Intervista

E plotë/ Intervista e fundit e Ervin Dalipajt në ‘GSH’: E vërteta e vrasjes së Gaz Çollakut

16:07 - 25.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ervin Dalipaj, ish-polici i shpallur në kërkim për vrasjen dhe rrëmbimin në bashkëpunim të Gazmend Çollakut, ekzekutuar ketë mesdite ne Sukth, brenda mjetit te tij se bashku me shtetasin Xhino Dautaj ne intervistën e tij te fundit ka hedhur drite mbi akuzat qe e lidhnin atë me vrasjen e Gaz Çollakut.

Ne fund te janarit te vitit te shkuar ai ka folur në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” dhe “News 24” më 31 janar 2016, për gazetaret Klodiana Lala dhe Xhensila Kodra.

Ervin Dalipaj tha se ishte i pafajshëm dhe se natën kur ndodhi ngjarja (janar 2016) ka qenë në Tiranë me familjarët e tij.

Sipas Dalipajt, ai ka prova filmike që provojnë sipas tij se atë natë ka qenë me familjarët e tij. Dalipaj tha se policia e ka shoqëruar më parë për ngjarjen dhe pas 10 orësh e ka lënë të lirë për mungesë provash.

Ai tregon se u ndalua ditën e ngjarjes, pas orës 24:00 në Durrës, teksa çonte Denis Shtrazën në shtëpi. Sipas Dalipajt, provat kundër tij janë fabrikuar nga Policia e Shtetit.

Ditën e djeshme ish-polici u shpall në kërkim, pasi sipas Prokurorisë ka prova se është i përfshirë në rrëmbimin dhe vrasjen e Gaz Çollakut.

Prokuroria tha se ndaloi pas ngjarjes Denis Shtrazën e arrestuar dhe Ervin Dalipajn që lëviznin me një mjet, dhe aty u gjendën gjurmë gjaku që korrespondonin me viktimën.

“Kam mësuar nga mediat rrëmbimin dhe vrasjen e Çollakut. Isha në një lokal të një ish-oficerit të Policisë.

Gjatë gjithë ditës kam qenë në Tiranë me të afërmit e mi dhe me familjen. Kjo është e verifikueshme përmes telefonin tim. E vërtetoj me pamjet filmike të lokalit ku kam pirë kafe”, shprehet Dalipaj.

Sipas Dalipajt, akuzat janë fabrikuar nga oficerë të caktuar të policisë. Ish-funksionari i policisë sqaron se me Denis Shtrazën, i cili u arrestua si i dyshuar për vrasjen, ka marrëdhënie shoqërore.

Ervin Dalipaj konfirmon se nuk është larguar nga Shqipëria, por thotë se nuk do të dorëzohet në polici, pasi nuk ka besim.

“Shpallja ime në kërkim është tendencioze. Po kërkohem sikur jam terrorist i Parisit. Nuk dorëzohem se nuk kam besim te policia. Kam besim vetëm te Prokuroria dhe gjykata”, u shpreh Dalipaj.

INTERVISTA E PLOTE
Ju dyshoheni nga prokuroria për Krime të Rënda dhe Policia e Shtetit, si një ndër personat e përfshirë në rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut, a mund të na thoni cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë akuzë të rëndë?
Në lidhje me ngjarjen kam për të thënë që e kam marrë vesh nga mediat për rrëmbimin dhe vrasjen e Çollakut. Kam qenë tek lokali i një mikut tim, që është ish-oficer policie. kemi qenë disa ish-kolegë dhe aty jam njoftuar lidhur me ngjarjen e rëndë. Gjatë gjithë asaj dite unë kam qenë me të afërmit e mi, me nënën, me bashkëshorten, gjë e cila është lehtësisht e vërtetueshme nëpërmjet qelizave të telefonit që prokuroria i ka në dorë.

Pra ju thoni që ditën që është rrëmbyer dhe vrarë Gazmend Çollaku, ju jeni ndodhur në Tiranë, si e vërtetoni këtë gjë?
Nëpërmjet pamjeve filmike të lokalit ku unë kam qenë duke pirë kafe dhe nëpërmjet tabulateve telefonike, qelizat e telefonit tim, të cilin e ka sekuestruar policia.

Kur e morët vesh momentin që ju ishit shpallur në kërkim lidhur me këtë ngjarje të rëndë, ku ndodheshit?
E mora vesh nga mediat që isha shpallur në kërkim për shumë akuza. nuk e di se si i ka justifikuar policia. për mua janë akuza të fabrikuara nga oficerë të caktuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. unë nuk jam ai personi për të cilin kanë ngritur kaq shumë akuza. Kanë ngritur akuza, duke vendosur gjysmën e Kodit Penal, ndërkohë që unë s’kam lidhje fare me ngjarjen.

Në momentin që Gazmend Çollaku është marrë peng dhe më pas është gjetur i vrarë, ju jeni shoqëruar, në mos gabohem, në ambientet e policisë së Durrësit. Edhe makina që është sekuestruar nga policia rezulton që është në pronësinë tuaj.
Rreth orës 23:30 kam qenë duke shkuar për në Durrës dhe jam ndaluar nga policia brenda qytetit të Durrësit. Kam qëndruar i shoqëruar në Drejtori, deri në orën 11 të paradites së ditës së nesërme, duke kaluar gjithë afatin e shoqërimit. Afati i shoqërimit për një qytetar është 10 orë. Arsyen që unë po mbahesha i shoqëruar nuk e di. Në momentin që kalova afatin, normalisht i kërkova punonjësit të dhomave që të më jepte shpjegime për arsyen përse unë mbahesha, ose oficeri që kishte kryer veprime me mua të vinte të më sqaronte se çfarë do bëhej. Normalisht kur kalon afati, i shoqëruari ose lihet i lirë, ose merren masa të tjera ndaluese etj, etj. Pas këtij momenti kam ndenjur dhe pak i shoqëruar, dhe më pas jam lënë i lirë.

Ju dhanë arsye përse ju kishin shoqëruar?
Në lidhje me ngjarjen, vetëm në lidhje me ngjarjen. Eshtë bërë kontrolli i automjetit atë ditë, ku prezent gjatë kontrollit të automjetit kam qenë unë dhe mbasi janë mbaruar gjithë veprimet e policisë, në përfundim fare më kanë lënë të lirë.

A keni patur njohje me viktimën Gazmend Çollaku?
Jo, jo, jo personale.

Kur thoni jo personale, e njihnit në distancë?
Nuk e njihja, për shembull të kem ndërruar një bisedë apo të jem uluir me të të flas, jo fare.

Po me të dyshuarin tjetër Denis Shtraza keni njohje?
Kam njohje.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja?
Marrëdhënie deri diku shoqërore. Marrëdhënien time me Denisin e kam sqaruar edhe në deklarimin e dhënë para oficerëve të policisë. Arsyeja ime e shkuarjes në Durrës ka qenë vetëm për të çuar Denisin dhe asgjë tjetër.

Si për të çuar Denisin?
Po e shoqëroja për në shtëpi me makinën time, në orën 23:30 të natës të ditës së ngjarjes.

Dua të ndalemi pak edhe tek detyrat që ju keni kryer në radhët e Policisë së Shtetit, cilat janë këto detyra dhe si kanë qenë marrëdhëniet tuaja në përgjithësi në punë?
Gjatë punës mund të kesh edhe konflikte, gjithmonë që lidhen me punën. E kam filluar karrierën time në Tropojë në vitin 2000, pastaj në Elbasan. Kam ardhur në Tiranë rreth një vit tek Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, kam punuar në Rinas në detyrën e shefit të krimeve të aeroportit. Kama ardhur pastaj në Drejtorinë e Tiranë, shef i seksionit kundër vjedhjeve me armë dhe më dhunë, në drejtori të përgjithshme të policisë, sektori kundër korrupsionit. Dhe në përfundim kam qenë shef i seksionit kundër krimit ekonomik financiar në Tiranë.

Pikërisht nga ky post ju jeni larguar më pas dhe nga policia dhe më pas jeni përjashtuar. A mund të na thoni se çfarë ndodhi konkretisht që ju u përjashtuat? Zyrtarisht Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit deklaron se ju keni dekonspiruar operacionin kundër lojërave të fatit…
Me këtë jam njohur nëpërmjet medias. në fillim fare jam pezulluar në lidhje me këtë akuzë. dekonspirimi i operacionit është vepër penale, gjë të cilën SHKB nuk e vërtetoi. U bë përjashtimi im me një motivacion X, pa e dokumentuar këtë motivacion, duke qenë se ky motivacion është vepër penale.

Po në fakt cili mendoni ju që është motivi i vërtetë i përjashtimit tuaj nga policia?
Mund të them që janë probleme të vjetra me kolegët e mi, oficerët e policisë që sot janë në poste drejtuese.

Si për shembull, mund të kemi një emër apo mendoni se është ende shpejt për të folur?
E di vetë ai që më ka bërë gjithë këtë nder.

Të rikthehemi edhe njëherë tek ngjarja e rëndë për të cilën ju dyshoheni, ju këmbëngulni se nuk keni lidhje, në fakt kjo është tipike e të gjithë personave që dyshohen për vepra të rënda kriminale, por a mund të na thoni konkretisht cilat janë ato tre provat e forta që ju keni në dorë për të kundërshtuar këtë akuzë të rëndë?

Nuk jam i qartë se kur ka ndodhur ngjarja fiks, por duke nisur nga ora 3 e drekës unë kam qenë me nënën time në spital, kam qenë bashkë me bashkëshorten. Pasi kam mbaruar aty, kam lëvizur për të marrë vajzën dhe kam qëndruar në shtëpi deri pasdite vonë. Pastaj kam dalë me bashkëshorten për të mbaruar një detyrim tonin familjar. pastaj gjatë gjithë kohës kam qenë në kafe me miq dhe shokë të mi, ish-oficerë policie. Ngjarjen e kam mësuar në lokal, kam kaluar televizorin tek kanali i Neës-it ku po ndiqja ngjarjen në Durrës. Ambienti është i survejuar me kamera. Unë kam qenë me shokë, me miq në tavolinë, të cilët e provojnë lehtësisht. Përveç kësaj janë qelizat e telefonit dhe tabulatet e mia të telefonit që është sekuestruar.

Ju keni dijeni që Prokuroria për Krime të Rënda i ka sekuestruar këto pamje filmike, ku ju shfaqeni në një lokal në kryeqytet sikurse pretendoni?
Jo nuk kam dijeni që t’i ketë sekuestruar. Nuk jam interesuar që pas ditës që më morën deklarimin për një detaj të tillë. Nëse ato pamje nuk do sekuestrohen nga prokuroria, normalisht që do t’ua vë unë në dispozicion.

Ju thatë që pasi keni konsumuar kafe me miqtë tuaj, të cilët janë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të shtetit, jeni nisur për të shoqëruar Denis Shtrazën drejt Durrësit. Ishte një shoqërim miqësor? Si ndodhi që u bëtë bashkë dhe ju po e dërgonit për në familje?
Jam takuar me të në një lokal afër “21 Dhjetorit”. Ai ishte pa makinë dhe pasi ndenjtëm në lokal dhe ishte vonë më kërkoi ta shoqëroja.

Në çfarë orari keni udhëtuar drejt Durrësit?
Ka qenë rreth orës 23:30.

Pra i bie disa orë më vonë, pasi ishte rrëmbyer Gazmend Çollaku?
Shumë orë më vonë.

Jeni ndaluar po këtë natë?
Pas orës 12:00.

Ku u ndaluat?
brenda qytetit të Durrësit.

Ndodheshit në makinë të dy?
Po.
Pas këtij momenti keni patur kontakte me njëri-tjetrin?
Jo nuk kemi patur kontakte. Denisi u lirua diku rreth orës 08:00. ishim në dhoma të ndara, ndërsa arsyen përse unë po mbahesha deri në orën 11:00 nuk e kuptova.

Momentin që mësuat lajmin se ishit shpallur në kërkim, përse zgjodhët të arratiseshit?
Arsyet se si po bëhen hetimet ndaj meje, e shikoj tendencioze. Normalisht që pjesa e dorëzimit është një veprim që mund të merret nga ana ime, normalisht pasi të konsultohem me avokatin. Po kërkohem sikur të jem një terrorist i sulmeve të Parisit dhe jo sikur jam një ish-koleg i tyre.

Ju thoni që nuk jeni vetëdorëzuar sepse keni humbur besimin, por a nuk do të ishte më mirë të përballeshit me këta ish-kolegë, për të sqaruar njëherë e mirë pozicionin tuaj?

Normalisht do njihen me provat e mia, nga prokuroria, të cilat do të vërtetohen në gjykatë. këto janë organet që unë kam besim.

Po tek policia e shteti?
Nga mënyra se si po zhvillohen hetimet jo. Këto veprime po bëhen me tendencë nga individë të caktuar.

Keni një mesazh për ta?
Nuk kam çfarë tu them tjetër, përveçse i falënderoj për gjithë këtë të mrië që më kanë bërë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.