POLITIKË

Ali Ahmeti uron Metën: Besojmë tek eksperienca juaj për sfidat e shqiptarëve

20:14 - 28.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka uruar presidentin e porsazgjedhur të Republikës së Shqipërisë, Ilir Metën. Ai ka thënë se nën lidershipin e tij dhe bashkëpunimin që kanë mes Maqedonisë dhe Shqipërisë  do të vazhdojë që të zgjerohet edhe më shumë në funksionin e paqes. Më tej Ahmeti është shprehur se i beson urtësisë dhe eksperiencës së Metës për të adresuar sfidat e shqiptarëve.

Urimi i plotë i Ali Ahmetit për Ilir Metën:

I nderuar zoti President,

Duke mirëpritur zgjedhjen Tuaj në postin President i Republikës së Shqipërisë, më lejoni që në emrin tim dhe të të gjithë ne pranë Bashkimit Demokratik për Integrim, t’Ju shpreh urimet më të përzemërta dhe t’Ju uroj suksese në përmbushjen e misionit që po ndërmerrni.

Ne njihemi gjatë dhe kemi punuar bashkë në kohëra vendimtare për kombin dhe rajonin. Andaj, jam i bindur që Ju, me maturinë, urtësinë dhe eksperiencën Tuaj, do të arrini të adresoni me sukses sfidat me të cilat po përballet sot shteti shqiptar dhe shqiptarët në përgjithësi.

Uroj, që nën lidershipin tuaj, partneriteti dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të thellohet dhe zgjerohet në funksion të paqes, stabilitetit dhe mirëqënies rajonale për të përmbushur synimin tonë të përbashkët strategjik të integrimit evropian.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për Presidentin Bujar Nishanin për mbështetjen e vazhdueshme për shqiptarët e Maqedonisë dhe rrugëtimin tonë euro-atlantik duke zbatuar politika të fqinjësisë së mirë për të gjitha vendet në hapësirën tonë rajonale.

Duke shprehur edhe një herë urimet e mia, Ju lutem pranoni, zoti President Meta, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.