SPORT

Licencimi, Vllaznia dhe Tirana rrezikojnë Europën nga borxhet

11:15 - 27.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Tirana dhe Vllaznia rrezikojnë të mbeten jashtë Europës, edhe në rast se arrijnë kualifikimin në kompeticionet e UEFA-s përmes Kupës së Shqipërisë dhe vendit të katërt në kampionat. Burime të sigurta të “Panorama Sport” në institucionin e futbollit shqiptar kanë treguar dje se bardheblutë dhe shkodranët nuk janë licencuar nga UEFA për shkak të mosplotësimit të kriterit financiar, si pikë më e rëndësishme për klubet që marrin pjesë në Kupat e Europës.

Muajin e kaluar ka qenë afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit të klubeve që janë pretendente për të qenë pjesë e Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës. Të njëjtat burime i thanë gazetës se nga klubet që kanë mundësi reale të jenë pjesë e kompeticioneve të UEFA-s, kjo e fundit ka kthyer një përgjigje negative vetëm për Tiranën dhe Vllazninë. Gazeta mëson se kësaj të fundit i është vendosur një ultimatum për borxhet e prapambetura që ka ndaj ish-lojtarëve, por edhe palëve të treta.

Mësohet se shkodranët duhet të likuidojnë një shumë prej 370 mijë eurosh në një hark të shkurtër kohor për të plotësuar kriterin financiar të UEFA-s dhe në këtë mënyrë të licencohen si klub me të drejta të plota për të marrë pjesë në Ligën e Europës, gjithnjë nëse arrin të kualifikohet përmes vendit të katërt në Superiore. Për këtë pozicion matematikisht janë në garë skuadra si Luftëtari, Vllaznia, Teuta, Tirana dhe Laçi, edhe pse dy të parat duken më të avantazhuara.

Ndërkohë, pas bllokimit të merkatos në muajin janar, tashmë klubi i Tiranës duhet të shlyejë edhe borxhet që ka ndaj disa ish-lojtarëve që kanë fituar gjyqet në FIFA. Mbetet për t’u parë në muajin qershor nëse Tirana dhe Vllaznia do të arrijnë të plotësojnë kriterin financiar.

SQARIMI I FSHF-së

Pak ditë më parë, institucioni i futbollit doli me një qëndrim për situatën e klubeve që presin të licencohen për sezonin e ri. “Ka përfunduar procesi i dorëzimit të dokumenteve të kriterit financiar nga ana e klubeve aplikantë, si pika më e rëndësishme në të cilën klubet kanë më shumë probleme. Ekspertja kontabël e këtij kriteri, pasi ka marrë në dorëzim të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga sektori i licencimit, ka filluar kontrollin e materialeve nga ana e klubeve dhe në përfundim të evidentimit të të gjitha të dhënave dhe kontrollit të tyre do të paraqesë për secilin klub mangësitë apo korrektesën e tyre.

Në vijim, pasi të gjitha dosjet me dokumentet përkatëse të jenë rikthyer në sektorin e licencimit, materialet do t’i kalojnë përsëri ekspertit financiar pranë komisionit të licencimit të klubeve. Në përfundim të kontrollit do të jepet verdikti përfundimtar, duke përcaktuar se cilët nga klubet e plotësojnë këtë kriter dhe cilët jo”, thuhej në njoftimin e FSHF-së.

Kriteret e licencimit

Deri më 28 shkurt të këtij viti, skuadrat që pretendojnë Kupat e Europës kanë qenë të detyruara të plotësojnë katër kritere të UEFA-s. Bëhet fjalë për kriterin ligjor, atë të infrastrukturës, administratës dhe pasqyrën financiare. Ky i fundit është kriteri më i rëndësishëm që duhet plotësuar për klubet që marrin pjesë në Kupat e Europës. UEFA nuk toleron asnjë klub që ka detyrime të pashlyera nga vitet e kaluara, si pasojë e humbjes së gjyqeve me ish-lojtarë apo trajnerë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.