OPINION

“Shah-sheh” i Blushit, por a ka LIBRA kapacitet të kapi avantazhin?!

07:37 - 26.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ilir Sinanaj

Për çdo problem ka një zgjidhje, dhe kur nuk ekziston një zgjidhje nuk ka problem. Një shprehje kjo që vlen në të gjitha rastet.

Mbi më shumë se 2 muaj, Partia Demokratike është duke protestuar në bulevardin kryesor të Tiranës, ku edhe ka ngritur një çadër proteste midis Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit. Në fjalimet e tij nga çadra, kryedemokrati Lulzim Basha ka kërkuar krijimin e një qeverie teknike, që sipas tij duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërkohë deputetët e PD-së kanë bojkotuar parlamentin dhe kryedemokrati Basha ka deklaruara se nëse kërkesa për një qeveri teknike, që sipas tij duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, PD-ja nuk do të futet në zgjedhjet e 18 qershorit (madje PD-ja dhe aleatet as nuk janë regjistruar në KQZ si subjekte zgjedhore). Gjithashtu kryedemokrati Basha ka deklaruar se demokratët do të votojnë ligjet për procesin e “vetting”-ut, menjëherë pas krijimit të qeverisë teknike në fjalë. Argumentet e kryedemokratit Basha për krijimin e qeverisë teknike është se droga dhe krimi ka kapur shtetin.

Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama është shprehur se është i hapur për dialog me opozitën për të negociuar. E ndërkaq ky dialog nuk po ndodh. Për më tepër gjatë këtyre dy muajve kryeministri Rama ka akuzuar PD-në se po bllokon procesin e “vetting”-ut dhe zgjedhjet e 18 qershorit. Ndërkaq dialogu nuk po ndodh. Për më tepër kryeministri Rama ka deklaruar se zgjedhjet do të zhvillohen më 18 qershor, si edhe ka filluar fushatën në mbarë vendin me mbledhjet e quajtura “Takim me votuesit për herë të parë”, që për hir të së vërtetës votuesit për herë të parë në turmën e njerëzve përreth kryeministrit janë një përqindje shumë e vogël. Në një farë mënyrë nuk po i merr parasysh konkretisht kërkesat e opozitës.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta kërkon përherë “konsensus politik” dhe dialog. Ndërkaq dialog midis kryeministrit Rama dhe kryeopozitarit Basha nuk duket se do të ketë. Ky dialog nuk ndodhi as kur të martën (25 prill 2017) erdhi  një delegacion i Parlamentit Evropian i kryesuar nga eurodeputeti David McAllister erdhi pikërisht për të negociuar një zgjidhje midis mazhorancës dhe opozitës. Madje z. McAllister erdhi “shpejt” dhe iku “shpejt”, sikur po bënte thjesht një formalitet të radhës. Dhe sigurisht z. McAllister nuk ka asnjë përgjegjësi, për ngërçin që kanë krijuar forcat politike shqiptare. Ajo që kuptoj me qëndrimin e “konsensusit politik” të kryeparalmentarit Meta, është se ai kërkon të kënaqë të gjitha palët me qëndrimin e tij. Por kjo është e pamundur! Për të kënaqur kreydemokratin Basha, teorikisht do të duhet të krijohet një qeveri teknike pa kryeministër Ramën (pas të cilës do të votohen nga PD-ja ligjet per për procesin e “vetting’-ut), gjë që kryeministri Rama nuk e ka pranuar. Për të kënaqur kryeministrin Rama, teorikisht do të duhet që Partia Demokratike të hyjë në Parlament për të votuar procesin e “vetting”-ut, si edhe të marrë pjesë në zgjedhje. Të dy këto kërkesa janë përjashtuese. Ndërkaq vlen të theksohet se nëpër Shqipëri, LSI-ja ka hapur zyra elektorale…

Pra problem që kemi, nga kjo panoramë e lart përmendur, i bie që të jetë fakti se  kryeministër është Rama, sipas Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, kryeparlametari Meta e ka pranuar se ka një problem në një farë mënyre, pasi as ka pohuar dhe as ka mohuar  faktin se problemi është Rama kryeministër. Ndërkaq,  zgjidhja e këtij problemi është shumë thjeshtë: të iki Rama si kryeministër dhe të hapet rruga për qeveri teknike. Por palët e interesuara apo gjysmë interesuara që të largohet Rama si kryeministër, duan që kjo të ndodhi me dëshirën e Ramës dhe nëpërmjet dialogut gjithëpërfshirës! Ndërkaq Rama nuk do! Si zgjidhet çështja që të kemi qeveri teknike, që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, menjëherë pas formimit të cilës të votohen ligjet e procesit të vetting-ut nga PD-ja?

Përgjigjen e dha shumë thjesht kreu i LIBRA-s deputeti Ben Blushi.

“Nëse Partia Demokratike nuk hyn në zgjedhje pa Qeveri tjetër dhe LSI thotë se nuk hyn në zgjedhje pa Partinë Demokratike atëherë ka një zgjidhje që zgjedhjet te mbahen dhe PD bashkë me LSI të hyjnë në zgjedhje në 18 qershor. Rilindja nuk ka më shumë se 60 mandate sot në parlament që do të thotë se gjithë partitë e tjera bëjnë të paktën 80 mandate. Pra nëse PD ka interes të nxjerrë Rilindjen nga Qeveria dhe LSI ka interes të nxjerri PD nga çadra, janë votat për mocion mosbesimi kundër Edi Ramës”, shkruan deputeti Blushi në faqen e tij të rrjetit social “Facebook”

Të zhvillohet një mocion mosbesim në Parlament ndaj qeverisë Rama dhe aty do të shihet sesa e do vërtet kjo kastë politike Ramën si kryeministër dhe se a është realisht Rama problemi në të gjithë këtë histori, e pretenduar nga Partia Demokratike për mbi më shumë se dy muaj?

Ndërkaq, ndodhi çudia! Kryedemokrati Lulzim Basha hodhi poshtë opsionin e Blushit për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë apo kryeministrit Rama, që në të njëjtën kohë është teorikisht rruga më e shpejtë për një qeveri teknike (me sa ka ndodhur deri më tani). Po kështu opsionin e deputetit Blushit e “kritikoi” edhe deputeti socialist Taulant Balla, por kjo ishte e pritshme që do t’i dilte kundra. Ndërkohë nuk kemi një reagim nga ana e LSI-së në lidhje me opsionin e deputetit Blushit për mocionin e mosbesimit…

Duke shprehur gadishmëri për një zgjidhje të ngërçit politik nëpërmjet një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë, deputeti Blushi i ka dhënë “shah-sheh” kundërshtarëve të tij politikë. Nëse zhvillohet një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, atëherë goditet “mbreti”, pra kryeministri, dhe ndeshja mbyllet (duke marrë të mirëqenë argumentin e Blushit se “Rilindja nuk ka më shumë se 60 mandate”). Ndërkaq në lojën e shahut, për të mos lejuar rënien e mbretit në rastin e një “shah-sheh”, nuk ka rrugë tjetër përveç humbjes së mbretëreshës në lëvizjen e radhës. Dhe në këtë rast, me rrjedhë që kanë marrë ngjarjet, në arenën politike “sheh”, përpara opinionit publik, janë të gjithë ato forca politike, që “mbrojnë” ekzistencën e “mbretit”.

Vetëm se në këtë lojë shahu të politikës shqiptare, “mbretëresha” mund të sakrifikojë “mbretin” për të shpëtuar veten. Në këtë rast, e vetmja rrugë që “mbreti” t’i shpëtojë lëvizjes që e ka kapur “shah”, është duke kërkuar vetë mocionin e mosbesimit, nëse “mbretëresha” nuk pranon të sakrifikohet për të. Megjithatë ajo që vlen për t’u theksuar është se LIBRA aktualisht është në një pozicion komod, pasi ka propozuar një zgjidhje reale për ngërçin dhe çdo lëvizje të kundërshtarëve mund ta kthejë në kapital politik të vetin. Gjithmonë nëse do të ketë kapacitetin për të përfituar nga ky avantazh…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.