Speciale

FOTOT/ Në radhë me foshnjat në krah, shikoni ç’heqin shqiptarët në konsullatën tonë në Milano (Një premtim i pambajtur i Ramës)

15:06 - 26.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Radhët nuk mbarojnë kurrë për shqiptarët – burokracia është tipar themelor historik i zyrave tona. Që nga radhët e gjata në dyqanet e qumështit, bukës e vajgurit e deri tek ato të sotme nëpër zyra policish, postash, kolaudimesh… historia është e njëjtë. Ndryshon vetëm forma.

Nga kjo traditë nuk bëjnë përjashtim as ambasadat dhe konsullatat shqiptare. Vetë kryeministri Rama kur ishte në opozitë premtoi se se në zyrat diplomatike jashtë Shqipërisë, burokracia si parathënie e ryshfetit dhe korrupsionit do të merrte fund.

Kur erdhi në pushtet, kryeministri Rama u hodh në veprim.

Në datën 2 shkurt 2014 ai vizitoi konsullatën shqiptare në Milano.

Aty takoi emigrantët dhe njoftoi se kishte kallzuar penalisht ish-konsullen për shpërdorim detyre dhe abuzim financiar.

Rama u mburr se do t’i japë fund radhëve në dyert e konsullatës.

“Ne do të fokusohemi shumë fort tek shërbimet për qytetarët, të cilat kanë trashëguar një histori korrupsioni, një histori arrogance dhe një histori banaliteti që praktikisht nuk i bën nder jo shtetit, por nuk i bën nder askujt. I siguroj të gjithë qytetarët tanë që jetojnë në Itali dhe që kanë të bëjnë me këtë konsullatë apo me konsullatat e tjera, se në një kohë të arsyeshme, por jo të gjatë, do të shohin vetë një ndryshim rrënjësor në mikpritje, në trajtim dhe në dhënien e shërbimit ndaj tyre”, tha asokohe kryeministri.

Në fotografitë që po publikojmë sot në GSH.al dhe që janë sjellë në redaksi nga vetë emigrantët, vetëm “ndryshim rrënjësor dhe mikpritje” nuk vihet re. Prindër me fëmijë të mitur me karroca, presin në ambiente të vogla për një shërbim që çdo shtet normal e ofron ‘on-line’ ose në mënyra komode. Dikush një vulë, tjetri një vërtetim – qindra vetë përplasen në ambientet e konsullatës sonë në Milano në kushte jonormale me karroca fëmijësh e foshnja në krahë.

“Duhet të bëjmë sa më shpejt spostimin në një vend ku të mund të përballohet ky fluks”, tha në shkurt 2014, Edi Rama.

Siç shihet nga fotot, ky spostim nuk është kryer. Ndoshta duhet një veting diplomatik dhe ndoshta, një mandat i dytë për të mbajtur premtimet.

GSH.al

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.