OPINION

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres në Bernë

07:35 - 27.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Mira BREGU

 

“Shohim një shumëzim të konflikteve dhe përjetojmë vështirësi të mëdha në gjetjen e zgjidhjeve të tyre”

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, më 24 prill bëri vizitën e tij të parë zyrtare në Bernë.

Ai u takua me Presidentin e Konfederatës Zvicerane, Doris Leuthard, ministrin e Jashtëm zviceran, Didier Burkhalter dhe udhëheqjen e Komiteteve të Marrëdhënieve me Jashtë të të dyja Dhomave të Parlamentit. Qëllimi i kësaj vizite ishte edhe mbi programin e krizës ushqimore në disa vende të Afrikës.

Gjatë bisedës me Didier Burkhalter, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së foli për parandalimin e konflikteve dhe krizave aktuale, veçanërisht krizës ushqimore, që ndikojnë në disa vende të Afrikës.

Këshilltari federal kujtoi reagimin e shpejtë të Zvicrës ndaj kërkesës së OKB-së për ndihmë të popullsisë së prekur. Nga deklarata e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme (draft-treg), në muajin shkurt u dhanë 15 milionë më shumë franga për Sudanin e Jugut, Somalinë, Nigerinë dhe Jemenin.

Duke iu referuar luftës në Siri, ministri i Jashtëm përsëriti mbështetjen e Zvicrës për përpjekjet e Emisarit Special të OKB-së Staffan de Mistura për të arritur një zgjidhje politike. Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje rëndësinë e zbutjes së pasojave humanitare të shkaktuara nga konflikti sirian dhe rikujtoi se Zvicra do të ndajë 66 milionë franga për këtë qëllim, këtë vit.

Kreu i FDFA-së ka mirëpritur vendimin e Antonio Guterres për ta vënë parandalimin e konflikteve – një prioritet i Zvicrës – në qendër të prioriteteve të OKB-së. “Në këtë zonë, puna e ndërmjetësimit është një element thelbësor”, – tha ai.

Të dy zyrtarët shkëmbyen bisedën edhe për Rinovimin e Pallatit të Kombeve në Gjenevë. Ata mirëpritën vendimin e shteteve anëtare për të mbështetur rinovimin e saj, puna e të cilëve do të fillojë në muajt e ardhshëm.

Gjatë konferencës për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, midis të tjerash theksoi:

“Në kohën kur shohim një shumëzim të konflikteve dhe përjetojmë vështirësi të mëdha në gjetjen e zgjidhjeve të tyre, kur sfidat globale, të tilla si ndryshimi i klimës, të cilat kërkojnë një përgjigje globale, kur agjenda e të drejtave të njeriut është gjithnjë e më e vështirë të përparojë, ne kemi gjithnjë nevojë për mekanizma shumëpalësh të qeverisjes globale dhe në të njëjtën kohë të multilateralizmit që është në krizë. Kriza në Siri, situata në Jemen apo Libi ose Burundi, Kongo apo Somali, ka gjithnjë e më shumë nevojë për aktorë të cilët janë ndërmjetësit të pavarur, ‘agjentë të ndershëm’, dhe Zvicra është e njohur në mbarë botën si një ‘ndërmjetëse e ndershme’.

Roli i Zvicrës është absolutisht thelbësor dhe bashkëpunimi mes Kombeve të Bashkuara është nga më të rëndësishmit për suksesin tonë.

Ne besojmë se bashkëpunimi me Zvicrën, jo vetëm në mbështetjen e saj për të forcuar strukturat dhe iniciativat tona, por edhe në vlerësimin e iniciativave ndërmjetësuese, është për ne një çështje absolutisht kyçe në krijimin e kushteve të suksesshme për veprimin e Kombeve të Bashkuara me të cilat përballemi. Në të njëjtën kohë, Gjeneva Internationale, si një rol kyç në jetën e Kombeve të Bashkuara, në jetën e bashkësisë ndërkombëtare, tani ka marrë një qëllim më specifik – të trajtojë zhvillimin e qëndrueshëm. Kjo me të vërtetë është një platformë e rëndësishme për të mobilizuar energjitë e komunitetit ndërkombëtar për ‘Axhendën 2030 – Qëllimet për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.’”

Pyetjes se “çfarë kupton me ‘forcimin e rolit të Gjenevës ndërkombëtare si një platformë’” dhe “a është e mundur që mosangazhimi i Shteteve të Bashkuara edhe financiarisht, po e kthen Gjenevën në një qytet konkurrues”, Sekretari i Përgjithshëm iu përgjigj:

“Unë mendoj se ka dy fusha ku unë shoh disa perspektiva shumë interesante të një ndikimi në rritje të Gjenevës në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare. E para, është perspektiva e vetëndërmjetësimit. Nuk është rastësi që, për sa i përket konfliktit më të rëndë që kemi sot – konflikti sirian, – negociatat për të gjetur një zgjidhje politike po bëhen në Gjenevë. Kjo tregon se Gjeneva është në qendër të përpjekjeve, dhe jo vetëm që duhet të mbajë një qendër, por duhet të ketë një rol në rritje në përpjekjet e diplomacisë parandaluese dhe në ndërmjetësimin e konflikteve dhe për zgjidhje politike.

Lufta kundër terrorizmit nuk do të ketë sukses nëse nuk gjen zgjidhje politike për krizat me të cilat ballafaqohemi. Dhe për të gjetur këto zgjidhje politike, Gjeneva është një qendër absolutisht thelbësore.

Dhe niveli i dytë, pa përmendur të gjitha aksionet humanitare dhe ato të zhvillimit etj. – është se Gjeneva ka një platformë të rëndësishme në mobilizimin e komunitetit ndërkombëtar drejt arritjes së objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Si në fushën e zhvillimit, edhe në fushën e veprimit politik për ndërmjetësim dhe paqe, Gjeneva do të forcojë më tej rolin e saj. Dhe, duke pranuar rolin e madh të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, ne shohim se këto tri shtylla të punës së Kombeve të Bashkuara Gjenevë sot luajnë një rol absolutisht qendror.”

Pyetjes se “Katër vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Beogradit dhe Prishtinës për të negociuar për normalizimin e situatës në rajon, a jeni të kënaqur deri më sot, që në një mënyrë procesi ka dështuar? Dhe, a është e gatshme OKB-ja për Kosovën ta pranojë si anëtar të OKB-së, pasi ky vend tashmë është një anëtar i UEFA-s dhe FIFA-s dhe në disa organizata europiane?”, Sekretari i Përgjithshëm iu përgjigj: “Nëse ju më pyesni nëse jam i lumtur, është e qartë se unë nuk jam i kënaqur. Do të doja të shihja një progres shumë më të madh në këtë raport, i cili do të lehtësojë zgjidhjet nga pyetjet e shumta, jo vetëm bilaterale, por në kontekstin e Ballkanit. Por ka mekanizma rigorozë për pranimin e shteteve pranë Kombeve të Bashkuara. Ky nuk është një vendim i Sekretarit të Përgjithshëm. Ai është një vendim me formulat e sakta të veprimit. Pra, pyetja e dytë nuk është në kompetencat e reagimit direkt të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.”

Duke falënderuar ministrin e Jashtëm të Konfederatës Zvicerane, Didier Burkhalter, për këtë bashkëpunim të shkëlqyer, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kujtoi takimin e ardhshëm, ku së bashku edhe me ministrin e Jashtëm suedez Margot Wallstrom do të kryesojnë një konferencë donatorësh për Jemenin që do zhvillohet në Gjenevë. Ky takim i nivelit të Lartë në “Palais des Nations” ka për qëllim të inkurajojë angazhimin humanitar dhe të mobilizojë burimet e nevojshme për popullatën e Jemenit.

Më 26 dhe 27 prill, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, z. Guterres do të takohet me Bordin e Ekzekutivëve të Sistemit të Kombeve të Bashkuara (CEB), i cili zhvillohet çdo dy vjet dhe bashkon shefat/krerët e të gjitha fondeve/organizatave të OKB-së, me programet dhe agjencitë e specializuara.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.