OPINION

Ramush Haradinaj, padrejtësia në emër të pseudodrejtësisë

07:34 - 26.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Besnik BAKIU

 

Pardje, presidenti i vendit tim i dha shtetësinë shqiptare komandantit, heroit të gjallë të luftës së Kosovës, Ramush Haradinajt së bashku me bashkëshorten e tij, Anitën. Sa vonë?! Shumë vonë. Në këtë rast nuk shkon fjala “më mirë vonë se sa kurrë”, pasi edhe presidenti, si shumë politikanë e shtetarë shqiptarë që protestuan në “Facebook” dhe “Twitter”, lau duart si Ponc Pilati.

Çfarë po ndodh me komandant Ramushin? U bë muaj që qëndron në një provincë të Francës në pritje të vendimit të gjykatës për ekstradim, me arsyetimin se për të është lëshuar një urdhër arresti në vitin 2004 nga një gjykatë e Serbisë, duke shkelur e nëpërkëmbur kështu jo vetëm lirinë dhe të drejtën individuale njerëzore e politike të tij, por edhe dinjitetin e të gjithë shqiptarëve.

Çudi, sepse Ramush Haradinaj e kishte vizituar edhe më parë Francën dhe nuk i kishte ndodhur asgjë. Atëherë, autoritetet franceze nuk e kishin parë të nevojshme arrestimin e tij më parë, po tani pse?

Çudi, pasi komandat Ramushi është gjykuar dhe shpallur dy herë i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Kush dhe pse na e ka marrë peng komandantin? Ç’është ky kalvar i pafund gjyqesh? Të ndalosh çlirimtarët me kërkesën e një krimineli, pastaj t’i shpallësh të pafajshëm, pastaj t’i arrestosh prapë, prapë t’i lëshosh dhe prapë t’i ndalosh, për mua është pengmarrje.

Çudi, sepse edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u shpreh pro shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, “Gjykata ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit të vitit 2008 nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit ose Kornizën Kushtetuese. Rrjedhimisht, miratimi i Deklaratës nuk e shkel asnjë ligj të zbatueshëm të së Drejtës Ndërkombëtare”.

Çudi, sepse ne shqiptarët nuk kemi parë të arrestohet ndonjë bandit serb pjesëmarrës në masakrat kundër nesh, përkundrazi marrin pafajësi dhe respektohen e dëgjohen në tryezat e bisedimeve për paqe.

Çudi, përse disa vende të Evropës vazhdojnë t’i burgosin heronjtë shqiptarë të Kosovës, duke u mbështetur në akuzat e Serbisë! Dhe duke na barazuar të gjithëve në krime, ekzekutorët e gjenocideve me viktimat e tyre.

Çudi, si këta banditë e kriminelë shëtisin lirshëm në të gjithë botën, luftëtarë të UÇK-së ndalohen pikave të kalimit, sa herë që shtetet përkatëse duan të fitojnë ndonjë koncesion nga qeverisja e Beogradit.

Çudi, si nuk dëgjuam këta “drejtësi-bërës”, të kërkojnë drejtësi për mijëra viktimat shqiptare që Serbia i shkaktoi vetëm në luftën e fundit në Kosovë?! Asnjëherë nuk i dëgjoi dikush të “thërrisnin për drejtësi” për mijëra gratë dhe vajzat shqiptare të përdhunuara nga policët, ushtarët dhe paraushtarakët serbë në kohën e konfliktit në Kosovë?!

Çudi, pse Franca kështu? Ajo ishte shteti që vendosi në dispozicion 20-40 avionë gjatë fushatës së bombardimeve të kryera nga NATO mbi instalimet ushtarake serbe në Serbi dhe Kosovë. Franca është një prej vendeve të mëdha dhe të rëndësishme të Evropës, e cila qysh në krye të herës e ka mbështetur Pavarësinë e Kosovës dhe e ka njohur Kosovën si shtet.

Çudi, me komandant Ramushin, mos duan të riaktivizojmë legjendën e Rozafës, për të bërë “kurban” komandant Ramushin për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro– serbe?

Çudi, pasi ne shqiptarët gjithmonë kemi kërkuar dhe kërkojmë bashkëjetesë dhe paqe me fqinjët e tyre. Ne asnjëherë nuk kemi pushtuar tokat e të tjerëve dhe as nuk kemi kryer krime kundër njerëzimit ndaj fqinjëve të tyre. Përkundrazi, e kundërta ka ndodhur. Jemi i vetmi vend në botë që kufizohemi vetëm më vetveten dhe që kemi përjetuar gjenocide nga të gjitha shtetet fqinje.

Çudi, si ngjan Kosova sot, si një geto, ku banojnë dy milionë njerëz, pa pasur të drejtë të lëvizin lirshëm nëpër kontinentin ku jetojnë, kur ndërkohë u janë hequr vizat edhe kriminelëve serbë, që sot shëtisin lirshëm nëpër botë, si të ishin misionarë humanitarë! Ky për mua është diskriminim, është vazhdimi i aparteidit të Millosheviçit ndaj Kosovës dhe sidomos popullsisë shqiptare në Kosovë.

Çudi, pse ne shqiptarët nuk e kushtëzuam dialogun me serbët në Bruksel, me anulimin e urdhrave të arrestit serbe kundër shqiptarëve të Kosovës në përgjithësi dhe luftëtarëve të UCK në veçanti?!

Çudi, si mbas gati dy dekadash që lufta ka mbaruar dhe mbas gati një dekade pavarësi, Kosova nuk është e zonja jo më të kërkojë drejtësi e barazi, por po vë në pikëpyetje rezultatet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të saj.

Çudi, si po goditet ADN-ja e patriotizmit shqiptar, pasi komandant Ramush Haradinaj është simboli njeriut të idealeve të mëdha, është luftëtari dhe komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila nxori shqiptarët nga letargjia dhe iluzioni se liria nuk mund të fitohej ndryshe përveçse me luftë.

Ramush Haradinaj është dhe mbetet komandant i asaj ushtrie, e cila ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm për zhvillimin kombëtar, atë rajonal, pse jo edhe global. Ai është komandant i asaj ushtrie, që bëri mobilizimin e gjithë shqiptarëve kudo ishin të shpërndarë në botë, rreth projektit vizionar të çlirimit përfundimtar të Kosovës nga Serbia. Ramush Haradinaj me shokë rrëzoi mitin sllav për pathyeshmërinë e ushtrisë serbe, ndërkohë nëpërmjet luftës që kreu, u thye dhe miti i kufijve shqiptarë.  Kjo luftë i dha një rol të madh e pozitiv edhe Shqipërisë në zhvillimet demokratike rajonale e globale. Ka qenë kjo luftë, që çoi në test unitetin e NATO-s dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian. Kjo luftë shmangu dukshëm burokracinë e komplikuar të OKB-së, duke nxjerrë në pah rolin parësor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si mbrojtëse e vlerave demokratike të njerëzimit.

Por kushdo që fshihet pas këtij arrestimi dhe gjykimi i ka bërë llogaritë gabim, pasi komandant Ramushi nuk është nga ata burra që fshihet në kohë lufte e jo më në kohë paqeje. Ai është i vetmi kryeministër i një shteti që u vetëdorëzua në mënyrën më burrërore në Gjykatën Ndërkombëtare. Vetëm një burrë, një shqiptar nga Dukagjini mund të bënte atë që bëri ai, pasi mblodhi kabinetin dhe iu shpërndau ministrave detyrat si çdo ditë tjetër, komunikoi se “Që prej këtij momenti unë nuk jam më kryeministri juaj. Sapo të dalim nga kjo sallë, unë u dorëzohem organeve të drejtësisë ndërkombëtare dhe udhëtoj për në Hagë, i akuzuar për krime lufte. Kosovës i uroj suksese!”.

Çudi, si nëpërkëmbet e drejta ndërkombëtare në rastin e komandant Ramushit, sepse për çdo person me pak njohuri juridike duket qartë që urdhër arresti i 2004-ës është nul, pasi shteti serbo-malazez që ka lëshuar urdhrin e arrestit për komandant Ramushin nuk ekziston më si subjekt i të drejtës ndërkombëtare. Ramush Haradinaj është shtetas i Republikës së Kosovës (nga dje edhe i Republikës së Shqipërisë) e njohur si shtet i pavarur jo i Serbisë, autoriteti më i lartë ndërkombëtar për të gjykuar krimet lufte ka dhënë pafajësi dhe ky vendim prevalon mbi vendimet e çdo gjykate vendore e plot arsye të tjera. Më saktë, vetëm arsye për ta mbajtur dhe gjykuar nuk gjen dot.

Pra, është shteti francez, i cili jo vetëm duhet të lirojë urgjentisht komandant Ramushin, por t’i kërkojë falje Atij dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Kjo sjellje ndaj komandant Ramushit më sjell në kujtesë poezinë e mikut tim të ndjerë, poetit të madh Ali Podrimja “Kush do ta vrasë ujkun, e cila thotë:

Po qe se takon /Arbëreshin dhe ujkun/ Vraje arbëreshin
Dhe kur fjala i ra në vesh/ Arbëreshi buzëqeshi/ Dhe drodhi një cigare
Po qe se më vret mua/ More i gjorë/ Kush do ta vrasë ujkun?!
Mjerë kopeja.

Nëse (larg qoftë) gjykata franceze vendos që komandant Ramushin ta ekstradojë në Serbi, çfarë ndodh?!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.