SPORT

Tërhiqet Qarri: Asgjë me Djalën e Nokën, nipat e Nokës më goditën lojtarët. Shefi i policisë i ka frikë

13:16 - 25.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Presidenti i Kamzës, Naim Qarri, është tërhequr nga akuzat që bëri menjëherë pas ndeshjes ndaj presidentit të Shënkollit, Artan Djala dhe atij të Besëlidhjes, Gjok Noka se e goditën në takimin e së shtunës. Në një reagim për gazetën, kreu i klubit kamzali, më i qetë pas asaj që ka ndodhur, është shprehur:

“Unë nuk kam gjë as me popullin e Lezhës dhe as me tifozët e Shënkollit. Unë çdo gjë e kam vetëm me shefin e komisariatit të policisë së Lezhës, Besim Allamani, duke u bërë palë me tifozët e dhunshëm, pas mbarimit të ndeshjes. Më janë goditur lojtarët, pse? Ku jemi dhe pse nuk u morën masat nga policia, madje nga vetë shefi i komisariatit të Lezhës, rrinte duarkryq e shihte situatën si një spektator.

Madje disa herë shprehet se nuk mund të merrem me nipat e Gjok Nokës, ju e dini se kush janë. Ç’është kjo polici që u trembet disa personave dhe nuk ndërhyn? Pse nuk u ndaluan dhe të shoqëroheshin në komisariat dhunuesit? Ku jetojmë në ’97-ën, që hyjnë tifozët nga hekurat, ose nipat e Gjokës që futeshin në fushë dhe godisnin lojtarët tanë kur ato po futeshin në dhomat e zhveshjes.

Unë nuk kam asgjë as me Artan Djalën dhe as me Gjok Nokën, as me tifozët e Lezhës që kishin ardhur për të ndjekur takimin. Me të dy presidentët kam pasur gjithnjë marrëdhënie të mira. Në të gjitha ndeshjet që janë luajtur në Kamzë i kemi respektuar normalisht, po ashtu edhe ata na kanë respektuar si miq. Kam 11 vjet që drejtoj klubin e Kamzës dhe asnjëherë nuk kemi pasur problem me Lezhën.

Çdo gjë unë e kam me nipat e Nokës. Ç’lidhje kanë nipat e tij të dalin e të godasin lojtarët e mi në Shënkoll?! Unë disa herë u thosha policëve ‘kape atë që të mos i gjuajë futbollistëve të mi’, madje disa herë i kam thënë edhe shefit që të ndërhynte. Ai përgjigjej ‘është nipi i Gjok Nokës, ku ta çoj unë atë’.

Dua të theksoj dhe madje i bëj thirrje Gjok Nokës që në ndeshjen që do ta zhvillojë në Kamzë do ta shikojë me sytë e tij se si menaxhohet dhe luhet futboll dhe si mund të kulturohen njerëzit. Të vijë dhe vetë Artan Djala”, përfundon reagimin e tij Naim Qarri. /PanoramaSport


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.