SPORT

Drejtori i Flamurtarit: I zhgënjyer nga fjalët e poshtra të Cungut, Teuta si historia e dhelprës me rrushin

10:58 - 26.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




“Për lesh keni për të vajtur”. Kjo fjali e trajnerit të Vllaznisë, Armando Cungu, e thënë gjatë ndeshjes së fundit në Vlorë, ka zhgënjyer së tepërmi drejtuesit e Flamurtarit. Dje, në një reagim për “Panorama Sport”, drejtori Vangjel Laluci e cilëson një fjalor të ulët atë që ka përdorur Cungu.

“Kam mbetur i zhgënjyer nga ajo se çfarë ka thënë trajneri Cungu gjatë ndeshjes. Për Cungun kam pasur një mendim tjetër. Kam mbetur i zhgënjyer nga ato fjalë të poshtra, që nuk i takojnë aq më shumë një shkodrani që t’i nxjerrë nga goja. Ne me Shkodrën kemi pasur marrëdhënie të mira dhe këtë nuk e kemi bërë artificialisht, por edhe ata e kanë ndier.

Të dalë ky trajner në një moment qoftë edhe emocional dhe të shprehet kështu, kjo është pa justifikim. Unë jam befasuar nga ai reagim dhe e dënoj me shumë forcë. Kur ka fituar në Vlorë 0-1, ne u kemi dhënë dorën dhe u kemi uruar suksese. Sepse ata e merituan dhe ne i vlerësuam.

Por të dalë ky, pa asnjë shkak se nuk i përgjigjet ekipi i tij, dhe të na shajë ne, kjo është shprehje rrugaçërie. Unë e kuptoj zemërimin e një trajneri, por të shante ekipin e tij, nuk kishte punë me ne. Ai fjalor nuk i lejohet një tifozi dhe jo më një trajneri”, është shprehur fillimisht Laluci.

TEUTA

Në vijim të bisedës për gazetën, drejtori i Flamurtarit flet edhe për ndeshjen e radhës ndaj Teutës. Ai komenton edhe deklaratën e zv.trajnerit të durrsakëve, Xhevahir Kapllani.

“E dëgjova dhe po qesh edhe tani. Është si ajo historia e dhelprës me rrushin. Hëngri 5 gola nga Partizani dhe tha kjo nuk është ndeshja jonë, por ajo me Flamurtarin. E dija që Partizani do të fitonte. Ne do të përgatisim një ndeshje të mirë me Teutën. Magani ka qenë trajneri ynë dhe, për fatin tonë të keq, i njeh mirë lojtarët dhe do të marrë masat e tij.

Ndeshja me Teutën është shumë e vështirë dhe unë do të uroja që të marrim tri pikë, që edhe mund t’i marrim. Por, mos harroni edhe nëse i marrim tri pikët, do t’i marrim me shumë mundim”, theksoi Laluci.

Në fund, drejtori i vlonjatëve foli i bindur për mbijetesën. “Kisha frikë se mos pas ndeshjes me Luftëtarin do të kishte vetëkënaqësi te futbollistët tanë. Fituam, por nuk kishim arritur gjë të madhe. Jemi në valle dhe një gabim i vogël na kushton. Duhet të jemi pragmatistë”, përfundoi Laluci.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.