KULTURË

Pse duhet ta lexoni romanin “Lulet e kripës” të Jakov Xoxës?

16:02 - 26.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Shefkije Islamaj

Ribotimin e romanit të madh dyvëllimësh të shkrimtarit të madh Jakova Xoxa ”Lulet e kripës”, që na rivjen i plotë, i plotësuar dhe i pacenuar nga ana ideo-përmbajtjesore dhe nga ana artistike, pra gjuhësore e stilistike, e konsideroj ngjarje me rëndësi kulturore.

Në letërsinë shqipe të fundshekullit 20, kam përshtypjen se më së paku është modernizuar romani në krahasim me zhanret e tjera. Edhe në pak romane ku mund të vërehen shënjues të gjedhes moderne të prozës, mbizotëron struktura narrative tradicionale sado pjesërisht hetohet një kompozicion pak a shumë modern, përkatësisht një kompozicion asociativ-eseistik i tekstit.

Më rrallë kemi ndonjë roman simbolik fragmentar. Në të vërtetë gjatë viteve 90 mund të hetohen edhe tema edhe topose që karakterizojnë prozën ekspresioniste dhe aty-këtu moderniste. Për dallim prej shume syresh që janë shkruar në vitet ’70 e këtej deri në fund të shekullit 20, pra përgjatë 30 vjetëve, dy romane janë që shquhen me strukturë narrative origjinale, jo te zakonshme për letërsinë shqipe: “Lulet e kripës” e Jakov Xoxës dhe romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” e Rexhep Qosjes. Edhe romani “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës dallon prej romaneve të tjerë të shkruar asokohe.

Duke qenë se për këtë roman është shkruar e thënë shumë më pak se për dy romanet e tjerë të Jakov Xoxës, ”Lumi i vdekur” dhe ”Juga e bardhë”, me pa të drejtë sigurisht,  ky ribotim që i vjen lexuesit të sotëm dhuratë në variantin e tij të plotë, pra i plotësuar me ato që kanë mbetur jashtë tij madje edhe për arsye censure, është rast i mirë që edhe studiuesit letrarë, edhe studiuesit gjuhësorë, dhe, sidomos, lexuesit në përgjithësi, ta lexojnë e ta rilexojnë, sepse ka shumë arsye pse duhet të lexohet ky roman nga lexuesi shqiptar sot dhe pse duhet të rimerret e të studiohet nga studiuesit letrarë e gjuhësorë. Pse duhet, pra, të lexohet romani ”Lulet e kripes”? Me pak fjale do të përpiqem t’i provoj këto që thashë.

Romani ”Lulet e kripes”, siç e dinë ata që e kanë lexuar, është roman i veçantë; është roman i shkruar në kohën e trysnisë së madhe ideologjike, por që i ka shpëtuar asaj trysnie më shumë se ç’ ka qenë e mundur dhe se ç’ka qenë e menduar; është roman që i ka çliruar dogmat e kufizimet e kohës; është roman ku kryqëzohen kohë, kultura, besime. filozofi, mite; është roman ku ndërthuren realja me fantastikën, ku ndeshen kontrastet e antitezat më të fuqishme, ku mbruhen simbolet më largvajtëse, ku marrin kuptime sipërore e sfidohen njeriu me të gjitha ato që përbëjnë jetën e tij:  lindja e vdekja, liria e robëria, dashuria e urrejtja, lumturia e vuajtja, shpresa e zhgënjimi, ëndrra e zhgjëndrra, kamja e skamja, urtësia e marrëzia, drejtësia e padrejtësia, lufta dhe paqja; është roman ku ndihet fort përcëllimi i diellit, ku shijohet thellë idhtësia e eshkës, njelmësia e fuqia jetësore e kripës, ku regjet e dergjet  foshnja e plaku, ku të rrahë deti po aq sa jeta, ku mallkimit i njihet jehona përtej detit, ku liria dëshirohet e duhet më shumë se kripa.

Për këto arsye romani “Lulet e kripës” i Jakov Xoxës është roman tejet mbresëlënës, është roman që nuk lexohet vetëm njëherë dhe nuk lexohet vetëm njëherë sidomos për semantikën e estetikën e tij, sepse shënjuesit qenësorë poetikë të tij, në të vërtetë disa shtresa të semantikës së tij nuk mund të kuptohen e as të përjetohen me leximin e parë.

Pas shumë vjet studimi të gjuhës e të stilit të Jakov Xoxës dhe pas botimit të monografisë me titullin Jakov Xoxa – Gjuha dhe stili, me më shumë se 400 faqe, këtu e afër 20 vjet më parë, një monografie për të cilën nuk kanë heshtur as studiues me emër e as njohës të mirë të veprës së tij e të shkencës shqiptare, e them me sigurinë e plotë se sot do t’i hyja me dëshirë edhe një herë studimit të veprës së tij, sërish me pikëvështrim kryesor semantikën dhe estetikën e saj, stilistikën gjuhësore dhe letrare të saj, sepse ky rilexim i këtyre ditëve i Luleve të kripës më ka zbuluar edhe shumë të fshehta të artit të tij, edhe shumë të pathëna e të heshtura të tij që dalin si nëntekst shumështresor e që nuk i kam zbuluar asokohe.

Dhe, nuk i kam zbuluar jo për fajin tim, por pse një roman si ky duhet të lexohet shumë herë, pse analiza e stilit dhe e gjuhës, analiza e strategjive diskursive, karakteristike për këtë roman, mund të zbulojnë më mirë se çdo analizë tjetër vlerën estetike të këtij romani.

Shikuar nga ky këndvështrim mund të thuhet se romani Lulet e kripës shquhet me gjerësi e larmi shumëligjërimësie, me këmbime më se të natyrshme ndërligjërimore, shquhet me lirizëm të theksuar dhe dramacitet e tragjizëm të thellë, me ndërveprime stilore, me ironinë, me ndërtekstualitetin dhe, sidomos, shquhet me eseizim – të gjitha këto karakteristika që i përshkruhen edhe romanit modern.

Rrëfimtari i Jakov Xoxës në këtë roman, në vetën e parë, më shumë ka rol ndërmjetësi te skenat e shumta e të ndryshme dhe te pjesët tekstore sesa si narrator. Në këtë kuptim rrëfimi zhvillohet në mënyrë jo të drejtpërdrejtë përmes refleksioneve filozofiko-teorike.

Të gjitha veprimet narrative në mënyrë metaforike shprehin gjendjen shpirtërore të personazheve kryesore, prandaj mund të thuhet se ato janë ndërtuar edhe sipas gjedhes së personazheve ekspresioniste. Forcat kryesore lëvizëse që kushtëzojnë qëndrimin dhe sjelljen e tyre janë rebelizmi dhe gjallësia, të përshkuara nga ndjenja, ta quajmë, demonike e dashurisë dhe e urrejtjes:

“Atë pasdite të nxehtë maji të vitit 1940, mbi dunat e shkreta të lumishtës që rrethon kriporen e qytetit bregdetar, mbi piramidën e vetmuar të kripës së mbetur nga stina e kaluar mbi fushën e shkretë të kripores që shtrihej nga godina e administratës deri në gjolin e Naforës, qielli dukej sikur ishte shkëputur e larguar nga toka…

Me trishtimin e asaj ndarjeje të qiellit nga toka, po e sodiste botën Arta, vajza e madhe e Ylviut, mekanikut të kripores. As Gadishulli i Krokodilit, as Ishulli i Shqipes Dykrenare, as kurorat e ullishtave mbi kodrinat e Bukashentës, as shpërthimi i dallgëve te Shkëmbi i Trirrasave, as kreshta e kalasë së lashtë nuk po e lidhnin dot atë ditë qiellin me tokën.” L. k. I, f. 25.

Dramat kolektive, dramat personale, intime, të personazheve marrin karakter dhe kuptim të rezistencës së përgjithshme, të njeriut të shëmbëllyem me mbinjeriun ekspresionist, forca e të cilit është e njëjtë me forcat natyrore, kurse qëndrueshmëria për të përballuar fatet e ngjashme me fatin e Prometheut. Përshkrimi hiperbolik i ngjarjeve tragjike, i pikëllimit, i fatkeqësive të ndryshme, përmban elemente stilistike tipike ekspresioniste

Ta kujtojmë dhembjen e madhe njerëzore që shkakton humbja e fëmijës për nënën, që i ka sjellë errësimin e mendjes Gruas së Mallkimit, aq sa të mendojë se shpirtrat e këqij të tokës kanë hyrë në trupin e saj:

“Pasi mallkonte derisa lodhej, ngulur përballë konakëve të arhondit, Gruaja e Mallkimit shkonte tek ulliri i vetëm stërgjyshor në krye të Naforës dhe ulej rrëzë tij të merrte fuqi për të bërë rrugën e kthimit, gjithë me mallkim në gojë …

Nga mallkimi i saj pëlcet ujthi i kokës se fëmijës në bark të nënës…” thoshin plakat e Naforës, kurse nuset dhe vajzat e arhondëve rendnin t’i shpinin ullinj, vaj, peshk, putarga, që t’ia zinin gojën me haje të ëmbël. Por, Gruaja e Mallkimit vazhdonte të nëmte, me zë gjithmonë më të lartë dhe nëma gjithmonë më të hidhura për t’i treguar arhondërisë se ishte gjallë dhe ata duhet te paguanin përditë tagrin e vet.” L. k. I, f. 25.

Mallkimet në gjuhën e personazheve të Xoxës shprehin ndjenja të fuqishme që vijnë nga pesha e jetës, shprehin dëshpërim, zhgënjim, urrejtje, shprehin gjendje fatkeqe, pashpresë e fatalitet, shprehin anën e shëmtuar të jetës e të natyrës së njeriut.

Rrëfimi është i ngjeshur, dramatik, kurse fabula e ndërtuar përmes fragmenteve jo të vazhdueshme kohore, të cilat përmbajnë edhe rrëfimin retrospektiv duke parashikuar ndodhitë që vijnë:

”Erdhi një kohë kur vendgropimi i të vdekurve u bë më i madh se vendbanimi i të gjallëve nafariotë; numri i kryqeve më shumë se numri i oxhakëve dhe s’mbeti vend në atë ishull të vogël, të rrethuar nga ujërat e kripura, ku të ngrije banesë e varr të ri. Dhe qëllonte shpeshherë dimrave të fortë, kur fryhej gjoli nga bura e detit, të përmbytej fshati i të gjallëve dhe varrezat e të vdekurve.

Në raste të tilla fatkeqe, të gjallët e mbytur groposeshin me shumicë nën dhe, kurse të vdekurit e groposur dilnin mbi dhe. Kështu kufomat e mbytura të ish-peshkatarëve të gjallë nafariotë përziheshin e shëtisnin mbi gjol së bashku me skeletet e ish nafariotëve të vdekur.”  (L.k.I, f.12,13).

Narracionin e këtij romani e shquan një shtresë e veçantë stilistike, të cilën, mendoj se nuk gaboj, nëse e vlerësoj si shënjuese mbizotëruese stilistike të artit ekspresionist të Xoxës. Në repertorin e zgjidhjeve stilistike të autorit, ku shquajnë posaçërisht paralelizmat e antitezat, si në shembullin e sipërdhënë, bien edhe krahasimet biblike, referencat dhe komentimet, me të cilat Xoxa përshkruan kohë e mjedise, gjendje, personazhe me figurshmëri të lartë.

Narratori në mënyrë mjeshtërore kalon prej një regjistri gjuhësor në tjetrin, po kështu me shumë mjeshtëri, shfrytëzohen gjedhe të të folurës vendëse midis personazheve dhe, sidomos, dialogë jo vetëm të personazheve kryesorë.

Në kuptimin artistik romani është i realizuar plotësisht. Mjafton të përmendim mënyrën e tematizimit të disa toposeve, t’i quajmë ekspresioniste Ndryshe nga kuptimi i saj burimor, që lidhet me retorikën, termi topos këtu përdoret për të emërtuar gjedhet e qëndrueshme mendimore, përshkrimet standarde, metaforat e gjithëpranuara, për të emërtuar një motiv të tipizuar letrar.

Këto topose të llojit të veçantë, te “Lulet e kripës”, funksionalizohen përmes raporteve të ndërtuara në binomin: truporja / shpirtërorja, tokësorja / qiellorja, e mira / e keqja, dobësia / forca, gruaja / burri, kripa e egër / kripa e butë, shterpësia / pjelloria e kështu me radhë, përmes përshkrimeve, meditimeve dhe gjedheve aforistike a proverbiale. Fjala vjen topose të llojit të vet i konsideroj kripën dhe lulen e kripës që nisin e aktualizohen që në titullin e romanit, e gjejmë edhe në nëntituj dhe, madje, përgjatë gjithë romanit, duke u ngritur në simbol jo vetëm të tij, pra të romanit, por edhe të vetë jetës së nafariotëve, përkatësisht myzeqarëve. Pse pikërisht lulja e kripës? Dhe, pse e kripës?

Kripa është një dhuratë e madhe që na e ka dhënë toka. E tillë konceptohet edhe në romanin Lulet e kripës Në historinë njerëzore, në historinë ekzistenciale të njeriut, asaj i janë përshkruar fuqi të jashtëzakonshme magjike dhe aftësi për të përthithur energjinë negative. Në Antikë është konsideruar simboll i përparimit dhe i shëndetit. Duke qenë se kripa simbolizon në të njëjtën kohë jetën dhe vdekjen, Xoxa e ka shfrytëzuar si simbol të tillë duke dëshmuar mrekullisht deri në ç’shkallë mund të ngrihet artistikisht një element, siç është kripa a një bimë siç është lulja e kripës, në simbol mbarënjerëzor.

Duke qenë, po kështu, si përbërëse e çdo qelize, e domosdoshme për mbajtjen e jetës, ajo në një mënyrë simbolizon materien bazë të çdo qenieje të gjallë. Energjia e kripës shprehet në veçoritë e saj ushqyese, ruajtëse, qetësuese e pastruese, por edhe shterpëzuese. Domethënë ajo përmban veti që në të vërtetë janë vetë esenca e jetës. Mendimi i Xoxës është ky:

”Kripa është elementi më kontradiktor në natyrë: konservon dhe shterpëzon, ruan të vdekurën dhe sterilizon të gjallën”. L.k.II, f.415.  Së këndejmi romani ”Lulet e kripës” është roman mbi thelbin e jetës, roman mbi jetën dhe vdekjen, roman që ruan e shterpëzon, roman mbi të mirën e të keqen, mbi dashurinë dhe urrejtjen. Më duket se simbolika e kripës na del plotësisht e qartë. Por, të shohim se ç’na thotë Xoxa konkretisht me estetikën e tij, me gjuhën dhe stilistikën e tij në një tekst që është një fragment i shkurtër i legjendës së gjatë që nis romanin “Lulet e Kripës”:

“Dhe u mësuan ta hanin kripën me grusht, që t’ ua bënte ujin të shijshëm, të ngopnin mullën dhe të gënjenin urinë. Në atë kohë doli ajo fjala që thotë se argatët nafariotë hanë bukë që të pinë ujë. Nuk shkoi shumë dhe banorët e Kripishtës erdhën e t’ u bënë si putarga të pjekura në diell e të thara në kripë. Gratë filluan të shterpëzohen në këtë truall të përvëluar nga pahu shëllirë i tokës e nga vesa e kripur e qiellit dhe e detit…” L. k. I, f. 10.

Fjala kripë në romanin ”Lulet e kripës”, krahas edhe shumë fjalëve të tjera, mund të konsiderohet fjalë çelës, sepse rimerret në vijimësi gjatë gjithë romanit, prandaj shndërrohet në fjalë-simbol. Zbërthimi i vlerave të kësaj fjale dhe zbulimi i rrjetit leksikor e sintaksor të saj ndriçon mirë motivet e përdorimit të saj nga ana e shkrimtarit, idetë kryesore dhe motivimin e riprodhimit artistik të tyre. Edhe analiza e simboleve të shumta të Xoxës në këtë roman do të mund të nisej pikërisht prej kësaj fjale dhe prej vetë titullit të veprës, sepse fjala kripë këtu ka fituar një simbolikë të gjerë e të thellë dhe është njëra ndër vatrat kryesore të organizimit artistik të romanit.

Me përdorimin e kësaj fjale Xoxa ka dëshmuar se në ç’gjerësi, shumësi dhe thellësi mund të shtrihen lidhjet e një fjale, dhe ç’mundësi krijon autori, e ç’mundësi jep, madje, shqipja në këtë drejtim. Kështu rreth fjalës kripë janë krijuar shumë togje që lidhen me të e me vetitë e saj. Të shohim disa togjet emërore, mbiemërore e ndërtime të ngjashme të nxjerra nga romani,të krijuara me fjalën kripë dhe format e saj morfologjike, që paraqesin pasuri të vërtetë leksiko-semantike dhe stilistike: kripë e bardhë, kripë e zezë, kripë e gurit, kripë e grurit, kripë e joduar, kripë shëllirë, kripë e bukës, kripë e ndryshkur, kripë e sofrës, kripë e egër, kripë e butë, kripë e dështuar, kripë e mbarsur, kripë e hidhur, kripë e prishur, kripë e sheshit, kripë tryeze, kripë e re, kripë e vdekjes, kripë dëborë, kripë e tregtueshme, kripë e jetës, kripë e hidhëruar; gjol i kripur, ujë i kripur, vesë e kripur, rërë e kripës, shi i kripur, rreshje të kripura, shëllirë e kripur, tallaze të kripura, stërkalë e kripur diell i kripur, jugë e kripur, leshterikë të kripur, rrezhde të kripura, shpoti të kripura; zhvirgjërim i kripës, tavë e kripës, argat i kripës, zi e kripës, kollë e kripës, avullim i kripës, mbarsje e kripës, jalli e kripës, balancë e kripës, kandar i kripës, kollumbë e kripës, larje e shplarje e kripës, pah i kripës, magazinë e kripë etj.; ose si fjalëformime: kripth, krypore, kripëzoj, kripëzim, i kripëzuar, shkripëzoj, shkripëzim, i shkripëzuar, kripanakë, kripthe lulebakri, deri edhe si mbiemër njeriu Raq Kripani dhe si toponim Kripishtë etj.; por dhe në frazeologji të shumta e të larmishme: i butë si kripa, i bardhë si kripa e egër, si kripa e hedhur në zjarr, si bakalaro në mes të kripës së egër; U shkri si kripa në ujë; I theri kripa në tru; Krip trutë, etj.

Në vijën e treguesve karakteristikë të këtij romani i konsiderojmë edhe përshkrimet tipike, më shumë ekspresioniste sesa realiste, ndër të cilat shquajmë jo vetëm përshkrimet e ngjarjeve të vitit 1940, jo vetëm përshkrimet e personazheve dhe të natyrës së jashtëzakonshme bregdetare, po edhe ato që estetizojnë gjuhësisht fatkeqësinë, përkatësisht të shëmtuarën. Po japin një tekst të shkurtër që përshkruan një skenë të ndodhur pas një bombardimi që kishte pësuar edhe ullishta e ku fëmijët e pafajshëm po mblidhnin kokrrat e shkundura dhunshëm para kohe midis arkave të municionit të fshehur në ullishtë:

“Paci po mblidhte kërbynjazi kokrrat e ullirit përreth një druri te madh shekullor, me kurorë të gjerë sa një çati shtëpie arhondi. Ai dru kishte shërbyer si strehim i maskuar për arkat me municion dhe për çadrën e ushtarëve. Ullinjtë e shkundur kishin rënë e ishin futur gjithkund …Kokrrat e papjekura s’kishin marrë leje ku të binin dhe as fëmijët e “papjekur” nuk po merrnin leje për të futur duart gjithkund …” L.k.I, f.171.

Pamjet e atmosferës në kolonitë e kripores pranë fshatit Naforë, shumë afër bregdetit, ku janë përfshirë në mënyrë mjeshtërore edhe personazhe të shumte të të gjitha moshave, janë mbresëlënëse aq sa na duket se edhe vetë gjendemi aty dhe marrim pjesë në bisedat e ndodhitë e tyre. Këto pamje do të mund të ekranizoheshin pa fije vështirësie.

Ndonëse rrëfimi i autorit është motivuar nga faktorë social-kritikë, përkatësisht nacional-utilitarë, në qendër të vëmendjes janë megjithatë konfliktet psikologjike, përkatësisht ekzistenciale të personazheve kryesorë. Shembull:

“-Nafariotët nuk kanë nevojë për ujë … Ata pinë verë… ndërhyri Arhondi i i madh, i cili sapo qe ngjitur në dhomë.

-Pinë burrat parallinj, si zotrote, kurse gratë e varfra i bien kopanit një kilometër larg, ne Kavalone … – tha Petriti.

Nuk i doni ju gratë tona më shumë se ne … – tha arhondi i madh.

Ti, baba, s’ke të drejtë kur e shtron problemin ashtu … tha Fotaqi.  – Ata të kripores mund të mos duan më shumë se ju plakat tuaja, por jo edhe vajzat …“ L. k. I, f. 246.

Edhe vetë tematizimi i luftës, qëndrimi kritik ndaj raporteve shoqërore karakteristike për gjendje lufte dhe në përgjithësi ndaj problemeve ekzistenciale dhe, sidomos, përfushja e përmasës ndjenjore të personazheve, në rend të parë asaj të dashurisë dhe të urrejtjes, mund të konsiderohen topose të gjedhes ekspresioniste:

“-As në kishë nuk shkrihen klasat me njëra tjetrën si këtu … – bëri shaka Pipi, ndërsa kërkonte vend ku të ulej.

-Mbaj në mend se edhe në tërmetin e 35 –ës u bëmë si këmbët e dhisë në këtë barakë … tha Raq Kripani.

-Këtu në kripore, vetëm gjatë tërmeteve dhe bombardimeve, të pasur e të varfër bëhen një, si këmbët e dhisë …, – tha i zoti i shtëpisë.

Vetëm revolucioni i zhduk klasat njëherë e mirë …, – shtoi Petriti.“ L.k. I, f.120.

Ose:

”… Tek ai sikur po përtërihej malli i dikurshëm, kur shkonte e futej midis prindërve për t’i ndarë trupërisht, por për t’i bashkuar shpirtërisht, duke i kthyer nga burrë e grua në prindër. Tani midis tyre flinte Paci, por edhe ai kishte kohë që nuk i bashkonte më. Ata binin e ngriheshin shpinë më shpinë dhe ai i ndjente të dy siç ndjente faqen e murit në dhomën e vet, të ftohtë e të ashpër, të cilit, nga mërzia dhe inati, i shkaktonte vrima, duke gërryer suvanë me gisht.” L.k.I, f.55.

Romani përplotësohet, më mirë të thuhet pasurohet, nga ana përmbajtjesore dhe strukturore me shume legjenda mbresëlënëse, ndër to shquhen Legjenda e Naforës dhe  Legjenda e bukurisë së sheshtë, me shumë rite të moçme, nga të cilat po veçoj Fundi i ritualit të pjellorisë, me shumë përralla, më interesantja më duket ajo me titullin Një përrallë e vërtetë, pastaj me shumë histori që lidhen me mjedisin, me ndodhi e personazhe të gjalla e të vdekura, me personazhe reale historike, me histori biblike, histori kishash e priftërinjsh, me rrëfime popullore për detin, peshkatarët, luftën, me shumë kujtime e rikujtime, që veçohen nga teksti tjetër i romanit me shkronja kursive. Të gjitha këto e bëjnë romanin të veçantë e të dallueshem nga të gjitha romanet e botuar shqip.

Legjendat, përrallat, ritet, historitë, kujtimet e rikujtimet, ëndrrat e ankthet që përfshihen në roman, kanë strukturën e minirrëfimeve brenda rrëfimit bazë dhe zakonisht fillojnë me format tipike si këto: Legjenda e vjetër rrëfen…; Tregon legjenda…; Midis levendëve të Naforës…; Në manastirin e Ishullit të Stërkungujve…; Thonë se andej nga bregu i Himarës…; Ishte dita e Shënmërisë së gushtit…; Atë natë Maji qe kthyer vonë…; E ëma i kishte treguar se kishte pasur një vella gjahtar…; Në kohën e atij plaku të urtë, kishte mbetur e egër vetëm kripa …; Një ditë të nxehtë behari, gjyshin bashkë me pesë argatë kripe…; Atë ditë pasdite të nxehtë të vitit 1940…; Kur shkoi këtej Ismail Qemali për të ngritur flamurin…; Kur shkoi këtej Fan Noli pas varrimit të Avni Rrustemit…, e kështu me radhë.

Romani “Lulet e kripës” është ndarë në krerë të cilët mbajnë tituj shpjegues me të cilët Xoxa tematizon ndodhitë kryesore jo vetëm në jetën e personazheve kryesore, por edhe të personazheve të tjerë, të dorës së dytë dhe të tretë. Në disa krerë hetojmë risi stilore narrative: rrëfimi bëhet dukshëm më i ngjeshur, jo rrallë i fragmentuar dhe theksueshëm metaforik. Ndihet një si shndërrim i personazheve, ku hetohet edhe një kthesë e autorit ose një përpjekje për të plotësuar kërkesa poetike të realizmit socialist.

Edhe në rrafshin stilistik shquajmë metaforizimin ekspresionist i gjuhës, stilin kinematografik, formësimin e vizioneve, të ëndrrave, të halucinacioneve të personazheve si dhe theksimin i përmasës së vullnetit titanik të karakterit të njeriut. Kuptimi asnjanës dhe kuptimi i ngjyrosur i shenjës gjuhësore është trajtuar shumë kujdesshëm nga autori.

Një veçori tjetër bazë e diskursit të këtij romani është eseizimi. Në roman do të mund të shkëputej numër i madh esesh të vogla, të rrumbullakësuara mirë, të cilat funksionojnë kryesisht përmes tematizimeve që lidhen me tema, nocione e fjalë çelës.

Përmes zbërthimit alegorik të fjalëve të caktuara zbulojmë gjedhen tipike sesi e eseizon Xoxa diskursin romanor si, fjala vjen, të fjalës jetë: Jeta duhet të merret jo me trimëri, por me zgjuarsi. L. k. I, f.312. Do të jetosh edhe një ditë, jeto pra! L. k. I, f.306. Unë tokën e dua pas vdekjes, i gjallë më mjafton gjoli. L. k.I, f.193. Temat e këtyre minieseve përpunohen përmes referencave evokuese, mitike, biblike, intelektuale, filozofike, etike, sidomos përmes referencave nga letërsia gojore. Në formën e eseizuar vijnë edhe disa vëzhgime interesante mbi tema te caktuara politike, tema që lidhen me kripën e me teknologjinë e përpunimit të saj, me peshkatarinë. E të tjera.

Në romanin ”Lulet e kripës” në dialogët e saj të shumtë mbizotërojnë proverbat popullore, sentencat e thëniet e ndryshme proverbiale të tipit Kur këndojnë shumë këndesa në mesnatë, vonohet agimi, Kukudh ditën, perri natën. Më mirë i mbytur nën ujë, sesa i varur mbi tokë, ndërsa në tekstin narrativ të autorit kemi më shpesh filozofime, aforizma, citate të proverbializuara e shprehje gnomike të zhvilluara të tipit: Dashuria e natyrës është krijuese dhe shkatërruese.

Dashuria e nënës është vetëm krijuese: ajo fal!… Bukuria është një forcë e madhe, sepse është instiktive dhe e brendshme, e mbrujtur me miliona vjet seleksionimi. Femra nuk është lule, por dallëndyshe, që e kërkon klimën e ngrohtë edhe përtej detit.  Analiza e kësaj lënde gjuhësore filozofike dëshmon se gnomika është veçori tipike stilistike e veprës së tij, është parim organizues e artistik dhe se formësimi i ideve, i mendimeve në mënyrë gnomike është në përputhje me konceptin themelor të veprave të tij, në përgjithesi.

Nuk e teproj nëse them se me proverbat, sentencat, citatet e proverbializuara, shprehjet gnomike që ka aktualizuar Xoxa në këtë roman, por edhe në gjithë veprën e tij letrare e ndjeshëm më shumë në romanin ”Lumi i vdekur ”, mund të hartohet një fjalor jo vetëm interesant po me shumë interes jo vetëm gjuhësor e letrar.

Romani “Lulet e kripës” shquhet me lirizëm të theksuar. Edhe me një analizë, ta quajmë, sipërfaqësore zbulojmë lirizmin e theksuar që përshkon diskursin e romanit. Fjala është për një stilizim të llojit të veçantë. Përshkrimet janë të ngjeshura me semantikë shumëkuptimëshe, po ashtu, të veçantë. Si në segmentet narrative ashtu edhe në segmentet përshkruese mbizotëron ndërthurja e stilit denotativ dhe atij konotativ, me prani te madhe të metaforave, krahasimeve, epiteteve e antitezave, që na bëjnë të themi se Xoxa në këtë roman  ka shfrytëzuar gjerësi të teknikave diskursive-stilistike.

Në këtë roman nuk janë të pakta as elementet e satirës dhe një tip interesant eufemizimi i situatave të veçanta. Edhe pse kryesisht me tematikë të zymtë, romani Lulet e kripës, shquhet edhe me diskurs komik. Më i merituari për aktualizimin e notave të kthjellta e komike në roman është personazhi simpatik, i vogli i Miltos, njëri ndër personazhet kryesorë, Paci. Për këtë personazh më shume se narratori flet vetë ai, përkatësisht flasin skenat ku paraqitet ai:

-Unë di çfarë gjë tjetër ke ti, babi, përveç shtëpisë, mamasë, Majit dhe mua…

Miltoja u skuq prapë.

-Pse skuqesh ti babi! … Ajo që ke bërë ti, nuk është turp, po atdhetarizëm. Pse, më i zoti se ti është drejtori i kripores që ka dy gra? Por, ai të dytën ia mori të vëllait, kur ky vdiq, siç më ka thënë Anifeja e xha Sadikut. Kurse ti ia rrëmbeve zonjën Ermion armikut, atij angërdufit italian që flet me hinkë nga maja e vaporit. L. k. I, f.93.

Në roman hasim shumë situata komike që nxisin të qeshurën e lexuesit, por shpesh zhvillimi i tyre kthehet në tragjedi, që nxit trishtim ose zemërim, por më së shpeshti gjykim sikundër edhe në shembullin e sipërdhënë.

Gjuha e personazheve dhe dialogët midis tyre janë të ngjeshur me stilizime nga e folmja vendëse, që sjell më vete edhe frazeologjinë e veçantë të asaj të folmeje, me të cilën autori përpiqet në mënyre të besueshme të transponojë gjedhe reale të komunikimit gjuhësor të atij areali gjeografik dhe, sidomos, të komunikimit brenda komuniteteve të caktuara si midis peshkatarëve, punëtorëve të kripores. E të tjerëve.

Romani, siç u pa, ka shumë veçori të gjedhes ekspresioniste të prozës artistike, por, po kështu, gjejmë edhe elemente realiste, romantike, fantastike dhe natyraliste, sidomos në përshkrimin e personazheve, shpesh me teknikën bardhë e zi. Element i rëndësishëm i realizmit në këtë roman është gjuha e mjedisit, ku secili nga personazhet flet në mënyrë karakterizuese. Elementet natyraliste shprehen edhe në përshkrimin, përgjithësisht, të së keqes dhe të ngjarjeve tragjike, të cilat shpeshherë gërshetohen edhe me elemente fantastike.

Për të gjitha sa u thanë këtu dhe shumë të tjera që mbeten pa u thënë, besoj se u arsyetua çështja që u ngrit në fillim të këtij shkrimi: pse duhet të lexohet ky roman. Ky roman duhet të lexohet, vlen të lexohet dhe do të lexohet, edhe sot e nesër, për shumë vlera të tij semantike, gjuhësore e stilistike, artistike e letrare në përgjithësi. Ai është roman i hapur, si do të thoshte Umberto Eko, që nxit dhe kënaq kureshtjen, shijen dhe kulturën e lexuesve të mjediseve e të kohëve të ndryshme.

P.s. Shkrimi është lexuar në version të shkurtuar në Përurimin e ribotimit të romanit “Lulet e kripës”, në Institutin Albanologjik në Prishtinë, më 21 prill 2017.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.