EKONOMI

Diplomat e mësuesve, ndryshojnë kriteret për të dhënë mësim

13:12 - 27.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ola MITRE




 

Ndryshojnë kriteret që duhet të plotësojë një mësues për të ushtruar detyrën në arsimin parauniversitar. Ditën e djeshme, Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin, i cili përcakton llojin e diplomës që duhet të disponojnë këta profesionistë sipas nivelit të sistemit arsimor ku japin mësim. Ndërkohë që, ai do të duhet të diskutohet edhe në Kuvend para se të marrë miratimin përfundimtar. Sipas propozimit të qeverisë, mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor. Ndërkohë që, mësuesi për arsimin fillor duhet të ketë diplomën e ciklit të parë “Bachelor” dhe diplomë të ciklit të dytë “Master profesional”, që formon mësues të arsimit fillor. Deri më tani, edukatorët e kopshteve mund ta ushtronin profesionin nëse dispononin një diplomë të nivelit ‘Bachelor’, që jo detyrimisht duhej të ishte e profilit ‘parashkollor’, ndërsa mësuesit e ciklit të ulët nuk kishin detyrimin të kishin master në ‘arsim fillor’, por mjaftonte diploma e ciklit të dytë të studimeve. Po kështu përcaktohej edhe për gjimnazin, por sipas projektligjit të ri, “mësuesit për arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë ‘Bachelor’, në lëndët e arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë si dhe diplomë të ciklit të dytë ‘Master’, me 120 kredite në fushën apo lëndën që lidhet me programin e studimit të ciklit të parë”. Sipas dokumentit, mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar për lëndë të profilit, specialitetit dhe mësuesi, që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara, duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë, përkatësisht, në fushën e edukimit dhe të pedagogjisë së specializuar. Gjithashtu, një risi që sjell ky projektligj ka të bëjë me faktin se “profesioni i mësuesit mund të ushtrohet edhe nga individë që zotërojnë diplomë universitare të ciklit të parë dhe të dytë, ose diplomë universitare me kohëzgjatje, së paku, 4 vite akademike, të ngjashme ose të përafërta me fushën apo lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar. Diplomat e njëvlershme, diplomat e ngjashme ose të përafërta me diplomat e sipërpërmendura do të përcaktohen në një moment të dytë, përmes një udhëzimi të ministrit.

Provimi i shtetit

Ndërkaq, sikurse parashikohej edhe aktualisht, mësuesit nuk mund ta ushtrojnë profesionin e tyre nëse nuk kanë kaluar me sukses provimin e shtetit. Më konkretisht, projektligji përcakton se “mësuesi i arsimit fillor, arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë, mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar, mësuesi i shkollave profesionale, mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara dhe mësuesit me diploma të ngjashme ose të përafërta me diplomat në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, e ushtron profesionin pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar me sukses provimin e shtetit, siç parashikohet në ligjin nr.10171, datë 22.10.2009, ‘Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.