EKONOMI

Ligji i ri, ja sa do të paguani për taksën e banesës sipas zonës

09:47 - 28.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 Ornela MANJANI

Qytetarët e kryeqytetit pritet të paguajnë një taksë më të lartë mbi pronën. Bëhet fjalë për taksën e banesës, të cilën aktualisht e paguajnë te fatura e ujit (100 lekë në muaj). Bashkia e Tiranës ka marrë të drejtën ligjore për të aplikuar një diferencim në nivelin e kësaj takse. Është parashikuar që rritja të arrijë deri në 30%. Kryebashkiaku Erion Veliaj shpjegon arsyet e këtij diferencimi. “Kur ne themi ‘Tiranë’, shumica e njerëzve mendojnë qendrën, por sot Tirana është Zall-Herr, Kashar, Shëngjergj… Por si mund të jetë taksa e pronës njësoj në Bllok me 10% diferencë nga Shëngjergji, Kashari, Zall-Herri apo Krraba”, – thotë Veliaj. Sipas tij, duke i dhënë bashkisë tolerancën me plus 30 ose minus 30%, do të thotë që bashkia mund të bëjë politika lokale. Nuk dihet ende se sa do të jetë niveli përfundimtar i kësaj takse, bazuar edhe në zonat e Tiranës, si dhe kur do të hyjë në fuqi. “Ka një faturë shtesë që vjen nga të gjithë ata që vijnë në Tiranë për të marrë shërbime, o vijnë për gjykatë, o vijnë se kanë punë në ministri, o vijnë se kanë punë në ndonjë spital. Cilado qoftë arsyeja, Tirana ka kosto më të lartë mirëmbajtjeje, që shkon përtej numrit të vet të popullsisë. Kjo është arsyeja pse propozimi për një ligj për kryeqytetin, pra jo për Bashkinë Tiranë, por për statusin e të qenit kryeqytet i Shqipërisë dhe të ofrimit të gjithë këtyre shërbimeve të qeverisë qendrore, ne besojmë se ka ardhur momenti të kemi një ligj për Tiranën”, – tha Veliaj.

Projektligji

Komisioni i Ekonomisë diskutoi dhe miratoi dje projektligjin “Për financat e qeverisjes vendore”. Me anë të këtij projektligji synohet të rritet autonomia fiskale vendore me anë të sigurimit të sa më shumë burimeve të financimit. Projektligji është hartuar, diskutuar dhe konsultuar me grupet e interesit gjatë periudhës shkurt 2016 – shkurt 2017. Gjatë kësaj periudhe, njësitë e vetëqeverisjes vendore, shoqatat e tyre, ekspertë të financave vendore, 2 ekspertë të shoqërisë civile dhe ekspertë dhe konsulentë me përvojë nga USAID-i, qeveria zvicerane, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe delegacioni i Bashkimit Evropian, kanë dhënë kontributet dhe rekomandimet e tyre për përmirësimin e politikave dhe instrumenteve të propozuara nga ky projektligj. Këto rekomandime janë diskutuar gjerësisht nga grupi i punës për hartimin e projektligjit dhe ekspertë të Ministrisë së Financave. “Është një ligj që është punuar nga shoqata e bashkive dhe Ministria e Financave me asistencën e USAID-it, – ka thënë kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. – Një ligji i cili synon që për herë të parë të bëjë edhe decentralizmin financiar. Ka shumë kompetenca sot që i kanë marrë bashkitë, duke filluar nga shërbimi pyjor, te bujqësia dhe te zjarrfikëset, ndërkohë që të ardhurat kanë qenë po ato. Për herë të parë kemi një përqindje të PBB-së që shkon për pushtetin vendor pa u sanksionuar me ligj”. Sipas kryetarit të bashkisë, kjo do të thotë që, kushdo që të jetë në pushtet, jo më pak se 1 për qind e PBB-së shkon për pushtetin vendor”. Kemi bërë disa rregullime që shkojnë në favor të bashkive; për shembull, taksa e automjeteve, e cila nuk ndryshon, por kur ndahet taksa, pjesa më e madhe shkon për pushtetin qendror, tani 25% e saj do të shkojë për bashkitë”, – ka shtuar ai. Tirana kontribuon me 40% të të ardhurave dhe merr mbrapsht vetëm 10%; edhe pse kontribuon më shumë, është përfituesi më i ulët për banorë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.