Tech

Video+foto/ Të gjitha detajet e atentatit me 2 viktima në Durrës. Kush ishte ish-shefi i Krimeve në arrati

23:15 - 25.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Një atentat i mirëorganizuar i mori jetën sot në zonën e Sukthit 2 viktimave, Ervin Dalipajt dhe Juxhin Dautit. Të rinjtë po udhëtonin me mjetin e tyre “Audi”, kur një automjet tjetër i zi i ndoqi pas dhe persona të panjohur qëlluan me breshëri duke e bërë makinën shoshë me plumba.

Njëri prej viktimave, Ervin Dalipajt ishte në arratil; ai ishte në kërkim nga policia si i dyshuar për vrasjen e Gazmend Çollakut i cili u rrëmbye dhe u vra në fillim të janarit 2016. Në dosjen e prokurorisë thuhet se në makinën e Dalipajt u gjetën gjurmë të gjakut të Çollakut. Vetë Dalipaj, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” më 31 janar 2016 tha se nuk ishte e vërtetë që ai të ishte autor i ngjarjes. Sipas Dalipajt, kishte prova që ai ndodhej në shtëpi.

Viktima tjetër e atentatit të Sukthit është Juxhin Dauti. Ai u përfshi si i dyshuar në vrasjen e kampionit të bilardos në Vlorë, Fatjon Banaj. Megjithatë, kjo akuzë nuk u provua dhe Dauti kishte marrë pafajësinë në gjykatë.

DESHMITARET

Pak minuta pas vrasjes së dyfishtë në Durrës, pranë mbikalimit të Sukthit, dëshmitarë të ndryshëm dhanë detaje për ngjarjen që tronditi sot qytetin bregdetar.

Ata kanë pohuar se automjeti tip “Audi” me targa AA 111 OI, ku udhëtonin viktimat Ervin Dalipaj dhe Xhulio Dautaj udhëtonte në rrugën dytësore Durrës-Tiranë dhe se ndiqej nga pas nga një automjet i zi. Të dyja makinat sipas dëshmitarëve ishin me shpejtësi të madhe.

“Automjeti ka qenë në rrugën dytësore Durrës-Tiranë, ish-rruga e vjetër dhe janë ndjekur nga një automjet i zi. Dy automjetet kanë qenë me shpejtësi skëterrë. Më pas është qëlluar nga mjeti i zi, ndërsa mjeti “Audi”  ka lëvizur 20 m nga rruga dytësore drejt autostradës dhe çdo gjë ka mbaruar në pak minuta. Mjeti i autorëve është larguar në drejtim të Shijakut”, deklaruan dëshmitarët.

MAKINA NEN BRESHERI

Makina “Audi” u bë shoshë nga plumbat. Shihni fotografitë dhe videot:

 

KUSH ISHTE ERVIN DALIPAJ

Viktima ishte në kërkim për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut vjen nga radhët e forcave të rendit dhe nga poste jo pak të rëndësishme. Ja cili është ai:

Ervin Dalipaj, 37 vjeç, banues në Tiranë;

Profesioni: ish-oficer policie në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm;

Ish-shef i Seksionit Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës;

I përjashtuar nga radhët e uniformave blu në 1 dhjetor 2013, me motivacionin për “dekonspirim të operacionit për lojrat e fatit”.

29 janar 2016. Shpallet në kërkim me shkresën numër 830, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda cakton masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ndaj Dalipaj rëndojnë veprat penale “rrëmbim ose mbajtje peng të personit”, e kryer në bashkëpunim dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

Ndërkohë që sot ishte gjyqi për Dalipaj.  I shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasjen e Gazmend Çollakut, sot  në Gjykatën e Krimeve të Rënda ishte edhe gjyqi i tij, por është shtyrë. Kjo për shkak se nuk ishte i pranishëm.

 

INTERVISTA NE “GAZETEN SHQIPTARE”

Ervin Dalipaj, ish-polici i shpallur në kërkim për vrasjen dhe rrëmbimin në bashkëpunim të Gazmend Çollakut, ekzekutuar ketë mesdite ne Sukth, brenda mjetit te tij se bashku me shtetasin Xhino Dautaj ne intervistën e tij te fundit ka hedhur drite mbi akuzat qe e lidhnin atë me vrasjen e Gaz Çollakut.

Ne fund te janarit te vitit te shkuar ai ka folur në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” dhe “News 24” më 31 janar 2016, për gazetaret Klodiana Lala dhe Xhensila Kodra.

Ervin Dalipaj tha se ishte i pafajshëm dhe se natën kur ndodhi ngjarja (janar 2016) ka qenë në Tiranë me familjarët e tij.

Sipas Dalipajt, ai ka prova filmike që provojnë sipas tij se atë natë ka qenë me familjarët e tij. Dalipaj tha se policia e ka shoqëruar më parë për ngjarjen dhe pas 10 orësh e ka lënë të lirë për mungesë provash.

Ai tregon se u ndalua ditën e ngjarjes, pas orës 24:00 në Durrës, teksa çonte Denis Shtrazën në shtëpi. Sipas Dalipajt, provat kundër tij janë fabrikuar nga Policia e Shtetit.

Ditën e djeshme ish-polici u shpall në kërkim, pasi sipas Prokurorisë ka prova se është i përfshirë në rrëmbimin dhe vrasjen e Gaz Çollakut.

Prokuroria tha se ndaloi pas ngjarjes Denis Shtrazën e arrestuar dhe Ervin Dalipajn që lëviznin me një mjet, dhe aty u gjendën gjurmë gjaku që korrespondonin me viktimën.

“Kam mësuar nga mediat rrëmbimin dhe vrasjen e Çollakut. Isha në një lokal të një ish-oficerit të Policisë.

Gjatë gjithë ditës kam qenë në Tiranë me të afërmit e mi dhe me familjen. Kjo është e verifikueshme përmes telefonin tim. E vërtetoj me pamjet filmike të lokalit ku kam pirë kafe”, shprehet Dalipaj.

Sipas Dalipajt, akuzat janë fabrikuar nga oficerë të caktuar të policisë. Ish-funksionari i policisë sqaron se me Denis Shtrazën, i cili u arrestua si i dyshuar për vrasjen, ka marrëdhënie shoqërore.

Ervin Dalipaj konfirmon se nuk është larguar nga Shqipëria, por thotë se nuk do të dorëzohet në polici, pasi nuk ka besim.

“Shpallja ime në kërkim është tendencioze. Po kërkohem sikur jam terrorist i Parisit. Nuk dorëzohem se nuk kam besim te policia. Kam besim vetëm te Prokuroria dhe gjykata”, u shpreh Dalipaj.

AKUZA E PLOTE E PROKURORISE NDAJ ERVIN DALIPAJT

Dalipaj ka mbajtur postin e shefit të Sektorit Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorine e Policisë së Tiranës. Prokuroria rrëfen më poshtë si dhe pse ndodhi vrasja e Çollakut.

DOSJA E PLOTE

Prokuroria për Krime të Rënda ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të Denis Shtrazës dhe ish efektivit të policisë Ervin Dalipaj, të akuzuar për rrëmbiimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në 6 janar të këtij viti në Durrës. Ata do të dalin para gjykatës për veprat penale “Rrembimin ose mbajtjen peng te personit“ e paraprirë ose e shoqëruar me tortura fizikike dhe kur është shkaktuar vdekja e tij”, e kryer ne bashkpunim, “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje te armeve luftarake” dhe “Mbajtje pa të drejtë të uniformës”.

Këta dy shtetas akuzohen se, së bashku me dy persona të tjerë ende të paidentifikuar, në 06.0.2016 kanë rrëmbyer dhe vrarë shtetasin Gazmend (Laert) Çollaku. Fillimisht dy të dyshuarit janë shoqëruar menjëherë pas ngjarjes nga Policia Gjyqësore, por më pas janë lënë të lirë. Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka siguruar prova të mjaftueshme për të ngritur akuzë ndaj këtyre dy shtetasve dhe mori miratimin e Gjykatës për Krime të Rënda për arrestimin e tyre. Deri në përfundim të hetimit, nën arrest ka qenë vetëm i pandehuri Denis Shtraza. Ndërsa i pandehuri tjetër, Ervin Dalipaj nuk është gjetur ende.

Në dosjen e Prokurorisë për Krime të Rënda thuhet se:

– midis shtetasve Denzi Shtraza dhe Lart Çollaku egziston një konflikt, pasi ka dyshime se ky i fundit ka tentuar të vrasë Denizin në vitin 2013;

– dy shtetasit nën hetim Ervin Dalipaj dhe Deniz Shtraza janë shoqëruar nga policia vetëm 3-4 orë pas rrëmbimit dhe vrasjes së shtetasit Lart Çollaku me mjejtin tip Benz Ml, me ngjyre te zeze me targa AA671MZ, në pronësi të Ervinit, ku janë gjetur gjurmë gjaku të njëjta me ato që janë gjetur në vendngjarje dhe në rrobat e viktimës;

– ky mjet në datën 06/01/2016 është përdorur vetëm nga shtetasi nën hetim Ervin Dalipaj dhe në orët e pasdites dhe mbrëmjes së kësaj ditë kanë qenë vetëm me shtetasin nën hetim Deniz Shtraza;

– të dy shtetasit nën hetim pranojnë që gjatë datës 06/01/2016 në orët e pasdites dhe mbrëmjes kanë qëndruar së bashku por në deklarimet e tyre kanë kontradita të qarta dhe të shumta lidhur me oraret e takimit dhe lëvizjes, vendet e ku kanë shkuar dhe me cilët janë takuar në Tiranë, të paarsyeshme për veprime të kryera vetëm disa orë para deklarimit;

– të dy shtetasit nën hetim deklarojnë se nuk kanë asnjë dijeni se të kujt janë 9 aparatet celularë të gjendur në mjetin e Ervinit, ne xhepin e derës së pasagjerit ku ka qenë duke qëndruar Denizi;

rezulton i provuar fakti se në bagazhin e mjetit në pronësi të shtetasit nën hetim Ervin Dalipaj ku ka qenë të paktën dhe shtetasi nën hetim Deniz Shtraza është vendosur dhe më pas është vrarë shtetasi Lart Çollaku.

Pra rezultoi e provuar se shtetasit nën hetim Ervin Dalipaj dhe Deniz Shtraza në bashkëpunim midis tyre dhe në bashkëpunim dhe me dy persona të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë rrëmbyer shtetasin Laert (Gazmend) Çollaku, e kanë lidhur në këmbë dhe duar me fasheta të zeza, e kanë transportuar si fillim me një mjet tip Audi, per ne fshatin Murqin te Krujes dhe e kanë vrarë me armë zjarri, duke konsumuar në këtë mënyrë veprën penale të “Rrembimin ose mbajtjen peng te personit“ e paraprirë ose e shoqëruar me tortura fizikike dhe kur është shkaktuar vdekja e tij”, e kryer ne bashkëpunim dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje te armeve luftarake”.

Po ashtu shtetasit nën hetim Ervin Dalipaj në datën 06/01/2016 reth orës 23 :40 kur është shoqëruar nga Policia e Durrësit i është gjetur dhe sekuestruar një një dokument me nr. xxxxx i lëshuar nga Drejtoria e Policisë Tiranë dhe një stemë metalike me mbishkrimin « Policia » të cilat i mbante pa lejen e organeve kompetente.  Ky shtetas ka qenë punonjës i policisë nga viti 2000 deri në vitin 2012 kur është liruar.  Në këtë mënyrë ka konsumuar veprën penale të «Mbajtjes pa të drejtë të uniformës».

A E ARRESTOI DALIPAJ TE BABAIN E SAIMIR TAHIRIT?

Ish-efektivi i Policisë, Ervin Dalipaj, i cili mbeti i vrarë në atentatin e sotëm në Sukth të Durrësit ishte personi që i vuri prangat babait të ish-ministrit Saimir Tahiri, Bashkim Tahirit në mars të 2013-ës, nën akuzën e kontrabandës së medikamenteve.

Në atë kohë, Ervin Dalipaj ishte shef i Sektorit Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe në atë kohë drejtonte hetimet ndaj babait të Saimir Tahirit, duke çuar në arrestimin e tij.

Megjithatë, disa javë më vonë, babai i Tahirit u lirua nga të gjitha akuzat.

Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” në 31 janar 2016, Dalipaj e mohoi këtë. Ai deklaroi se nuk ka qenë pjesëtar i operacionit për arrestimin e Bashkim Tahirit, babait të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. “Nuk është se unë kam qenë pjesë e atij operacioni. Ai ishte një operacion që u zhvillua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, dhe në momentin që erdhi në ambientin e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, normalisht që veprimet hetimore do të kryheshin nga ana e seksionit që unë mbuloja”, sqaron Dalipaj për “Gazetën Shqiptare”.

KUSH ISHTE VIKTIMA TJETER, JUXHIN DAUTI

2 persona u vranë sot me armë në Durrës. Emrat e viktimave janë Ervin Dalipi dhe Juxhin Dauti, i njohur me pseudonimin Labi. Dalipi ishte në kërkim për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut vjen nga radhët e forcave të rendit dhe nga poste jo pak të rëndësishme.

Viktima tjetër, Juxhin Dauti ka qenë akuzuar për vrasje në Vlorë, në 2012, por më pasi ai fitoi pafajësi në Apel.

NGJARJA NE VLORE

(Fatjon Banaj)

(lajmi në mediat e kohës)

VLORE- Ekzekutohet me tre plumba në trup ishkampioni kombëtar i bilardos, Fatjon Bani. 31- vjeçari është qëlluar për vdekje në makinë nga shoku i tij, Juxhin Dauti, i cili është shpallur në kërkim. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës, bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë në lagjen “Pavarësia” dhe konkretisht në afërsi të godinës së repartit të zjarrfikësve.

VRASJA Rreth orës 19:30, efektivë të repartit të zjarrfikësve kanë dëgjuar zhurmë përplasjeje automjetesh. Menjëherë dy prej tyre kanë dalë jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur, ndërsa kanë dëgjuar një të ri që thërriste për ndihmë. Dy punonjësit zjarrfikës kanë konstatuar se i riu ishte i plagosur me armë zjarrri, ndaj e kanë dërguar urgjentisht për në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Gjatë rrugës, viktima u ka thënë atyre se quhej Fatjon Bani. Dëshmitarët e ngjarjes kanë deklaruar në polici se i riu ishte i ndërgjegjshëm kur fliste dhe se kishte humbur shumë gjak. Menjëherë, mjekët e kanë futur të plagosurin në sallën e operacionit dhe e kanë operuar për më shumë se dy orë. Sipas bluzave të bardha, Bani kishte marrë tre plumba në trup, të cilët i kishin dëmtuar edhe një arterie kryesore. Pas dy orësh operacion, mjekët kanë njoftuar se i riu nuk u mbijetoi plagëve të marra.

Me të marrë informacionin, forca të shumta policore kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur kryerjen e veprimeve hetimore.

Nga kryerja e hetimeve paraprake ka rezultuar se autori i krimit ishte shoku i viktimës, 22- vjeçari Juxhin Dauti, banues në lagjen “Hajro Çakëri”. Sipas hetuesve të çështjes, dy të rinjtë kanë qenë duke udhëtuar bashkë në automjetin tip “Peugeot” me targa italiane, pas stadiumit të Vlorës, dhe gjatë kësaj kohë autori i dyshuar Dauti e ka qëlluar Fatos Banin me pistoletë. Dëshmitarët e ngjarjes (zjarrfikësit) janë shprehur se nuk kanë dëgjuar asnjë krismë, ndaj dyshohet se arma e përdorur ka qenë me silenciator ose zhurma është mbytur nga distanca e afërt.

Për sa i përket motivit të krimit, dyshohet se mund të ketë qenë sherr i momentit, pasi dy të rinjtë njiheshin si shokë (ishin dhe fqinjë).

VIKTIMA 31-vjeçari Fatjon Bani njihej si kampioni i bilardos në qytetin bregdetar. Ai ka fituar kampionatin kombëtar në vitin 2003, kupën e Republikës në 2006-ën, si dhe titullin kampion në shumë kampionate, si brenda dhe jashtë vendit. Gjatë kësaj kohe ai menaxhonte një lokal në afërsi të konsullatës italiane në Vlorë, së bashku me familjen.

FOTO TE TJERA TE NGJARJES ME 2 VIKTIMA NE SUKTH TE DURRESIT

GSH.al

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.