atë pakë letërsi që kishin lexuar, aq e paktë dhe letërsia e lexuar prej tyre sa dhe emrat që dinin për lulet e shumta të malit. E kthyen kuvendimin dhe mbi shkëmbin e mugët, që ngrihej si ledh i lartë në njerën anë të Lugut të Koritave, qeshën dhe me dashurinë platonike e me hamendjet se cili do të martohej më parë, po nuk e zunë më në gojë “shkollën me rreth jeshil”…
-Ma thuaj dhe njëherë si e mbyllte letrën e dashurisë ajo xanxarja jote? – e ngacmoi shokun Luftari
-”Jotja për jetë!”- ia ktheu Skënderi duke qeshur mbytazi.
-Thua ta ketë me gjithë mend?
-Me aq mend sa ka, besoj…
-Atëherë dashka të mos jetë aq jetëgjatë…
-Zjarr ndalo, ti zabiti i ushtrisë! Mos ia ndill atë, se çupërlinë është e aq!
-Tani Skëndo vëllai, po më flet si burrë i pjekur, më duket…
-Më shumë si misër i përcëlluar…
-Ej, ej! Sikur e kishim me të qeshur, apo jo? Mos pe prapë nga ai shkëmbi murrash, që na u bëre befas serioz?
-Atë murrashin e gurtë e pashë që kur erdhëm në Korita.
-Nuk më thua ti seriozi i vëllait, ta ha mendja që një vajzë angleze mund të rrijë dot këtyre hënave edhe kur nisin gjëmimet e tunden malet sikur do shemben?…
-Male kanë dhe atje, apo e harrove zotrote skocezin e madh të dashuruar si ai me malet?…

-”Zemrën e kam në male,
Zemra atje më rri”…

Apo e kam gabim? Bërnsi e ka zemrën e mendjen në malet e tij, po nuk besoj të jenë dhe ata si këta tanët.. Këtu parajsa zgjat 3-4 muaj e pastaj gjej vend ku të futesh! Se nisim gjëmimet e vjeshtës sonë e duhet të ikësh nga sytë këmbët!…
-Nuk e dija që të paska marrë lemeria nga gjëmimet. Dashke të na mbrosh mirë dhe nga gjëmimi i luftës, zabit vëllai!..
-Me luftën mos u ngatërro shumë, se zotrote je civil e dihet që civilët e kanë mëri luftën.
-E kush dreqin e do luftën, po dhe kaq i trembur nga gjëmimet e vjeshtës në këto male, nuk të dija. Më kujtove atë kushëriun e zeshkët, që u fut në shpellën e lakuriqëve të natës i trembur nga vetëtimat dhe mbeti histori ajo që mezi tha kur dridhej i tëri nga gjëmimi:

“Mirë me top që më qëllon
Po me qiri pse më kërkon?”…

Qeshën shumë të dy me historinë e kushëriut zeshkan që dridhej në shpellën e lakuriqëve të natës nga frika e gjëmimeve, pinë edhe njëherë ujë në korita e pastaj morën malin për të gjetur udhën e kthimit. Udhës folën shumë për mundësinë e ndërtimit në ato anë të një qyteze malore në një vend të zgjedhur si për bletë. Në një vend me ujë të ftohtë e të shëndetshëm si ai i Lugut të Koritave. Në një lirishtë të rrethuar me pyje pishe e bredhi, me pyje lisi e plepi dhe ca më shumë me pyje lajthie. Një vend të zgjedhur me gjithë të mirat, një vend të bukur që ta priste diellin e mëngjesit sapo shkrep majëmaleve të Lindjes…

3
Nata i kishte zënë të dilte nga honet. Djemtë qenë vonuar për të gjetur udhën e dikurshme të mbuluar nga bari. Ca më tepër i pati vonuar ai ëndërrimi për ndërtimin e një qyteze malore në mes të atyre bukurive të pashoqe. Dukej që e kishin marrë shumë seriozisht një ëndërr me sy hapur për ndërtimin e asaj qyteze të rrallë në prehër të maleve.
Qenë kthyer në shtëpi natën dhe të lodhur nga udha. U zienin këmbët, se kishin kohë që nuk ecnin aq gjatë maleve. Edhe atë pak salep që patën mbledhur, kadeti ia dha shokut tek u ndanë duke qeshur për fitimin që do të nxirrte Skënderi, kur ta shpinte në dyqanin e grumbullimit.
Skënderin e lodhur, e zuri gjumi pa darkë, megjithë lutjet e nënës që “I miri i mëmës të mos flinte pa darkë, se mëma bëhej merak e pastaj qe dhe gjynah që djali i ri të flinte pa vënë gjë në gojë. Qysh të më flerë djali pa darkë? Mo je në shtëpi tënde, je të mëma jote e nuk je në botë, a të keqen unë!”
-Bëhesh merak kot – i tha përgjumësh nënës dhe iu mbyllën qepallat e rënduara. Mezi e dëgjoi atë “të keqen unë” të nënës dhe iu duk sikur po vogëlohej e humbiste në të shkuarën…”Fjeti i voglii mëmës…Flij të keqen mëma, flij të më rritesh e të më bëhesh lis me fletë!”…
Nuk e merrte vesh ishte në ëndërr apo qe zgjuar…Po ngrihej nga një shtrat bari gjithë lule…Në barin e gjatë kishte mbetur gjurma e shtatit të tij të shtrirë…Fërkoi sytë, por prapë nuk e merrte vesh mirë nëse ishte zgjuar apo në ëndërr. Paskej fjetur gjatë. Aq i ëmbël qenkej ai gjumë nën shushurimën e ujit që rridhte nga koritat e dhenve, një gjumë i kënditur me aromën e luleve të egra dhe të barit të njomë!…Po Luftari ku kishte shkuar që nuk dukej gjëkundi? Si kishte ikur ashtu dhe e kishte lënë në gjumë shoku më i mirë?…” Ta ndreq unë kur të vij në fshat …Pse kështu braktiset shoku në gjumë prapa maleve e në mes të natës? Kështu lihen shokët nga zabitët e mbrojtjes?”…
Sa i bukur që ishte ai qiell prush me yje aq pranë përmbi krye! Ca yje të mëdhenj, që dukej sikur merrnin frymë thellë për të pikuar më shumë dritë mbi male. Ca yje të qeshur që zbrisnin mbi majëmale pa u ndier, për të mos trazuar gjumin e luleve…
Skënderi fërkoi sytë përsëri, por yjet i qeshnin përmbi krye dhe uji i ftohtë rridhte nga koritat pa e prerë këngëzimin e vet nanuritës. Rrjedhën e argjendtë të koritave e ndizte drita e yjeve, sikur edhe yjet po uleshin të shuanin etjen…
Po thyhej nata dhe ai duhej të merrte udhën shpejt për në shtëpi. Çfarë ta kishte përhumbur ashtu në gjumë aq gjatë në barin e malit? Mos e kishte trullosur aroma e luleve dhe tafti i barit të njomë? Ç’qe ai gjumë egjëre në atë orë të natës, kur nëna e mirë priste pa mbyllur sy e me frikë në zemër që djali t’i kthehej në shtëpi me ditë? Po shoku i atij udhëtimi të bukur e të lodhshëm njëherësh, ku kishte humbur? Vërtet të kishte ikur në shtëpi dhe e kishte lënë vetëm në gjumë? Ku kishte humbur Luftari?…
Fërkoi sytë me rrëmbim si i përhënur dhe u dha këmbëve udhë e pa udhë në të përpjetën e malit. I humbi shpejt nga sytë Lugu i Koritave dhe u mbush me frymë në majë të malit. Hodhi vështrimin përtej nga duhej të përshenjej fshati, por nuk u besoi syve…
Gjunjët e malit paskishin marrë flakë! Aty ku mali vishej nga një brez pishe, paskishte mbirë një qytezë e bukur gjithë dritë! Lirishta e Çepeverdhasit qenkej mbushur me ca shtëpi të reja e të bukura si në ëndërr! Dritat e asaj qyteze ëndërrore ngriheshin si avull i artë në qiellin e natës. Ai avull drite ngjitej përpjetë malit për në qiell, siç ngjitet për në maja drita e ditës në perëndim të diellit. Buronte pas brezit me pisha ai avull drite tek i ngjitej malit, por nuk kishte të bënte fare me fekëtimat e perëndimit, që duket sikur dalin nga honet për të mbaruar në maja si “dielli i të vdekurve”. Jo. Ajo qe një dritë e gjallë që i bënte më të errët brezin me pisha dhe pyllin me lajthi në dy anët e qytezës…
E zbriti shpatin si i trembur dhe u shtang kur i zunë këmbët një udhë të gjerë të shtruar me kalldrëm shtufi. Një tabelë e lartë blu përpara tij shkruante me drita: “MIRË SE VINI NË QYTEZËN E BILBILEJVE!”
Rruga e shtruar bukur me kalldrëm të shtuftë qe e gjerë dhe e vizuar përsëmbari me një të bardhë të vetëtitur në dritë. Semaforët luanin me tri ngjyrat drejtuese të trafikut. Njerëzit shëtisnin me hap të shtruar. Edhe automjetet ecnin me maturinë e këmbësorëve. Pse dukeshin të gjithë me drojën e tij në atë qytezë të bardhë, që dukej si të kishte mbirë nga dheu apo të kishte zbritur nga yjet? Edhe emrin e Bilbilejve e paskishte marrë me kohë. Po kur e paskeshin ndërtuar atë qytezë malore?…
Mori zemër dhe eci më lirshëm në rrugën e gjerë të shtruar me atë qilim të gurtë prej shtufi të mugët. Sikur nisi t’i dukej më e njohur ajo qytezë…Ja ku ishte dhe rrapi i madh, nën kurorën e gjerë të të cilit qenë 13 shtatore me përmasa të natyrshme e me krahë të pleksur sup më sup në një gjysmë harku. Shtatoret e Bilbilejve kishin ngrirë në vallen e lashtë pirrike…Ja ku qe shkruar dhe në piedestalin e mermertë me gërma të ndritura bronzi:

Skënderit iu rrëmbushën sytë. Po shihte si nëpër mjegull tek ktheheshin ato shtatore në trembedhjetë valltarë të gjallë…Fustanellat dhe mëngoret e bardha të valltarëve po kthehesshin në ca flatra të hapura shqiponje…
Sa ndenji ashtu me sy të rrëmbushur duke parë vallen e Bilbilejve nën kurorën e rrapit?…Sa eci atë natë nëpër udhët e kalldrëmta të Qytetzes së Bilbilejve?…Kur qenë ndërtuar tërë ato shtëpi dy e tre katëshe, që ngriheshin aq të bardha mes kopshteve me pemë e me perime?…Ato shtëpi të bardha, të mbuluara me pllaka guri të mugëta,  mes atyre kopshteve të qëndisur e të ndarë nga njëri-tjetri me ca lehë të mbushura me lule, nisën t’i duken të njohura…Por i paskej harruar se kur i kishte parë më përpara…E mori etja…Dhe u kthye të pinte ujë në një nga ato çezmat e gurta në formë vocke, që kishte anës rrugëve të kalldrëmta. Hodhi dhe syve ujë të ftohtë dhe brofi nga gjumi.
– Ngreu gjumash! Po të flet tetua me tepsi të shtruar e ti nuk dëgjon të zgjohesh! – e shkundi për krahu Luftari duke qeshur.
-Më paske lagur ti?…Më prishe ëndrrën, ti i prishuri nga mendja e kokës!
-Pa na thuaj çfarë pe në ëndërr? – po qeshte ende Luftari me shokun e përgjumur.
-Pashë në ëndërr qytezën që folëm dje…Sa e bukur që ishte!…
-Ngreu e vishu se të hodha vetëm nja dy spërka në ballë sa të hapje sytë. Çohu, gjumash!
-Ngreu, i miri i mëmës se vate dielli më majë e nuk ke ngrënë as darkë. Ngreu se të bëri mëma qumështor e leri ëndërrat në punën e tyre… Hidhu, të keqen mëma, laj sytë e ha mëngjesin se pastaj të mbetet të hash drekë e darkë bashkë, si çobani me dhen shterpa – e përmendi nëna duke buzëqeshur me dhembshuri. Qeshën të tre me atë “drekë e darkë bashkë, si çobani me dhen shterpa” të nënës fjalëgjetur dhe Skënderi u ngrit.
– I lan sytë për së dyti, kur ke shokun gjysmë të kaptuar – tha pastaj me gaz në buzë dhe shkoi tek muslluku i varur në cep të oborrit. U freskua mirë me ujët e musllukut, fshiu sytë dhe qeshi vetiu me shëtitjen e gjatë që kishte bërë në ëndërr nëpër Qytezën e bukur të Bilbilejve…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.